Adil Fetahu

Adil Fetahu: ÇAKRRAISJA SERBE NDAJ REKOMANDIMEVE TË KOMITETIT TË POLITIKËS SË JASHTME TË KONGRESIT AMERIKAN

Me ftesën e kongresistit,  Eliot Engel, kryetar i Komitetit të Kongresit Amerikan per Politikë të Jashtme, më 8 dhjetor 2020 u mbajt në Washington një konsultë dëgjimi të mendimeve dhe rekomandimeve të ekspertëve për politikë të jashtme, të cilën do duhej të ndjek administrata e re amerikane, me kryetarin e ri të zgjedhur Xhozef Bajden. Në seancën dëgjimore, përveç kryetarit të atij Komiteti, Eliot Engel dhe anëtarit Majkel Mekoll, morën pjesë ish-sekretarja e shetit, Madeline Olbright, profesori i studimeve ndërkombëtare të Universitetit “Xhorxh Hopkins”,Daniel Server, presidenti i Qendrës për Studime Strategjike, Janush Bugajski.

Pjesëmarrësit i bënë një analizë politikës së jashtme të Administratës së presidentit Donald Trump dhe strategjisë që duhet të ndjek Administrata e re e kryesuar nga Xhozef Biden në marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë problemit midis Kosovës e Serbisë dhe problemit të Bosnje-Hercegovinës.

Formuluar “në vija të trasha”, rekomandimet që dolën nga ai takim mund të sublimohen në këto formulime:

  • të shtohet dhe përforcohet angazhimi  dhe ndikimi i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor;
  • të forcohet bashkëpunimi dhe koordinimi midis ShBA dhe BE-së, veçmas me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, për zgjidhjën e problemeve të vendeve të Ballkanit;
  • t’i jepet përkrahje më e madhe zhvillimit të demokracisë, reformave, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit;
  • të bëhet presion mbi liderët e korruptuar, të cilët e shfrytëzojnë nacionalizmin për të mbajtur pushtetin e tyre;
  • t’i bëhet e qartë Serbisë, se nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa e njohur pavarësinë e Kosovës;
  • Madeline Olbrajt të përfshihet në procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, që po zhvillohet nën patronatin e BE-së;
  • Bajden dhe Merkel të bëjnë presion që  pesë shtetet  anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës;
  • të ndikohet që Rusia dhe Kina të mos vejnë veto kundër anëtarësimit të Kosovës në KB;
  • të neutralizohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor, veçmas në Serbi.

Reagimet ndaj rekomandimeve

Kundër kësaj “pakoje të rekomandimeve” të njohësve më të mirë të politikës së jashtme, në Sërbi janë hakërruar e çakrraisur strukturat e shtetit, të politikës, të kishës, të elitave intelektuale dhe të mediave, duke e quajtur “plan skandaloz dhe presion kundër Serbisë e popullit serb”. Dhe jo vetëm në Serbi, por edhe diplomacija ruse, duke nisur nga vet shefi i diplomacisë, Lavrov, dhe ambasadori rus në Beograd, Alesandar Bocan-Harçenko, rekomandimet e dhëna Administratës së re amerikane i quajtën presion mbi Serbinë, mbi udhëheqësinë dhe mbi politikën e saj të pavarur.

Reagimet në Serbi kundër rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të ShBA-ve ishin të orkestruara nga struktura të pushtetit, shoqërisë civile, kishës, qeverisë deri te kreu i shtetit.

Përveç reagimeve prompt (të menjëhershme) të televizioneve, internetit dhe gazetave ditore, duke i quajtur rekomandimet e Engelit, Olbrajtit e Serverit sipas titujve nga gazetat: “Sulm mbi Serbët dhe Serbinë”, “Plan skandaloz”, “Paralajmërim i grushtshtetit”,- analistë e komentues të ndryshëm në emisione televizve i quajtën ato presione mbi mbi Serbinë dhe udhëheqjen e saj për: njohjen e shtetit të Kosovës; për heqjen dorë nga Republika Srpska; për heqjen dorë nga lidhjet e forta me Rusinë e Kinën; nëse Vuçiqi nuk i plotëson këto, të vie në pushtet dikush që i plotëson. Vlerësime të përgjithshme në Serbi janë se Eliot Engel, në fund të mandatit të tij po përpiqet t’i jep edhe një goditje Serbisë.

Si “postë e porositur”, njëfar gorani nga Prizreni, tashmë krejtësisht i serbizuar, Orhan Dragash, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Siguri, në Beograd, i dërgoi një letër kryetarit të ri të zgjedhur të ShBA-ve, Xhoe Bajden, në të cilën, veç tjerash thekson se rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan nuk janë të mira për politikën e ardhshme të ShBA-ve ndaj Ballkanit, veçmas ato ndaj Kosovës. Dragashi posaçërisht e kundërshton qëndrimin e Serverit dhe të Bugajskit, të cilët insistojnë jë njohjen e Kosovës nga Serbia.

Një reagim poashtu si postë e porositur vjen nga një shkrim “autorial” i një peshkopi serb, miropoliti i Zagrebit e Lublanës (Porfirije, B=92, 16.XII) dërguar “Tanjugut” e botuar nga të gjitha mediat serbe, me titull: “Kome je u interesu da pokrene novi ratni pozar” (Në interes të kujt është nxitja e zjarrit të një lufte të re). Sipas vlerësimeve të atij kleri, që nuk janë (vetëm) të tij, “kreatorëve profesional të konfliktit nuk iu konvenon paqja dhe përparimi i popullit serb dhe i shtetit të Serbisë, prandaj po zhvillohet fushatë e orkestruar kundër qeverisë dhe kryetarit të saj. Skenari është i njëjtjtë, producenti i njëjtë, regjia është monotone, shfaqja efektive për keqdashësit, të gjithë janë humbës, vetëm kreatorët profesioalë të konfliktit janë fitues”, përfundon shkrimi i mitropolitit.

Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Aleksandar Vullin, që është si një megafon i prishur i Vuçiqit, në stilin e tij të vrazhdë e të papërmbajtur, reagoi duke thënë se ”Nga Madeline Olbrajt dhe Eliot Engeli mund të priten vetëm paragjykime, urrejtje dhe gënjeshtra kur flasin për Serbinë. Ata duan të na detyrojnë të prishemi me Rusinë dhe Kinën. Engelin dhe Olbrajtin i kanë mbuluar me para përfaqësuesit politik të narko-dilerëve nga Kosova. Serbët janë popull i vogël për t’i humbur aleatët aq të mëdhenj, siç janë Rusia dhe Kina”,thotë Vulini (“Tanjug”, 8 dhjetor).

Edhe ai “ariu i Gërmeçit”, siç e quan Çeda Jovanoviqi udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik,  thotë se “Fjalët e Daniel Serverit për Banjallukën janë paralajmërim i grushtshtetit(!) nga një armik i dëshmuar i Republikës Srpska”. Autorët e rekomandimeve për administratën e re amerikane Dodiku i quan “lobues të politikës së Muslimanëve të Bosnjës. Ndryshimi i Kushtetutës së Bosnjje-Hercegovinës mund të shkaktojë destbilizim me pasoja të paparashikueshme. Nëse Serveri dhe të tjerët mendojnë se Republika Srspka do ta heshtë suprimimin e saj, do të thotë se ata nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara as e shohin realisht momentin aktual. Por, ShBA-të janë fuqi e madhe dhe jam i sigurt se politikën e jashtme nuk e koncipojnë në bazë të imagjinatës së kuazi-analistëve të cilët janë lobues të politikës muslimane të BH”, thotë Dodik (“Dnevni avaz”, 8 dhjetor).

Ndaj rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka reaguar edhe diplomacia ruse. Ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, gjatë vizitës së tij në Bosnjje-Hercegovinë dhe në Sërbi, për të satën herë përsëriti  se Rusia e mbështetë qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ndërsa gjatë vizitës në BH, Lavrov shkaktoi incident diplomati, kur u takua vetëm me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millord Dodik, i cili është anëtar i treshës së Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës, ndërsa në atë takim nuk kishte shenja (flamur) të BH, por vetëm të Rusisë dhe të Republika Srpska, që do të thotë se Lavrovi atë e trajton si shtet të pavarur! Incidenti tjetër diplomatik Dodik-Lavrov ishte edhe kur Dodiku ia dhuroi Lavrovit një ikonë, të cilën vullnetarët dhe mercenarët serbë pjesëmarrës në Luftën e Krimesë e kishin vjedhur atje gjatë luftës.

Ndërkaq, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka theksuar se “do të ketë edhe më shumë presione mbi Serbinë, sepse po iu pengon Serbia e pavarur. Rusia e ka agjendën e vet të marrëdhënieve me Serbinë. Ne do të hapim edhe Përfaqësinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd dhe do të mbëshesim zhvillimin e marrëdhënieve të veçanta të Serbisë me Republika Srpska”.

Reagimi më me peshë në Serbi ndaj rekomandimeve të përmendura vjen nga vet kryetari  i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se muajtë e ardhshëm “na presin sfida të mëdha lidhur me Kosovën, lidhur me Republika Srpska dhe lidhur me marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë. Po duan që përmes një reforme kushtetuese t’ia marrin kompetencat Republikës Serbe, përkundër Marrëveshjes së Dejtonit. Po ta nënshkruaja njohjen e Kosovës, do ta fitoja Çmimin Nobel për Paqe dhe do të shpallesha demokrati më i madh. Por njohje të Kosovës nga Serbia nuk do të ketë sa të jem unë kryetar i Serbisë, deri në prill të vitit 2022”, ka thënë Vuçiq (B=92, 18.XII.). Ai ka shtuar se, si refleksion i atyre rekomandimeve, edhe në Raportin e Komisionit të BE-së për Kosovën, hartuar nga Viola fon Kramon, ftohen pesë shtetet anëtare të BE-së  që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ka gjasa që Madeline Olbrajt të përfshihet  si përfaqsuese e ShBA-ve në dialogun midis Kosovës e Serbisë. Ne duhet t’i kundërvihemi këtij presioni. Serbia nuk do të hyjë në NATO, sepse është shtet ushtarakisht neutral,- ka thënë Vuçiq.

Konteksti aktual

Fitorja e Xhoe Bajdenit në zgjedhjet për  president të Amerikës, e ka shqetësuar skenën politike në Beograd dhe jo vetm atje, ngase pritet ndryshim i kursit politik amerikan  në lidhje me Ballkanin. Presidenti i ri Bajden është personalitet me eksperiencë të gjatë politike e shtetërore dhe njeh  shumë mirë situatën në Ballkan, e di kush ishte agresori në luftërat e përgjakshme gjenocidale në ish-Jugoslavi. Veç kësaj, z.Bajden është shumë më i përshtatshëm dhe më i përkushtuar  për bashkëpunim me partnerët e tij Europeanë se sa që ishte Trumpi.

Njohësit e ecurive politike ndërkombëtare e kanë pasur të qartë se Europa pa Amerikën nuk mund t’i zgjidhë problemet e mëdha në Ballkan, të shkaktuara tash e dy shekuj nga  hegjemonizmi serbo-rus. Hapat që bëri presidenti Trump me “përafrimin” e Kosovës dhe Serbisë me ndonjë komponentë ekonomike-infrastrukturore  veçsa i rriti apetitet e Serbisë për të marrë përkrahjen amerikane për ambicjet e veta të dominimit dhe zgjidhjes së “çështjes serbe në Ballkan”, me bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të përbashkët, në boshtin Beograd-Banjallukë-Podgoricë-Mitrovicë, me sigurimin e daljes në Detin Adriatik. Kjo është strategji prej së cilës Serbia nuk heq dorë, sepse e ka fituar me luftë, formimi i entitetit të quajtur Republika Srpska. Prandaj edhe insiston në forcimin dhe pavarësimin e atij entiteti, respektivisht bashkimin e tijj me Serbinë.

Promovuesi i kësaj politike dhe strategjie, Aleksandar Vuçiqi, shpeshherë e thekson se politika e tij mbështetet në katër shtylla: në Rusinë, Kinën, ShBA-të dhe BE-në. Ai bënë lojë  jo të sinqertë kur këto katër  shtylla i përmend vetëm për kamuflimin e gjeostrategjisë së tij politike, ngase në realitet është i orientuar kryesisht kah Rusia, dhe e di fare mirë se këto nuk kanë interesa të njëjta e të përbashkëta, por Vuçiqi do të kapitalizojë interesat e veta nga interesat e ndryshme të fuqive të përmendura, t’i shfrytëzojë  të gjitha ato për favore ekonomike, politike dhe ushtarake. Vuçiqi e luan lojën e Titos me shtetet e painkuadruara. Por ky është dyftyrësh:  thotë se angazhohet për anëtarësim në BE dhe afrim me NATO-n, e nga ana tjetër sa herë e ka pohuar se do të heqte dorë nga anëtarësimi në BE, në qoftë se kjo kushtëzohet me “humbjen” e Kosovës, dhe se  do të mbajë neutralitet ushtarak, pra nuk do t’i bashkohet NATO-s, e nga ana tjetër ushtarakisht është i lidhur këmbë e krye me Rusinë. Natyrisht, pretendimin  më të madh e ka ndaj të ashtuquajturës Republika Srpska, por aktualisht e mbanë nën rogoz, për shkaqe të njohura. Dhe në realitet fare nuk është i interesuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit European, ngase ashtu do të eliminoheshin ambicjet për bashkimin e Republika Srpska me Serbinë. Prandaj, tash për tash politika e Serbisë është e përqëndruar në zbatimin e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, për destabilizimin e rajonit, pengimin e konsolidimit të shteteve të brishta siç janë Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, por edhe Mali i Zi. Dhe këtë e bënë përmes rebelimit të minoritetit serb që ka në këto shtete, të cilët i mbështetë financiarisht dhe në çdo mënyrë tjetër, nën parullën e mbrojtjes së popullsisë serbe kudo që ajo jeton.

Mund të thuhet se në frymën dhe si refleksion i rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të datës 8 dhjetor, është Rezoluta 729, dt.20 dhjetor 2020, e miratuar nga Senati Amerikan me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit. Në atë Rezolutë Senati amerikan i bënë apel dhe e kurajon  pushtetin e Bosnje-Hercegovinës që të zbatojë reformën kushtetuese dhe të vazhdojë përpjekjet për t’u anëtarësua në BE dhe në NATO.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …