RKL

RKL: Më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës

Më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës, ku kishte transmetuar program prej 4 janarit të atij viti. Me lajmin kryesor të ditës lidhur me dëbimin e të gjitha forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, ishte përmbyllur me sukses transmetimi i kohës së luftës, ndërsa Radioja kishte paralajmëruar rifillimin e transmetimit në Prishtinë, në kushte dhe rrethana të reja.

Programi ditor i 21 qershorit të vitit 1999, dita e fundit e transmetimit nga Bunkeri në Pallanik të Berishës

Sot është 21 qershori i vitit 1999. Burime të ndryshme informative kanë bërë të ditur se trupat policore ushtarake e paraushtarake serbe, definitivishtë janë larguar nga Kosova, ashtu sikurse ka qenë paraparë me marrëveshjen e 10 qershorit, në Kumanovë.

Dje, komandanti i përgjithshëm i NATO-s, V. Klark, e ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj aleance veriatlantike, z. Havier Solana mbi përfundimin e procesit të largimit të të gjithave forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova. Sipas këtij njoftimi, të gjithë trupat pushtuese janë larguar nga territori i Kosovës, 11 orë para afatit të ultimatumit. Si rezultat i këtij procesi, sekretari Solana urdhëroi ndalimin e sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, të cilat ishin pezulluar 11 ditë më parë. Njëkohësisht kontrollin mbi tërë Kosovën e kanë marrë trupat paqeruajtëse të NATO-s e të vendeve të tjera, anëtare të OKB-së.

Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalimin e tij në përmbyllje të samitit jubilar të NATO-s, ka deklaruar se fitorja kundër Jugosllavisë është imperativ moral i NATO-s. Lufta në Kosovë promovoi strategjinë e re të Aleancës Veriatlantike, nga se të gjithë folësit në Samit, Kosovën e quajtën sprovë për të ardhmen.

 Dje, ministrat e BE miratuan njëzëri vendimin për embargon e naftës ndaj Jugosllavisë. Përveç kësaj i shpallën sanksione të reja ekonomike, duke i ngrirë të gjitha pasuritë në bankat e vendeve të Unionit. Njëkohësisht u mor edhe masa e ndalimit të udhëtimit në këto vende për Millosheviqin, familjen e tij dhe kastën e tij udhëheqëse.

 Burimet tona nga tereni bëjnë të ditur se në fshatin Dragaçinë të Komunës së Suharekës, në pusin shtëpiak të Shahin Trollit, po nga ky fshat është zbuluar një vendvarrim ku mendohet se janë hedhur 10 shqiptarë të vrarë e të masakruar paraprakisht nga bandat serbe. Ekipi i ushtarëve gjermanë, ka arritur të nxjerrë nga pusi njërin nga të viktimizuari. Ata po punojnë për të nxjerrë të gjitha kufomat e gjymtuara e të sakatosura.

 Vazhdon me ritëm të pandërprerë riatdhesimi i të dëbuarve, që muaj me parë ishin vendosur në Shqipëri e Maqedoni. Vetëm gjatë ditës së djeshme, burimet shqiptare të informimit kanë konfirmuar hyrjen në Kosovë të 6000 shqiptarëve të shpërngulur, të cilët kanë kaluar nëpër Qafë të Morinës. Edhe në pikën kufitare të Bllacës në Maqedoni, vargu i të riatdhesuarve dje shtrihej në një kolon dy kilometërshe.

Gazetarët e radios franceze RFI, që kanë qëndruar në Pejë, kanë konstatuar se ky qytet shqiptarë ka pësuar më së shumti nga shkatërrimet dhe rrënimet. Po thuajse tërë qyteti është djegur, plaçkitur, ndërsa të vetmet shtëpi që nuk kanë pësuar dëme janë ato të serbëve e të malazezëve

Burimet e ndryshme të informimit bëjnë të ditur se, qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kishin depërtuar, nga Shqipëria në Itali, kanë filluar të kthehen fillimisht drejt Durrësit, për të vazhduar më pas rrugën e kthimit në Kosovë, në vatrat e tyre nga ku tre muaj më parë janë dëbuar me dhunë nga policia e ushtria okupatore serbe.

Të nderuar dëgjues të Radios-Kosova e Lirë!

Misioni i kësaj Radioje ka qenë i lidhur ngushtë me luftën çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë që nga nëntori i vitit 1997 e deri tani. Ne, redaksia e radios mendojmë se misioni ynë, si zëdhënës i luftës çlirimtare është përmbushur. Vazhdimi i mëtejmë i transmetimit të programit në kushte e rrethana të reja, do të nënkuptojë një koncept të ri të politikës redaktuese. Po ashtu konsiderojmë se, i kemi përmbushur detyrat dhe obligimin tonë kombëtar, në kuadër të funksionimit të valëve të zërit të “Kosovës së Lirë” e cila qysh sot do të pushojë veprimtarinë, derisa të krijohen kushte e rrethana të reja, për të realizuar konceptin e ri programor, që kërkon e ardhmja, nga “Kosova e lirë”.

Mesazhi ynë për popullin tonë të shumë vuajtur dhe për UÇK-n, e cila mori përsipër, organizoi e udhëhoqi me sukses luftën kundër okupatorit serb, konsiston në ruajtjen e unitetit gjithëkombëtar, në kthimin e riatdhesimin e të gjithë të dëbuarve dhe në fillimin e funksionimit sa më të shpejt të jetës së organizuar politike, shoqërore e qytetare në Kosovën e re, të lirë e demokratike.

Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë, pasojat kanë mbetur

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Së bashku me ushtrinë kriminale po largohen edhe shumë serbë, sidomos ata që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve.

Kësaj radhe serbët e kanë realizuar çdo pikë të Marrëveshjes për tërheqje e cila është realizuar dy ditë më parë, por sot është zyrtarizuar. Forcat franceze kanë zënë Mitrovicën ndërsa një pjesë e madhe e serbëve është ndalur në pjesën veriore të qytetit. Edhe forcat ruse janë stacionuar në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Prishtinës. Po flitet se forcat ruse do të inkuadrohen në radhët e KFOR-it. Në Kosovë tanimë kanë depërtuar forcat amerikane, gjermane, austriake e të tjerë.

Sot morëm edhe një lajm të hidhur. Në përpjekje për të deminuar vendin në oborrin e Shkollës, në Lagjen e Bytyçve, në fshatin Arllat  kanë rënë dy luftëtarë të lirisë, dy ushtarë anglezë dhe një rojtar i shkollës. Me rastin e largimit të minave, njërit prej  ushtarëve anglezë i ka shpëtuar bomba kasetë nga dora dhe nga shpërthimi kanë gjetur vdekjen të gjithë. Barbarët janë larguar por prapa kanë lënë gjurmët e sodomisë së tyre kriminale. Në mesin e ushtarëve të rënë janë Sami Gashi, Osman Krasniqi dhe Milazim Gashi. Emrat e ushtarëve anglezë nuk kemi arritur t i mësojmë.

Sot kemi paralajmëruar ditën e fundit të transmetimit të emisionit në majën e Pallanikut. Përmes një shënimi  i kemi bërë të ditur emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të stafit dhe punën që kanë kryer gjatë kësaj periudhe  afër gjashtëmujore.

Ndërprerja e programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova ka  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet.

Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin që ka caktuar vetvetes dhe sot po e përmbyll kapitullin më të rëndë por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme e luftës në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapres, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare. Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë, Xhavit Bajraktari anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë  11 dëshmorë të lirisë.

Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radioja Kosova e Lirë dhe Agjencia kosovapres kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Radio “Kosova e lirë”, ka filluar transmetimin e emisioneve, më 4 janar të vitit 1999. Fillimisht kemi transmetuar 15 deri 30 minuta program provues informativ. Pa vonuar ka filluar zgjerimi i programit ditor me emisione të ndryshme, si, reportazhe, intervista, biseda me ushtarë e eprorë të UÇK-së, biseda me familje të dëshmorëve e të tjera. Përveç informatave burimore nga terreni, kemi dhënë edhe komente të vazhdueshme në të cilat është pasqyruar qëndrimi politik i SHP të UÇK-së, lidhur me rrjedhat dhe zhvillimin e ngjarjeve, gjatë kësaj periudhe kohore.

Një vend të rëndësishëm në kuadër të programit tonë ditor, kanë zënë edhe shkrimet e ndryshme tematike, për dëshmorët, shënime përvjetorësh të luftës sonë për liri e pavarësi, pastaj emisioni i muzikës së zgjedhur popullore. Në kuadër të emisioneve tona informative janë transmetuar edhe komunikata e informata të tjera të SHP të UÇK-së si komunikata e deklarata të komandave të zonave operative nga terreni.

Emisionet kanë qenë kreative, aq sa kanë lejuar kushtet e rrethanat në territorin që e kishte nën kontroll ushtria jonë çlirimtare. Jemi ballafaquar me pengesa të ndryshme të natyrës objektive, me mungesë të kuadrit, me mungesë të shprehur të mjeteve e pajisjeve më se të nevojshme, por, megjithatë kemi vazhduar punën me këmbëngulje, përkushtim e sakrificë.

Stafi i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës:

Ahmet Qeriqi, përgjegjës i radios, redaktor dhe hartues i shkrimeve të ndryshme tematike.

Nezir Myrtaj, analist, hartues dhe redaktor i rubrikës ditore informative.

Martin Çuni, gazetar, redaktor dhe realizues i programit ditor.

Nusret Pllana, spiker, zgjedhës i muzikës dhe pjesëmarrës në realizimin e programit ditor.

Habib Zogaj, Gazetar, bashkëpunëtor nga terreni.

Valdet Hoti, teknik i zërit dhe realizues i programit ditor.

Rizah Berisha, teknik, vozitës dhe furnizues.

Fatmir Dugolli, teknik i radios dhe mirëmbajtës i pajisjeve elektronike.

Gazmend Elshani, kameraman dhe luftëtar i lirisë

Mentor Hoti teknik.

Gjatë gjithë kohës së funksionimit të deritanishëm, ekipi i radios ka qëndruar në fshatin Berishë. Stabilimentet e transmetimit, antenat, transmetuesit, po ashtu kanë qenë të vendosura në pikat strategjike malore të këtij fshati.

(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Apel  i Sektorit për Shëndetësi të SHP të UÇK-së

Në një thirrje të sektorit për shëndetësi të SHP të UÇK-së ndër të tjera thuhet: Me angazhimin mbinjerëzor të personelit mjekësor, që ishte i pamjaftueshëm në zonat e luftës dhe me ndihmën e UÇK-së, u arrit të kurorëzohet me sukses  edhe kjo periudhë e rëndë, por e lavdishme e punës kombëtare, profesionale dhe humanitare e mjekëve tanë.

Tani jemi në një periudhë tjetër kohore, që karakterizohet me lirimin e tërë hapësirës së Kosovës, pra edhe të objekteve spitalore.

Për të evituar gjendjen e katastrofës humanitare, në të cilën gjendet populli ynë, ftojmë personelin mjekësor që të kthehet në atdhe dhe në vendet e punës.

Edhe pse objektet shëndetësore janë të demoluara dhe të shkatërruara nga barbarët serb, me ndihmën e asociacioneve humanitare ndërkombëtare ato do të kompletohen me pajisje moderne.

Mos prania me kohë e personalit mjekësor le të mbetet në ndërgjegjen e secilit person.

Shfrytëzojmë rastin t’i bëjmë thirrje edhe popullsisë së zhvendosur, e cila një kohë të gjatë ka qëndruar jashtë vendbanimeve, që kthimin në vatrat e tyre ta bëjnë në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar nga njësitë e UÇK-së. Vetëm atëherë, kur ato paraprakisht ta kenë kontrolluar terrenin nga minat, bombat dhe lëndët tjera shpërthyese, të instaluara nga kriminelët serb, paraqesin rrezik permanent për jetën e qytetarëve, popullsia mund të kthehet pa frikë në vatrat e veta,-thuhet në thirrjen e Sektorit për Shëndetësi të SHP të UÇK-së.

Mirë u dëgjofshim në Kosovën e fitoreve të rej!.

(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …