Mijëra qytetarë në Tetovë sot morën pjesë në protestën
kundër ndotjes së ajrit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punës së fabrikës
‘Jugohrom’. Protestuesit i dhanë ultimatum Qeverisë së Nikolla Gruevskit deri
me 25 dhjetor për të ndaluar punën e ‘Jugohromit’ që e ka shndërruar Tetovën në
qytetin më të ndotur në Maqedoni, në të kundërtën do të ketë bllokime të rrugëve
dhe institucioneve komunale. “Kërkesa e parë, të ndërpritet menjëherë puna dhe procesi i prodhimit
në Jugokrom deri në vendosjen e plotë të filtrave. Ky është ultimatum. Pika e
dytë: zhvendosja e deponisë nga hyrja e qytetit të bëhet sa më parë dhe pika e
tretë ndalimi i qarkullimit të të gjitha automjeteve pa standarde ekologjike në
qytet dhe zgjidhjen e kaosit në trafik”, deklaroi kryetari i Lëvizjes ‘Eco-Guerilla’,
Arianit Xhaferi. Në vazhdim, protestuesit e mllefosur nga indiferenca e
autoriteteve lokale, kanë hedhur koktej mollotovi në drejtim të ndërtesës së
Komunës së Tetovës. Pasi Policia rrethoi objektin e komunës, protestuesit nisën
të hidhnin gurë e gjësende të forta. Përndryshe, Tetova është buzë një
katastrofe ekologjike si pasojë e ndotjes së pashembullt të ajrit nga tymtarët
e fabrikës ‘Jugohrom’. Ndotja e ajrit në Tetovë ka kaluar çdo normë të lejuar,
aq sa raportet flasin për rritjen e frikshme të numrit të të kontraktuarve me sëmundje
kancerogjene.
Kontrolloni gjithashtu
Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës po paralajmërojnë grevë
Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar grevë nëse deri në fund të shkurtit …
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
