Adem Feriz Gashi (5.4.1961 - 14.4.1999)

Adem Feriz Gashi (5.4.1961 – 14.4.1999)

Familjen Gashi nga Anallapi (ish – Bajqinë), viti 1918 e zë në pjesën jugore të Buzëllapit (ish – Dobërdolit) e që shtrihej deri në kufijtë e lagjes së Smajlajve në Bradash, në tokën që shtrihej përgjatë lumit Llap. Kjo familje ishte shumë e pasur, mirëpo, në kohën kur regjimi serb i dëbon familjet shqiptare për në Turqi, edhe kësaj familje ia kishte marrë tokën për të cilën u kishte dhënë një sasi të vogël parash dhe aty kishte vendosur kolonët serbë. Nga viti 1918 deri në vitin 1930, kjo familje jeton në fshatin Kaqanuell të Shalës së Bajgorës, ku më pas blen tokë në lagjen e Lepajve në fshatin Bajqinë dhe aty u vendos në vitin 1931. Më 1938 Ferizi, babai i dëshmorit Adem Gashi – Blini, u martua me Hanifen, të cilëve u lindin nëntë fëmijë, dy prej tyre vdesin të vegjël. Ademi ishte fëmija i tetë me radhë, i cili lind më 5 prill të vitit 1961. I ati, Ferizi që nga viti 1930 punoi në kombinatin “Trepça” në Mitrovicë, dërisa mbetet pa punë më 1957, kur detyrohet të merret vetëm me bujqësi e blegtori. Ishte dashamir i madh i shkollës shqipe. Dëshirë e tij ishte që t’i shkollojë fëmijët. Më 1960 kishte dhënë kontribut financiar për hapjen e ciklit të lartë në shkollën fillore të Bajqinës.

Në vitin 1965 Ferizi sëmuret rëndë dhe vdes. Pas veti ai la bashkëshorten Hanifen të moshës 45 vjeçe, djalin e madh Idrizin, të moshës 16 vjeçe, kurse fëmija më i vogël ishte Afrimi 3 – muajsh, ndërsa Ademi kishte 4 vite. Familja e Ademit jetonte në varfëri pa kurrfarë te ardhurash dhe pa kurrfarë ndihme. Barra kryesore e familjes binte mbi nënë Hanifen, djalin Idrizin dhe motrën, Fahrien. Vëllai Hajrizi, së bashku me Ademin, që në moshë të re fillojnë të punojnë punë të rënda fizike dhe që të dy ishin nxënës të shkëlqyeshëm.

Adem Gashi, si fëmijë ishte plotë shend e bukuri. Ishte fëmijë i shëndetshëm, i pashëm e i lumtur. Rritej ashtu si rritej lulja e pranverës. Posa i mbush shtatë vjet u regjistrua në klasën e parë në shkollën fillore “Emin Duraku” në Bajqinë, ku dallohet në mësime dhe çdo herë në ditarin e tij kishte vetëm pesa. Ishte aktiv në të gjitha lëndët dhe përpos mësimeve ai merrej edhe me aktivitete të lira në kuadër të shkollës. Ishte një ndër sportistët më të dalluar të shkollës.

Pas përfundimit të shkollës fillore, Ademi regjistrohet në gjimnazin e Podujevës, ku do të jetë ndër nxënësit më të dalluar. Në këtë moshë dallohet edhe me ide përparimtare e atdhetare. Për këtë arsye, disa herë bjen në kundërshtim dhe kishte pasur disa probleme me profesorët projugosllavë.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, Ademi regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Në këtë fakultet ai bëhet kryetar i grupit “Hulumtuesit e rinj”, grup ky i cili vepronte në kuadër të këtij fakulteti. Si student Ademi ishte edhe anëtar i Klubit Atletik “Llapi” në Besianë.

Studimet i kreu në afatin rekord me notë të lartë e cila ia mundëson që të regjistrohet pa pengesë në studimet pasdiplomike, në vitin akademik ‘1986/87, po në lëminë ekonomike. Deri në këtë kohë punon edhe mësimdhënës i lëndëve ekonomike. Gjatë ushtrimit të profesionit të mësimdhënies, nxënësve të vetë u fliste dhe u tregonte shpesh për resurset e Kosovës, të cilat po shfrytëzoheshin nga Serbia dhe Jugosllavia. Ai ua shpjegonte parullën e brohoritur në demonstratat e vititi 1981, “Trepça prodhon, Beogradi ndërton” dhe thoshte se Serbia po e mbante nën sundim Kosovën për arsye të leverdisë ekonomike e jo pse ajo është “djep” i saj.

Ademi me nxënësit e vet shpesh organizonte aktivitete të lira si në lëminë e shkencave ekonomike ashtu edhe në aktivitet sportive.

Në vitin 1987 kalon të punojë në kontabilitetin e tjerrtores “Kosova” në Prishtinë. Edhe në vendin e ri të punës dallohet si punëtor mjaft i mirë në profesionin e tij. Një vit më vonë zë punë në ndërmarrjen “Trans Kosova”, në Zhabar të Mitrovicës ku e zënë edhe masat e dhunshme të cilat i aplikoi Serbia ndaj organizatave të Kosovës.

Në vitin 1988 Ademi u martua me Nafie Merovcin nga fshati Dobërllukë i Vushtrrisë, e cila ishte punëtore shëndetësie. Një vit më vonë atyre u lindi fëmija i parë, Jetoni.

Gjatë vitit 1990 Ademi merret me kontabilitetin e ndërmarrjeve të para private në Prishtinë, kurse në vitin 1991 bashkë me vëllain Afrimin e me ndihmën e të vëllait Idrizit formon kooperativën banesore “Vëllazrimi” me seli në Prishtinë.

Në vitin 1993 Ademi formon NPTSH “Toni Trade” në Prishtinë në të cilën punon bashkë me të shoqen Nafien e me vëllain Afrimin.

Në këtë ndërmarrje, punoi deri në vitin 1998 kur kyçet në UÇK-së. Në ZOLL emërohet shefi i sektorit për logjistikë të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Në këtë detyrë njihej me pseudonimin Blini. Evidencën e logjistikës Ademi e mbante në mënyrën më bashkëkohore, me kompjuterin e organizatës së vet tregtare.

Edhe derisa ishte drejtor financiar në “Trans Kosova” në Zhabar të Mitrovicës, Ademi kishte furnizuar me armë disa herë njerëzit e parë të celulave të para të rezistencës së armatosur, nga të cilët më vonë u formua UÇK-së. Këto armë, revole të tipit Bereta atij, sipas porosisë ia sillnin shoferët e kamionëve të ndërmarrje “Trans Kosova” nga Italia. Në vitin 1995 bashkëshortëve Adem dhe Nafie Gashi u lind edhe fëmija i dytë, të cilin e pagëzuan me emrin Erblin.

Ademi kishte shfaqur gatishmëri për t’u kyçur drejtpërdrejt në UÇK, qysh në korrik të vitit 1998 dhe e kishte ndihmuar UÇK-në me mjete teknike e transportuese, mirëpo, nga ai u kërkua që ende të vazhdojë të punojë në qytet. Pas ofensivës së 15 shtatorit 1998 ai kaloi nga Prishtina në Llap dhe u vendos në Bradash ku kreu detyrën e komandantit të logjistikës së Brigadës 152 “Shaban Shala”. Ishte i afërt me të gjithë ushtarët dhe komunikues i mirë me eprorët e UÇK-së. Si njohës i mirë i raporteve ekonomike, etnike, politike e ushtarake në Ballkan Ademi konsideronte se bashkimi i tokave shqiptare duhet të arrihet doemos. E ndiente nga afër se liria, demokracia e pavarësia e Kosvës nuk ka alternativë.

Shpesh herë thoshte se nuk ka marrëveshje me nacionalizmin ekstrem serb. Se liria nuk fitohet pa gjak, se armët nuk mbahen për t’ju dorëzuar armikut, por për ta luftuar atë. Mendonte dhe thoshte “Se rrugës për realizimin e qëllimit nuk duhet të kthehesh as të ndalesh por të vazhdosh derisa të arrish atje”.

Pas fillimit të intervenimit të forcave të NATO-s mbi caqet serbe dy herë i vizitoi vëllezërit me familjen e tyre në fshatin Kaqanuell të Shalës. Herën e fundit siç thotë i vëllai Idrizi, kishte thënë se do të shkonte në Prishtinë me qëllim që t’u bashkëngjitej shokëve të gueriles dhe të kryejë aksione që ai i planifikonte kundër disa kriminelëve të njohur serbë.

I vendosur për ta marrë këtë rrugë, nga Kaqanolli udhëton me traktor për në Popovë, bashkë me Eset Hoxhën. Me 12 prill 1999, Ademi niset për në Prishtinë. Për këtë rrugë ai ishte përgatitur mirë dhe me vete kishte një automatik me katër karikatorë, gjykësoren me katër bomba dhe revolen. Natën e parë ai kishte fjetur në Koliq ku u takua me disa të afërm të cilët ishin vendosur në këto anë. Kah mesi i ditës së 14 prillit Ademi bashkë me disa persona të tjerë vazhdon rrugën për në Prishtinë. Rreth orës 16 e 10 minuta, në vendin e quajtur Fusha e pajtimit (ish – Kolovica e re), ballafaqohet me militarët serbë, në përbërjen të të cilëve ishin (Sreten Popoviq, Zharko Dokniq, Novica dhe Ivica Dragan-romë).

Menjëherë fillon shkëmbimi i zjarrit. Në këtë flakë beteje, bie në fushën e nderit. Banorët e lagjes “Fusha e Pajtimit”, të nesërmen, me 15 prill, trupin e dëshmorit e varrosin, bashkë me Alban Bllacën dhe Gani Berishën, të cilët kishin rënë në të njëjtin vend, pak pas Ademit.

Lajmin për rënien e Ademit vëllezërit e tij e kishin marrë gjersa ishin në Kaqanuell të Mitrovicës, më 20 prill 1999, kur i vëllai Afrimi kishte shkuar në shtabin e UÇK-së edhe pse lajmi nuk ishte konfirmuar zyrtarisht nga eprorët e Shtabit të UÇK-së të ZOLL-it.

Pas luftës, më 25 qershor 1999, vëllai i Ademit, Idrizi, shkoi ne Prishtinë që të vërtetojë lajmin lidhur me rënien e tij. Përmes një ushtari nga Prishtina, i quajtur Halit, gjen vendin ku kishte rënë i vëllai. Të nesërmen, përmes Naser Aliut – Herticës, shok lufte i Ademi, Idrizi u takua me komandantin e ZOLL, Rrustem Mustafën – Remin, me propozimin e të cilit kontaktoi me komandantin e brigadës 152 “Shaban Shala”, Arif Muqollin, i cili në atë kohë ishte i vendosur me ushtarët e tij në shkollën fillore “Azem Bejta” të Llapjasit (Kërpimehut) ku u mor vendimi që rivarrimi i Ademit të bëhet më 9 korrik 1999 në varrezat e qytetit në Arbëri të Prishtinës.

Në vendin e rënies së dëshmorit afër urës mbi përoskë në Fushën e Pajtimit, bri trafostacionit të kësaj lagjeje,më 14 prill 2001, në përvjetorin e dytë të rënies së dëshmorit Adem Gashi-Blini, u ngrit lapidari i tij. (M .K.)

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …