Shqipëria sulmuese mposht 3-2 Turqinë në miqësoren e Antalias

Shqipëria sulmuese mposht 3-2 Turqinë në miqësoren e Antalias

Prova e parë përgatitore për kualifikueset e Europianit të ardhshëm, e trajnerit italian Christian Panucci ka rezultuar mëse e suksesshme.

Kjo, jo vetëm për rezultatin 3-2 të siguruar në Antalia, në miqësoren ndaj Turqisë vendase prej kuqezinjve, por edhe për skemën sulmuese që kërkoi të aplikonte tekniku italian, duke bërë kështu një ndryshim thuajse drastik nga paraardhësi i tij bashkëkombas, Gianni De Biasi.

Tri sulmues në fushë, me Grezdën dhe Roshin pas shpinës së Armando Sadikut, i dhanë shumë shpejt frytet, teksa Shqipëria dominonte 2-0 në vetëm 39 minuta lojë ndaj turqve, me dy gola të shënuara nga sulmuesi elbasanas.

Në fundin e pjesës së parë, përfaqësuesja shqiptare është gjendur në inferioritet numerik, pas kartonit të dytë të verdhë të Memushajt për një ndërhyrje të rëndë me bërryl, e me fillimin e pjesës së dytë pësoi edhe golin e parë.

Por, italiani Panucci nuk mund të mos shfrytëzonte kundërsulmin “vrastar”, e falë aftësive shpërthyese të Eros Grezdës, Shqipëria trefishonte rezultatin, që gjithsesi do të ngushtohej pas rreth një orë loje në 2-3 për kuqezinjtë.

Edhe pse në inferioritet numerik, të besuarit e Panuccit, përfshi edhe zëvendësuesit që u hodhën në fushën e blertë në vijim të lojës, arritën të mbronin rezultatin, duke i dhënë një fitore tepër të vyer, edhe pse në një miqësore, kuqezinjve. Një fitore që shton edhe më shumë entuziazmin në radhët e Shqipërisë për të ardhmen. /Top Channel

Kontrolloni gjithashtu

Duda Balje denoncon presionet për votën në Kuvend, m’u ofrua pozitë profesoreje në Shkup në këmbim të mbështetjes për Haxhiun

Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka qenë subjekt i përpjekjeve të ndikimit për …