Adem Breznica

Adem Breznica: Luftuam shumë e përfituam pak! Pse?

Dy gjërat që nuk arritëm t’i perceptojmë nga historia, prandaj edhe nuk kemi marrë mësim prej tyre, janë:

  1. Kemi luftuar më së shumti nga të gjithë;
  2. Kemi përfituar më së paku nga të gjithë.

Ne luftuam shumë kundër të tjerëve, gjatë të gjitha kohërave, por më së shumti kundër njëri-tjetrit.

E keqja është se luftërat kundër armiqve të jashtëm nuk i kemi çuar deri në finale; nuk i kemi ndjekur armiqtë deri në strehën e tyre të fundit. Dhe kjo, më vonë, na është kthyer në hakmarrje. Ne nuk i nënshtruan për të na larë haraç, por meqë ishim krenar, ata që i zumë, në shumë prej raste, i morëm për shërbëtorë, e në raste të tjera i lamë të iknin. Me kaq ishim të kënaqur.

Na ka mjaftuar thyerja e tyre, dhe akoma më shumë, na ka ngazëllyer ikja e tyre…

Fitonim shpeshherë, por i ndanim meritat vetëm për veten, e kur humbnim ndonjëherë, fajin e linim jetim.

Meqë jetimi mbetej i pastrehë, në rastin e parë të diskutimeve mes nesh, ia gjenim strehën tek njëri-tjetri: “ti je fajtori” dhe “ti je tradhtari”!

Tash, kur i gjetëm strehën fajit, lavdi e meritat mbetën për ne, e faji për tjetrin. Filluam garën e lojës me kapuç, kush është më trimi e më bajraktari mes nesh, që zakonisht na përfundonte me fjalosje, ngatërresa, lëçitje…

Pra, armiku kaloi në mesin tonë.

Shumica e të tjerëve fqinjë (ballkanik) u lindën nga çarjet tona të brendshme, të kaluara në ndarje fragmentare, të margjinalizuara nga ana jonë, të avancuara tutje në kosh lëçitjesh tona, të shndërruara në bashkëpunëtorë të ndikimeve të jashtme, të bullizuara në maksimum nga ana jonë, të kaluara në identitete të reja, të shndërruara në kërcënim ndaj neve, dhe në fund të goditura prej nesh.

Goditja jonë ndaj tyre vetëm sa ua përforcoi këtyre identitetin e ri, të krijuar në strehimoret e azileve që ua lamë në trashëgimi, duke ua bërë mik e aleat kundër nesh të keqen më të madhe të kohës moderne (Rusinë)…

Pastaj pjesën tjetër të historisë mirë e perceptojmë.

E keqja e madhe (Rusia) ndërhyri kundër nesh, në emër të mbrojtjes së lëçitjeve tona, duke i joshur zemrat e mendjet e tyre me “mbrojtjen” e ofruar, e duke i përvetësuar shpirtrat e shitur me identitetin e ri që do t’u jepte rolin e gogolit të ardhshëm.

Kështu të lëçiturit tanë të moçëm, që gjetën strehë nën ombrellën e të keqes, pa bërë thuajse asnjë luftë të lavdishme e pa fituar asnjë gjysmë beteje të vogël, përveç atyre që ua fituan prurjet e hedhura vazhdimisht prej nesh, në gjithë këto përzierje të mëdha mes Lindjes e Perëndimit, Veriut e Jugut, dolën pa asnjë ferrë në këmbë, duke ngadhënjyer kundër nesh e duke përfituar në kurrizin tonë.

Pra, ne luftuam më së shumti me më së shumti beteja të fituara.

Por, pa i çuar gjërat deri në fund, lufta nuk fitohet.

Fitoret e betejave na u kthyen në humbje luftërash për ne, e fitore luftërash për ata që i humbën betejat. Tamam, në “Fitore të Pirros”.

Si rezultat, ne luftuam, e këta, ata përfituan!

Dhe ne akoma vazhdojmë të përqendrohemi në fitore betejash mes nesh, e humbje luftërash ndaj të tjerëve.

A mund dhe çfarë duhet nxjerrë mësim nga kjo, si më sipër?!

Po, mundemi!

Hedhja e fajit tek njëri-tjetri ka mbjell armiqësi mes nesh; lënia jetim e tij, na ka ekspozuar ndaj pësimeve tjera;

Prandaj, fajin duhet adresuar në formë spirale, duke filluar nga veta e parë. Si rezultat do të habitemi se si ai më pak na godet ne e më shumë të tjerët, për dallim nga ajo që, kur i fajësonim të tjerët, më shpesh na godiste ne se sa ata.

Ndërkaq, meritat duhet ndarë në formë vorbulle. Nisur nga ky koncept, do ta shohim sa shpesh ato arrijnë tek ne e sa më rrallë çalojnë në periferi.

(Adem Breznica, gazetar i pavarur dhe profesor i historisë)

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …