leoni

Ahmet Qeriqi

A. Qeriqi: Sa shumë qenka shkapërderdhur “truri” i kombit nëpër botë, “mjerë” ne që po jetojmë “pa tru”!

Të vetëquajturit analistë, pastaj edhe politikanë gjysmakë që perceptimin e tyre politik e formësojnë nga mediet e portalet, ka kohë që mundohen të na bindin se nga Kosova, Shqipëria e viset shqiptare paska ikur “truri i kombit”, kanë ikur më të mençurit, më të zellshmit, më të shkolluarit, më trimat dhe këtu në trojet e Shqipërisë paskan mbetur njerëz pa tru, mjeranë e qyqarë që nuk dinë të qeverisin, që nuk janë të shkolluar as të emancipuar. Disa nga këta njerëz me “tru” duhet të kthehen për të na qeverisur, meqë kombi paska ngelur pa pjesën më vitale, pjesën orientuese e shpëtimtare. Sikur është truri. Po ja që “truri” nuk po kthehet në atdhe, sepse ka gjetur rehatinë dhe bollëkun në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Greqi, Amerikë dhe në shumë vende të botës.

Çështjen e kthimit të trurit e aktualizoi një “tru-kthyer” nga Amerika, një specialist medicine të cilin, kryeministri Kurti, e ka postuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, pasi i preferuari i tij, Ben Vitia i humbi zgjedhjet për ta marrë postin e kryetarit të Prishtinës, edhe pse kishte udhëhequr shëndetësinë në periudhën më kritike të pandemisë, kur ishte ministër.

 

Ministri i Kurtit, z. Rifat Latifi, familja e të cilit jeton në Amerikë, e ky herë në Kosovës herë në Amerikë, sërish po ankohet se në mesin e dhjetëra mijëra mjekëve e specialistëve të të gjitha lëmenjve  që i ka Kosova, në mesin e tyre edhe emra meritorë të mjekësisë, nuk po mjaftuakan, sepse nuk paskan “tru” që ka kryer shkolla në Amerikë, sikur paska ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ai dje ka folur në Konferencën e XI-të Ndërkombëtare Evropiane në Kopenhagen, ku të pranishëm ishin përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe të ftuar të tjerë specialë nga vendet e ndryshme të botës. Një çështje tejet me rëndësi që Ministri Latifi e potencoi në këtë konferencë ishte edhe kthimi i trurit dhe bashkëpunimi i profesionistëve shëndetësorë shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën e tyre të kontribuojnë në Kosovë, për të ndihmuar përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Edhe diçka më shumë për ikjen dhe kthimin e “trurit”

Më kujtohet kur në fund të viteve 80-të disa ikanakë, largoheshin nga Kosova, dikush me pasaporta, dikush tjetër  duke kaluar kufirin për në Shqipëri dhe shumica syresh shtireshin se ishin në shënjestër të regjimit dhe po të mos iknin do të burgoseshin e do të ekzekutoheshin. Kishte në mesin e tyre edhe spiunë të Serbisë që ishin  rekrutuar për qëllime që kuptueshme.  Realisht kishte edhe të tillë, që ishin rrezikuar dhe disa nga ata edhe kishin shpëtuar duke u larguar nga Kosova, të tjerët që vepronin ishin arrestuar, ndërsa shumica  që kishin mbetur në Kosovë dhe troje kishim vepruar  fshehtas, në mënyrë të organizuar.

Një pjesë e rinisë ishte larguar meqë nuk donte të shërbente në ushtrinë okupatore serbe, por jo pak prej tyre sapo filloi lufta në Kosovë, lanë atje rehatinë, lanë familjet, “morën trurin me vete”  dhe u bënë pjesë e luftës çlirimtare. Një pjesë e të përndjekurve, sidomos nga ata radhët e të burgosurve politikë u bënë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe secili kryente detyrat e veta në shërbim të kombit e atdheut. Mjerisht pati edhe parazitë, të cilët u vetë shpallën të ndjekur  e të persekutuar dhe shfrytëzuan pozitat nëpër fonde të ndryshme si të LDK-së, të Qeverisë në mërgim por edhe të Fondit “Vendlindja thërret”.

Sot,  kur kanë kaluar më shumë se 22 vjet prej mbarimit të luftës, shumë nga këta njerëz me “tru”, nuk pranojnë të kthehen në Kosovë, sepse këtu nuk po shkon puna mbarë, sepse po qeverisin njerëz pa tru, të padijshëm, të papërgjegjshëm dhe se gjendja në Kosovë po degradon pikërisht sepse “truri” na paska ikur  dhe ja që kurrsesi nuk po pranon të na kthehet e të na shpëtojë nga  kjo zezonë!.

Jo pak herë dhe në pak vende mund të lexoni por edhe të dëgjoni shprehje e lehje zagarësh si këto:

– Ku vihet atje, bre, po e keni ba ma keq se n’ koh t’ Milloshit!.

– Po qeverisin hajnat e UÇK-së.

– Kosovën e qeverisin kara-komandantat, ku rrihet atje!

– Çfarë lufte të hamamit keni ba ju?

– Ju jeni turpi i Kosovës dhe jo çlirimtarët e saj!.

_ Me pas ko gjallë Adem Jashi isha bo milioner!

– Veç kush osht hajvan e magar kthehet në Kosovë.

– N’ Kosovë bahet mire veç mu ngjallë Milloshi edhe niher.

– Zoti mos m’i ktheft as ashtat atje…

Këto konstatime, sharje e fyerje, kjo zagarhane e një pjese të “trurit” të shkapërderdhur nëpër botë është vazhdimisht e pranishme ne komentime e forume të jugo-medieve “kosovare”.

Të tilla konstatime sharje e fyerje na vinë nga një pjesë e “trurit” që nuk pranon të kthehet në Kosovë, sepse atje janë bërë milionerë dhe sepse këtu ua kemi prishur rehatinë, meqë  nuk mund të jetojnë më si parazitë duke i shërbyer hapur Serbisë sikur kanë bërë,  jo pak e pak, por shumë e shumë prej tyre,  që e morën arratinë dhe pas luftës morën viza duke u paraqitur si njerëz të rrezikuar nga UÇK-ja, disa morën edhe vërtetime se janë romë, egjiptianë, ashakali dhe po të qëndrojnë në Kosovë do të ndiqeshin  nga UÇK-ja.

Tani, kur për herë të parë pas luftës në Kosovë, vendin nuk e qeverisin më komandantët e UÇK-së, por pacifistët e LDK-së dhe militantët “revolucionarë” të Vetëvendosjes, “truri” nuk ka më arsye të mos kthehet në Kosovë. Tani ka ardhur koha e tyre dhe pikërisht për këtë Vetëvendosja mori një numër të madh votuesish nga Mërgata, “jo nga ajo e qyqeve”, por nga trimat e trimëreshat, që do ta shpëtojnë më në fund Kosovën, që për shumë kohë paska pas  ngelur në kthetrat e komandantëve të UÇK-së.

Tani në Kosovë po vjen “truri” dhe të shpresojmë me trutë e tyre me dijen e mençurinë, me kursimin që i kanë bërë vetës dhe nuk kanë sakrifikuar as një fije floku për çlirimin e Kosovës, tani ky soj njerëzish me “tru” i duhet shumë vendit, sepse paska ardhur momenti vendimtar.

Komandantët e UÇK-së i dërguan në Gjykatën  Speciale, do t’ i dënojnë dhe do t’ i degdisin nëpër burgjet e Evropës. “Krahu i luftës” do ta humb besimin në popull dhe këta njerëzit me tru do të na qeverisin përgjithmonë, fare lehtë, ashtu sikur thotë Amerika e Be-ja. Nuk paskemi nevojë për trurin që mendon ndryshe. Tekefundit kështu kanë jetuar shqiptarët 400 vjet me trurin e Turqisë, 100 vjet me trurin e Serbisë në 22 vitet e fundit me trurin e Evropës dhe nuk kemi pse merakosmi, as pse të mundohemi. Trurin e kemi jashtë, por do ta sjellim në vend, sidomos ata  që janë të bindur për veten e tyre se me të vërtetë kanë tru në kokë dhe jo bajga e rrecka, sikur të tjerët që kanë mbetur në vendlindjet e shtëpitë e tyre.

Po cili politikan shqiptar  “me trurin plot”  do t’ i thotë jo Bidenit, Blinkenit, Macronit, Scholcit, Borellit, Lajçakut e shumë të tjerëve?

Rroftë pra “truri” i brendshëm dhe i jashtëm,  qoftë edhe në kokën boshe!.

Çka na vyen truri kur jemi vasalë dhe kur as edhe një vendim të vetëm nuk e marrin dot pa i konsultuar ambasadorët e huaj, këshilltarët e sekserët e tyre. Sot nuk duhet shumë “tru” për të qeverisur, por si gjithnjë duhet të mbështetemi në traditën e pasur të stilit historik, pacifist, puro shqiptar: lepe-peqe, moljim lepo Jes-okej,  të mbështetemi në servilizmin e mirënjohur ndër shekuj, të idiotizmit bizantin lindor të  maksimës:  “Haja qenit, pija qenit tash i bimë karadyzenit”.

Çka ndryshoi  për të mirë në vitin  fundit me “trurin” Vetëvendosist?

Për të keq, për servilët e për “lepe-peqet”, nuk ka nevojë për shumë tru, ka nevojë vetëm t’ iu lahet e t’ iu shpërlahet truri, madje për ditë, ashtu si kërkojnë padronët…

Kjo po ndodh…

Shikoni si i ngërdheshet  Rusisë e Putinit “truri” i ardhur nga jashtë dhe  pak edhe nga ai truri i brendshëm.

Por,  po të bjerë  rastësisht vetëm një bombë nga Serbia, në Mitrovicë apo gjetkë, do ta shihni trurin kur  të fillojë dyndjen  drejt kufijve, sipas  asaj fjalës së urtë puro shqiptare: Ikë, prapanicë se të lash…”

 

Shtime

  1. 3. 2022

Kontrolloni gjithashtu

PDK në Prishtinë: Përparim Rama që 3 vjet nuk e ka blerë asnjë kamion për mbledhjen e mbeturinave, po synon ta falimentojë “Pastrimin”

PDK në Prishtinë: Përparim Rama që 3 vjet nuk e ka blerë asnjë kamion për mbledhjen e mbeturinave, po synon ta falimentojë “Pastrimin”

PDK në Prishtinë: Përparim Rama që 3 vjet nuk e ka blerë asnjë kamion për …