Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu dhe a ka probleme të veçanta.

Në tendë pasi kemi ngrënë bukë ka ardhur Vehbi Zeqiri. Ai më ka bërë me dije se bandat kriminale serbe kanë masakruar popullatën shqiptare në fshatin Ribar i Vogël dhe në Hallaq. Vehbiu ka sjellë edhe emrat dhe shënime të tjera për të masakruarit. Edhe pse ne i kemi dhënë informacionet në fletorën time kam marrë të gjitha shënimet përkatëse për të masakruarit, familjen Vuniqi në Vërshec, familjen Vishesella, në fshatin Ribar i Vogël, familjen e Ismet Asllanit, Prapashtica në Hallaq, i cili ka rënë në pritë të serbëve me 24 mars në dalje të Lipjanit, në rrugë për në Zonën Operative të Llapit ku ka qenë caktuar Shef i Logjistikës.

Vehbiu kërkon nga eprorët e Batalionit Ruzhdi Salihu të caktohen një njësit ushtarak i cili do të përkujdesej për popullatën e zhvendosur në Blinajë. Ai tregon po ashtu se në  vende të caktuara në pyjet e Blinajes ndodhen rreth 15.000 të zhvendosur. Janë këta banorët e Fshatrave të Blinajës nga Magura e Leletiçi, Vërsheci, Qylaga, Ribari i Madh, Zllakuçani, Varigoci, Godanci dhe nga disa fshtra të Rrafshit si Bujan Carrabreg e fshatra të tjera. Vehbiu, gjendjen e të zhvendosurve e përshkuar  shumë të rëndë.

Më vonë kanë ardhur për të biseduar edhe Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Dalip Durmishi, Ramadan Rizani e të tjerë.

Drejtuesi i Shtabit Civil, Ramadan Rizani më bën me dije se për nevoja të popullatës janë vënë në lëvizje dy mullinjtë, Mulliri i Avdyl Rrahman Durmishit dhe Mullini i Katundit. Dani tregon se në dy mullinjtë gjatë ditës bluhen dhjetëra thasë. Me kohë është tërhequr pjesa e mbetur e grurit në shkollë dhe tani ka filluar të bluhet për nevoja të popullatës civile, sidomos për atë pjesë të popullatës e cila nuk ka arritur të tërheqë asgjë me rastin e ikjes para bandave serbe. Ramadani kujdeset sidomos për ato familje që nuk kanë fare miell. Gjatë tërë ditës bluan edhe Mulliri i Ramadan Bahtiarit, babai i ushtarit Ali Mullini, në Grykë të Pjetërshicës

Mullinjtë e gurit janë aktivizuar edhe në Shalë, në Lladroc, në Nekoc dhe në grykë të Kizharekës. Sipas një përshkrimi hipotetik vlerësojmë se gjatë 24-orëve në tetë mullinjtë aktualisht bluhen rreth 15 mijë kilogramë grurë e misër. Kjo është një ndihmesë e madhe sidomos për familjet që kanë ardhur nga zona e Drenicës Qendrore.

Tani për tani gjendja me furnizim paraqitet stabile dhe sipas të gjitha gjasave do të mbijetojmë, është konstatimi i Ramadanit dhe i të gjithë të tjerëve.

Gjatë ditës kam pushuar. Tenda të cilën e ka rregulluar Epiri është shumë funksionale. Ai po ashtu. Sigurisht me ndihmën e Shyqri Iballit, ka krevatë  lëvizës që janë shumë të përshtatshëm. Pjesa tjetër është shtruar me sfungjerë e batanije. Për secilin është siguruar nga një vend. Ushqimi edhe pse i njëtrajtshëm, tani për tani është i mjaftueshëm.

Zymryti kujdeset për ushqimin. Asaj i ndihmojnë Rrezja dhe Labja. Zamiri tërë ditën me njësitin e tij  manovrojnë nëpër male. Epiri ushtron roje gjatë natës në Krojmir, ndërsa ditën pushon në tendë.

Në mbrëmje ka ardhur Elez Durmishi. Ai më tregon se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë larguar nëpër vijën rrugore tanimë të siguruar Zborc, Belinc Mollapolc. Në mesin e tyre edhe Bislim Zyrapi, Salih Veseli, ndërsa në përcjellje kanë qenë edhe Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimi. Këtë të dhënë Elezi e ka mbajtur sekret nga frika se mos po shkaktohet huti në mesin e popullatës së zhvendosur. Ai më bën me dije se aktualisht në Brigadë kanë mbetur vetëm komandantët e operativës dhe Tahir Sinani me Ajvaz Berishën. Elezit i shpjegoj se çështja e lëvizjes së kreut të Shtabit është bërë në akord me rrethanat dhe këtë nuk duhet marrë si ikje, meqë ata janë sistemuar në Zonën e Neredimës. Është me rëndësi që krejt operativa është e sistemuar në vendet e duhura. sa për të tjerat ajo te e fundit nuk është punë për ne. Elezi i kupton këto probleme edhe më mirë se unë, por mendon se krejt kjo do të duhej të mbahet sekret, sepse po e mori vesh popullata do të krijohet përshtypja se ata kanë ikur dhe na kanë lënë vetëm…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …