Adil Fetahu

Adil Fetahu: PSE NË KOSOVË NUK BËHET ‘VETINGU’’ I DIPLOMAVE TË DYSHIMTA?

Është e ditur, madje shumë herë është shkruar e publikuar për rastet dhe dukurinë ‘’kryerjes’’ së provime dhe marrjes së diplomave të fakultetit në mënyrë të paligjshme.  Kjo dukuri ka të bëjë me të gjitha nivelet e arsimit, prej shkollës fillore e deri te doktorata, varësisht se kujt për çfarë i nevojitet. Mënyrat e ardhjes deri te diploma të tilla janë të ndryshme: me ‘’dhënien’’ e provimeve të lëndëve me njoftësi, me preferenca, me paracaktimin e pyetjeve, me blerjen e punimeve të seminareve e të diplomave nga firma të cilat publikisht shpallin se përgatisin seminare e diploma të gatshme’’, me pagesë të një çmimi të caktuar. Natyrisht, pa e ndjekur procesin mësimor, pa iu nënshtrua procedurave të provimeve, pa e ditur se kah e ka derën fakulteti!

Gjithmonë ka pasur raste të izoluara të ‘’dhënies së provimeve’’ me njoftësi apo për motive tjera, por aso raste kanë qenë shumë më të rralla. Dukuria e marrjes së diplomave të fakultetit në mënyrë të paligjshme ka marrë hov sidomos prej dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por në shumicën e vendeve të Ballkanit. Një kohë ka qenë në zë marrja e diplomave të rrejshme të fakultetit të mjekësisë në Rumani. Nga ish-republikat e Jugosllavisë, Maqedonia ka qenë në sy për korrupsionin  e përhapur në shëndetësi dhe arsim.

Prej  periudhës së luftërave në ish-Jugosllavi, dukuria e marrjes pa meritë të diplomave të fakultetit është bërë dukuri në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mali Zi, Bosnje-Hercegovinë e deri diku edhe në Kroaci. Diploma të rrejshme kanë marrë politikanë, zyrtarë e kryetar shteti (Nikolliqi në Serbi), kryetar e funksionarë tjerë të partive politike,  bznismenë, menaxherë firmash dhe deri te policët dhe portierët. Aq ishte e përhapur kjo dukuri e shëmtuar, sa që dolën barcoleta se: ‘’para dite diplomon në bachellor, e pasdite në master’’, apo tjetra: ‘’Sikur ta kisha ditur se është kaq lehtë të kryej fakultetin, do ta kisha kryer edhe shkollën e mesme’’!

Kjo dukuri jo vetëm se paraqet shkelje të normave ligjore, por është dukuri e shëmtuar e normave të etikës dhe moralit, si për ata që marrin, ashtu edhe për ata që japin dokumente të tilla. Në mënyrë të jashtëligjshme diploma marrin njerëz nga të gjitha strukturat dhe segmentet shoqërore: të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, administratës publike,partive politike, gjyqësisë. Me diploma të tilla e me njoftuesi dhe lidhje tjera, avancohen në pozita, në thirrje profesionale dhe në kategori (koeficiente) të pagave. Me diplomë të rrejshme e me librezë të partisë zënë vende pune e pozita udhëheqëse, pa kurrëfar merite as përgatitje profesionale. Ndërkaq, ata që kryejnë fakultetet me mund e meritë, nuk mund të punësohen në punët për të cilat janë përgatitur, por janë të detyruar të pranojnë çfarëdo pune tjetër jashtë profesionit.

Shtetet fqinje po e luftojnë këtë dukuri, në Kosovë as e përmendin

Në Serbi, afera e shit-blerjes së diplomave të fakultetit lidhet edhe me ish-kryetarin e atij Shteti, Nikoliqin, për të cilin është vërtetuar se ‘’ka dhënë’’ provime në Fakultetin Juridik të Kragujevcit edhe në ditët kur ka qenë zyrtarisht jashtë shtetit! Përndryshe, dukuria e shitblerjes së diplomave të Fakultetit Juridik të Kragujvcit ka shpërthyer me aferën ‘’Index’’(2019), kur Gjykata e Lartë e Smederevës i dënoi 12 profesorë të atij Fakulteti, me gjithsej 61 vje6 burgim, për shitje të diplomave dhe të provimeve. Në atë aferë, përveç tjerëve, përmenden me emër e mbiemër edhe 15 persona shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët paskan blerë diploma të doktoratës për drejtësi ose ekonomi (në vitin 2016)?! Për ironi të turpit, mediat serbe informonin se në mesin e diplomave të doktoratës së shqiptarëve nga Kosova, ka pasur tema patriotike: ‘’Kosova shtet i pavarur’’, ‘’Procesi i integrimit të Kosovës në BE’’, ‘’Roli i Prokurorit publik në procesin penal’’,etj.

 Kjo dukuri e shit-blerjes së diplomave është bërë e mundur në saje të bashkëpunimit të Universitetit të Kragujevcit me njëfar Qendre Europiane për Paqe dhe Zhvillim të KB, në qendra të ndryshme në Serbi, Bosnje  e Kroaci. Hetimet kanë vërtetuar se 44 motra medicinale kanë marrë diploma të tilla të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Kragujevcit, i cili gjoja ka zhvilluar aktivitetin mësimor në qytetin Pullla (Kroaci)! Po aty janë dhënë edhe dy diploma të doktoratës: njëra një shtetasi të Kroacisë e tjetra një shtetasi bë Bosjje-Hercegovinës. Pas kësaj afere, Kragujevci ishte qyteti i parë në Serbi, që ka vendosur të bëjë verifikimin e diplomave të të gjithë funksionarëve dhe të nëpunësve të administratës së atij qyteti, dhe për këtë qëllim ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit 600 diploma të dyshuara për t’i verifikuar.

Diploma të dyshimta kanë dhënë edhe fakultetet e universiteteve tjera në Serbi, sidomos universitetet private në Beograd e Novisad etj. Në Universitetin privat ‘’Megatrend’’ në Beograd, diploma fakulteti kanë marrë shumë funksionarë të lartë të pushtetit qendror dhe lokal, duke filluar nga ish-ministri i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviq, etj. Çmimet për diploma fakulteti varen nga lloji i fakultetit, profili profesional dhe niveli, prej bachellorit deri në doktoratë. Për shembëll, në Fakultetin e Menaxhmentit në Sremski Karllovac, çmimi i diplomës është prej 6000 deri në 10000 euro! Në Serbi diplomat blehen edhe për shkolla të mesme ,të profileve teknike dhe medicinale, me të cilat do të gjenin punë më lehtë.

Në luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar, të shitblerjes së diplomave, Republika e Malit të Zi ka bërë punën më të madhe. Duke ndjekur aferën e diplomave të rrejshme nga Serbia, në Republikën e Malit të Zi kanë ngritur fletëparaqitje penale kundër 54 punonjësve të mjekësisë të cilët kanë marrë diploma në fakultetet e Serbisë. Po verifikohen diplomat edhe të punonjësve tjerë në të gjitha e segmentet e sektorit publik. Sidomos janë në shnjestër diplomat e Universitetit të Beogradit, Novisadit, Tutinit dhe të Mitrovicës (universiteti paralel serb, në Kosovë). Thonë se së paku 25000 punonjës të sektorit publik në Mal të Zi kanë diploma të rrejshme! Janë përgatitur edhe 300 fletëparaqitje tjera për raste të tilla. Prokuroria publike e shtetit ka formuar 70 lëndë penale të kësaj natyre. Edhe në tetor të këtij viti (2025) ka pasur fletëparaqitje penale për falsifikim ose diploma të rrejshme

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikën së Kroacisë ka bërë verifikimin e 75000 diplomave të të punësuarve në sektorin e arsimit, prej të cilave 10% kanë dalë të paligjshme. Janë zbuluar raste, kur mësimdhënësi ka punuar 20 vjet, me diplomë të rrejshme. Janë vërtetuar 27 diploma dhe 33 dëftesa të rrejshme në mesin e punonjësve të arsimit. Është vërtetuar se 90 femra dhe 21 meshkuj, në arsim ose shëndetësi kanë punuar me diploma të rrejshme. Ministria e Arsimit e asaj Republike u ka dërguar shkollave dhe universiteteve Udhëzimin për verifikim të diplomave, dhe  u ka rekomanduar edhe ministrive tjera që në resorët e tyre të bëjnë verifikimin e diplomave e çertifikatave të rrejshme apo të falsifikuara.

Në Shqipëri më shumë zhurmë bëhet fjalë për nostrifikimin e diplomave dhe çertifikatave të lëshuara nga institucionet e hueja, sesa për problemin e lëshuarjes së diplomave të rrejshshme nga institucionet e vendit. Ndërkaq, është evidente se në universitetet private, por edhe ato publike, ka pasur raste të shumta të shitblerjes së diplomave, për nivele e profile të ndryshme. Përmendet në mënyrë të posaçme Kolegji universitar ‘’Wesdom’’, dhe Universiteti privat ‘Kristal’’, të  Tiranës, të  përfshirë në dukurinë e shitjes së diplomave false. Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë të atij  Universiteti ka shitur 170 diploma e certifikata të rrejshme për stomatologë, motra medicinale, infermierë. ‘’Insajderi’’ (2016) bënte të ditur se mbi 220 diploma të Universitetit ‘’Kristal’’ të Tiranës, nuk do t’iu njihen si valide qytetarëve të Kosovës. Bëte të ditur se ato janë blerë me çmime nga 4500 deri 5000 euro për çdo vit fakulteti. Ai dhe 17 universitete tjera private u mbyllën, pasi  u vërtetuan kepërdorime dhe nuk iu dha licenca për punë.

Po në Kosovë, ku jemi me ‘’vetingun’’ e diplomave?

 Në janar (16 janar) të vitit 2021, unë e botova një shkrim në disa media, të titullaur: ‘’Një veting diplomave të dyshimta të arsimit të lartë’’. Atë shkrim timin e mori dhe botoi edhe ‘’Fokus-i’’. Asnjë reagim i institucioneve të shtetit as i universiteteve publike as private ndaj atij shkrimi. Asnjë veprim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës në lidhje me këtë problem. E dihet fare mirë se një numër i madh i njerëzve kanë zënë punë e pozita me diploma të rrejshme, diploma të blera ose të marruna në mënyra tjera të paligjshme, qoftë nga universitetet dhe kolegjet private ose atyre publike të Kosovës, qoftë nga ato të vendeve fqinje. Në këtë mënyrë kanë degradua autoritetin e arsimit, profesionalizmit dhe meritokracisë. Jam i indinjuar ndaj atyre njerëzve, të cilët pa kurrëfar mundimi  as merite marrin diplomë fakulteti, masteri a doktorate, kapardisën e shesin mend, ua zënë vendet e punës dhe pozitat atyre të cilët me mund e mërit i kanë fituar diplomat e tyre. Të mos flasim për pasojat e punës së të diplomuarve të rrejshëm, qoftë në arsim, në shëndetësi, në administratë, në gjyqësi, në politikë. Me njerëz të tillë, shoqëria kosovare nuk mund të  lëvizë përpara në asnjë segment. Prandaj, Ministria e Arsimit, universitetet dhe organet tjera (policia, prokuroria, gjyqësori) duhet të merren me këtë problem, t’i ndalet hovi, të  anulohen diplomat dhe të dënohen të gjithë akterët e përfshirë në këtë dukuri të shëmtuar.

Kontrolloni gjithashtu

Me 27 shtator ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diele po sa ishim zgjuar filluan granatimet nder dy tri granatat e para njëra ra në oborr

Sadik Halitjaha: FESTOJMË NË KOHË TË TRAZUAR!

KONSTATOJ: Edhe pas 26 viteve liri dhe pas 10 legjislaturave, Kosova mbetet shtet jo funksional?! …