Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e Kosovës (1389). Në këtë libër autori sjell të dhëna të shumta historike, të mbledhura nga vet autori, prej burimeve të ndryshme, prej artefakteve dhe nga kujtesa historike të ruajtura në më se 3000 vargje të këngëve popullore. ”Guri i betimit” është varri i pretenduar i Milush Kopiliqit, në Rezallë (të Drenicës), ku legjenda  thotë se është varrosur koka e prerë e Milushit. Autori Ahmet Qeriqi nuk lë asnjë dyshim për përkatësinë arbërore të Milush Kopiliqit (të cilin serbët, të njohur për gënjeshtra dhe përvetësim të  figurave të hueja të njohura,  e mbajnë dhe e këndojnë për heroj të tyre, si Millosh Obiliqi). Botues i këtij libri (451 faqe) është Radio Kosova e Lirë (2020).

Libri i dytë: BETIMI I MOTRES është rrëfim letrar (roman), për një ndodhi reale, që trajton fatin tragjik e të keqtrajtimit të femrave shqiptare. Kryepersonazhi i romanit është Zana Murati, e cila vret dy hafije, në hakmarrje për dy vëllezërit e saj. Tragjedia e Zanës fillon kështu: një serb ia dhunon nënën. Atë serb e vrau një komshi, i afërm i Zanës. Në bazë të akuzave të hafijeve (shqiptarë), xhandarmeria e Serbisë i arreston dy vëllezërit e Zanës (të dy të ri, të pa martuar, të cilët as nuk kishin qenë në fshatin e tyre kur kishte ndodhur vrasja e dhunuesit të nënës së tyre). Rrugës për t’i çua në burg, xhandarët inskenojnë gjoja se deshën të ikin dhe i vrasin të dy të rinjët. Zana hakmerret, duke vrarë dy veta nga familja e hafijeve, prandaj e burgosin në Burgun e Nishit. E dënojnë me 25 vjet burgim, por në ndërkohë ia zbresin dënimin në 12 vjet. Një  gardian i burgut tenton ta dhunojë Zanën, në një kthinë të burgut. Zana e godet në kokë me një shufër metali dhe e lë të vdekur në vend. Pas kësaj ngjarje, fillojnë torturat mizore të gardianëve tjerë kundër Zanës, të cilës nuk i japin as ushqimin si të tjerëve. Nisë gjykimi i ri për vrasjen e gardianit të burgut, por për shkak të rraskapitjes fizike të Zanës, e dërgojnë në spitalin e burgut të Beogradit. Me ndihmën e një gardiani tjetër të burgut, Zana arrin të ikë nga spitali dhe bashkë me atë gardian dalin në Hungari. Atje martohen dhe krijojnë familje. Gardiani i cili e ndihmoi Zanën të ikë nga spitali i burgut, kishte qenë me prejardhje shqiptare të një familjeje të konvertuar në serb. Për më tepër lexonie vet romanin me tematikë interesante, sikur shumë motra shqiptare që kanë marrë hakun për vëllezërit e tyre.

Libri i tretë: MULLA SHERIF KIZHAREKA (Nasredini i Drenicës), është libër monografik për një hoxhë me tipare të shquara morale, njerëzore, edukate, inteligjence, tolerante, solidarësie, fetare, morale, misionare… Në parathënin e këtij libri, autori thotë për kryepersonazhin, se ishte hoxhë, mësues popullor, bujk, mjeshtër, pleqnar, hokatar, idealist, misionar dhe me vetëdije të lartë kombëtare. Libri (191 faqe) është ndarë në dy pjesë: pjesa  e parë bënë fjalë për arsimimin dhe edukimin fetar në kohën e Perandorisë Osmane, që disa sharlatanë të tashëm, duke mos lexuar as ditur kurgjë për atë kohë, e përçmojnë e kritikojnë. Pjesa kryesore i kushtohet kryepersonazhit, por aty flitet edhe për personalitete tjera të njohura të Drenicës, të cilët kanë lënë gjurmë mençurie e trimërie në atë trevë. Librat e profesor Ahmet Qeriqit lexohen me andje, sepse ka një stil të qartë të shkruarit, duke çimtuar në hollësi ngjarjet, e duke i vu gjithnjë në tabanin kombëtar, sikurse që tërë veprimtaria e tij jetësore,intelektuale e letrare qëndron vertikalisht dhe i palëkundur në këtë taban.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj

Ramiz Tafilaj: Shtëpia botuese “JALIFAT PUBLISHING LLC”, prezanton librin e autorit, Adem Lushaj;  “MANASTIRI I DEÇANIT DHE PRONAT SHOQËRORE

Ramiz Tafilaj Shtëpia botuese “JALIFAT PUBLISHING LLC” nga Hjustoni prezanton librin e autorit Adem Lushaj …