leoni

A.Q: “Emocionet”, apo krimet e masakrat serbe kundër shqiptarëve

“Logjika”, me të cilën është shërbyer kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Konferencën e Sigurisë, në Mynih, dua të besoj se nuk  është logjika e tij, të paktën nuk është logjika e çlirimtarit dhe liribërësit të dikurshëm, por është Logjika e Brukselit zyrtar, e thënë nga goja e kryeministrit të Kosovës. Duke qenë në një presion të fuqishëm ndërkombëtar, i shantazhuar dhe i kërcënuar nga të gjitha anët, Hashim Thaçi  ka ngelur në verigat e Brukselit dhe në mëshirën e “bajraktares” ( baroneshës) së BE-së, Keterin Ashton. Andaj, deklarata e tij paqësore dhe kërkesa për të fshirë nga truri të kaluarën njëanshëm, vetëm nga shqiptarët, sepse serbët nuk joshen me “logjikën” e Thaçit, duket deklaratë tejet diplomatike, por krejtësisht në shpërputhje me realitetin, me historinë dhe armiqësinë 13 shekullore serbe-shqiptare, e cila po zgjat edhe sot dhe e cila nuk do të fashitet kurrë, jo sepse nuk duam ne shqiptarët e dobët e të degdisur, por sepse prapa  orekseve të  Serbisë për pushtim e dominim, qëndrojnë orekset shumë më të fuqishme e më të pangopshme të Rusisë.

 

Kryeministri, Thaçi, në konferencën e Sigurisë në Mynih ishte pjesëmarrës bashkë me kryeministrin serb, Ivica Daçiq dhe kryeparen e BE-së, Catherine Ashton, ku ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që ka saktësuar: “Paqja nuk arrihet duke evokuar emocione të së kaluarës. Bashkëpunimi i ndërsjellë Kosovë – Serbi është i vështirë emocionalisht, por politikisht dhe praktikisht më se i arritshëm. Faktet e hidhura të konfliktit njëshekullor janë të rënda, por argumentet e së ardhshmes janë më të fuqishme për arritjen e paqes”, ka thënë Thaçi, i cili ka shtuar se të dy kryeministrat do të fitonin më shumë duartrokitje në kryeqytetet e vendeve të tyre nëse nuk do ta arrinin marrëveshjen. Ekziston bindja në Serbi dhe në Kosovë, por edhe më gjerë, se serbet dhe shqiptarët janë armiq dhe se kurrë nuk do të mund të bashkëpunojnë. Unë nuk i besoj kësaj logjike. Konflikti ka krijuar një hendek dhe urrejtje të thellë, por unë besoj në fqinjësi të mirë serbo-shqiptare. Marrëveshja nuk është dorëzim i njëri-tjetrit, por reflektim për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Çfarëdo arritje e paqes është më e vështirë se fillimi i konfliktit”, ka thënë Thaçi në konferencën e Sigurisë në Mynih.

 

Kjo deklaratë e kryeministrit duket se është shumë e guximshme, por realisht ajo është krejtësisht e papërgjegjshme, e frikshme, skajshmërisht e frikshme  dhe krejtësisht antihistorike, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me armiqësinë 13-shekullore shqiptare serbe, por ende kemi të bëjmë  me armiqësinë e serbëve me të gjithë jo serbët. Këtë nëse nuk e di sa duhet kryeministri, e di historiani, Hashim Thaçi.

 

Ai e di se serbët dhe sllavët përgjithësisht janë ardhacakë në Ballkan dhe dyndja e tyre nuk është bërë nga presioni që kanë pasur fiset sllave, në vendet përtej Karpateve, Uralit e Dnjeprit, por është bërë si dyndje për pushtim tokash, dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm ne Ballkan. Natyrisht se këtë dikush ia ka lënë së kaluarës, që nuk mund të ndreqet, por ajo nuk është ndrequr për 1.300 vjet, për të arritur në të njëjtën formë të agresivitetit e monstruozitetit, në intervale kohore, prej shekujve XII-XIII në kohën e Dinastisë    Nemanjidëve, për t’ u tkurrur pastaj  drejt veriut për disa shekuj, dhe për t’u shtrirë e për t u rikthyer  sërish  në vitin 1912, në kohën e Luftërave Ballkanike, me qëllim për ta ringjallur Serbinë mesjetare.

Asokohe u vranë, u  masakruan dhe e dëbuan nga trojet e tyre 400.000 shqiptarë, turq, hebrenj dhe jo sllavë.

Thaçi po ashtu e di se shtetet sllave ishin krijuar duke aneksuar trojet shqiptare dhe mbahen e ekzistojnë edhe sot duke i mbajtur nën okupim shumë prej këtyre trojeve, jo për shkak të emocioneve të buta apo të forta, por për shkak të politikave shfarosëse, që kanë për qëllim dominimin, shfrytëzimin, kolonializmin dhe praktikat mijëravjeçare uzurpatore, jo vetëm në Ballkan por kudo në botë.  Lufta kundër kolonializmit dhe shfrytëzimit nuk është ndaluar as ndalohet dot me deklarata, as me traktate të ndryshme, nuk është ndalur as do të ndalohet me asnjë marrëveshje, sepse janë të tjera forca lëvizëse ato, që veprojnë në këtë drejtim, pa pyetur politikanët entuziastë, romantikë e sentimentalë.

 

Jam i vetëdijshëm se nuk kam thënë asgjë të re, sepse të gjitha këto historiani, Hashim Thaçi, i di mjaft mirë, por kryeministri Hashim Thaçi duket se është i detyruar të deklarojë krejtësisht ndryshe, pavarësisht se kush fiton dhe sa do të fitojë nga deklaratat e tilla, sepse sido që të interpretohen këto realitete në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, nuk kemi të bëjmë me një realitet sentimental, romantik, as entuziast, por me  një realitet të mbarsur me shumë probleme e kontradikta, ekonomike, shoqërore, klasore, politike, etnike e fetare, të cilat nuk janë zgjidhur as do të zgjidhen me deklarata të forta, qofshin ato edhe  të bekuara me temjanin e Brukselit, apo të erëzuara me  parfumin e zonjës plakë, Ashton.

 

Mbi çfarë baze dhe mbi cilën të drejtë kërkohet arritja a paqes mes shqiptarëve e serbëve?

 

Kryeministri Thaçi në fjalimin e tij, në Munih ka relativizuar çështjen e marrëdhënieve shqiptare-serbe dhe të arritjes së marrëveshjes, si bazë për të arritur dhe për të nënshkruara një “traktat”. Realisht  në bisedime me Serbinë ai ka hyrë duke pasur pëlqimin e Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha partive politike përveç Vetëvendosjes. Mjerisht e ka pasur bekimin edhe të Tiranës zyrtare dhe kuptohet edhe të Ali Ahmetit  në Maqedoni. Në këtë drejtim nuk mund të thuhet se nuk e ka legjitimitetin e shumicës, e cila ka marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, edhe pse shumica e popullsisë së Kosovë fare  nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Është ajo shumicë, të cilën nuk e pyet askush, deri në një moment të caktuar, kur ajo del në sipërfaqe dhe imponohet ashtu sikur është imponuar sa e sa herë deri tani.

Pavarësisht nga kjo, tërë klasa politike shqiptare, është bashkëfajtore për lejimin e fillimit të bisedimeve me Serbinë, pa asnjë kusht, madje pas shpalljes së pavarësisë edhe pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pro pavarësisë së Kosovës.

Janë iluzore deklaratat se Kosova ka fituar diçka në bisedimet me Serbinë. Realiteti e demanton këtë konstatim, sepse Serbia  tashmë i ka hapur portat e mbyllura të Kosovës, me pëlqimin tonë, qoftë edhe të kushtëzuar apo të shantazhuar. Ajo ka  legalizuar veriun duke krijuar para kushte për shkëputje apo krijim të një republike, dhe ky ka qenë synimi i parë strategjik i saj, të cilin e ka arritur në një shkallë më të madhe dhe më shumë sesa ka menduar.

Interpretimi pompoz, për këtë apo atë fitore, është pjesë e propagandës dhe nuk ka të bëjë fare me realitetin. Madje kjo propagandë na ka kujtuar prore atë anekdotën e Nastradinit, të cilit i kishte pallur gomari, pikërisht  në kohën kur  i kishte thënë fqinjit se gomarin nuk e kishte në shtëpi.

Arritja e paqes me Serbinë është një mision i pamundshëm, jo sepse nuk ka sa të duash shqiptarë, që e synojnë këtë të arritur, (madje ka të tillë që edhe po vdesin syhapur duke pritur kthimin e saj në Kosovë), por sepse serbët, krerët e Serbisë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Këtë e kanë thënë dhe e thonë të gjithë politikanët në Serbi, sepse kjo është aspiratë e tyre hegjemoniste, sepse ata janë popull hegjemonist dhe këtë e kanë treguar me vepër duke pushtuar të tjerët, dike i vrarë dhe duke i masakruar, me qëllim për t’ua imponuar vullnetin, besimin dhe kulturën e tyre, me qëllim për t’ i shfrytëzuar ashtu sikur i kanë shfrytëzuar madje edhe popujt me të cilët i lidh gjaku, gjuha dhe kaluara.

Asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin hegjemonist serb dhe deklaratat e tilla të kryeministrit Hashim Thaçi vetëm sa trimërojnë serbët e Serbinë. Daçiqi, Nikoliqi dhe përgjithësisht Beogradi zyrtar në deklaratat e tilla shohin një politikan të shtrydhur e  të dorëzuar, të cilit nuk i beson shumica shqiptare, por të cilin po e shfrytëzon Brukseli për qëllime të veta, gjithsesi jo për të mirë të shqiptarëve. Për këtë do të mbetet të bindemi nëse nuk jemi bindur me punën, angazhimin dhe aktivitetin e deritanishëm të EULEX-it, i cili i trajton si kriminelë 99% të bashkëluftëtarëve të Hashim Thaçit.

 

Paqja me Serbinë nacionaliste, çetnike, shesheliste, arkaniste, milosheviqiane, iviciste, vukiste nuk mund të arrihet, ndërsa aktualisht në Serbi nuk ka forca të tjera, të cilat do të kërkonin falje për krimet, dhe nuk ka forca të cilat do të hiqnin dorë nga hegjemonia e kolonializmi.

Paqe formale mes shqiptarëve e serbëve mund të ketë, ashtu sikur edhe ka pasur në momente të caktuara në të kaluarën, por nënshkrim paqeje,  nuk ka pasur ndonjëherë, as do të ketë, (ose ka pasur marrëveshje me kushte vasaliteti, çfarë kanë nënshkruar Esat Toptani dhe Ahmet Zogu me krerët e Serbisë së kohës). Paqe nuk do të ketë jo sepse nuk dua unë apo ai tjetri, por sepse paqja e tillë nuk duket askund në horizont.

 

Serbia, prej kohës kur është themeluar si shtet vasal i Perandorisë Osmane, dhe kur Kongresi i Berlinit e kishte njohur si shtet, në vitin 1878, e deri tani ka ndjekur politikë hegjemoniste ndaj të gjithë fqinjëve në Ballkan, jo  sepse të gjithë serbët janë kriminelë. Në Serbi ka sa të duash serbë të mjerë, që i kanë shërbyer dhe i shërbejnë politikave të caktuara shtetërore  si mish për top, por sepse fryma e tyre e sëmurë fetare është ndërtuar mbi bazë të urrejtjes, mbi bazë të hakmarrjes, mbi bazë të supozimit se serbët janë “popull hyjnor”, se serbët janë popull i zgjedhur ashtu sikur hebrenjtë, se ata janë viktima edhe atëherë kur masakrojnë të tjerët, edhe atëherë kur vrasin e shkatërrojnë, sepse vetëm ata kanë të drejtë, sepse edhe Zoti është i tyre, edhe pse nuk ka lindur as lind nëna serbe fëmijë, i cili qysh kur fillon t’i mësojë fjalët e para të mos mësojë  të paktën një dhjetë fjali sharjesh e fyerjesh ndër më të ligat drejtuar Zotit, Jezusit, Shën Mërisë, bukës, kishës, ujit, tokës, varrit, shpirtit, nënës, babës e kështu me radhë.  

 

Paqja me Serbinë mund të arrihet vetëm kur shqiptarët të jenë bashkuar në një shtet

 

Përderisa trojet shqiptare janë të ndara në gjashtë shtete dhe nuk përbëjnë dot një faktor force të sigurisë kombëtare, as faktor ekonomik, orekset e Serbisë për të dominuar në të gjitha segmentet  mbi shqiptarët madje edhe në Shqipëri,  jo vetëm se nuk janë shuar, por ato po intensifikohen. Serbia përmes magnatëve të vetë ka depërtuar thellë në ekonominë e mbetur shkret të Shqipërisë, ajo ka blerë toka në bregdetin shqiptar, ka investuar në shumë lëmi, ka hapur shkolla serbe për shqiptarët myslimanë të sanxhakut, në Libofshë dhe në rrethin e Shkodrës. Serbia pretendon të ndërtojë monumente masive për 12.000 serbët e vrarë në rrethimin e Shkodrës në vitin 1912,  ashtu sikur kanë ndërtuar grekët në jug. Dhe jo vetëm kaq. Duke qenë se Shqipëria është shtet gjysmak, invalid, Kosova në protektorat të BE-së, Ilirida në një njësi vasale sllavobullgare, Serbia po përpiqet që sa më shpejtë dhe sa më shumë të dominojë në Shqipëri. Shqipëria edhe pse anëtare e NATO-s ajo nuk ka armatë kombëtare të vetën, sikur ka Serbia, nuk ruan kufirin me asnjë shtet dhe nuk ka asnjë interesim të vetëm për të bashkuar shqiptarët, përveç propagandës delirante, të rastit,  të njërit apo krahut tjetër politik e qeveritar.

