kek baneri
AKP deri me 2 dhjetor
mbpzhr 2018
valamobile
Fillimi / Tema Historike / Adil Fetahu: 72-vjetori i Shkollës Normale të Gjakovës
Adil Fetahu

Adil Fetahu: 72-vjetori i Shkollës Normale të Gjakovës

Arsimi në gjuhën shqipe ka kaluar nëpër kohëra, faza e kushte të vështira qysh prej periudhës së pushtimit Osman, ndërsa në Kosovë dhe në viset jashtë shtetit amë, këto vështirësi i ka përjetuar dhe i përjeton akoma.  Në Shqipëri e në Kosovë këto vështirësi  tani nuk janë nga pushtuesi, por nga degradimi i sistemit arsimor, cilësia e dobët e mësimit dhe niveli i ulët i fitimit të diturive, për shkaqe dhe arsye nga më të ndryshmet.

Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918), në të cilën u shpërbë Perandoria Osmane, Kosova ishte e ndarë në zy zona pushtuese: zona lindore nën pushtimin e Bullgarisë, dhe zona perëndimore nën pushtimin e Austrohungarisë. Në zonën që ishte nën pushtimin bullgar, ishte e ndaluar rreptësisht hapja e shkollave shqipe, ndërsa në zonën nën Austrohungarinë ishte lejuar hapja e tyre.

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), trojet shqiptare ishin  ndarë në tri zona pushtuese. Në zonën nën pushtimin italian, e cila përfshinte pjesën më të madhe të trojeve etnike shqiptare,  u hapën shkolla fillore e të mesme, falë angazhimit të ministrit të arsimit në Qeverinë kukull të Shqipërisë, Ernest Koliqi. Në Kosovë asokohe ishin hapur 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme.  Në Prishtinë qe hapur Shkolla Normale “Sami Frashëri”, dhe Kursi Pedagogjik, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe.  Por, puna e tyre ishte afatshkurtër.

Normalja e Gjakovës (1946 – 1953)

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “pushteti popullor” i atëhershëm i kushtoi vëmendje të posaçme hapjës së shkollave në gjuhën shqipe dhe zhdukjës së analfabetizmit. Por, për të hapur shkolla, duhej siguruar  mësues, e ata ishin tejet të paktë. Vitin e parë shkollor të pasluftës, 1945/46, në tërë Kosovën funksiononin 169 shkolla shqipe (me 336 mësues) dhe 184 shkolla serbe ( me 337 mësues). Pa siguruar kuadrin arsimor, ishte e pamundur të zgjërohej rrjeti i shkollave.

Duke parë nevojën për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe, Këshilli Populluer Krahinuer i Kosovë-Metohisë, në mbledhjen e mbajtur më 16-17 qershor 1946 (në Prizren, sepse asokohe Prizreni ishte kryeqytet i Kosovës), pasi kishte shqyrtuar raportin për gjendjën e arsimit në Kosovë,  kishte marrë vendim për hapjen e shkollave të mesme për përgatitjen e mësuesve (nëpër gjimnaze e shkolla normale). Si hap i parë, kishte vendosur të hapej Shkolla Normale Shqipe në Gjakovë. Resori i arsimit e kishte ngarkuar kryeinspektorin e arsimit, Mehmet Gjevorin, të përgatitë elaboratin për hapjen e asaj Shkolle. Sipas sugjerimit  të Zekeria Rexhës, në elaboratin e tij Gjevori kishte propozuar Beqir Kastratin për drejtor. Përgjegjësi i arsimit, Mita Milkoviq, e kishte miratua elaboratin dhe propozimin e Gjevorit, dhe më 26 shtator 1946 (një muaj pa filluar mësimi), e kishte emëruar Beqir Kastratin drejtor të Shkollës Normale Shqipe në Gjakovë. Drejtorit Kastrati iu ngarkua barrë e rëndë, për të siguruar objektin për shkollën dhe për konviktin, kuadrin mësimor, nxënësit, librat dhe mjetet tjera për mbarëvajtje të punës në Shkollë. Me angazhimin e madh dhe autoritetin që kishte Beqir Kastrati, arriti të sigurojë lokalin, kuadrin më të domosdoshëm arsimor, një numër nxënësish dhe mjetet e nevojshme, ashtu që më 26 tetor 1946, filloi punën Shkolla Normale Shqipe në Gjakovë, në objektin e Institutit Tregtar, gjegjësisht të Gjimnazit të qytetit.

Ishte ideuar që mësimi të mbahej i kondensuar dhe në vend se katër vjet, shkollimi të zgjatë  dy vjet, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe. Me gjithë angazhimet e drejtorit Beqir Kastrati, të strukturave shoqërore e politike dhe të gazetës “Rilindja”, mezi u arrit që në vitin e parë të Normales së Gjakovës të regjistrohen  55 nxënës, nga vise të ndryshme, e më së shumti ishin nga Gjakova dhe rrethina e saj: Aqif Binishi, Avni Zhubi, Aziz Brovina, Enver Gjerqeku, Gurbi Shehu, Hasan Zeka, Hashim Binishi, Hilmi Brovina, Ibrahim Zherka, Ismet Canhasi, Naim Zajmi, Petrit Dushi,  Qazim Lleshi,  Qamil Beqiri, Ramiz Hoxha, Ramiz Musa, Sami Ferizi, Shani Hoxha, Shani Pallaska. Nga Peja: Abaz Bërdynaj, Abdurrahim Pajaziti, Daut Nimani, Fadil Gacaferri, Kurtesh Kelmendi, Mazllum Pudarolli, Mejreme Begolli, Muhamet Belegu, Murat Morina, Murteza Ramadani, Ramiz Kelmendi, Ruzhdi Kotorri, Sali Lika, Selim Begolli, Shefqet Bërlajolli, Shefqet Kelmendi, Shkelzen Begolli, Tefik Gjikolli. NgaPrizeni: Ismet Dehiri, Hamëz Topojani, Hylki Maksuti, Muhamet Mullafazliu, Selman Kabashi, Sylejman Çoça, Xhahit Limani. Nga Lipjani: Jusuf Shushka, Hysen Muhaxheri, Sami Firza. Nga Malësia e Podgoricës: Adem Gjokaj, Ahmet Gllavataj, Gjergj Gjokaj, Kolë Prekaj, Zef Kalaj. Nga Maqedonia: Murat Isaku dhe Sedat Gjinolli, dhe nga Shqipëria – Llukman Shehu.

Për fillimin e mësimit, mezi ishin sigurur pesë mësimdhënës: Beqir Kastrati, Dhimitër Fullani, Hasan Vokshi, Hasan Hakiu dhe Dragiçeviq Nikolla. Më vonë, në dhjetor të atij viti trupit arsimor iu kishin ardhur edhe bashkëshortët Apostol e Lirije Tanefi. Ditën e parë të shkollës drejtori Beqir Kastrati kishte mbajtur një fjalë rasti, u kishte dëshiruar mirëseardhje nxënësve, kishte prezantua arsimtarët e parë, dhe në fjalimin e rastit, ndër të tjera kishte thënë: “Shkolla jonë dhe arsimi në përgjithësi, janë të vetmit faktorë në luftë për zhdukjen e prapambeturisë që ekziston në Kosovë. Të gjithë ata që sot janë ulur në bankat e Normales sonë, dhe ata që do të vijnë këtu, posa të kthehën me diplomë në dorë, do ta ndihmojnë atë rreth që i dërgoi të shkollohën.  Ne të gjithë e kemi detyrë prindore të ju ngrisim. Kemi para nesh mësuesit e ardhshëm, edukatorët e brezave…”. Orën e parë të mësimit e kishte mbajtur vet drejtori, Beqir Kastrati.

Shkolla kishte siguruar edhe konviktin dhe ushtrimoren. Në konvikt ishin vendosur (më 24 tetor) 33 nxënës me pansion të plotë, dhe 11 tjerë me gjysëm pansioni ( vetëm dy ishin nga Gjakova: Ali Hadri dhe Gurbi Shehu, tjerët ishin nga viset tjera).

Në semestrin e parë, kishin 16 lëndë: Gjuhë e letërsi shqipe (4 orë në javë), Gjuhë serbokroate (3), Gjuhë ruse (2), Histori (2), Gjeografi (2), Bujqësi (2), Pedagogji (2), Mësim natyre (2), Psikologji (3),Matematikë (2), Fizikë (2), Kimi (2), Vizatim (2), Muzikë (2), Gjimnastikë (2), Punëdore (1). Gjysëmvjetori i parë kishte përfunduar më 10 janar 1947, ndërsa i dyti kishte filluar më 17 janar, duke iu shtuar edhe tri lëndë tjera: Metodikë (2 orë), Hospitim (2), Bukurshkrim (1).

Në vitin e  dytë (1947/48) mësimi kishte filluar më 17 korrik dhe gjysëmvjetori i parë kishte përfunduar më 15 dhjetor. Ishin tri paralele me 130 nxënës (dy paralele të vitit të parë dhe një e vitit të dytë) dhe kishin ardhur edhe disa arsimarë: Tajar e Muzafere Hatipi, Dhimitër Markaj, Margarita Gjurashkoviq, Jusuf Nimani, Vasa Bullatoviq, ashtu që numri i tyre kishte arritur në 13 mësimdhënës.

Gjenerata e parë e kreu shkollën më 31 maj 1948; prej 41 nxënësve “maturantë”, 8 ishin me nota të dobta. Provimi i pjekurisë ishte mbajtur prej 15-25 qershor. Provimit iu shtruan 35 nxënës, prej të cilëve 6 kishin mbetur për riprovim, ndërsa tre kandidatëve iu ishte shtyrë provimi i matures për një vit. Kjo tregon se, përkundër nevojës aq urgjente për mësues, kriteri i kalimit të klasës dhe provimit të maturës ishte i “pa kompromis”. Nga gjenerata e parë, me sukses të dalluar ishin cilësuar nxënësit: Hashim Binishi, Hilmi Brovina, Ismet Canamusa, Enver Gjerqeku, Ali Hadri, Rexhep Hoxha, Murat Isaku, Isuf Sylejmani, Jusuf Shushka, Ibrahim Zherka. Duke uruar për suksesin dhe ndarë diplomat, drejtori Beqir Kastrati, ndër të tjera u kishte thenë: “Bukën ua dhamë, djathin fitonie vetë”! Më 28 qershor drejtori kishte organizuar një darkë të përbashkët, lamtumirëse, me nxënës e arsimtarë.

Në vitet në vazhdim ishin krijuar kushte më të mira pune, ishte arritur një përvojë më e madhe dhe ishte rritur interesimi për shkollim  dhe numri i nxënësve në atë Shkollë, ashtu që në vitin e fundit të funksionimit (1952/53) kishte 278 nxënës të rregullt dhe 35 kursistë të Kursit të Lartë Pedagogjik:  Ali Muçolli, Sefë Berisha,Sylejman Dalladaku, Munish Rexha, Sami Kolçi, Tafil Babalia, Xhafer Nushi, Mehmet Kurshumlija, Mazllum  Vesvesja,  Qamil Rizvanolli, Skender Polloshka, File Kalaj, Marie Kalaj, Zejnel Sheqerolli, Rexhep Gjokaj, Safet Kuqi, Sokol Shala, Rexhep Bunjaku, Hasan Dumani, Sali Ramadani, Mujo Shatri, Halil Buqinca, Elez Selmani, Shaban Shala, Raif Gashi, Mehdi Hoxha, Tefik Geci, Ramadan Shala, Selim Elshani, Salih Demiqi, Munip Canhasi, Bahri Dushi, Gani Ajeti, Mehmet Pozharani dhe Osman Qavolli. Kursistët kanë qenë individë të rritur, të moshave të ndryshme dhe të viseve të ndryshme, ishin njerëz të pjekur, të interesuar dhe të zellshëm në mësime, pedantë dhe ambiciozë për profesionin e mësuesit. Në programin mësimor të kursistëve ishin 16 lëndë mësimore: shqipja, serbishtja, pedagogjia, historia e pedgogjisë, metodika, filozofia,  historia e përgjithshme, rregullimi shoqëror, gjeografia, biologjia, kimia, matematika, bujqësia, vizatimi, kënga dhe fiskultura.

Hasan Vokshi, një ndër arsimtarët shumë të respektuar të asaj Shkolle, më vonë kishte thënë: “Ishte knaqësi të punosh me atë gjeneratë.Të gjithë ishin serioz, të formuar, të etshëm për mësim, dituri e kulturë. Ndërkaq, Dervish Rozhaja, ish-nxënës i gjeneratës së parë, në një intervistë televizive, me rastin e një jubileu të Shkollës, kishte deklaruar: “I kujtoj me admirim Beqir Kastratin me shokë, i cili me enthsiazëm të madh iu rrek ngritjes së asaj Shkolle, pishtare dhe pioniere të arsimit kosovar”.

Për arsye të ndryshme, ajo Shkollë nuk pati kurrë numrin e nevojshëm të mësimdhënësve. Jo vetëm se mungonin mësimdhënës nga Kosova, por për shkak të prishjes së marrëdhënieve midis Jugosllavisë e Shqipërisë, pushteti jugosllav i përsekutoi, ndoqi dhe përzuri  mësuesit e ardhur nga Shqipëria. Jo vetëm mungesa e kuadrit, por edhe për arsye tjera, ishte marrë vendim që Normalja e Gjakovës të transferohej në Prishtinë. Një prej shkaqeve të atij transferimi ishte afërsia e Gjakovës me kufirin e Shqipërisë dhe droja e ndikimit të politikës shqiptare te rinia shkollore. Kështu, në vitin shkollor 1953/54, u mbyll Shkolla Normale e Gjakovës, ndërsa u hap ajo e Prishtinës, e cila punoi  20 vjet (deri më 1974), duke i dhënë arsimit mbi 5000 mësues të kualifikuar.

Kontrolloni gjithashtu

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Gani Qarri: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468) Epoka që nuk përfundon kurrë!

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për shqiptarët kudo, dhe Evropën në përgjithësi, ishte dhe mbeti figurë shumë më ...