AAK vendos kushte për mbështetjen e institucioneve të reja: Gazi amerikan, lehtësime fiskale dhe investime në infrastrukturë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur formimin e institucioneve të reja, por vetëm nëse përmbushen disa kërkesa që, sipas saj, janë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe interesit qytetar. Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij nuk synon të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, por ka paraqitur një sërë kushtesh për mbështetjen e saj në procesin e krijimit të institucioneve. Sipas Gjinit, institucionet e reja duhet të konfirmojnë qartë orientimin strategjik të Kosovës dhe të procedojnë pa vonesë me projektin e gazit amerikan. Ai ka kërkuar gjithashtu rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, heqjen e tatimit në pronë për tokat e punuara dhe sigurimin e financimit të plotë për projektet kryesore infrastrukturore në vend. Në këtë kuadër, Gjini ka përmendur ndërtimin e rrugëve drejt Gjilanit, Pejës, Gjakovës dhe Podujevës, duke vlerësuar se mungesa e buxhetimit të plotë po pengon realizimin e tyre. Ai ka kërkuar po ashtu një angazhim të veçantë për Prishtinën, duke propozuar investime prej 800 milionë deri në 1 miliard euro gjatë pesë viteve të ardhshme, me arsyetimin se kryeqyteti po përballet me probleme serioze të jetueshmërisë. “Institucionet e reja duhet ta pranojnë menjëherë projektin e gazit amerikan, të rrisin pragun e TVSH-së, të lirojnë tokat e punuara nga tatimi në pronë dhe të sigurojnë financim të plotë për infrastrukturën jetike të vendit”, ka deklaruar Gjini.

Kontrolloni gjithashtu

Dje, në ambientet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, u zhvillua një ceremoni me peshë simbolike, ku u ndanë Tri Mirënjohje

Dje, në ambientet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, u …