Korab Masar Binxhia (14.4.1961 – 14.4.1999)

Korab Masar Binxhia (14.4.1961 – 14.4.1999)

Pothuajse asnjëherë në histori nuk ngjan që proceset të zhvillohen spontanisht dhe as individët të kyçen rastësisht në rrjedhat e mëdha të zhvillimeve historike, prandaj nuk është e rastësishme as dëshira e të rinjve gjakovarë të kyçyr në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët vepronin në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit me pretendime për të formuar dhe konsoliduar një brigadë komplete e cila do të depërtojë në Gjakovë duke zhvilluar luftime përreth qytetit e më vonë edhe në qytetin e rrethuar e të mbushur me forca paramilitare e policore serbe që i vërsuleshin Deçanit dhe fshatrave të Rekës e të Malësisë. Këtë dëshirë dhe ëndërr e kishin edhe Adonis Beci, Albesian Mataj, Armend Qymyri, Bashkim Idrizi, Besim Bistrazhini, Bujar Syla, Bujar Roka, Dashmir Krasniqi, Dritan Zeneli, Dukagjin Vula, Elton Zherka, Genc Bytyçi, Dominik Përgegaj, Hamëz Zymberaj, Ilir Soba, Kushtrim Hoxha, Patriot Berisha, Përmet Vula, Sadedin Shehu, Sadri Lokaj, Valon Mala, Visar Juniku, Visar Myftari, Xhafer Lipoveci, Xhafer Thaçi, Xhemajl Abdullahu e Yll Morina, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Mirëpo ëndrra e tyre shënonte hapa të ngadalshëm, prandaj edhe nuk arritën që as në Cërmjan e as në Lugbunar ta formojnë brigadën e ëndërruar e cila më vonë do të kompletohet e do të depërtojë në territorin e qytetit të Gjakovës me emrin “Brigada 137 Gjakova” e Zonës Operativ të Pashtrikut. Në grupin e djelmoshave të Gjakovës me kohë ishte rreshtuar edhe Korab Masar Binxhia.
Dëshmori i kombit Korab Binxhia është i lindur në Gjakovë më 14 prill të vitit 1961. Është i biri i një familjeje intelektuale e patriotike, i biri i profesor Masarit e i Mirushes të Rizajave të Gjakovës, e lindur në Pogradecin e të Madhit Lazgush, pra Korabi është edhe nipash i profesorit të madh Selman Riza. Në gjirin familjar të intelektualëve Masar e Mirushe, krahas Korabit, u rritën edhe Veprorja me Astritin.
Ndërsa rrëfimet për dajën dhe axhën dëshmor të kombit sot dëgjojnë Leutrimi, Pletori, Shendi, Suna, Arbnorja, Valdrini e Shega. Korabi, i rrëzës së Çabratit krenar, shkollimin e nisi në Shkollën Fillore “Mazllum Këpuska” ndërsa shkollën e mesme e mbaron në Gjimnazin “Hajrdar Dushi” të Gjakovës së tij të dashur. Pas kryerjes së shkollës së mesme detyrohet të shkojë në shërbimin ushtarak. Këtë e mbaroi në Zagreb ku ra në kontakt me shumë veprimtarë të çështjes kombëtare të cilët ishin në objektivin e sigurimit të atëhershëm ushtarak jugosllav. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, pranë Fakultetit Juridik të cilin nuk e përfundoi për shkak se lirinë e deshi më shumë se titullin e juristit prandaj edhe e braktisi amfiteatrin dhe indeksin e këmbeu me armën e zjarrit për t’i sjellë dritë e liri Kosovës. Si i ri mori pjesë në të gjitha format e protestave kundër regjimit sllavokomunist më 1981 në Prishtinë e më 1989 në Gjakovë prandaj u bie në sy inspektorëve të sigurimit dhe ndiqet hap pas hapi. Disa herë arrestohet dhe dërgohet për në biseda informative në stacionin policor të Gjakovës. Për herë të parë organizohet në formimin e instrumentit të forcës më 1992 nëpërmes LKÇK-së dhe veprimtarit Osman Hasanaj nga Skivjani. Për ta vazhduar veprimtarinë patriotike vendosi të lidhet e të bashkohet me mërgimtarët pasi që veprimtaria jashtë atdheut ishte më e organizuar sepse rinia shqiptare e mërgimit ishte më e lirë në mërgim se sa në Kosovën e okupuar prej forcave paramilitare, policore e militare serborçetnike. Për vend të qëndrimit me trastë në krah e me ëndrra rinore për Kosovën e lirë e për studime të mëtejme, Korabi zgjodhi Belgjikën, por nuk gjeti punë dhe detyrohet të kthehet në Kosovë. Pas kësaj, më 5 maj të vitit 1998 armatoset dhe vendoset në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit në Gllogjan u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan. Pasi që kishte të kryer shërbimin ushtarak, duke ushtruar në përgatitjen e përhershme fizike, menjëherë angazhohet në vijat e para të frontit anembanë fushëbetejave të Rrafshit të Dukagjinit: në Gllogjan, Shqiponjë, Voksh, Rosishtë, Prejlep e deri në Strellc.
Atyre ditëve edhe numri i luftëtarëve nga qyteti i Gjakovës shtohej dita më ditë, prandaj Korab Binxhia bëhet iniciator për formimin e një brigade nga Gjakova. Për vend të themelimit zgjedhet Lugbunari dhe kështu më 18 korrik të vitit 1998 Korabi së bashku me tre shokë të idealit, gjendet me detyrë në fshatin Lugbunar, por bie në një pritë të policisë serbe. Në saje të shkathtësisë dhe të vigjilencës së grupit, shpartallohet patrulla policore serboçetnike dhe grupi shpëton pa asnjë dëmtim. Por pas këtij aksioni policia serbe lëshon një fletë arrest për Korabin e sipas kësaj shkrese Korab Binxhia shpallet “terrorist i rrezikshëm”. Në fillim të vitit 1998 një grup i të rinjve nga Gjakova, sipas përzgjedhjes së komandant Ramush Haradinaj caktohet për të shkuar në përforcime gjatë luftimeve përreth Junikut të rrethuar nga forcat serbe. Këtu luftohej për jetë a vdekje për më se 2 javë dhe në të gjitha luftimet shkëlqeu djaloshi nga Gjakova, Korab Binxhia. Mirëpo pas tërheqjes së forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Juniku, Korab Binxhia, i mbetur pa municion dhe grupi i mbetur me një armatim të zbehur, detyrohen që ta kalojë kufirin për t’u riarmatosur në Tiranë. Prej Tirane, edhe një herë udhëtoi për në Belgjikë, por megjithatë dashuria ndaj Kosovës sërish e tërhoqi në fushëbeteja dhe kështu kthehet në Tiranë, ngarkohet me detyrë që të qëndrojë në fshatin Papaj dhe Padesh për t’u përgatitur që të futet në betejat e reja që e prisnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kështu integrohet në Brigadën 138 “Agim Ramadani” për ta thyer kufirin shqiptaro-shqiptar në arealen luftarake të Koshares. Luftimet më të vrazhda u zhvilluan më 14 prill të vitit 1999 kur Korabi duhej për ta kremtuar ditëlindjen, por këtë e bëri në altarin e lirisë pikërisht në ditëlindjen e tridhjetetetë, pra përjetësohet më 14 prill të vitit 1999 në Rrasë të Koshares.
Këto janë luftime të njohura, ndër më të përgjakshme, u zhvilluan më 11, 12, 13 e 14 prill në “Rrasa të Koshares” në të cilët përjetësohen: Agim Ramadani,, Genc Bytyçi, Bashkim Idrizi, Xhafer Thaçi nga Gjakova, Ali Ivaja i Cërnillës së Ferizajt, Arif Selmanaj i Savrovës së Therandës, Fisnik Salihu, Mujedin Aliu i Porojës së Tetovës, Kasim Uka i Panashecit të Gjakovës, Xhavit Nitaj i Vokshit të Deçanit dhe Driton Veliu i Palacit të Skënderaj.
Por as tërbimi i forcave serboçetnike e as rënia e bashkëluftëtarëve nuk e dobësuan Brigadën 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, prandaj luftëtarët e lirisë vazhduan betejat e njëpasnjëshme dhe kështu edhe arritën në Kosovë duke rrënuar gurët kufitarë që rrafsh një shekull e patën ndarë Shqiptarin prej Shqiptarit.
Më 15 prill bëhet tërheqja e trupave të përjetësuar në altarin e lirisë. Këtë veprim e kryen komandi Musë Gjakova, ndërsa përcjellja solemne në frymën ushtarake bëhet më 17 prill në varrezat e dëshmorëve të qytetit Bajram Curr. Në këtë solemnitet me të cilin u përcollën edhe Bashkim Idrizi, Genc Bytyçi e Xhafer Thaçi përveç Brigadës 138 “Agim Ramadani”, morën pjesë edhe familjarët e dëshmorëve, ndërsa përveç prindërve, në krye të kortezhit printe prof. Emin Riza. Por më 21 korrik të atij viti trupat tërhiqen në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Gjakovës dhe aty prehen edhe sot.
Për ta nderuar emrin e dëshmorit “Korab Binxhia”, një rrugë në Gjakovë mban emrin e tij, ndërsa nëna Mirushe, duke u rrëfyer nipërve e mbesave për trimërinë e dajës Korab, sot dëshmor i kombit, në familje ruan një qafore prej ari, një unazë, një orë dore, një shkrepsë dhe rroba. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …