kek
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
valamobile
MIT
Fillimi / Analiza / Adil Fetahu: Kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve
Krimet serbe ndaj shqiptarëve

Adil Fetahu: Kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve

Në histori njihën tetë kryqëzata, të cilat i ndërmorën shtetet e krishtera të Evropës (Roma, Venediku, Franca, Gjermania, Flandria, Anglia, për të pushtuar Jerusalemin e Palestinën, gjoja për të çliruar vorrin e Krishtit prej Turqëve Selxhukë dhe dinastive   arabe, siriano-egjiptase. Ato, me ndërprerje të kohëpaskohëshme, zgjatën prej vitit 1096 deri në vitin 1270, në të cilat pati shumë viktima nga të dy anët, por forcat e krishtera e pësuan më keq dhe nuk arritën qëllimin  për ta marrë e mbajtë nën pushtim Jerusalemin, Palestinën e më gjërë. Është pak e njohur, apo qëllimisht e fshehur nga historia, Kryqëzata e Fëmijëve, në të cilën u viktimizuan, vranë e prenë ose vdiqën rrugës 15000 fëmijë të krishterë, të cilët i kishin mobilizuar e dërguar në luftë,  me bindje se gjaku i tyre i ri e pa mëkate, do të ndikonte  në çlirimin e vorrit të Krishtit! Këtë marifet kriminal e kishte ideuar Papa i Romës asokohe, Urbani i Dytë.

E bëra këtë hyrje, për të dëshmuar se çfarë mund të bëjnë e të sakrifikojnë mendjet e prishura, nga lakmia për të pushtuar toka të hueja. Kështu edhe Serbia, gjithmonë e ndihmuar nga nëna Rusi, por edhe shtetet tjera të Evropës, zhvilloi luftëra pushtuese për pushtimin e tokave të hueja, në rend të parë ato shqiptare. Dhe ato luftëra pushtuese e gjenocidale të Serbisë, jo vetëm për pushtime, por edhe për zhdukjen e popullsisë myslimane: shqiptare, boshnjake e turke, përveç lakmisë për të pushtuar toka e për të krijuar Serbinë e Madhe, kishin edhe karakter fetar, karakter kryqëzate, sepse nga çdo pëllëmbë e pushtuar, menjëherë e dëbonte me dhunë e masakra popullsinë myslimane.  Këto kryqëzata të Serbisë mbi myslimanët, veçmas mbi shqiptarët, u zhvilluan me intensitete të ndryshme e ndërprerje të kohëpaskohshme, prej vitit 1830 e deri më 1999. Nëse Kryqëzatat që i njeh historia si të tilla, kanë zgjatur 174 vjet (1096 deri 1270), kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve kanë zgjatur 169 vjet (1830 deri 1999). Edhe përkah krimet dhe pasojat, kryesisht në anën e shqiptarëve e boshnjakëve, kryqëzatat serbe kanë qenë më të vrazhda e me pasoja më të mëdha se ato tjerat. Edhe në kryqëzatat serbe janë vra, pre e djegur më shumë fëmijë, se në Kryqëzatën e Fëmijëve, madje fëmijë krejtësisht të pafajshëm, prej moshës të sapolidurve, deri në moshën adoleshente, duke iu shtuar këtyre edhe gra, pleqë e civil tjerë të pafajshëm.

Struktura e popullsisë në Pashallukun e Beogradit

Kur e ka pushtuar Beogradin Perandoria Osmane (1521), ai qytet ishte i Hungarisë. Udhëpërshkruesi i njohur, Evlia Qelebia, që ishte në Beograd në vitin 1660, thotë se mbi 4/5 të popullsisë së Beogradit ishin myslimanë. Deri në vitin 1862, shqiptarët përbënin pothuajse tërë popullsinë e Smederevës, Çuprisë, Klladovës, Jagodinës. Beogradi atëherë kishte 2.328 shtëpi, pej të cilave 842 ishin të serbëve, ndërsa 1486 të myslimanëve. Udhëpërshkruesi tjetër, austriaku Felix Kanitz, i cili kishte vizituar Beogradin disa herë, thotë se në vitin 1861, ai qytet kishte 15 minare, ndërsa në vitin 1868, natën dëgjoheshin eksplodimet e rrëzimit të xhamive. Në vendin ku sot është godina e Kuvendit të Serbisë, ishte xhamia e Ejnehan-beut, e cila përkah bukuria quhej “Aja Sofia” e Ballkanit. Bajrakli-xhaminë që kishte mbetur  prej asaj kohe, në lagjën më të vjetër të Beogradit (Dorçoll; emër turk), e dogjën terroristët serbë më 18 mars 2004, pas ngjarjeve në Kosovë.

Kryqëzata e parë serbe e vitit  1830 – 1834

Sapo Pashallukut të Beogradit iu dha një vetëqeverisje (1815), dhe iu njoh statusi i principatës (1830), pushteti serb filloi presionin dhe represionin kundër popullsisë myslimane: turqë, shqiptarë e boshnjakë, për t’i dëbuar nga territori i principatës. Asokohe myslimanët përbënin shumicën absolute të popullsisë së Principatës. Porta e lartë ishte hidhëruar me veprimin e dëbimit të popullsisë myslimane, prandaj princi serb (Millosh Obrenoviqi) e dërgoi një delegacion në Stamboll, me qese me florinjë, për ta zbutë zemërimin dhe për të marrë pëlqimin e Portës për dëbimin e myslimanëve. Dhe këtë pëlqim e mori, kur sultan Abdyl Mexhid (1830) kishte dhënë urdher (“Hatisherif”), që të gjithë myslimanët, deri në fund të vitit 1834, ta lëshojnë territorin e Principatës. Ishte paraparë që t’iu paguhet kompensimi për pronat e paluejtshme, sipas vlerësimit të komsionit të përbashkët turko-serb, por ai kompensim kurrë nuk iu pagua. Sipas vlerësimit të komisionit përkatës, pronat e 219 fshatrave prej nga ishin ndjekur e shpërngulur myslimanët asokohe, arrinte vlerën prej 35.974.000 grosh, apo 8,81 tonë ar. Myslimanët kanë mund të qëndrojnë në Principatën e Serbisë vetëm nëse konvertohen në serbë të besimit ortodoks. Në vitin 1834, princi serb (Millosh Obrenoviq) kishte urdhëruar ushtrinë e tij që të djegë të gjitha vendbanimet myslimane, banorët e të cilave nuk ishin shpërngulur, apo nuk ishin konvertuar dhe asimiluar në serbë! Sipas regjistrave publikë të kohës, në territorin e Principatës, në periudhën 1817 – 1865, kanë qenë 551 vendbanime etnikisht të pastra, ose me shumicë shqiptare, por ka shënime tjera që flasin për mbi 700 sosh.

Kryqëzata e dytë serbe (1865-1876)

Për shkak se e kishte nuhatur dobësimin e Perandorisë, Serbia e ndihmuar nga Rusia, nuk pushonte luftërat për pushtim të territoreve që ishin nën pushtimin osman, e për zgjërim të territorit të vet, prej nga menjëherë e dëbonte popullsinë myslimane. Në Konferencën e fuqive të mëdha në Kalinxhe të Bosforit (1862), ishe vendosur që të shpërnguleshin për gjithmonë të gjithë myslimanët nga qytetet dhe fortifikatat, të cilat akoma ishin nën pushtetin e Portës dhe ato t’i dorëzoheshin Serbisë. Në vitin 1867, Porta ia dorëzoi Serbisë të gjitha qytetet, në të cilat shumica e popullsisë ishte myslimane, si: Beogradi, Uzhica, Shabaci, Klladova, Smedereva. Ushtria dhe bandat kriminale serbe, ndërmorën aksione të vrullshme e brutale për ta realizuar pastrimin etnik. Shqiptarët e  boshnjakët e shpërngulur, u vendosën në Kosovë, Sanxhak, Bosnje, Maqedoni e Shqipëri, territore këto që akoma ishin nën pushtetin e Portës.

Kryqëzata e tretë serbe (1876 – 1878)

Pas luftës serbo-turke (1876-78), Kongresi i Berlinit e njohu pavarësinë e plotë të Serbisë, por në kontratën për njohjen e pavarësisë ishte përcaktuar që “në viset e reja të bashkuara (aneksuara,a.f.) Serbisë,  myslimanët dhe të krishterët duhet të gëzojnë të drejta të barabata qytetare, politike e pronësore (neni 35 e 39). Mirëpo, Serbia që tashmë e fitoi pavarësinë e plotë, menjëherë ndërmori aksione brutale kundër popullsisë myslimane, për ta detyruar të shpërngulet, e për ta bërë Serbinë njëetnike e njëfetare. Këtë herë objekt i dhunës dhe shpërnguljes ishin kryesisht shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit. Ushtria dhe bandat kriminale serbe ndërmorën veprime të tmerrshme për të përzënë popullsinë nga “Arnautlluku i Toplicës”: Prokupja, Kurshumlia, Leskovci deri te “Molla e Kuqe” përtej Nishi.

Komesari anglez në mbikqyrjen e kufirit turko-serb, Xhon Ros, shkruate: “Pothuajse tërë popullsia e pjesës perëndimore të Sanxhakut të Nishit, që iu dha Serbisë, ishin Shqiptarë të besimit mysliman. Të gjithë ata u detyruan të shpërngulën, ta lënë vendin e tyre e të vendosën në Vilajetin e Kosovës”. Për golgotën që kanë pësuar shqiptarët në atë kryqëzatë, është e ditur, nga burime e dokumente të shumta. Kryqtarët serbë, vrisnin e prenin shqiptarë, pa dallim moshe as gjinie, plaçkitnin e digjnin fshatra e lagje të qyteteve. Numri i të vrarëve, të djegurve e të shpërngulurve nga “Arnautlluku i Toplicës” kurrë nuk është ditur me saktësi, dhe ai numër sillet prej 40 000 sa e pranojnë shënimet serbe, në 60 000 e më shumë, sipas shënimeve të autorëve shqiptarë.  Kur konsulli anglez, Geuld, bisedoi me valiun (prefektin)  e Prishtinës përkitazi me problemin e vendosjes së refugjatëve shqiptarë, prefekti i kishte thënë se janë 90 000 – 100 000 muhaxhirë shqiptarë të ikur nga Sanxhaku i Nishit.

Kundër brutalitetit të përdorur me rastin e dëbimit të shqiptarëve,  në shkrimet e tyre kishin ngritur zërin edhe ndonjë personalitet nga radhët e serbëve: Haxhi Vasileviq, Miliçeviq, Spasiq, Bogdanoviq, Kostiq, Belimarkoviq, etj. Mësuesi Josif Haxhi-Kostiq, shkruante: “Në  të ftohtit më të madh të dimrit 1877/78, kam parë me sytë e mi njerëzit, dathur e deshur duke ikur nepër borë, të cilët i kishin lënë shtëpitë e tyre plot begati… Në rrugën prej Gërdelice  nëpër Vranjë e deri në Kumanovë, në të dy anët e rrugës shihen trupa të ngrirë të fëmijëve e pleqëve të vdekur nga të ftohtit…” (N.P.Ilic: “Oslobodjenje Juzne srbije”,fq.121). Një komandant ushtarak serb, Jovan Belimarkoviq, kishte kundërshtuar dëbimin e shqiptarëve, duke thënë: “ata janë njerëz të mirë e punëtorë, dhe unë nuk do t’i shpërngulë, edhe me çmimin e dorëheqjes nga detyra, sepse ka qenë proklamata se pushteti serb nuk do t’i trazojë”. Por kryetari i qeverisë serbe asokohe, Millan Piroçanac, thoshte: “Nëse i lëmë këtu, ata do të na krijojnë telashe”. Me shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Serbia krijoi rrethanat më të volitshme për të depërtuar edhe në Kosovë, gjë që e bëri më vonë, në luftërat ballkanike.

Kryqëzata e katërt (1912 – 1913)

Luftërat Ballkanike (1912, 1913), përkah të gjitha tiparet ishin kryqëzata të vërteta, sepse në atë luftë ishin bashkuar të gjithë kryqëtarët ortodoks: serbë, bullgarë, grekë, malazezë, të ndihmuar nga Rusia, jo vetëm kundër pushtetit otoman, veçse tash  në radhë të parë kundër shqiptarëve, për t’i zhdukur nga faqja e dheut njëherë e përgjithmonë, e për t’ua grabitur territorin e ngushtuar aq shumë, në të cilin i kishin shtyrë prej kohësh. Kryengritjet shqiptare kundër Perandorisë Otomane që u zhvilluan prej vitit 1908 deri më 1912, iu kishin shti frikën shteteve ortdokse, se po formohej një shtet shqiptar në Ballkan. Monarkitë orotdokse: Serbia, Greqia, Bullgari dhe Mali Zi, të shtyra nga Rusia, lidhën  Aleancën Ballkanike ( tetor,1912), për pushtimin e tokave shqiptare që akoma ishin nën pushtetin otoman. Qëllimi ishte pushtimi i territoreve, zgjërimi i shteteve ballkanike, dalja në det dhe parandalimi i formimit të shtetit shqiptar. Për të kamufluar qëllimet e vëreta, parimet e luftës Serbia i mbështeste në mitet: realizimi i  betimit dhe amanetit e  hakmarrja për Kosovën (humbjën e luftës 1389) dhe vazhdimi i “luftës për kryqin e ndershëm…”! Në Aleancën e lidhur u morën vesh për ndarjen e territoreve pas pushtimit: Bullgaria të merrte tërë Maqedoninë e Vardarit; Greqia Maqedoninë e Egjeut dhe Thrrakinë; Serbia Kosovën dhe Shqipërinë deri në Shkumbin e me dalje në det (Durrës); dhe Mali Zi Shkodrën deri në Shëngjin, Plavë e Guci dhe Dukagjinin. Shqiptarët, në ndërkohë (28 nëntor 1912) shpallën pavarësinë e shtetit të tyre, kur i tërë territori shqiptar ishte i pushtuar nga shtetet fqinje. Për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e territoreve midis Bullgarisë nga njëra anë, dhe Serbisë e Greqisë nga ana tjetër, shpërtheu Lufta e Dytë Ballkanike, që zgjati vetëm shtatë ditë, me ç’rast Bullgaria e humbi Maqedoninë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1913) e njohu pavarrësinë e Shqipërisë dhe kërkoi nga shtetet ballkanike t’i tërheqin trupat nga Shqipëria, duke ia pamundësuar Serbisë daljen në det. Por, shpejt shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe territori i Shqipërisë mbeti i pushtuar.

Përveç lakmisë për zgjërimin e territorit të shteteve të tyre, monarkitë ballkanike dhe Rusia kishin për qëllim formimin e shteteve njëetnike e njëfetare, duke mos lënë në Ballkan racën shqiptare  as banorë të fesë myslimane. Me mizoritë që kryen ushtritë e monarkive ballkanike mbi popullsinë civile shqiptare, të cilët i konsideronin për myslimanë, madje i quanin turqë, dëshmojnë natyrën gjenetike gjenocidale dhe karakterin e kryqëzatës. Për to ka prova, raporte e dokumente të shumta në arkivat botërore, nga të cilat bota ishte tmerruar, por nuk i dënoi shkaktarët; përkundrazi, i shpërbleu duke ua njohur pushtimet si legjitime! Komisioni i Fondacionit amerikan Karnegie, kishte vërtetuar se 80 përqint e fshatrave në të cilat jetonin myslimanët, ushtritë e shteteve krishtere i kishin djegur (Dubravka Stojanoviq: “U spirali zlocina – balkanski ratovi” (“Pesçanik”, 7.05.2009).

Se krimet e tmerrshme të kryera nga ushtritë kryqëtare mbi popullsinë shqiptare, në shkallë gjenocidi mbi baza etnike, kishin karakter kryqëzatash, tregon fakti, se ushtritë ortodokse kryen krime të njëjta edhe ndaj shqiptarëve të besimit katolik kudo që ishin, në Kosovë apo në Shqipëri, po edhe ndaj katolikëve të kombësisë sllave (kroate) e tjera, në fshatrat e Janjevës. Në Gjakovë, më 7 mars 1913, ushtria serbe e prirë nga prifti ortodoks i detyroi me dhunë 300 shqiptarë katolikë të nënshkruanin deklaratën se konvertohen në ortodoks. At Engjell Paliqi që nuk pranoi të nënshkruajë deklaratën, u rrah deri në vdekje dhe u therr me bajonetë në mushkëri. Priftërinjtë ortodoks kudo ishin bashkë me ushtrinë, për t’i nxitur në krime dhe për t’i bekuar krimet e tyre! Për të gjitha këto, e shumë tjera krime të llahtarshme të kryqtarëve  serbë, mjafton të lexohet “Golgota Shqiptare” e Leo Freundlich-it, apo revista sllovene “Serbija i Albanci”, apo veprat e Dimitrije Tucoviqit: “Sabrana dela”, etj. Edhe kryqtarët tjerë ortodoksë: grekë, bullgarë e malazezë, nuk ngelin asgjëmëngut prapa aleatëve të tyre serbë. Ushtria dhe bandat tjera kriminale malazeze, në mars 1913, në rrethinen e Gjakovës, veç krimeve tjera, i detyruan 1200 shqiptarë katolikë, të konvertohen në “pravosllavë”, ndërsa forcat greke vrane, prenë, dogjen e shpërngulën të gjithë myslimanët nga Çamëria.

Nga këto kryqëzata, me pushtimin e tokave shqiptare, monarkitë ballkanike dyfishuan a shumëfishuan territorin e shteteve të tyre. Ja, si i rritën monarkitë ballkanike territoret e tyre me lufta pushtuese*)

Serbia deri në vitin 1833 kishte territor……………..  24000 km katrore

Prej vitit 1833 …………………………………………………….. 34500    “

Prej vitit 1878 ………………………………………………………48500     “

Prej vitit 1912……………………………………………………….87500      “

Mali Zi, deri në vitin 1878 kishte ………………………..    4900      “

Prej vitit 1878 ……………………………………………………….. 9000     “

Prej vitit 1912 ………………………………………………………..17000     “  (*Revista serbe “Republika”, nr.299/2002)

Akademiku shqiptar Selman Sheme, në librin e tij “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor”, jep këtë tabelë të sipërfaqes dhe popullsisë së vendeve të Ballkanit, pas Kongresit të Berlinit:

Trevat shqiptare:  75000 km.katrore, me 1. 700 000 banorë

Serbia……………..    54000 km.katrore, me 1. 600 000 banorë

Greqia ………………..51300 km.katrore, me 1.400 000 banorë

Mali Zi ………………    8400 km.katrore, me    190.000 banorë

Pas luftërave ballkanike, të gjitha monarkitë ballkanike fituan zgjërim të territoreve dhe popullsi, por zgjërimin më të madh të territorit dhe numrit të popullsisë e ka fituar Greqia, duke marrë Maqedoninë e Egjeut 34.356 km katrore,  Çamërinë me gjithë Epirin e Jugut 9203 km katrore, Thesalinë dhe disa ishuj, ashtu që nga 60000 km.katrore që kishte para vitit 1913, pas atij viti arriti në 120000 km, e pas Luftës greko-turke (1922) territori i Greqisë arriti në 131000 km katrore.

Kryqëzata e pestë (1919 – 1945)

Adil Fetahu: Kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve
Vrasja e shqiptarëve dhe zënia rob e tyre nga regjimi anti-shqiptar i Pashiqit

 Pas përfundimit të luftërave ballkanike dhe okupimit të Kosovës e Maqedonisë, pushteti serb filloi procesin e presionit, masave represive, diskriminimit dhe krimeve, me qëllim të pastrimit etnik, shpërnguljes së popullsisë shqiptare dhe  kolonizimit me elementin sllav, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të viseve të pushtuara. Përveç shpërnguljes në regji private, për shkak të dhunës shtetërore, një pjesë e popullsisë u shpërngul edhe në bazë të marrëveshjes ndërshtetërore midis Jugosllavisë e Turqisë. Procesi i kolonizimit të serbëve dhe shpërnguljes së shqiptarëve,mori hov pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, dhe vazhdoi deri me fillimin e Luftës së Dytë, por shpërngulje të shqiptarëve për shkak të presionit pati edhe deri në vitin 1956. Sipas statisikës zyrtare, prej vitit 1919, deri në vitin 1940, nga Serbia (lexo: Kosova, Maqedonia dhe Bosna), për në Turqi u shpërngulën 205.408 banorë myslimanë; më së shumti Shqiptarë. Ja tabela zyrtare e shpërnguljeve nga Jugosllavia në Turqi, në periudhën 1919-1940, sipas viteve dhe numrit të të shpërngulurve*):

Viti Numri  Viti Numri  Viti Numri  Viti Numri

1919 23500  1920 8532  1921 24532  1922 12307

1923   6389  1924 9630  1925   4315  1926       4012

1927   5197  1928  4326  1929   6219  1930 13215

1931 29807  1932  6219  1933    3420  1934    4500

1935   9567  1936   4252  1937    4234  1938   7251

1939  7255  1940 6729  (* Iseljavanje muslimana iz Srbije, Wikiwand)

Për t’i detyruar Shqiptarët që të shpërngulën, ishin formua “aradha fluturuese” të ushtrisë, policisë (xhandarmerisë) dhe çetnikëve, të cilat hynin në fshatrat shqiptare, kryenin vrasje, masakra, dhunime e plaçkitje dhe pastaj digjnin fshatin. Prej vitit 1918 deri më 1938, në “kohë paqe”, pasi kishte përfunduar Lufta Botërore, krahas krimeve tjera, kishin djegur 320 fshatra shqiptare! Monarkitë fqinje: Serbia, Greqia e Mali Zi, ishin lëshuar si hijenat për ta fshirë Shqipërinë nga harta e Ballkanit dhe zhdukur popullin shqiptar nga faqja e dheut. Në “Radnicke novine” (1 shtator 1920), një oficer i lartë serb, Krsta Cicvariq, shkruante: “Sipas mendimit tonë, nuk ka tjetër zgjidhje, përveç shpërnguljes dhe zhdukjes së myslimanëve. Poqese pushteti shtetëror nuk është në gjendje ta përfundojë këtë, duhet të lejojë çetat serbe ta përfundojnë”.

Kryqëzata e gjashtë (1991-1999)

Kryqëzata e gjashtë serbe u zhvillua jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por edhe ndaj popujve tjerë  të ish-Jugosllavisë, të besimit mysliman (shqiptarë e boshnjakë) dhe atyre të besimit katolik (kroat e slloven). Nuk pati kryqëzatë (luftë) kundër popullit maqedon as atij malazezë (që janë të besimit ortodoks). Kjo kryqëzatë, kishte për qëllim të nënshtronte nën pushtetin otodoks të Serbisë të gjithë popujt e besimeve tjera të ish Federatës së Jugosllavisë. Atë e nisi me pretekstin e ruajtjes së Jugosllavisë dhe mbrojtjes së popullit serb që jetonte në republikat tjera, të cilët nuk i rrezikonte askush, por qëllimi ishte nënshtrimi i popujve joortodoks. Përmasat e pasojave të kësaj kryqëzate janë të njohura dhe ato pasoja po i vuajnë e do t’i vuajnë edhe shumë kohë shtetet viktima: Bosnje-Hercegovina, Kroacia e Kosova. Diçka prej atyre pasojave do t’i vuajë edhe vet agresori (Serbia), që “e humbi Kosovën”, dhe pati edhe pak viktima të rëna në luftë, si dhe një numër të refugjatëve serbë të ikur nga Kroacia e disa edhe nga Kosova. Pasojat më të rënda të kësaj kryqëzate i ka pasur e do t’i ketë Bosnje-Hercegovina, si në aspektin e humbjes së popullsisë, ashtu edhe në ndarjen e vendit në baza etnike, me krijimin e një kreature gjenocidale të ashtuquajtur “Republika srpska” si entitet i veçantë në kuadër të Federatës së BH, me synim që atë pjesë të territorit të Bosnjes ta aneksojë e t’ia baskangjesë Serbisë. Me të gjitha pasojat me numrin e të vrarëve e të zhdukurve, të dhunimeve, plaçktijes dhe shkatërrimit të pasurisë private e shoqërore, shpërnguljes biblike etj, Kosova nga kjo kryqëzatë doli fituese, me qenë se pas 87 vjetëve të okupimit nga Serbia, Kosova u çlirua nga ai okupim dhe fitoi pavarësinë, në saje të luftës  së UÇK-së dhe përkrahjes e ndihmës ndërkombëtare përmes aleancës së forcave të botës demokratike, në rend të parë ShBA-ve, nën firmën e NATO-s.

Të gjitha luftërat-kryqëzatat që ka zhvilluar Serbia, janë mbështetur në mitet dhe nacionalshovinizmin që kanë propaguar kisha dhe elitat intelektuale, duke e frymëzuar popullin e krijuar klimën për luftë kundër popujve fqinjë të etnive dhe besimeve tjera.  Kisha ortodokse tërë kohën ishte e preokupuar me çështjen nacionale serbe, dhe ishte e mbetet “pullazi shpirtëror i Serbisë së Madhe”. Po miti (i rrejshëm) për Kovovën është miti më i fortë që ka mobilizuar dhe unifikuar të gjitha shtresat shoqërore e shtetërore serbe, dhe i ka nxitë kryqëzatat për të cilat u bë fjalë më sipër.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Si të shpëtohet PTK-ja

Një gjë duhet ta dimë që të gjithë: Post Telekomin e Kosovës nuk mund ta ...