Relacione mes romanit “Ringjallja” të Tolstoit dhe “Shkelja e kurorës” së Paulo Coelhos

Ahmet Qeriqi: Relacione mes romanit, “Ringjallja” të Tolstoit dhe “Shkelja e kurorës” e Paulo Coelhos III

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Për dallim nga kundrimi që i bën kurorë thyerjes dhe pasojave të pandreqshme Loen Tolstoi i madh, shkrimtari brazilian, Paulo Coelho në romanin “Thyerja e kurorës” ka trajtuar po këtë temë mjaft të përhapur të shoqërisë së sotme bashkëkohore, në kohë kur vlerat tradicionale, morale,  fetare, janë dobësuar dhe dita-ditës  po dobësohen dhe po katandisen. Adulteria, njëra prej pesë ndalesave të Hyjit, transmetuar përmes profetit Mojsi, tani në tërë vendet e botës, ku më shumë e ku më pak, ka pësuar degradim dhe nivelin më të ulët të respektimit. Pikërisht nga kurorë-thyerja njerëzimi po ballafaqohet me një fenomen që po e shpie drejt degradimit dhe luhatjes së vlerave themelore të familjes bashkëkohore.

Trajtimi i kësaj teme nga Coelho ka disa relacione të njëjta për nga tematika  me romanin “Ringjallja” të Leon Tostoit, por edhe kundrime të ndryshme mbi botën, njeriun, moralin e kurorë-thyerjen. Tostoi, një shkrimtar besnik i traditës biblike dhe i humanizmit njerëzor, arrin  në përfundim se thyerja e kurorës, jo vetëm që është një shkelje e rëndë e ligjeve të Hyjit, dhe ajo nuk mund të përmirësohet me asnjë mirësi, me asnjë veprim, që mund të pretendohet si human. Aristokrati, Dmitrij Nekludov, në romanin “Ringjallja”  kishte një dashuri të ndaluar me shërbëtoren, Katerina  Maslova, dashuri që bëhet shkak për shthurjen tragjike të jetës së saj. Nekludovi, i cili ia kishte shkaktuar  fatkeqësinë, do të mundohet me të gjitha veprimet ta ndihmojë, duke pranuar mëkatin që kishte bërë, por nuk arrin ta ndryshojë jetën e Ekaterinës, e cila përfundon me burg të përjetshëm, në Sibir. Tolstoi ka dënuar ashpër hipokrizinë dhe moralin e prishur të shoqërisë ruse të kohës, duke e fajësuar për krimet dhe tragjeditë njerëzore që kishte shkaktuar e shkaktonte.

Coelho në romanin e tij të fundit, “Shkelja e kurorës”, një shekull e më shumë pas Tolstoit paraqet një kundrim ndryshe të realitetit me këtë temë. Ai përmes, Lindës, një gazetare zvicerane, na parqet kurorë-thyerjen si instinkt, si provë e  ngrënies së  “mollës së ndaluar”  si dëshirë dhe pretendim për të vajtur më tej, për të thyer pengesat tradicionale, fetare e biblike. Përderisa Katerina e “Ringjalljes”, bie pre e epshit të një fisniku dhe pëson me jetë, Linda e Koelhos është një femër mondane, e cila i ka realizuar në jetë të gjitha të mirat, burrin  e pasur dhe me pozitë shoqërore, fëmijët, statusin e mirë në punë, por nuk është e kënaqur me rutinën e jetës dhe me pengesat që paraqet kurora. Ajo tradhton burrin, duke iu dhënë një shoku të kohës së fëmijërisë, Jakobit, politikan i njohur. Më vonë i tregon  burrit për thyerjen e kurorës dhe nuk pushon veprimin e lig të saj  deri në fund. Pavarësisht të gjithave, burri e fal dhe ajo sërish kthehet në jetën e rëndomtë, në punët e përditshme.

Përderisa te romani i Tostoit, sikur ka ndodhur dhe ndodh rëndom, kurorë-thyerja ndëshkohet,  te Coelho, ajo mbetet krejt e pandëshkuar. E vetmja e ndëshkuar në këtë mes është gruaja e Jakobit, e cila padrejtësisht poshtërohet publikisht nga Linda, që kishte shkaktuar kurorë-thyerjen dhe nuk ishte penduar për skandalin as i kishte kërkuar falje.

Kundruar realisht, Coelho, në ndërtimin e romanit të tij  bazohet në realitetin aktual të shoqërisë njerëzore, sidomos asaj bote në perëndim ku vlerat morale po përjetojnë një degdisje dhe katrahurë të vërtetë. Ai nuk merr qëndrim të prerë për ta dënuar kurorë-thyerjen, përkundrazi, krejt drama mbaron, madje pa  kërkim faljeje, por me një kthesë “morale” të Lindes, e cila më në fund, bëhet sikur pendohet, pikërisht në natën e vitit të ri duke përfillur ritet e krishtera  tradicionale…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …