leoni

MTI mbajti konferencë informuese me bizneset

 Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, organizoi sot Konferencën Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat. Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve qendrore si dhe një numër i madh përfaqësuesish nga komuniteti i biznesit. Kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, së bashku me ministrat: Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti dhe Blerand Stavileci informuan të pranishmit për ecurinë e implementimit të reformave ekonomike të cilat kanë si objektiv përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit. Udhëheqësit e institucioneve theksuan se procesi i reformave ekonomike do të vazhdojë me dinamikë të lartë gjatë këtij viti, duke shprehur optimizëm se me punë të përbashkët në frymën e partneritetit në mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit do të prodhohen rezultate inkurajuese dhe rritje e ndjeshme ekonomike në periudhën vijuese. 

 

 Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalimin e saj theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që nga fillimi i këtij mandati qeverisës ka qenë në dialog të hapur e të vazhdueshëm me bizneset. Ajo po ashtu paraqiti një pasqyrim të aktiviteteve të MTI-së në veçanti në përkrahjen e vazhdueshme të sektorit privat:

“Kemi vizituar një numër biznesesh, kryesisht prodhuese dhe eksportuese; janë realizuar dhjetëra takime individuale në zyrën time me përfaqësues të ndryshëm të bizneseve vendore e ndërkombëtare; kemi përkrahur promovimin e produkteve e të shërbimeve të kompanive kosovare qoftë në panairet brenda ashtu edhe në ato jashtë Kosovës; kemi ndihmuar shumë biznese me grante si dhe këshillime profesionale, si dhe kemi diskutuar çështje të rëndësishme për bizneset tuaja dhe kemi marrë vendime në interesin tuaj në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku janë të përfaqësuara asocionet e biznesit”, theksoi ministrja Bajrami.

Ajo potencoi se përkundër sfidave të shumta që i kanë pasur bizneset dhe institucionet tona në vitin 2015, vit i cili  në përgjithësi ka qenë pozitiv. “Është përmirësuar edhe më tutje ambienti i biznesit, me ligje të reja që janë në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian, me politika fiskale më të favorshme për biznesin dhe si rezultat kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte në Kosovë, ku për 10 muaj të vitit të kaluar vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në 300 Mil EUR. Ndonëse niveli i eksporteve mbetet ende i ulët në krahasim me importin dhe se kjo është një fushë ku ne së bashku duhet të bëjmë më shumë gjatë këtij viti” pohoi ajo.

Ministrja Bajrami, në mes tjerash tha se MTI-ja po planifikon që në bashkëpunim me donatorët të lansojë një projekt që ka për qëllim përkrahjen e bizneseve vendore me certifikimin ndërkombëtar të produkteve dhe shërbimeve të tyre në mënyrë të cilat do të jenë edhe më konkurrente me produktet e importit dhe po ashtu të respektohen në tregjet globale e sidomos ato rajonale e evropiane.

“Ne po ashtu po punojmë në implementimin e Ligjit për Fondin për Garanci Kreditore, të cilin do ta themelojmë së shpejti në bashkëpunim me donatorët e jashtëm si USAID, KFË, SECO-n dhe donatorë të tjerë, që pritet të përkrahin këtë institucion të rëndësishëm i cili do të ndihmojë bizneset në qasjen në financa, – si një ndër barrierat e rëndësishme për zhvillimin e biznesit në Kosovë. Fondi, përveç që do të zbusë rrezikun kreditor, do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës, pasi që shumë biznese që e kanë pasur të pamundur të financojnë realizimin e projekteve të tyre zhvillimore, do të ndihmohen nga ky Fond përmes mbulimit të rrezikut kreditor të bankave duke ulur ndjeshëm lartësinë e kolateralit, që aplikohet nga bankat komerciale e që konsiderohet si shumë i lartë nga bizneset”, bëri të ditur ministrja Bajrami.

Ajo përmendi se gjatë vitit të kaluar MTI ka evidentuar dhe ka ngritur shumë çështje dhe janë zgjidhur shumë barriera tregtare që i kanë pasur bizneset kosovare në tregjet e shteteve fqinje dhe njëkohësisht ju bëj thirrje që bizneset t’i evidentojnë të gjitha barrierat që i hasin qoftë gjatë eksportit, importit apo kalimit tranzit të mallrave në tregjet e vendeve të CEFTA-s, ku tashmë është hapur linku  në ueb faqen e ministrisë platforma elektronike për këtë qëllim të titulluar “Raporto Barrierat Tregtare”.

Për më tepër, ajo ritheksoi se po negociojmë dhe po nënshkruajmë marrëveshje për mbrojtje dhe promovim të investimeve me vende të ndryshme në mënyrë që bizneset tona të kenë mbrojtjen e duhur në vendet në të cilat do të realizojnë aktivitetet e tyre biznesore.

Në konferencë u zhvillua bashkëbisedimi në mes bizneseve dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore , ku bizneseve iu dha mundësia t’i paraqesin shqetësimet e tyre rreth zhvillimit të aktiviteteve  biznesore.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës u zotuan se do ta përkrahin në vazhdimësi zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …