leoni

Abdirahim Idrizi: Të heqim dorë nga ëndrrat abstrakte


Abdirahim Idrizi: Të heqim dorë nga ëndrrat abstrakte


 


Sokrati, para vdekjes i drejtohet njerëzimit me një porosi: Mos mendoni çka flet Sokrati, mendoni për veten tuaj, dhe për të vërtetën!


 


 


Nëse vështrojmë nga e ardhmja e jonë historike, rilindësit tonë e kanë udhëzuar, por kanë qenë të gatshëm edhe ta udhëheqin popullin. Për dallim nga rilindësit, në këtë periudhë të historisë sonë më të re në të cilën kemi fatin të jetojmë, erdhën një tip i ri patriotësh dhe mendimtarësh të cilët në fillim e proklamuan veten si martirë të sakrificave për interesat e shqiptarëve. Mirëpo, shumë shpejt këta “martirë” rrëshqitën në vorbullën e lakmisë duke mbjellë te populli një dozë të madhe dyshimi e zhgënjimi.


Pavarësisht atyre padrejtësive, rrota e historisë po rrotullohet, karvani po ec, mendimi kritik njerëzor nuk mund të shtypet dot. Jam optimist se megjithatë do të ndriçojë edhe më tej bukuria, guximi dhe thellësia e mendimit të lirë, sepse edhe politikanët, edhe shkencëtarët por edhe filozofët lindin dhe vdesin.


Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të ndalem në kredencialet morale dhe në legjitimitetin e gjykimeve të atyre patriotëve dhe intelektualëve që kanë pretenduar në emër të ligjeve, t’i diktojnë njerëzimit normat e sjelljes. Deri në ç’pikë, urdhrat e tyre i kanë qëndruar kohës dhe realitetit? Kuvendi miraton ligje, politikanët vendosin rregulla, të detyrojnë të respektosh ligjin. Ligjet vlejnë për të gjithë, por të varfrit jo çdo herë ia dalin t’i respektojnë ligjet. Ata janë të detyruar t’i respektojnë ligjet, por mundësitë nuk u premtojnë. Shpenzimet, taksat e jetesës janë të mëdha, dhe e detyrojnë këtë kategori njerëzish që ta degradojnë e shkatërrojnë personalitetin e tyre. Turpi dhe frika ua shthurin karakterin dhe ua shkatërrojnë mendjen e tyre. Mirëpo përkundër këtyre vështirësive kjo shtresë e popullsisë që në vendin tonë e mban primatin për nga madhësia, vazhdon të mbijetojë.


 


Pavarësisht kërkesave të arsyeshme të popullatës, politikanët dinë t’i anashkalojnë ato duke praktikuar formula të reja, me të cilat i arsyetojnë vendimet dhe ligjet e tyre. Gjithnjë e më të dëgjuara janë frazat: bashkimi kombëtar, rilindja kombëtare, shteti kombëtar. Në çfarëdo rrafshi që studiohen, këto fraza janë thjeshtë zëvendësimi i frazave të cilat i përshtatën kohës dhe servohen nga të njëjtit njerëz që vetëm riciklohen në skenën politike.


Pas përfundimit të luftës u krijuan rrethana të reja dhe prisnim që çdo gjë të fillojë nga e mbara, me njerëz të rinj e të dëshmuar, por për fat të keq nuk na doli e saktë kjo prognozë. Shteti i ri me marrëdhënie të reja diplomatike, me orientim politik, ekonomik, etj., do të duhej të bëj një transformim të dinjitetshëm të njerëzve që pretendojnë t’i prijnë këtij populli. Pikërisht ky dështim, ka bërë që edhe pas 16 vjet nga përfundimi i luftës dhe 7 vjet nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë të jenë të pranishëm ndërkombëtarët dhe të njëjtit të vazhdojnë të vendosin ligje e rregulla për ne.


Që nga dita e parë e ardhjes së ndërkombëtarëve në Kosovë, vërehej qartë se ata ishin këtu për të bërë eksperimente me ligje e njerëz, eksperimente që në vendet e tyre nuk i bënin dot. Si pasojë e këtyre eksperimenteve, sot në Kosovë është krijuar një shtresë politikanësh të dëgjueshëm e servilë ndaj tyre duke i avancuar të njëjtit dhe duke i shpërblyer me poste të rëndësishme politike. Me këtë lloj servilizmi duket se është infektuar edhe populli i cili për fat të keq ka nisur të pajtohet me këtë lloj realiteti dhe gjithçka e pranon si ndonjë ëndërr duke mos bërë përpjekje ta ndryshojë këtë realitet.


“Kur ndodh diçka e keqe, e papritur, duhet që sa më parë ta marrish veten” ka theksuar psikiatri Viktor Frankl. Ai kishte qëndruar rob në katër kampe naziste të vdekjes ku ia kishin vrarë nënën, babanë, vëllanë dhe gruan. Për të mos u dorëzuar Frankl u bë doktor i kampit. Ai erdhi në përfundim se autoriteti nuk buron nga pozita, por nga përvoja e tij e brendshme e paimagjinueshme. Në librin e tij “Në kërkim të kuptimit të jetës”(Man’s Search for Meaning), Frankl ka përshkruar se si i ka përballuar torturat më të vrazhda, urinë, kërcënimin e vazhdueshëm për vdekje. “Nazistët merrnin gjithçka: jetën e të afërmve, dhe në fund jetën tënde: por ata nuk mund ta privonin vendosmërinë tënde për ta forcuar fuqinë përbrenda shpirtit tënd” nënvizon Frankl, duke shtuar se “nuk është e rëndësishme çfarë ne duam, çfarë ne presim nga jeta, por çka pret jeta nga ne. Gjithnjë kemi qenë dhe jemi kushtëzuar me njerëz që kanë pasur pushtet ose famë. Vetëm madhështia e brendshme mund ti japë kuptimin jetëve tona”. Shembulli i psikiatrit Frankl duhet të na shërbejë neve që të braktisim veset e këqija, të ndryshojmë të menduarit dhe të dalim nga kjo gjendje në të cilën jemi katandisur.


 


Çdo ditë e re që lind, duhet të na gjejë më të fortë, më të përgatitur dhe më të vendosur. Duhet të heqim dorë nga ëndrrat abstrakte, të heqim dorë nga besimet tona të vjetra. Të mos humbim kohë me fjalë shterpe, apo me imitime neveritëse. T’i lëmë politikanët dhe predikuesit e feve të cilët vazhdimisht flasin për njeriun, e nga ana tjetër e masakrojnë atë gjithkund që e hasin, në secilin skaj, në të katër anët e botës. Një nga sekretet e lumturisë është të kuptosh se botën dhe njerëzit në të, nuk mund t’i ndryshosh. Nëse ndokush duhet të ndryshoj, ata jemi ne. Ti minimizojmë të gjitha vështirësitë e jetës, të përmirësojmë qëndrimin tonë që nga puna e deri tek marrëdhëniet me familjen. Gjatë gjithë jetës duhet të ushtrojmë vetëkontroll të përditshme. Shpresa reale ka një fuqi të madhe që mund të na e ndryshoj jetën. Të mos fajësojmë gjithmonë të tjerët por të mendojmë pozitivisht. Nëse kështu i qasemi jetës, shumë shpejtë do të rinisim ecjen nga e mbara.


(Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale)


 


 


Abdirahim Idrizi: Rreziku nga politikanët makiavelistë


 


Makiavelizmi në përdorimin e përditshëm nënkupton dyfytyrësinë dhe dinakërinë në sjelljet e një njeriu që synon të manipulojë të tjerët për të arritur synimet e veta politike apo ekonomike. Në këtë sens, makiavelizmi përbën një sjellje të dënueshme, dhe makiavelistët konsiderohen persona të pabesë e hipokritë.  


Edhe pse shumica e njerëzve që e përdorin fjalën “makiavelizëm” mendojnë se Makiaveli ka qenë një njeri i lig, në botën e filozofisë e të politologjisë, shumë studiues mendojnë se ai ka qenë një mendimtar i vlefshëm e humanist, që ka rrëfyer pjesët më të këqija të despotizmit.  


Në rastin tonë, kur një analist a një politolog u thotë shqiptarëve, na mori djalli (gjë që ndodh te ne çdo ditë, çdo muaj nga viti 1981), ky është një ligjërim i pasionuar që gradualisht e djeg pezmin dhe dashurinë, e zbeh shpresën se nesër do të bëhet më mirë. Publicistët, politologët, analistët, përpiqen të na bindin se vlerat nuk i përgjigjen të vërtetës, dhe se nuk mund të jemi të barabartë sepse ata (politikanët) janë të përzgjedhurit e popullit. Si të përzgjedhur të popullit, ata pretendojnë se janë duke u kujdesur për ne, se neve na trajtojnë si të barabartë… Por realiteti tregon diçka krejt tjetër. 


Ne (populli) dikur i respektonim, i dëgjonim me ankth këta “udhëheqës”. Mirëpo, me veprimet e tyre, ata çdo ditë e më tepër po shkëputën nga populli duke e krijuar një hendek të pa kapërcyeshëm, hendek në të cilin rrezikojnë të bien vetë kur të vijë koha e zgjedhjeve e kur do të kenë nevojë për votën e popullit.


Këta “udhëheqës” nuk e dinë, ose nuk duan të dinë thënien e filozofit gjerman Hegel se vetëdija fatkeqe ngatërrohet në kundërthëniet e veta. 


Sa i përket pakënaqësisë të popullatës, sensi i vetëdijes do të ngrihet vetëm për t’i demaskuar gabimet dhe keqpërdorimet e tyre. Kur shumica e njerëzve pajtohen me gjendjen e krijuar, atëherë normalisht edhe dorëzohen. Biznesmenët falimentojnë, bujqit zvogëlojnë kapacitetet prodhuese në mungesë të subvencionimit adekuat, të varfrit shndërrohen në lypës dhe sahanlëpirës në mungesë të ushqimit, veshmbathjes që për pasojë kanë sëmundjen, frikën nga vdekja… Në të tilla situata i tërë sistemi shndërrohet në një kaos duke e zbritur në pikën minimale besimin në institucione. 


Politikanët tanë makiavelistë duke shfrytëzuar mediumet të cilat në të shumtën e rasteve i kontrollojnë në mënyrë direkte apo indirekte, fajësojnë popullin për gjendjen e krijuar, duke kërkuar dhe urdhëruar që të zbatohet “ligji”, pavarësisht se shkelës më të mëdhenj të ligjit janë pikërisht ata vetë. 


Ata përdorin maksimën: nëse ju jeni kundër nesh, jeni kundër vetvetes, gjithmonë duke pretenduar se përfaqësojnë interesat e popullit. Sipas tyre, patriotizmi dhe humanizmi, duhet t’i minimizojnë të gjitha pengesat e brendshme. Në emër të këtij patriotizmi ata kërkojnë nga populli që t’i mbështes në eliminimin e “radikalëve” të cilët i shohin si konkurrentë dhe nuk zgjidhin forma për t’i eliminuar. 


Lufta kundër këtyre “radikalëve” oponentë, i ka bashkuar forcat kryesore politike në vend të cilët përpiqen që përpara popullit t’i demonizojnë subjektet opozitare duke i paraqitur ata si shkelës të ligjit e të rendit kushtetues.  


Për shtetin e Kosovës është shumë i rrezikshëm monopoli politik por edhe ai ekonomik i krijuar nga subjektet më të mëdha politike që po sillen në një rreth vicioz. Ky monopol i ka sjellë dëm shtetit. Pothuajse gjithçka ka nisur keq duke e zbehur madje edhe euforinë e masave që e solli liria dhe pavarësia e vendit. 


Tani jemi në një pozitë kur për shkak të sjelljeve të tilla të politikanëve tanë, Kosova po e humb respektin dhe simpatinë edhe të miqtë ndërkombëtarë. Makiavelizmi i politikanëve shqiptarë të Kosovës ka pak ndikim te ajo botë e vetëdijesuar e cila demaskon keqpërdorimet, gënjeshtrat… Evropa diskuton për fatin tonë, në të shumtën e rasteve pa ne. Pa ne sepse “udhëheqësit” tanë politikë nuk mund t’ia hedhin diplomacisë euro-perëndimore ashtu siç po ia hedhin popullit. Indiferenca gjithnjë e më e theksuar e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës duhet të përbëj shqetësim në radhë të parë për politikanët tanë makiavelistë në pushtet por edhe për politikanët opozitarë të cilët duhet të jenë shumë më aktiv në këto momente të vështira për të ardhmen e shtetit tonë. E për mendimin tim, as populli nuk duhet të qëndrojë indiferent në këtë situatë.


 


(Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale)

Kontrolloni gjithashtu

Maja Vukiçeviq, deputetja malazeze shkakton polemika duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KE

Maja Vukiçeviq, deputetja proserbe e proruse e Malit të Zi shkaktoi polemika duke votuar kundër …