leoni

Faik Hajredin Rama (10.1.1972 - 19.7.1998)

Faik Hajredin Rama (10.1.1972 – 19.7.1998)

Në ditët e para ,,kur piqet qershia” e kur zuri të lëshojë shtat e flatra Batalioni i Rahavecit, rrëzë ,,Majës së Kikës”, në një shkollë fshati, në Astrazub, njëri prej djelmoshave që me vullnetin më të madh u bashkohet petritave të Adem Jasharit e rrufeve të Luan Haradinajt, ishte edhe Faik Hajredin Rama i ,,Rahavecit podrimçak që i mbushi llogoret gjak”, sipas epikës sonë historike.
Luftëtarit të lirisë, sot dëshmor kombit, Faik Rama, i zhduken gjurmët prej ditëve të luftimit në ,,Rrasat e Rahavecit”, buzë ,,Lugut të Remë Nikës”, kah Ujësjellësi e deri te ,,Ura e Aliagës”, ose prej datës 19 korrik të vitit 1998, kur në këto luftime morën përjetësinë dëshmorët e kombit: Agim Çelaj i Pejës, Agim Kelmendi i Fortesës, Afrim Krasniqi i Bardhit të Llapushës, prof. Hamdi Berisha i Gurbardhit, Gani Paçarizi i Lumishtës, Tafil Zyberaj i Drenajt, Sadik Shala i Kleçkës, Liman Gegaj i Fshatit të Ri dhe Bajram Veliu i Rahavecit. I zhduken gjurmët pas Betejës te ,,Ura e Aliagës”. Menjëherë pas rënies së Abdullah Bugarit e të Gëzim Hamzës – Piktorit, Faikun e prisnin Toni e Mici, e prisnin i ati Hajredini e nëna Hysnie, e prisnin vëllezërit dhe motrat e shumta, e priste i biri Valdrini-kërthi dhe bashkëshortja me foshnjë në gji. Valdrini e kërkonte të anë dhe rritej duke u djalëruar me ëndrra se një ditë do t’i vijë i ati, së paku do t’i lajmërohej e do t’i shkruajë se do t’i hidhet në përqafim, e jo në vig, e jo në arkivol.
Por luftëtarët e lirisë jetojnë tek pasi ta kenë marrë përjetësinë për një Kosovë të lirë e të pavarur, për një bashkim të trojeve etnike, sepse me lahutë ishin rritur duke mësuar se: ,,Shqip ku flitet asht Shqypnija”.
Faik Hajredin Rama, çapkën i ,,Mahallës së Hamamit”, i njohur në fillim si ,,Djali i Abetares”, e më vonë me nofkën luftarake ,,Abetari”, është i lindur në Rahavec, më 1 janar të vitit 1972. I ati, Hajredin Rama, e nëna, Hysnija, kishin njëmbëdhjetë fëmijë, e prej tyre Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e pritën nëntë; pesë vëllezër e katër motra dhe nga lufta dolën katër motra e katër vëllazër, sepse Faikun ia falën Kosovës, Faikun ua falën trojeve etnike.
Shkollën fillore, Faik Rama, e kreu në Rahavec, në bankat e Shkollës Fillore ,,Isa Boletini”, ku u shqua si djalosh dinamik, temperament, shumë intelegjent, me shenja virtytesh të larta në solidarësi me shokët e lagjes dhe të shkollës. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm e me sjellje korrekte e shembullore, shumë i shoqërueshëm; i afërm me ,,Fëmijët e Hamamit”, lagje kjo ku ishte i lindur. Të gjithë i ushqente buzëqeshja e Faikut.
Edhe shkollën e mesme, dëshmori i kombit Faik Rama, e mbaroi në Rahavec, në Gjimnazin që mban tani emrin ,,Xhelal Hajda – Toni” dhe gjendet në rrugën ,,Gëzim Hamza – Piktori”, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Madje, Xhelal Hajda – Toni, ishte komandant dhe idol për të cilin pati ëndërruar Faik Rama dhe shumë të rinj të Anadrinit. Me dëshirë të flakët për të studiuar, Faiku regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, ku patën thithur nektarin e diturisë edhe shumë studentë të Anadrinit si: Bedrush e Feim Gashi, Mensur Zyberaj, Selajdin Mullabazi-Mici, Abdullah Bugari, Përparim Thaçi, Bekim Gashi, Hysni, Fitim e Enver Duraku, Hida, Sinan, Ismet, Sedat, Isak e Visar Hoti, Mizahir Isma e Nysret Cena që kalëruan shtigjeve të kërkimit të diturisë dhe lirisë, e sot janë dëshmorë, që morën përjetësinë ndërmjet Pashtrikut dhe Llapushës, kur krisën pushkët mu në Breg të Drinit. Faik Rama nuk arriti t’i përfundojë studimet; dashurohet dhe martohet me Bekrije Zllanoga të Rahavecit dhe harmonia bashkëshortore kulmoi me lindjen e Valdrinit, më 13 prill të vitit 1997, i cili pati dëgjuar vetëm rrëfimet për të anë.
Të gjitha rrëfimet lidhen për veprimtarinë patriotike të Faikut, i cili më 1990, së bashku me djelmoshat e Anadrinit iu bashkua profesor Ukshin Hotit dhe më 27 janar niset me kolonën e Krushës së Madhe e u ballafaqua me forcat policore te ,,Laku i Dëshmorëve” afër Brestosit, ku ranë dëshmorët e parë të Anadrinit. Ky ballafaqim që ndezi ,,Flakën e Janarit” në Rahavec, e forcoi edhe më shumë tërë plejadën e djelmoshave dhe Faikut i shtohet urrejtja ndaj të gjithë atyre që ishin ingranuar në makinerinë e Slobodan Milosheviqit.
Detyrohet për të shkuar në shërbimin ushtarak në ish-armatën e Jugosllvisë së dështuar, por edhe së andejmi ia doli ta braktisë e të ikë, prandaj edhe shtohen ndjekjet dhe rreziqet për gjirin familjar Rama.
Si bashkëpronar i Ndërmarrjes Punuese Private ,, Abetare” të Rahavecit, sipas të cilës mori edhe emrin luftarak, Faiku qysh në muajin prill të vitit 1998, pas krismave të Jasharëve në Prekaz e të Haradinajve në Gllogjan, së bashku me të vëllanë, Behar Ramën, angazhohet në hartimin, dizajnimin, shtypjen, shumëzimin dhe shpërndarjen e materialeve për administratën dhe për logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc e Gllogjan, nëpërmjet Xhelal Hajdës dhe Selajdin Mullabazit. Kështu, Faikut i ra që për së afërmi t’i shohë pikat më të nxehta e më të zjarrta të fushëbetejave kundër forcave serbe çetnike, policore e ushtarake.
Por, me daljen e Batalionit të Rahavecit, Faiku, tashmë i përgatitur, braktis shtypshkronjën dhe logjistikën për të kaluar në sektorin operativ e për të vepruar me Gëzim Hamzën-Piktorin.
Në Betejën për Rahavec, Faiku mobilizon tërë qenien e vet emocionale, morale, materiale e fizike dhe prej ,,Rrasave të Rahavecit”, depërton kah brendia e qytetit dhe operon për marrjen e pozicioneve serbe te ,,Kroni i Gurit”, te ,,Gardhina”, te Ambulanca, te ,,Kroni i i Haxhisë”, sot ,,Muri i Pikëllimit” e deri te Stacioni policor i Rahavecit. Por, pas rënies së Gani Paçarizit, të Agim Kelmendit e Tafil Zyberajt e Skënder Jahë Kastratit, në Fortesë e Bardhabreg, të Abdullah Bugarit te Posta, të Hamdi Berishës në Pallaticë, të Afrim Krasniqit te ,,Kroni i Kajës”, ose pas thyerjes së harkut defansiv te ,,Ura e Aliagës”, drejtimin e operacioneve në këtë hark ndërmerr Agim Çelaj, i cili niset prej ,,Rrasave të Rahavecit” në drejtimin e ,,Urës së Aliagës”, ndërsa për njohës të terrenit merr Faik Ramën, pronarin dhe njohësin e rëndësishëm të Lugut të Remë Nikës, të Kryqit dhe të ,,Mullinit të Aliagës”.
Me të arritur te Ujësjellësi, këmbësoria serbe avancon kah Vorret e Shavicës dhe breshëron aksin rrugor të rajonales ,,Rrasat e Rahavecit” – Xërxë, veçanërisht pjesën ,,Jahapetroll” – ,,Zalli i Topallëve” në drejtim të skuadrave, me të cilat komandonin Agim Çelaj-Coli dhe Gëzim Hamza-Piktori. Këto dy formacione u gjendën edhe frontalisht me artilerinë serbe e cila kishte thyer pikën te ,,Ura e Aliagës”, dhe në kënd me këmbësorinë që anashkalonte në drejtim të ,,Maqinave” nëpër ,,Shaptin e Remë Nikës” bien: Agim Çelaj, Sadik Shala, Liman Gegaj e Faik Hajredin Rama, ndërsa plagoset Agush Gjocaj dhe zhduket çdo gjurmë për Remzi Ukshinin.
Pas Betejës së Rahavecit, arrestohet i vëllaj i Faikut, profesor Behar Rama, pronar i ,,Abetares”, ndërsa pas gjurmëve të dëshmorëve të rënë më 19 korrik veprojnë Ymer Alushani-Vogëlushi, Ajvaz Berisha-Tigri, Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Afërditë Ukshini, Hadije Spahiu, Selami dhe Agim Popaj dhe zbulohet trupi i pajetë i Skënder Jahë Kastratit, por pa trupat e Faik Ramës, Agim Çelajt, Liman Gegës e të dëshmorëve të tjerë.
Me përfundimin e Betejës te ,,Lugu i Shqipeve”, më 25 korrik, kur edhe thyhen turpërisht forcat serbe, Toni e Mici vazhdojnë për t’i kërkuar dëshmorët e rënë në ,,Lugun e Shqipeve”, në ,,Majën e Shkodranit”, në ,,Lugun e Remë Nikës” dhe nëpër Bërnajakë, por nuk u ranë në gjurmë të gjithëve; nuk e gjetën Agim Çelajn, Liman Gegën, Faik Ramën e Remzi Ukshinin, mirëpo dihej për një trup të pajetë të varrosur në një vreshtë bri lumit Remnik, e që më vonë, në bazë të analizave të bëra me ADN në morgun e Rahavecit, u konstatua se trupi ishte i dëshmorit Faik Hajredin Rama, i rënë më 19 korrik 1998 në Betejën te Ujësjellësi i Rahavecit, sot Rruga e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rivarrimi i Faik Ramës u organizua më 1 prill të vitit 2005, në ,,Kopshtin e Dëshmorëve”, në ,,Lugjet e Verdha” të Rahavecit, me pjesmarrjen e shumë bashkëluftëtarëve, ish-eprorëve të UÇK-së dhe të pjesëtarëve të TMK-së.
Përcjellja e fundit dhe homazh për dëshmorët e Rahavecit dhe për Faik Ramën u bë para Qendrës Kulturore ,,Mensur Zyberaj” në Sheshin ,,Dëshmorët e Korrikut”, ndërsa pranë arkivolit të mbuluar me flamur, qëndronin nënat dhe motrat e dëshmorëve, të cilat prej këtij vendi i kishin përcjellur edhe të bijtë që ranë për lirinë e Kosovës. Në krye të nënave qëndronte ajo e Xhelal Hajdës – Tonit me të bijtë e Micit dhe të Piktorit, etërit e të cilëve u bënë theror lirie.
Një lapidar për dëshmorin e kombit, Faik Hajredin Rama, do të vendoset në kompozitën ,,Lisat e Lirisë” ku janë emrat e dëshmorëve: Agim Çelaj, Afrim Krasniqi, prof. Hamdi Berisha, Liman Gegaj, Bajram Veliu e Sadik Shala, sepse aty ranë për të mos rënë Rahaveci, për të mos rënë Kosova e për të jetuar Shqiptaria e bashkuar me gjakun e djelmoshave nga anekënd trojet etnike.
Për Faik Ramën, ndërsa i biri Valdrini mbush faqet e ditarit për të anë, janë thurë shumë vargje që po deklamohen nëpër tubimet përkujtimore që mbahen nëpër pikat e Anadrinit. Shpresohet se kujtimi për Faikun do të ruhet edhe në ndonjë rrugë që do ta mbajë emrin e dëshmorit Faik Rama. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …