Profesori Timothy Waters ka deklaruar se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të ketë rëndësi të madhe politike, por ka shprehur skepticizëm se vendimi i Dhomave të Specializuara do të ndryshojë mënyrën se si shoqëritë në Kosovë dhe Serbi e kuptojnë të kaluarën e luftës. Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Waters ka thënë se një vendim fajësie do të ishte juridikisht vendim ndaj katër individëve, por mund të interpretohej politikisht shumë më gjerë, ndërsa një vendim pafajësie mund të shihej nga disa aktorë si dështim i Prokurorisë, pavarësisht se qëllimi i drejtësisë duhet të jetë përcaktimi i përgjegjësisë dhe jo dënimi me çdo kusht. Sipas tij, përvoja e Tribunalit për ish-Jugosllavinë tregon se gjykatat ndërkombëtare nuk kanë arritur të sjellin pajtimin e synuar mes shoqërive të rajonit. Waters ka vlerësuar se vendimet gjyqësore shpesh interpretohen përmes përkatësisë politike dhe etnike, ndërsa palët e ndryshme i përdorin ato për të mbështetur narrativat e tyre. “Një nga gjërat që dikur mendonim se këto gjykata do të arrinin – krijimin e narrativëve të rinj që do të ndihmonin pajtimin – ka dështuar plotësisht”, ka deklaruar ai, duke shtuar se gjykatat nuk e kanë kryer këtë funksion. Waters ka kritikuar gjithashtu idenë e imponimit të proceseve gjyqësore nga jashtë, duke argumentuar se një proces i zhvilluar nga gjyqtarë të huaj nuk garanton që shoqëria ndaj së cilës zhvillohet procesi do ta pranojë atë si legjitim. Sipas tij, përballja me të kaluarën mund të kërkojë edhe forma të tjera, përfshirë proceset vendore, edukimin, hulumtimin historik dhe projekte shoqërore, ndërsa drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të shihet si zgjidhja e vetme. Waters ka theksuar se rëndësia më e madhe e verdiktit të ardhshëm do të jetë rezultati dhe mënyra se si ai do të përdoret politikisht në Kosovë, rajon dhe më gjerë, ndërsa ndikimi i tij në shkrimin e historisë, sipas tij, ka gjasa të jetë shumë më i kufizuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
