Radio Kosova e Lirë

A mund të dalim nga hendeku, jo vetëm politik, ku e ka hedhur Kosovën, qoftë edhe pa dashur, Qeveria e Albin Kurtit

Kosova ndodhet në një hendek politik, nga keqqeverisja, nga pretendimet megalomane të drejtuesve të saj kryesorë  për super dije e super qeverisje.

Faktet janë kokëforta dhe ato flasin me logjikën e vet, pavarësisht si bëhen përpjekje për t’ i paraqitur, për t’ i deformuar e tjetërsuar.

Fakt numër një është prishja ekstreme e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo për fajin e Uashingtonit zyrtar, sipas disa militantëve të Albin Kurtit, të cilët pretendojnë të na bindin se Amerika po dëshiron ta përfitojë Serbinë, mbi kurriz të Kosovës. Këtë e tha hapur dhe shumë qartë   sh-diplomati amerikan, Thomas Contryman, i cili  nuk pajtohet me konstatimin se Amerika ka qasje më të butë ndaj Serbisë.  Duke folur për situatën e tensionuar në veriun e Kosovës, ai ka deklaruar se konfirmimi i shtendosjes nuk shihet në fjalë, ose në kushtet e marrëveshjes, por në veprimet e autoriteteve të Kosovës dhe të komunitetit serb. Duke folur për Zërin e Amerikës, ai është shprehur se nëse nuk është fjala për  një tërheqje e plotë, atëherë së paku kjo do të bëhej duke e zvogëluar numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në Veri dhe lëvizje që do të tregonin një kuptim të nevojës për pajtim politik dhe vendosjen e udhëheqjes së re legjitime në komunat në veri të Kosovës. Contryman ka theksuar se nuk pajtohet me pretendimet e palës së Kosovës se komuniteti ndërkombëtar ka një lloj qasje më të butë ndaj Serbisë, për ta distancuar atë nga Rusia.

Kemi edhe një  mendim ndryshe lidhur me këtë qasje. Ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Eliot Engel, një mik i njohur Kosovës dhe i shqiptarëve përgjithësisht  në një koment të gjatë për situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, ka shkruar se Amerika po e zbut Serbinë, andaj Administrata e z.  Biden duhet  të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

E vërteta qëndron në faktin se gabimet e Kurtit në Veriun e vendit  i ka shfrytëzuar dhe po i shfrytëzon politika serbe në Beograd. Përpjekjet për ta paraqitur gjendjen në veri si kushtetuese dhe me sundim të plotë të ligjit, janë përpjekje naive dhe të mjera, sepse prej qershorit të vitit 1999, Kosova nuk pa pasur autoritet as sovranitet në atë pjesë, as ka tani me vendosjen e dy tre flamujve, apo dy tre “kryetarëve privat” të komunave, të cilët nuk përfaqësojnë asnjë segment real të qeverisjes. Është vetëm një mashtrim syhapur, me pretendime për t i bindur votuesit se Kurti po i mbanë premtimet zgjedhore.

Fakti tjetër i keq dhe skandaloz është mohimi i rolit të BE-së si organizatë pan-evropiane dhe ndikimi i saj ekonomik e politik jo vetëm në Evropë e më gjerë.

Deklaratat skandaloze të ministres së jashtme, Donika Shvarc të njohur vetëm për skandale, thellojnë hendekun me BE-në, në kohën kur krejt Kosova por edhe Qeveria Kurti, është aq fortë e lidhur pikërisht me BE-në, sepse ajo është ndërmjetësuesja e çdo marrëveshjeje që arrihet nga Kosova dhe Serbia dhe e ka qind për qind përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fakti më i pa skrupull  deri tani është injorimi i Qeverisë së Shqipërisë, veçmas i kryeministrit Edi Rama, nga Albin Kurti dhe zhdanovistët e tij

Edhe pse Kurti ka ardhur në pushtet me kauzën e tij shumë të njohur të bashkimit kombëtar, nga e cila ka hequr dorë pasi i ka fituar zgjedhjet, dy vjet më parë,  tani jo vetëm që nuk i intereson fare për kauzën, por as për Shqipërinë, ku kishte pretendime ta përçante duke aktivizuar partinë e tij, me një grup mercenarësh anarkistë e zhdanovistë të llojit të vet.

Ky qëndrim i Albin Kurtit  në radhë të parë është përpjekje për thellimin e përçarjes, ndër-shqiptare,  dhe, si i tillë është thjesht antikombëtar, sepse nëse Kurti thirret në 51 përqindëshin e tij, Edi Rama ka fitore dhe besimin shumë më të madh të krejt shqiptarëve, jo vetëm sa dy vitet e qeverisjes me paterica të  Albinit,  por qe 12 e më shumë vjet. Nëse Kurti gjithçka arsyeton mbi bazës e fitores në zgjedhjet e fundit, nuk mund t ia mohojë tjetrit fitoren edhe më të madhe, vetëm sepse ai nuk e ka në mesin e shokëve, dhe sepse nuk fitoi as edhe një deputetet me mihalaqët, ferrët, zgaqët  e  anarkistët e tij, në Tiranë, në pjesëmarrjen e kundërligjshme në zgjedhjet e përgjithshme, në Shqipëri.

Skandalet e dështimet e tjera janë të shumta, janë të panumërta, janë të çdo segmenti…

Qeveria e skandaleve të përgjithshme po mbijeton pikërisht me këto skandale të përditshme, pasi opozita në Kosovë është e përçarë dhe e paaftë për ta përmbysur regjimin e dështuar të Albin Kurtit.

E vetmja forcë e organizuar, e cila ka kredibilitet dhe ka arsye të fortë ta rrëzojë këtë qeveri janë veteranët, invalidët, familjarët e dëshmorëve, është populli shumicë që nuk ka marrë pjesë  në zgjedhje.

Qeveria- Kurti ka hyrë në rrugë nga e cila nuk mund, nuk di as ka gatishmëri të dalë. (RKL)

20. 7. 2023

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …