Abelard Tahiri

Abelard Tahiri: Ambasadori Berishaj, ish-këshilltar i kryeministrit Kurti, shërben si sekser, në raportet me kompaninë serbe “Gen”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas raportimit të fundit të mediave sllovene për involvimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një aferë të madhe korruptive, ku janë të involvuara edhe kompani serbe. Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se kjo aferë nxjerrë në pah që ambasadori Berishaj, që në Qeverinë Kurti 1 ishte këshilltar i kryeministrit, shërben si sekser i Albin Kurtit, në raportet me kompaninë serbe “Gen”. “Kompania ‘Gen’, sipas raportimeve të deritanishme i ka paguar ambasadorit tonë rreth 600 mijë euro. Po ashtu, gjatë periudhës së fundit dyvjeçare, kur në KEK është vendosur një menaxhment i ri nga Qeveria Kurti 1 dhe ka vazhduar me Qeverinë Kurti 2, kanë bashkëpunuar me këtë kompani. Dega e kompanisë ‘Gen’ në Serbi i ka shitur Republikës së Kosovës energji elektrike dhe ka blerë energji elektrike nga Republika e Kosovës. Pra kjo është jashtëzakonisht skandaloze, që ambasadori ynë shërben si një sekser i kryeministrit tonë, mes tij dhe mafias serbe energjetike, i cili me çdo kusht pengon themelimin e Komisionit Hetimor”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se zbulimi i kësaj afere e bën të domosdoshëm themelimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike në Kosovë. “Ne dëshirojmë me e pa se sa për qind e këtyre mjeteve të ndara nga buxheti i Kosovës, taksave të qytetarëve, mbi 100 milionë euro, i ka përfituar kompania Gen me bazë në Serbi, në të cilën ambasadori ynë shërben si këshilltar”, ka thënë Tahiri. Sipas Tahirit, pas kundërshtimit të mazhorancës për hetimin e mënyrës së menaxhimit të krizës energjetike, qenka një ndërmarrje e përbashkët kriminale. “As vet nuk e kemi besuar se deri sot zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës mund të jenë të involvuar në afera të tilla korruptive ndërkombëtare. Pra, ne sot e shohim arsyen e vërtetë të bllokimit të formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar çdo transaksion të shpenzimit të taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Kontrolloni gjithashtu

R.Shala: FADIL VATA, një kujtim më ndryshe

a ) –  Fadil  Vata , gjatë vitit shkollor  1979 / 80 , në QAMO …