driloni com
vipa
Fillimi / Analiza / Adil Fetahu: A do të bëhet realitet apo do të mbetet vetëm metaforë, Republika e Vojvodinës?
Adil Fetahu: Si i ka zhdukur Serbia gjermanët e Vojvodinës

Adil Fetahu: A do të bëhet realitet apo do të mbetet vetëm metaforë, Republika e Vojvodinës?

Nga tetë entitet e ish-RSFJ-së, vetëm edhe Vojvodina nuk e ka zgjidhur statusin e saj. Vojvodina  kërkon (dhe meriton) statusin e republikës, në një federatë me Serbinë, por e ka vështirë ta realizojë, për shkak të strukturës nacionale të popullsisë së saj.

Njohtim i shkurtër për Vojvodinën

Krahina Autonome e Vojvodinës shtrihet në pjesën veriore të Serbisë. Serbët me  pezhorativin e tyre të ndytë, shpesh e quajnë Krahina veriore e Serbisë, sikur që akoma me këtë gjuhë e quajnë edhe Kosovën: Krahina jugore e Serbisë, duke mos mundur të pajtohen se Kosova nuk është krahinë e Serbisë, por është shtet i pavarur, vetëm fqinj me Serbinë.

Vojvodina është një pjesë e Ultësirës së Panonisë, në të cilën kanë jetuar popuj të ndryshëm, ndër të cilët ishin Panonët,  fisi i madh i Ilirëve, dhe krahas tyre ishin edhe Trakasit e Keltët. Historia e Vojvodinës njihet nga pushtimi romak, në shekullin e parë para Krishtit. Në kohën e sundimit romak, Vojvodina njihej si Krahina Romake e Panonisë. Në vitin e 6 pas Krishtit, Ilirët zhvilluan një kryengritje të madhe kundër romakëve. Kryengritjën e udhëhoqën Batoni dhe Pini, dy personalietet e para më të njohura në historinë e Vojvodinës. Përndryshe, në Krahinën Romake të Panonisë (Vojvodinë), kanë lindur gjashtë perandorë  të njohur të Perandorisë romake me prejardhje ilire: Daciu (149-251), Aureli (270-275), Probi (276-282), Maksimilian Herkuli (285-310), Konstanti II (337-361) dhe Graciani (367-383). Kryeqytet i Krahinës Romake të Panonisë ishte Sirmiumi (sot Sremska Mitrovica), që ishte një nga katër qytetet më të mëdha të Perandorisë.

Fiset sllave (kroate e serbe) në Vojvodinë kanë ardhur në shekullin VI-VII të erës së re, prej kur në Vojvodinë janë ndërruar shumë sundimtarë të ndryshëm. Deri pas shpërbërjes së Austrohungarisë (1918), Vojvodina ishte pjesë e asaj Perandorie, dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e shtetit të Serbisë. Pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1918, Vojvodina ka hyrë në përbërje të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ndërsa pas mbarimit të Luftës së Dytë (1945), ka hyrë  si krahinë autonome në kuadër të Serbisë, me premtime se do të bëhet republikë, prandaj statusi i Vojvodinës – si krahinë autonome, në fillim ishte më i avancuar se statusi i Kosovës – si provincë autonome, por më vonë statusi i të dyjave u barazua, si krahina autonome, dhe njësi konstituive të Federatës së Jugosllavisë, me të gjitha atributet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor plotësisht të pavarur, sikur e kishin edhe republikat.

Vojvodina sot

Vojvodina ka një sipërfaqe prej 21506 km/katrore, dhe sipas regjistrimit të popullsisë, të vitit 2011, kishte 1.931.809 banorë, prej të cilëve 128935, apo 66,76% janë Serbë. Përndryshe, në Vojvodinë jetojnë 25 komunitete etnike të ndryshme, ndër ta edhe nja 2251 Shqiptarë. Në regjistrimin e popullsisë në vitin 1921, dmth. pas hyrjes së Vojvodinës në përbërje të Mbretërisë SKS, që në realitet ishte vetëm Serbi e Madhe, Vojvodina kishte 1528238 banorë, prej të cilëve 533466, apo 34,9% ishin Serbë, 363450, ose 23,8% Hungarezë, 335902 ose 22% Gjermanë  (“ Folksdojçerë”, “Shvabe”), 129788  apo 8,5% Kroatë, e pjesëtarë të nacionaliteteve tjera (Rumunë, Sllovakë, Rusinë etj.). Njëzet vjet më vonë, dmth. në vitin 1941, në Vojvodinë kishte 577067 apo 35,3% Serbë, 465920 apo 28,5% Hungarezë, 318259 apo 19,4% Gjermanë, 105810 apo 6,5% Kroatë, dhe pjesa tjetër ishin nga nacionalitetet tjera. Në regjistrimin e vitit 1948, popullsia gjermane ra në gjithësejt 31821, apo 1,9%, apo 286438 gjermanë më pak! Në regjisrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, Vojvodina kishte  1.931.809 banorë, prej të cilëve Gjermanë ishin 3272, ose 0,17%. Kështu, pushteti i Serbisë, praktikisht e likuidoi popullsinë autoktone gjermane nga Vojvodina dhe ua konfiskoi e rrembeu pronat dhe pasuritë e krijuara me shekuj aty. Edhe popullsia hungareze vazhdimisht ka pësuar rënie. Për procesin, format e pastrimit etnik dhe plaçkitjen e  gjermanëve të Vojvodinës, do shkruajmë një herë tjetër.

Me tokën e saj pjellore, me infrastrukturën e ujitjes së tokës nga lumenjtë dhe nga kanalet ujitëse, Vojvodina ishte hambari i Jugosllavisë, për prodhimin e drithërave dhe kulturave tjera bujqësore. Në saje të bujqësisë shumë të zhvilluar, përkah shkalla e zhvillimit ekonomik Vojvodina ishte e barabartë me Slloveninë, dhe më e zhvilluar se të gjitha republikat e rajonet tjera. Sepse e kishte bazën prej kohës kur ka qenë pjesë e Austrohungarisë, që ka prosperuar një ambient tjetërfare të civilizimit dhe kulturës, ashtu që ka trashëguar shkallë të zhvillimit më të madh në të gjitha aspektet. Me hyrjen në kuadër të Jugosllavisë, Vojvodina ka sakrifikuar shumë, dhe aq më tepër është eksploatuar pamëshirshëm nga Serbia, si një koloni e saj, sikurse janë eksploatuar edhe pasuritë natyrore të Kosovës.

Në periudhën e avancimit statusor të krahinave autonome, sipas Kushtetutës së Jugosllavisë (1974), deri në vitin 1988 kur administronte me pasuritë e veta, Vojvodina bëri hapa të rëndësishëm të zhvillimit. Por, nacional-shovinizmi serb nuk mund të shihte e duronte përparimin e popujve joserbë, siç ishin Shqiptarët në Kosovë, Hungarezët dhe Kroatët në Vojvodinë, prandaj me  dhunë shtetërore ndryshoi kushtetutat, suprimoi autonominë dhe futi masa të dhunshme në të gjitha segmentet e jetës. Rrëzuarja e qeverisë së Vojvodinës mori emrin metaforik “Jogurt-revolucioni”(1988), dhe në nëpër mitingjet serbe këndohej kënga: “Serbija iz tri dela, postala jedinstvena i cela” (Sebia që ishte prej tri pjesëve, tash u bë unike, dhe e tërë).

Forcat përparimtare të qytetarëve vendor të Vojvodinës, asnjëherë nuk janë pajtuar me suprimimin e autonomisë së krahinës, eksploatimin e pasurisë dhe diskriminimin që po u bënë pushteti qendror i Serbisë. Ato thonë se prej shkallës më të lartë të zhvillimit që kishte në kohën e funksionimit të autonomisë, tashmë Vojvodina është shndërruar në pjesën më të pazhvilluar të Serbisë. Prandaj, asnjëherë nuk do të pushojnë përpjekjet për përmirësimin e pozitës dhe statusit të autonomisë me autorizime të pushtetit legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor dhe me garancione të pronës dhe të burimeve financiare vetanake. Në këtë kontekst, ka pasur disa përpjekje që çështja të zgjidhet në mënyrë demokratike, me marrëveshje me strukturat politike e shtetërore të Serbisë, por Serbia i ka injoruar ato përpjekje, madje kërkesat e drejta për avancimin e pozitës kushtetuese-juridike i ka quajtur secesioniste, separatiste dhe armiqësore. Disa parti të djathta dhe organizata ekstremiste, si “Dveri”, “Srpski napredni klub”, “Treca Srbija,”  Kisha Ortodokse Serbe, etj., kanë kërkuar heqjen edhe të asaj autonomie formale, dhe çvendosjen e selisë së kryeqytetit të Serbisë, prej Beogradit në Novi Sad (një këso kërkese, forcat ekstremiste serbe e kanë kërkuar para ma se 40 vjetëve, edhe për Kosovën, që Prizreni të shpallet kryeqyteti i Serbisë!)

 

Kërkesa që Vojvodina të bëhet republikë në federatë me Serbinë

Duke parë se sa vjen e më tepër po keqësohet pozita e Vojvodinës në Serbinë unitariste, forcat përparimtare në Vojvodinë, nuk kanë reshtur përpjekjet dhe kërkesat e tyre për ndryshime pozitive. Në këtë kontekst kanë kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë (të vitit 2006), apo miratimin e një kushtetute të re, në të cilën do të përcaktohej Serbia si shtet federal, me dy republika: atë të Serbisë dhe të Vojvodinës, dhe eventualisht me krahina autonome, të Sanxhakut, Timokut etj. Për këtë qëllim,  forcat progresive të Vojvodinës, të tubuara në parti politike apo në organizata të shoqërisë civile, në koalicionin  Klubi Vojvodinës,  kanë organizuar manifestime të ndryshme, kanë hartuar një peticion me 30.000 nënshkrime, me të cilin kanë kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, dhe kanë organizuar e mbajtur konferenca të ndryshme politike e shkencore, në të cilat kanë miratua inisiativa dhe akte në drejtim të ndryshimit të pozitës kushtetuese-juridike të Vojvodinës. Deri më tash, janë mbajtur katër Konventa të tilla (2004, 2006, 2008 dhe 2012). Në Konventën e fundit (2012),  mbajtur me slloganin “Inisiativa e Re Kushtetuese e Vojvodinës”, pas një debati të gjërë të trajtimit të pozitës së tanishme të Vojvodinës, është miratua me aklamacion Deklarata mbi bazat e bashkimit të Vojvodinës dhe Serbisë në Republikën Federale të Serbisë.

Në Deklaratë, ndër të tjera thuhet se: “Serbia si shtet i vetshpallur dhe shoqëri e pakonsoliduar, një kohë të gjatë është në konflikt të përhershëm me vetveten, me Kosovën e pavarur dhe me Vojvodinën si entitet i veçantë, pastaj me disa bashkësi etnike brenda saj, me fqinjët dhe me bashkësinë ndërkombëtare; se Kushtetuta e RS është gjeneratori i krizës politike, ekonomike, sociale dhe morale; se dalja nga kjo krizë kërkon doemos shkëputjen nga politika centraliste, hegjemoniste shtetomadhe dhe nga ideologjia memorndumiane e Serbisë, dhe kërkon reforma rrënjësore politike,  demokratike  e kushtetuese; se Vojvodina dhe Serbia në pikëpamje gjeohistorike janë dy rajone dhe dy entitete të veçanta; se me një marrëveshje të re historike, pas shkatërrimit të RSFJ-së dhe ndarjes së Malit të Zi (dhe pavarësimit të Kosovës, a.f.), Vojvodina dhe Serbia duhet ta formojnë dhe konstiuojnë bashkësinë e (dy) shteteve në Republikën Federale të Serbisë, në parime të barazisë së plotë kushtetuese-juridike, si dy entitete konstituive; ngasese jetesa e përbashkët është e mundur vetëm në bazë të një marrëveshje të tillë historike,- prandaj në emër të Vojvodinës, të cilën e përfaqësojnë pjesëmarrësit e kësaj Konvente, propozojmë që në bazë parimeve dhe të qëndrimeve politike të paraqitura në këtë Deklaratë, ta ndërtojmë shtetin e përbashkët – Republikën Federale të Serbisë (RFS)”,- thuhet në Deklaratën e Konventës së katërt të koalicionit Klubi i Vojvodinës.

Deklarata e Konventës së Vojvodinës, përmbanë edhe shumë qëndrime politike e parime juridike për krijimin dhe funksionimin e shtetit të përbashkët federativ, të përbërë prej dy republikave të barabarta: Vojvodinës dhe Serbisë; kompetencat që këto dy republika do t’ia bartnin Federatës; parimet që do të përcaktoheshin në kushtetutën e Federatës dhe ato të republikave; sundimi i ligjit; shteti i së drejtës dhe shoqërisë qytetare; demokracia parlamentare dhe departizimi konsekuent në udhëheqjen e shtetit dhe në të gjitha punët; shekularizmi, ndarja konsekuente e pushteteve, substitucioni, decentralizimi dhe rajonalizimi; respektimi i plotë i të drejtave civile, të drejtave të njeriut dhe të drejtave individuale e kolektive në punë. Deklarata përmbanë edhe shumë parime tjera për funksionet dhe kompetencat e shtetit federal, organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, mbrojtjen, marredhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme, kufijtë, tregun, politikën monetare, doganat, bankat, tatimet, dhe gjithçka që shkon në favor të funksionimit të shtetit federal dhe të dy republikave.

 

Vuçiqi: “Atë film – nuk do ta shohin”!

Në një konferencë për gazetarë që mbajti në Beograd (3 prill 2018), së bashku ma atë kokë-tulin e serbëve të Bosnjes, M.Dodik, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari, se çka mendon për “Republikën e Vojvodinës”, ky në stilin e tij cinik e me metafora, tha: “Ua uroj! Gjithçka është në rregull. Serbia është shtet demokratik, por atë film nuk do ta shohin. Jo pse unë apo dikush tjetër nuk duam, veçse për shkak se atë nuk e duan qytetarët e Vojvodinës, dhe se në krye të të gjitha komunave atje, përveç njërës, qeverisë SNS që ka shumicën. Këtë ide, për Republikën e Vojvodinës po e shtynë Sasha Jankoviq (ish-avokat i Popullit në Serbi, dhe kundërkandidat i Vuçiqit në zgjedhjet për kryetar të Serbisë, në vitin 2017,-a.f.). Mos harroni se në zgjedhjet për kryetar të Serbisë, 55% e qytetarëve të Vojvodinës më kanë votua mua”, tha Vuçiqi.

 E unë i them Vuçiqit: Kurrë mos thuaj – kurrë. Edhepse Vojvodina realisht tash nuk ka  shansë për t’u bërë republikë as për t’u shkëputur nga Serbia, për shkak të dominimit në strukturën e popullsisë më 67% serbë, megjith’atë edhe atje “diçka po vlon  e po zihet”. Edhe  vrapimi në maratonë fillon me në hap të parë.  Në politikë erërat shpesh e ndërrojnë drejtimin. Një ditë mund të fryjë një erë që demokracia e Evropës e përtej saj, që t’i shkojë për shtati edhe Vojvodinës. Ajo e meriton shkëputjen nga Serbia.

Kontrolloni gjithashtu

Frank Shkreli

Frank Shkreli: Në 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kujtojmë shqiptaro-amerikanin e madh, Peter Genc Çikos

Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap ...