Brickos

A. Q. Popullsia e Fshatit Kllodernicë në vitin 1455, parqet një interes të veçantë onomastik, gjuhësor e shkencor

A. Q. Popullsia e Fshatit Kllodernicë në vitin 1455, parqet një interes të veçantë onomastik, gjuhësor e shkencor

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Rajoni i Drenicës ka disa tipare të veçanta etnokulturore. Në pikëpamje të konfiguracionit dhe në pikëpamje të sipërfaqes, ajo përbën një tërësi ovale, që fillon në jug me fshatin Pjetërshticë dhe mbaron në veri me fshatrat Radishevë e Padalishtë. Pjesa dërrmuese shtrihet në luginë jo aq të pëlleshme, rreze maleve te Blinajës dhe Goleshit në jug, malet e Qyqavicës dhe të Kozmaqit në pjesën qendrore deri te malet e Brusit e të Suriganës në veri. Drenica, aktualisht  ka 103 fshatra, që shtrihen në dy komuna kompakte etnike, Në Drenas dhe Skenderaj. Disa fshatra të tërësisë kompakte të Drenicës administrativisht u takojnë komunave: Shtime, Lipjan, Vushtrri, Mitrovicë, Burim, Malishevë dhe Therandë.

Rreth 40% e vendbanimeve të Drenicës administrohen nga komunat jashtë saj, siç janë:

Luzhnicë, Javor, Dukë, Karaçicë, Shalë (ish-Sedllar), Krojmir, Risinovc, Mirenë, Galicë, Mikushnicë, Dubovc, si dhe disa fshatra të Mitrovicës, Burimit dhe të Klinës. Ajo ka një shtrirje meridionale nga malet e Radishevës në veri deri tek malet e Caralevës në jug. (A.Q. Krojmiri, ( 1455- 1999) Prishtinë, 2007)

Në defterët turk të “Vilajetit Vëllk”, fshati Kllodernicë  del me emrin Kladorodnica, në trajtën sllave. Emërtimi sllav në Krisobulat e Deçanit mund të jetë sajuar  edhe nga Glladorodnica, Lehonë e uritur, analog me  Glladno selo, Fshat i uritur. Ka mundësi që trajta sllave të jetë përfituar nga emërtimi i lashtë shqip Kodernika. ( Kodra e Nikës)  në këtë rast shkronja “c” e latinishtes,  e periudhës romake në sllavisht lexohet  “c”  Kodernica  ( Codernicum) Analog mund të jetë edhe formulimi  Adrenicus,  në  shkurtesën Ndrenika, Drenicum,  Drenica.  Kjo analogji mund të merret për bazë, për faktin se emërtimet e vjetra të kohës ilire romake të vendbanimeve shqiptare, veçmas të Kosovës, ishin sllavizuar gjatë kohës së sundimit të mbretërisë Rashjane në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Emri  “Scupus- i,   shqip, Shkupi në gjuhën sllave ka dhënë trajtën Skoplje.

Astibos, Shtip,

Emri Naisiuss, në trajtën shqip, Nish, përdoret edhe te serbët e sllavët.

Emri Ulcinium, ( nga Ulcus, ujk) në shqip Ulqin, ndërsa në sllavisht ka rrjedhë në trajtën Ulcinj.

Shkronja latine “c” përgjithësisht  lexohet, k,  në gjuhët sllave, c, ndërsa në gjuhën shqipe leximi është analog me gjuhën latine.

Në regjistrimin e parë turk, fshati Kodernicë ( Kladorodnica) ishte një fshat me 48 shtëpi që i përkiste  timarit të Jusufit dhe Sunkurit, të cilët këtë fshat ia kanë dhënë në shërbim Emir Vranjanit. Ai posedonte “myhyrin” e Sulltanit.

Timari dhe Sunkuri janë kalorës dhe marrin pjesë në luftime.

Fshati kishte 48 shtëpi dhe 15 beqarë.

Për dallim nga antroponimet e patronimeve, të evidentuar në fshatrat e Drenicës e më gjerë, të prezantuar në defterët e Perandorisë Osmane, në projektin “Oblast Brankoviqa”, Vilajet Vëllk të vitit 1455, shtatë vjet pas humbjes  së Betejës  së Dytë të Kosovës, antroponimet e fshatit Kodernicë zgjojnë vëmendjen se studiuesve me faktin se në këtë fshat asokohe lajmërohen emra shumë karakteristikë. Nga 60 e sa emra kryesisht me përmbajtje fetare të krishterë dhe emra popullorë, krejt të veçantë, dallojnë këto trajta:

Radaci i biri i Arbanasit,

Radihna djali i Bojkut,

Radihna i biri i Arbanasit,

Zari, djali i Donikut,

Lushi, djali i motrës së tij.

Radovani djali i Ergelisë,

Oliveri djali i Shurës,

Ralini djali i Bogdanit,

Pava i biri i Ostajes,

Branjani i Radijit,

Rajçini i Prisilës,

Gjuragji i Dabizhës,

Martin Varfanjaku,

Danko Plaku dhe djali i tij, Zari,

Radovani i Tusakut,

Vukashini djali i Bogunit.

Të gjitha këto antroponime dhe patronime i përkasin popullatës shqipfolëse, si për nga ndërtimi gramatikor me prapashtesën gjinore, “i”, ashtu edhe për nga përmbajtja analoge karakteristike.

Emra dhe mbiemra më  karakteristikë për sllavët e serbët janë:

Bozhiqi i Mirqës,

Radica i Millutinit,

Miliqi i Bogdanit,

Rajçini i Pribillës,

Radica i Veselicës,

Pop Ranko,

Vlladisllavi, dhe antroponime të tjera karakteristike për gjuhën sllave me mbaresën, iq, por edhe emra vllahë  si Vllahu Bogdan, pastaj djali apo vëllai i tij etj.

Është me interes të dihet se regjistrimi i këtyre poseduesve të pasurive bëhej vetëm në emër të meshkujve, andaj në këta defterë ka pakë emra femrash, përveç në raste kur ato janë gra të veja dhe nuk kanë mashkull në shtëpi. Po kështu vërehet se në çdo fshat kishte gra të veja, madje në ndonjë fshat numri i tyre kalonte deri në 20 e më shumë. Kjo lë për të kuptuar se burrat e tyre zakonisht vriteshin në luftime, ose në rrethana të tjera hakmarrjes apo për konteste  pronash etj.

Antroponimia e fshatit sidomos ajo shqipfolëse në Kodernicë del me disa antroponime karakteristike që japin për të kuptuar se në këtë fshat kishte edhe besimtarë katolikë, por shumica dërrmuese ishin ortodoksë si shqiptarë ashtu edhe sllavë e vllahë. Mendojmë se antoponimet e mirëfillta  burimore shqiptare janë:   Zari, djali i Donikut, Lushi, djali i motrës së tij, Radovani djali i Ergelisë, Oliveri djali i Shurës,    Ralini djali i Bogdanit,

Martin Varfanjaku, Danko Plaku dhe djali i tij, Zari, Radovani i Tusakut, Vukashini djali i Bogunit e të tjerë. (Obllast Brankoviça, Sarajevë, 1972)

Studiuesi më i njohur shqiptar i Mesjetës, dr. Muhamet Tërnava ( 1947-2017) ka veçuar si banorë shqiptarë:  Zari, djali i Donikut, Lushi, djali i motrës së tij,  Martin Varfanjaku, Danko Plaku dhe djali i tij, Zari, Radovani i Tusakut, Vukashini djali i Bogunit e të tjerë.

(Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI. Prishtinë 1995, faqe 50.)

Të përmendim me këtë rast, se dr. Muhamet Tërnavës i përket merita shkencore, që ka zbuluar faktin se antroponimet e krishtera të kohës së mesjetës në Kosovë, zbulohen  sipas mbaresave gramatikore, dhe jo sipas përkatësisë fetare. Ai kishte sajuar formulën shkencore:

Dhimiter Dhimitri, mbaresa e rasës gjinore:  -i,  përkatësi shqiptare.

Dimitar Dimitriq apo Dimitrijeviq, mbaresa gjinore, -iq, përkatësi serbe e sllave,

Dimitar Dimitrov, – sllave e bullgare,

Dhimitris Dhimitraqis,-  përkatësia greke.

Zbulimin  epokal të  Muhamet Tërnavës, historiografia serbe e kishte quajtur të manipuluar dhe nuk kishte lejuar që ai të magjistronte apo të doktoronte në Prishtinë as në Beograd. Por Tërnava kishte doktoruar në Zagreb. Ky zbulim shkencor   i kishte kushtuar me burg dhe me goditje në kokë  gjatë burgut për ta dëmtuar fizikisht deri në fund të jetës.

Qeveritarët turq të cilët kishin bërë regjistrimin për të evidentuar pasurinë e luajtshme e të paluajtshme të banorëve,  kishin përcaktuar pasurinë faktike të banorëve të fshatit  dhe shumën e tatimeve vjetore të ata duhej të paguanin për të gjithë artikujt bujqësorë e artizanalë që posedonin

 

Jeta e rajës në fillet e sundimit turk të Kosovës, sipas të dhënave që ofrojnë këta regjistra

Në parim të gjithë të krishterët paguanin “ispanxhën”, tatimin e obligueshëm dhe të përhershëm, vjetor,  për çdo banor të krishterë. Nga kjo sigurohej pjesa kryesore e tatimit, meqë taksa merrej në krye të çdo banori. Tatimet e tjera merrnin rreth dhjetë për qind të të gjitha prodhimeve të drithit, grurit, elbit, melit, prodhimet e vreshtit, pastaj mulliri kishte tatim të veçantë, tatimi në prodhimin e mjaltit, leshit dhe të gjitha prodhimeve të tjera

“Ispanxha” iu paguhej spahinjve, kalorësve, të cilët zakonisht jetonin në hyrje të çdo fshati, në çadrat e tyre, dhe ishin të obliguar të paraqiteshin në ushtri sa herë që zhvillohej luftë. Banorët ishin të detyruar që “tatimin e Ispanxhës” t ua paguanin direkt qeveritarëve, të cilët kishin edhe “myhyrin” e Sulltanit.

Po ashtu me rastin e caktimit të tatimeve, gratë e veja kishin një tatim simbolik, ashtu edhe beqarët, andaj në çdo fshat shënoheshin si raste të veçanta duke vënë në listë secilin me emër e mbiemër.

Pasuria e tërë fshatit, apo e prodhimit vjetor, duke llogaritur tatimin në kokë të banorit për këtë fshat ishte rreth 4.700 akçe, një monedhë e kohës. Nga kjo shumë qeveritarët merrnin 1. 575 akçe vetëm për kokë banori, ndërsa në prodhimet e tjera edhe  rreth 800 akçe. Nga këto shifra të cilat nuk janë të njëjta për çdo fshat, sepse varet nga pasuria që posedonin del se qeveritarët merrnin afër gjysmën e prodhimeve të banorëve, të cilët ishin të liruar nga tatimi në gjënë e gjallë, me të cilën edhe realizonin një pjesë të fitimeve.

Ispanxha, tatimi për çdo kokë të krishteri, arsyetohej me faktin se të krishterët nuk merreshin në shërbim ushtarak, ndërsa shteti merrte obligim t i ruante nga hajnat e plaçkitësit. Po ashtu ishte edhe ligji i veçantë i “devshirmesë” që në raste të veçanta merrte fëmijë të krishterë dhe i rekrutonte në radhët e jeniçerëve, në “Kopshtin e luleve të Bektashit”.

Nga këto të dhëna del se jeta e “rajasë” ishte tepër e rëndë, por fshatarët gjenin forma e metoda të ndryshme për t’ iu ikur tatimeve, meqë prodhimet fshiheshin dhe kontrabandoheshin. Andaj Qeveria në Stamboll i kishte dhënë rëndësi primare “Ispanxhës”, e cila i joshte të krishterët që ta pranonin fenë, meqë myslimanët nuk paguanin, ispanxhën. Ata fillimisht për disa vite nuk paguanin asnjë tatim por me kohë detyrimet ndaj shtetit shtoheshim me pjesëmarrje të rregullt në ushtri, por ashtu edhe me tatime të tjera, megjithatë ata  kishin disa lehtësira.

Literatura:

 

Oblast Brankoviça, Sarajevë, 1972.

Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI. Prishtinë 1995, faqe 50.

A.Q. Krojmiri, ( 1455- 1999) Prishtinë, 2007.

Shtrirja e popullsisë dhe vendbanimeve në hapësirën e Drenicës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …