Adem Selim Rakoci (5.9.1959 - 9.4.1999)

Adem Selim Rakoci (5.9.1959 – 9.4.1999)

A dem Rakoci u lind më 5 shtator të vitit 1959, në Kaçanik. Rrjedh prej një familje bujare e atdhetare. Ishte fëmija i pestë i babë Selimit që ishte punëtor në ndërmarrjen hekurudhore, me të cilën pagë mbante familjen dhe i nënës, Zymryte që ishte amvise
Shkollën Fillore, “Emin Duraku” e kreu po në vendlinje prej vitit 1966 – 1974. Më tej vazhdoi shkollimin në gjimnazin, “Skënderbeu” në Kaçanik. Ishte i afërt dhe i sjellshëm.
Pas kryerjes së gjimnazit u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Dega Fizikë-Matematikë, në Universitetin e Prishtinës, ku me sukses e kreu vitin e parë të studimeve, mirëpo në pamundësi për të vazhduar u detyrua ta ndërpresë për shkak të gjendjes së vështirë materiale dhe të kërkojë punë për t’i ndihmuar familjes.
Rrethanat ishin të vështira dhe në pamundësi për të gjetur punë të përhershme u angazhua në klubin e basketbollit “Lepenci”, në Kaçanik, ku ishte aktiv edhe gjatë viteve të shkollës së mesme dhe për disa vite me radhë me sukses mbrojti ngjyrat e këtij klubi në garat e atëhershme krahinore.
Kosova ecte nëpër tmerret e luftës, kurse Ademi i shikonte mirë gjërat dhe vizioni i tij ishte luftë e pashmangshme me armikun, andaj me seriozitet bënte çdo punë në shërbim të atdheut.
Lufta u shtri edhe në Kaçanik e në rrethinë, kurse Ademi ishte aty ku duhej, në radhët e UÇK-së, nga e cila nis të lindë liria. Edhe Ademi, si vëllai i tij Dauti, qysh në fillim të jetës së tij, fëmijëri është rritur me ide atdhetare. Kjo për shkak se ai rrjedh nga një familje atdhetarësh të dëshmuar që nga e kaluara, gjatë pushtimit osman, vigjilje të luftërave ballkanike dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke qenë pjesëmarrës aktiv të rezistencës ndaj pushtimit të huaj dhe kërkimit të të drejtave kombëtare që u takonin atyre. Edhe Ademi i ndjek hapat e vëllait Dautit dhe inspirohet shumë nga demonstratat e vitit 1968, edhe pse ishte fëmijë i vogël, përshtypja që përjetoi ai në atë kohë ishte vendimtare në krijimin e personalitetit të tij atdhetar dhe kombëtar. Kjo u vërejt qysh në kohën e mesme ku ishte nxënës i dalluar dhe ku u propozua për udhëheqës i lidhjes së rinisë komuniste të shkollës, por ai e refuzoi këtë.
Ademi ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave që nga viti 1981 e deri në shpartallimin e ish-federatës jugosllave. Edhe pastaj pas formimit të serbo-sllavisë së Millosheviqit dhe suprimimit të asaj pak autonomie që kishte Kosova nga ana e këtij regjimi, ai vazhdoi të ndihmojë rezistencën kombëtare në mënyra të ndryshme kundër këtij pushteti të egër, që mundohej në të gjitha mënyrat të shuajë këtë rezistencë, por nuk arrinte dot sepse populli shqiptar i Kosovës ishte i vendosur në qëllimin e tij për çlirimin definitiv nga okupuesi serbo-sllav dhe gjente mënyra dhe metoda të tjera të rezistencës aktive ndaj këtij pushtuesi.
Pra pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave dhe lindjes së pluralizmit politik në vitin 1989, u krijuan mundësi të reja të organizimit politiko-shoqëror në vend. Pra, edhe në Kaçanik u formuan organizata të ndryshme politike, ku u shndërruan në parti politike të cilat edhe morën barrën e organizimit politiko-shoqëror të popullit shqiptar të Kosovës. Ndër to ishte edhe parlamenti rinor, anëtar i të cilit që nga fillimi ishte edhe Ademi. Pastaj, edhe ai si vëllai i tij Dauti ndihmoi në organizimin dhe sigurimin e zgjedhjeve të para parlamentare të Kosovës si dhe në përmbushjen e të gjitha detyrimeve aq sa ishte e mundur në rrethanat e atëhershme që rrjedhin nga këto zgjedhje të para parlamentare. Pra, ai ishte aktiv i të gjitha organizimeve politiko-shoqërore kur mundej dhe i jepej rasti.
Me mish e me shpirt, ai angazhohej deri në maksimum dhe me sukses i kryente detyrimet dhe përgjegjësitë që i merrte mbi vete. Kështu vazhdoi deri në shpërthimin e luftës çlirimtare dhe daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u kyç në radhët e saj si luftëtar i lirisë, pikërisht më 20 shkurt 1999 në Batalionin e Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik.
Në Rakoc dhe në disa lagje të tjera të Kaçanikut ishin vendosur njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, e në radhët e këtyre njësive ishte i sistemuar edhe Adem Rakoci. Forcat serbe, më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, ndërmorën një ofensivë ushtarake e policore dhe paramilitare, kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK-së.
Forcat pushtuese, pasi rrethuan qytetin e Kaçanikut, në orën 8 filluan granatimet në drejtim të përroit të Rakocit dhe të Lagjes së Re, ku granatime të shumta u bënë edhe në pozicione të UÇK-së. pas granatimeve të shumta, mjetet motorike, transportierët e blinduar u vunë në mbështetje të këmbësorisë.
Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” u ballafaquan me një ofensivë të madhe. Gjatë luftimeve të ashpra në mbrojtje të popullatës civile bien në krye të detyrës heroikisht vëllezërit: Adem e Daut Rakoci me këta bashkëluftëtarë: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika – Muhaxheri, Kjani Bela, Nexhmush Fera, Shefket Fera, Nevzat Çallaku, Kadri Trena dh Avdurrahim Shehu, ndërsa plagoset luftëtari i lirisë Rrustem Dema. Po në këtë betejë nga popullata civile ranë për lirinë e Kosovës këta qytetarë: Xhemal Brodi, Zijadin Frangu, Nebih Topojani, Xhili Rexha, Hamide Rexha, Nerzike Dogani, Mine Gashi, Tefik Nallbani, Menduh Nallbani, Maksut Nallbani, Nebih Livoreka, Osman Livoreka, Hamide Shehu, Gili Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, Jonuz Bajra dhe Murat Raka.
Forcat serbe i kishin varrosur në një varr masiv të gjithë, ku pas lufte është bërë zhvarrosja e tyre dhe identifikimi. Pas lufte nën organizimin e Brigadës 162 “Agim Bajrami” Ademi dhe dëshmorët e tjerë të kombit u rivarrosën tek Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, më 22 shtator 1999, me nderime të larta ushtarake. Lufta heroike e tij për shumë breza do të jetë shembull i një luftëtari të paepur për lirinë e Kosovës. Ishte dhe do të mbetet bir besnik i atdheut, udhërrëfyes i lirisë dhe idealeve të larta kombëtare. Për atdhe dha jetën për të mos vdekur kurrë. (H. K)

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …