leoni

A. Q. Beteja e Llapushnikut dhe taktika e vënies nën kontroll të territoreve të caktuara

Dje dhe sot  në disa portale, në Internet po qarkullon lajmi se në “Betejën e Llapushnikut”, të zhvilluar me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998 ranë 47 dëshmorë dhe 54 martirë. Ky lajm nuk bazohet në asnjë të dhënë relevante dhe është krejtësisht i pasaktë, meqë me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut më 9 maj, 1998  janë zhvilluar luftime të ashpra mes forcave të policisë serbe dhe ushtarëve të UÇK-së nga njësitet: “Çeliku”, “Lumi”, “Pëllumbat”, por gjatë përleshjeve ka rënë vetëm dëshmori, Besim Daut Halilaj nga fshati Tërdec dhe disa luftëtarë janë plagosur.  Beteja e Llapushnikut është zhvilluar më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, me ç’ rast ka rënë komandanti i Pikës, Imer Alushani dhe luftëtari, Ali Zogaj.  Gjatë luftimeve 10 luftëtarë janë plagosur rëndë. Numri prej 47 dëshmorëve dhe martirëve nuk ka të bëjë me Grykën e Llapushnikut, por me një rreze shumë më të gjerë të veprimit të Batalionit të Parë, “Imer Alushani” të Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova.


Në zënien e Grykës së Llapushnikut kanë marrë pjesë edhe shumë eprorë të lartë të UÇK-së, të asaj kohe, në mesin e tyre edhe heroi i Kosovës, Fehmi Lladrovci e të tjerë.


 


Zënia e Grykës së Llapushnikut pati rëndësi të jashtëzakonshme për konsolidimin e radhëve të UÇK-së. Asokohe ishte vënë nën kontroll të luftëtarëve të lirisë një terren me rëndësi për qarkullim, furnizim me armë dhe  për depërtimin, me më pak rrezik, nga Zona e Drenicës në Zonën e Dukagjinit, në Rajonin e Malishevës, e cila asokohe ishte shpallur Zonë e lirë e UÇK-së  dhe përgjithësisht ishte krijuar një lidhje e fortë edhe me  Zonën Operative të Pashtrikut.


 


Përpjekjet taktike të luftëtarëve të lirisë për të vënë nën kontroll territore të caktuara, bënë që forcat ushtarake dhe policore të Milosheviqit të zbarkonin në Kosovë, dhjetëra mijëra ushtarë dhe një kontingjent të jashtëzakonshëm të armëve e teknikës luftarake. Tashmë po shihej e po kuptohej botërisht se tërë ai kontingjent i forcave ushtarake nuk ishte dislokuar për të eliminuar disa “grupe terroristësh” sikur thuhej zyrtarisht, por bëhej fjalë për dy forca kundërshtare, të cilat po luftonin madje edhe në pika frontale, edhe pse aspak të barabarta në numër të ushtarëve dhe të teknikës së luftës. UÇK-ja kishte përballuar me sukses  ofensivat  serbe të verës së vitit 1998, pavarësisht se kishte humbur disa pika strategjike, kishin rënë qindra luftëtarë, por  ajo ishte mobilizuar në brendësi të territoreve, që i kontrollonte dhe kishte filluar ristrukturimin ushtarak, strategjik, me qëllim për konsolidimin e mëtejmë të radhëve.


Zënia e Grykës së Llapushnikut, më 9 prill 1998 pa dyshim se shënon një ngjarje me rëndësi në kalendarin e datave të historisë së UÇK-së. Zënia e pikave strategjike në tërë territorin e Kosovës nga luftëtarët e lirisë, kishte sfiduar në mënyrë të pashembullt deri atëherë ushtrinë dhe policinë e Milosheviqit.


 


Duke dështuar në përpjekjet mizore për ta shuar UÇK-në, kreu politik dhe ushtarak i Serbisë, filloi edhe fushatën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova me qëllim që përmes taktikës së “tokës së djegur”, ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët. Në mediet serbe, asokohe, kjo dyndje shpjegohej si fakt se shqiptarët po shkonin atje nga ku kishin ardhur në Kosovë, para disa shekujve, dhe se atyre po iu “rrëshqiste nën këmbë toka e huaj”. Jo vetëm mediet e huaja por dhe ato shqiptare që transmetonin lajme nga Tirana e nga qytetet  e Evropës, (përveç Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, që përhapnin lajme nga zona e Rrafshnaltës së Drenicës),  kishin manipuluar me numrin e të shpërngulurve nga Kosova.  Disa gazetarë të papërgjegjshëm, si dhe të tillë që urrenin luftën e UÇK-së kishin përhapur lajme se nga Kosova ishte larguar e tërë popullata, se ishin dëbuar më shumë se dy të tretat e popullatës dhe fajin për këtë dyndje ia  adresonin regjimit të Milosheviqit por edhe UÇK-së. Gazetari i vetëshpallur i vdekur, më vonë i ringjallur diku në perëndim, njëfarë Baton Haxhiu, akuzonte drejtpërdrejt UÇK-në, për shkak se kishte filluar luftën kundër Serbisë dhe kishte katandisur popullatën. Një luftë speciale kundër UÇK-së, e drejtonin edhe Koha Ditore, Bota Sot, disa medie në Shqipëri dhe të gjitha mediumet e Serbisë.


Jo pak nga ata që kishin ikur nga Kosova, shumë syresh të manipuluar dhe të frikësuar nuk e kishin reshtur të villnin helm kundër luftëtarëve të lirisë, duke i konsideruar si shkaktar të fillimi të luftës, edhe pse ishin pikërisht luftëtarët e lirisë ata të  cilët ishin vënë në mbrojtje të popullatës së zhvendosur, e cila kishte ndarë me ta fatin e jetës e të martirizimit.


Gjatë luftës në Kosovë kanë mbijetuar shumica e popullatës civile, si popullata e cila jetonte nëpër male e gryka lumenjsh ashtu edhe popullata e disa qyteteve të Kosovës, e cila nuk kishte ikur, por ishte strukur  duke pritur se çfarë do të sillte e nesërmja, gjithnjë me shpresë se regjimit kriminal të Milosheviqit në Kosovë po i numëroheshin ditët, sidomos pas fillimit të bombardimit të NATO-s kundër caqeve ushtarake e ekonomike të Serbisë e Malit të Zi.


Taktika e vënies nën kontroll të terreneve të caktuara dhe mbrojtja e shumë territoreve deri në mbarim të luftës nga UÇK-ja, mundësoi një organizim specifik të luftës në rrethana po ashtu specifike që manifestohej me sigurimin e jetës së popullatës së zhvendosur, funksionimin në kushte lufte të disa spitaleve ushtarake e civile, sigurimin e ushqimeve për popullatën, funksionimin e operativës,  funksionimin e shumë mullinjve të ujit për bluarjen e grurit e të misrit,  transmetimin e programit nga Radio-Kosova e Lirë dhe përgjithësisht një organizim optimal në kushte dhe rrethana nën rrethim dhe bombardim të pandërprerë nga forcat ushtarake e policore të Serbisë.


 


Zënia e Grykës së Llapushnikut prej 9 maj deri më 26 korrik pati një rëndësi të veçantë strategjike në zgjerimin dhe konsolidimin e UÇK-së në fazën e parë të organizimit të pikave,  më vonë të krijimit të  vijave të fronteve,  kudo ku ishin krijuar  kushte për një organizim të tillë, i cili në muajt e fundit të luftës rezultoi me aksione të bashkërenditura  dhe operacione sulmi nga forcat e UÇK-së për të thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilin  Serbia po bënte përpjekje ta ruante, edhe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.  


NATO-ja nuk kishte lejuar përparimin e forcave të UÇK-së, meqë meritën për dëbimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova do ta merrte vetë, duke pretenduar se me intervenimin kundër Serbisë, kishte shpëtuar një popull nga gjenocidi.


E vërteta e luftës së UÇK-së dhe e vërteta e intervenimit të NATO-s nuk mund të ndahen, as mund të interpretohen jashtë kontestit historik, meqë pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte intervenim të NATO-s. Këtë fakt e mohojnë vetëm pacifistët e mykur shqipfolës dhe Beogradi zyrtar.


 


10 maj 2014

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza është shprehet optimist se do ta fitojë garën për kryetar të Mitrovicës pa balotazh

Bedri Hamza shfaq dyshime lidhur me komunikimin e njërit prej organizatorëve të sulmit në veri të Kosovës me Mimoza Kusarin

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka ngritur një zë kritik në lidhje me dialogun me …