Përderisa shqiptarët nuk formojnë shtetin e tyre të fortë me 7 milionë banorë, ashtu sikur i kanë formuar shtetet e tyre kombëtare, Greqia, Bullgaria e Serbia, përderisa shqiptarët nuk bëhen faktor në Ballkan, hegjemonizmi serb, jo vetëm që nuk do të stopohet, por ai për ditë e më tepër do ta shfaqë agresivitetin e vetë, duke mos e njohur shtetin e Kosovës, duke luftuar në arenën diplomatike bashkimin e shqiptarëve si pretendim  për krijimin e Shqipërisë së Madhe, hijes të së cilës i frikësohet madje edhe  Tirana e Prishtina zyrtare.

Në kushte dhe rrethana të tilla, dorëzimi ndaj Serbisë për hir  të Brukselit apo të ndokujt  tjetër,  jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por i homogjenizon shqiptarët në drejtim të bashkimit me çdo kusht, pavarësisht se duan apo nuk duan miqtë tanë në Bruksel, apo si na porosisin partnerët tanë nëpër botë. Miqtë tanë në botë, cilët do qofshin ata, na duan vetëm të ndarë kështu si jemi në gjashtë shtete. Ata kurrë  nuk do të na përkrahin në luftë për bashkim derisa ideja e bashkimit mbetet vetëm në letër apo vetëm në mendjet e idealistëve. Do të fillojnë të mendojnë ndryshe nëse ne veprojmë ndryshe, ashtu sikur menduan dhe vepruan ndryshe, në vitin 1999 në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetëm kur shqiptarët të bashkohen në një shtet, vetëm kur Shqipëria do të jetë unike ashtu sikur tri shtetet e mëdha të Ballkanit, paqja me Serbinë do të jetë punë e mbaruar, ndërsa nënshkrimi i një  traktati, punë letrash.

 

 

 

 

 

 

 

 

Frank Shkreli: Konferenca e Mynihur dhe oligarkia e Ballkanit

                                     

 

Të djelën më dy shkurt, në Munih të Gjermanisë morën fund punimet e “Konferencës së Munihut”, e 50-ta e radhës mbi sfidat e sigurisë në Europë dhe në botë.   Sipas organizuesve, në konferencën e sivjetme morën pjesë, përveç afër 20 udhëheqës shtetesh e qeverishë dhe rreth 50-ministrave të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes, edhe shumë përfaqsues të medias dhe të shoqërive civile nga vende të ndryshsme.  ”Konferenca e Munihut”, gjatë dekadave të kaluara është e njohur si një prej forumeve ndërkombëtare më me rëndësi, ku janë debatuar dhe shkëmbyer mendimet nga vendimarrësit më të lartë ndërkombëtarë në lidhje me sfidat e mbrojtjes dhe të sigurisë, me të cilat përballet bota tani dhe në të ardhmen, por tema kryesore e bisedimeve të kësaj konference ka qenë gjithmonë zhvillimi  dhe përforcimi i marrëdhënjeve trans-atlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës.   ”Konferenca e Munihut”, kryetar i së cilës është ambasadori Wolfgang Ischinger, u hap të premten nga Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, i cili foli mbi rolin e Gjermanisë në botë.   Udhëheqsi gjerman tha se, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë gjithmonë një burim i pashterrur sigurie” dhe bëri thirrje , “që Gjermania dhe aleatët e saj europianë, duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.”  Për më tepër, theksoi Presidenti gjerman Gauck — i cili vet e ka pësuar keq për disa vite në burgjet komuniste të ish Gjermanisë Lindore — “se për Gjermaninë dhe për aleatët e saj duhet të jetë diçka e natyrshëme, që të mos refuzojnë kurrë, por të mbështesin popujt e të tjerë kur shkeljet e të drejtave të tyre bazë, përfundojnë në gjenocid, në krime lufte, në spastrime etnike ose në krime kundër njerëzimit.”   Ish i burgosuri i regjimit komunist gjermano-lindor, tani president i Gjermanisë, njërit prej vendeve më të fuqishme në botë, i tha “Konferencës së Munihut”, se “Regjimet brutale nuk duhet të lejohen të fshehen pas perdes së parimeve të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes”.  Ai nënvijoi  edhe konceptin e ”përgjegjësisë për të mbrojtur” të pafajshmit e cilit do vend qoftë nga barbarizmat çnjerzore, si një “përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar”, kur vet shteti dhe qeveria e tyre dështojnë të bëjnë një gjë të tillë.  Presidenti gjerman u bëri thirrje bashkombasve të vet që të vazhdojnë të jenë të angazhuar ndaj bashkpunimit me “aleatët tanë europianë dhe me miqët tanë në organizatën e Atlantikut Verior”, ashtuqë të “mos harrojmë, të mos lëmë pas dore dhe të mos tradhëtojmë vlerat universale të njeriut, por t’i zbatojmë ato së bashku me miqtë dhe aleatët tanë, të jetojmë në bazë të këtyre vlerave të përbashkëta dhe t’i mbrojmë ato kudo e kurdoherë që të kërcënohen ato”, përfundoi Presidenti i Gjermanisë Federale.

 Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck me Sekretarin Amerikan në Konferencën e 50-të në Munih

Shtetet e Bashkuara u përfaqsuan në ”Konferencën e Munihut” me një delegacion të nivelit të lartë, kryesuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel, ndërkohë që përfshinte edhe anëtarë të Kongresit, si dhe ish-zyrtarë të lartë, siç është Henri Kisinger.   Xhon Kerri, duke kujtuar fëmijërinë tij në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku i ati shërbente si diplomat në atë kohë, ndërsa po fliste për Planin Marshall të ndihmave amerikane për rindërtimin e Europës së pas luftës, i tha konferencës se sot, “Vizioni i guximshëm i Xhorxh Marshall-it, kërkon prej nesh që të mendojmë për diçka më shumë se vetëm të ngrejmë ndërtesa të reja.  Periudha e Xhorxh Marshall-it ishte një periudhë që dëshmoi mbështetjen dhe angazhimin amerikan për ri-ndërtimin e një kontinenti.  Por ajo periudhë ishte diçka më shumë se rindërtimi i një kontinenti”, tha ai.  Sekretari Amerikan Kerri vazhdoi duke thënë se Plani Marshall, ” në të vërtetë ishte, rindërtimi i një ideje, ishte rindërtimi i një vizioni, i bazuar mbi një seri parimesh, që përfundoi në themelimin e   një aleance, që vetëm disa vite më pare, as që nuk mund të merrej me mendë se mund të krijohej.”  

Sekretari Amerikan i Shtetit tha se gjatë gjithë jetës së tij ishte i vetdijshëm se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë më të forta kur janë të bashkuara për paqë dhe begati, kur kemi të njëjtin qendrim për një mbrojtje të fortë dhe  për një siguri të përbashkët, por njëkohësisht  edhe kur së bashku mbështesim lirinë dhe vlerat e përbashkëta njerëzore.”  Përballë sfidave me të cilat përballet sot bota, ai tha se “duhet të bëjmë më shumë, në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta, dhe jo vetëm të flasim për to”.  Dhe shtoi se duhet të mendojmë më seriozisht dhe të punojmë më shumë ashtuqë të mund të përballemi me kërcënimet ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe universale të njeriut.  

Kryediplomati amerikan përmendi kërcënimet nga terrorizmi,   nga ekstremizmi dhe radikalizmi fetar që, sipas tij, rrezikojnë  shtetet e dështuara dhe ato në dështim e sipër.  Europa, tha Zoti Kerri nuk është ende e ”tërë, e lirë dhe në paqë”, dhe shtoi se për t’u përballur me sukses me sfidat e sotëme, “Amerika ka nevojë për një Europë të fortë, por dhe Europa ka nevojë për një Amerikë të angazhuar” dhe jo izolacioniste.  Izolacionizmi, tha Xhon Kerri, nuk është një opcion për asnjërën palë.

Kryediplomati amerikan qe shumë i sinqertë me të pranishmit, duke thënë se të gjitha këto që i tha nuk ishin një leksion për askënd, pasi pranoi se vet demokracia amerikane nuk është e përsosur, në të vërtetë tha Zoti Kerri, është një sistem që gjithmonë është në përsosje e sipër, ”Jemi krenarë”, shtoi ai, se ”ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, tha ai, ne i bashkohemi  këtij dialogu me ju këtu në Munih, duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera duke u bazuar në pikpamjet dhe vlerat tona.  Ai foli për ngjarjet në Ukrainë, duke thënë se lufta për për një të ardhme demokratike në Europë, sot për sot, nuk është askund më e rëndësishme se në Ukrainë.  Sekretari Amerikan i Shtetit u angazhua se, “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë pranë popullit ukrainas në këtë luftë”, dhe shtoi se shumica e popullit ukrainas dëshiron të jetojë në një vend të lirë, demokratik, në siguri dhe begati.   Ai tha gjithashtu se nuk duhet të ketë asnjë dyshim në qëndrimin tonë për të folur haptazi dhe me vendosmëri, në raste kur të  shkelen vlerat dhe interesat tona, kudo në botë.  

Duke vazhduar të fliste për vlerat e përbashkëta, nga fundi i fjalimit të tij, Zoti Kerri një kritikë të posaçme rezervoi për ata që i quajti ”oligarkë” në Europën Lindore dhe në Balkan, duke thënë se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetsuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit.  Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre, tha Xhon Kerri. 

Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin politikanëve dhe të zgjedhjeve, është një referencë e  qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut, me vendet ku oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe ku kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median për interes të tyre.  Analistë të çështjeve ballkanike kanë thënë se përqendrimi i medias në duartë e këtyre oligarkëve dhe politikanëve të fuqishëm, kërcënon seriozisht pavarësinë e medias, pasi mungesa e pavarësisë financiare të enteve mediatike i bën ato të varen politikisht dhe të kontrollohen nga këta oligarkë.   Kjo gjëndje përkeqsohet edhe më shumë kur oligarkët vendas, sidomos ata të vendeve ballkanike, bashkpunojnë me oligarkët nga shtete të tjera, veçanërisht ata të ardhur nga Rusia, Turqia dhe ndonjë vend tjetër.  Shtypi i huaj ka shkruar shpesh për këta oligarkë të Ballkanit dhe për influencën e tyre negative në zhvillimet demokratike të këtyre vendeve, por mund të jetë hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan, në nivelin e kryediplomatit Kerri, i përmend oligarkët si një klasë e veçantë me influencë në këtë pjesë të botës, të cilët përbëjnë pengesën kryesore të zhvillimit  të mirëfilltë demokratik, ndër të tjera të pavarësisë së gjykatave, të lirisë së medias dhe lirive të tjera demokratike.  Siç duket, Sekretari i Shtetit me deklaratën e tij në Munih në lidhje me atmosferën negative politike dhe ekonomike të krijuar nga oligarkët në Ballkan tha tërthorazi se, për derisa kjo gjëndje nuk përmirësohet  — me këto vende nuk mund të ketë partneritet serioz as ndarje të vlerave perëndimore, siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, zbatimi i ligjit dhe të drejtat bazë universale të njeriut.  Si rrjedhim, shtoi ai, Europa ende  nuk është ende “një e tërë, në paqë dhe e bashkuar”. 

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck tha se këto vlera universale duhet të mbështeten dhe të mbrohen së bashku me miqtë dhe partenerët tanë në organizmat euro-atlantike, përfshirë NATO-n.  Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel, duke llogaritur në një përkrahje më të madhe nga partnerët europianë, tha se “Partneritet, do të thotë partneritet!  Çdo vend anëtar duhet të marrë pjesë dhe të luaj rolin që i takon”, dhe shtoi se “nëqoftse konsiderohet se sigurimi i një kombi nuk meriton një investim të tillë partneriteti dhe nëqoftse udhëheqja e një vendi nuk dëshiron të punojë për një investim të tillë, atëherë ai vend” sipas tij, “nuk ka udhëheqjen që meriton — dhe siç na mëson historia, mund të thuhet se e ardhmja e atij vendi është në rrezik”, paralajmëroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel.  Andaj, minimizimi i rolit dhe i influencës mbytëse të oligarkëve në jetën politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit, do të ishte një ndër hapat kryesorë që do të përshpejtonte integrimin e plotë euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Për ndryshe fjalët e udhëheqsve të këtyre vendeve, se ata janë serioz për integrimin e tyre në Bashkimin Europian, si dhe për një partneritet të denjë dhe me vlera të përbashkëta  — mbeten vetëm aq — fjalë dhe asgjë tjetër. Të pakën kjo është historia e 20-vjetëve të fundit!

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …