Dëshmori i kombit, Agron Rama, është i lindur në fshatin Smolicë të Rekës së Keqe, komuna e Gjakovës, më 10 gusht 1972. Shumë herët mbeti pa babë

Agron Osman Rama (10.8.1972 – 29.1.1999)

Gjeneratës së djelmoshave të Shqiponjës, të Rashiqit, të Bajës së Pejës, të Ujzit, të Gujrgjevikut të Madh, të Ruhotit, të Sferkës, të Burimit, të Vraniqit, të Buçanit, të Trubuhocit, të Ratishës, të Lypjanit, të Thanishtës, të Lumnishtës, të Drinasit dhe të Smolicës të cilës i prinin: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Zagragja, Emrush Çeta, Gaspër Karaçi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Memë e Pren Lleshi, Naim Gashi, Vejsel Avdyli e Sejdi Rama, i ra, që prej fillimit të organizimit të logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta kalojë e ta thyejë Pashtrikun e Malësinë për ta sjellur “Zjarrin e Lirisë” nëpër pikat më të zjarrta të luftimeve kundër forcave të tërbuara serboçetnike.

Fushëbetejat në Prekaz, në Gllogjan, në Shqiponjë, në Smolicë, në Junik, në Logjë, në Anadri e në Vërri i forconte ideali i Adem Jasharit, Zahir Pajazitit e Luan Haradinajt, prandaj formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshatrat e brezit të kufirit të mallkuar e kishin shumë vështirë: kishin barrën shumëfish më të rëndë; të përcilleshin lëvizjet e forcave serbe nëpër kufi, t’i furnizonin luftëtarët e lirisë dhe të luftonin me vendosmëri për ta shpërthyer gardhin serboçetnik në kufirin shqiptaro – shqiptar e t’i shpërthejnë pritat në kufi e në aksin rrugor Pejë – Deçan – Gjakovë – Ponoshec – Junik dhe Gjakovë – Prizren.

Imperativi i këtillë dhe dëshira për ta shkundur turpin dhe psikologjinë e robit u bënë motive që kalitën altruizmin dhe stoicizmin e rinisë së Rekës e të Malësisë, andaj duke vlerësuar rolin e sektorit të logjistikës, fshati Smolicë me Ponoshecin, Popocin, Morinën e Botushën, jo larg “Urës së Musë Ymerit”, mblodhi rininë më të guximshme dhe i radhiti në plejadën e djelmoshave të pavdekësisë e të lapidarit si: Gëzim Duçi, Mehmet e Murat Dula, Hajdar Ademi, Ramiz e Sinan Rexha, Sadri Neziri, Adem Bajrami, Avdullah Avdullahu, Florim  Sejdia, Shefqet Rexha, Naim Lataj, Musë Balia, Burim Hamza, Avdyl Hasanaj, Florim Lataj, Fatmir Doçi, Fetah Krasniqi e Sejdi Rama, në krye të të cilëve qëndroi Agron Rama, “komandant që prin i pari n’ato çeta të Smolicës” e që kishte “synin rr’fe” e “zemrën – barot” të cilën e barti me dorë prej “Urës së Musë Ymerit” deri te “Ura e Terzisë” e së andejmi deri në “Gurin e Godenit” e në “Urën e Rogovës”, më 29 janar të vitit 1999.

Dëshmori i kombit, Agron Rama, është i lindur në fshatin Smolicë të Rekës së Keqe, komuna e Gjakovës, më 10 gusht 1972. Shumë herët mbeti pa babë Osmanin, që nga viti 1987, prandaj nënës Shakë i ra që ta rrisë Agronin, Rukën, Servetin, Ramën, Shkëndinë, Sinaverin dhe Gazmendin. Shkollën fillore Agroni e mbaroi në vendlindje, me sukses të shkëlqyeshëm, prandaj nëna Shake, me dëshirë që fëmija i parë t’i shkollohet për t’i nxjerrë në dritë vëllezërit dhe motrat, e regjistroi në shkollën e mesme profesionale në Gjakovë. Por pasi që pas vdekjes së t’ët u bë kryefamiljar, nuk e vazhdoi shkollimin dhe skamja, nga njëra anë, e ftesa për të shkuar në shërbimin ushtarak jugosllav, në anën tjetër, e detyruan Agron Ramën ta braktisë Kosovën e të mërgojë në Zvicër. Në kurbet sajon kontakte veprimi me djelmoshat që morën përgjegjësinë historike, veçanërisht u frymëzua prej veprimtarisë patriotike të veprimtarit – kurbetçar, Ibrahim Haxhisë, të cilin e kishte dajë, të dënuar në mungesë 2 herë me nga njëzet vjet burg, të dëbuar nga pushteti komunist, e të ndjekur tërë jetën. Së andejmi, pas rrethimit të herëpashershëm të Shqiponjës, i vetëdijshëm se forcat serbe një ditë mund ta fokusojnë edhe Smolicën, kthehet në vatrën familjare dhe vëhet në krye të organizimit të çdo manifestimi kundër dhunës serboçetnike e cila, prej 27 janarit të vitit 1990 shkonte duke u shtuar. Por edhe të rinjtë nga Shqiponja, Gllogjani e Smolica shtojnë veprimtarinë, sa në shtrirje aq edhe në intensitet, prandaj edhe Agron Rama, si kryetar i fshatit, më 1997 mobilizon familjen, kushërinjtë dhe fshatin.  Shtëpinë  e   shndërron në shtab e depo dhe nuk ndalet për asnjë çast. Priste e përcillte grupet e armatosura që thyenin prita e pusi nëpër kufi duke u vënë përherë në krye pa hezitim që ta bartë përgjegjësinë për shoqërimin e individëve, tresheve dhe formacioneve komplete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi e të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit në veçanti, prandaj prej Vokshi kah Korenica e Smolica u sajua me kohë një korridor logjistik që nuk dallonte nga Zona e Lirë edhe pse në vijën kufitare patrullonin grupet serboçetnike e që thërmoheshin nga luftëtarët e  Rekës së Keqe, të cilëve u printe “Luani i Rekës”, sot dëshmori Agron Rama, babë i Osmanit që asokohe ishte me katër pranvera, e i Fioralbës që ende belbëzonte në gjirin nënës Razie duke kërkuar të anë nëpër Smolicë, Popoc, Ponoshec, Morinë, Voksh, Junik, Gllogjan e Shqiponjë. Dhe më 2 gusht, Agron Rama ndahet prej nënës duke lënë tërë familjen në Shqipëri dhe vetë kthehet për t’i përballuar ofensivës së gushtit në Smolicë, luftime këto të koordinuara për shpartallimin e Shqiponjës dhe marrjen e Sukës së Cërmjanit të cilën e skuqën nënëmadhja Azë Brahimaj, Idriz Guncati e Idriz Hoxha, ndërsa në Smolicën heroike, komandant Agroni mbetet pa Isuf Ahmetin e Rosishta pa Rexhep Kadrijajn, e që tërë kjo flet se në javën e parë të gushtit të vitit 1998, stuhia luftarake kishte kapur me Rekë e Malësi kur në “Qafën e Milishecit” përjetësohen: Agim e Milaim Zeka, Ruzhdi Haxhijaj, Beqir Mehmetaj, Naim Bajraktari, Isa Balaj, Bedri, Hilmi e Ramush Shala, Naim Gjuka, Bashkim Leku, Mark e Kolë Lleshi, Agim Muja, Asllan Dina e Din Alijaj, Hysen Arifi, Muzli Sejfijaj, Muhamet Zenunaj, Elton Zherka, Përmet Vula e Bekim Berisha, prandaj edhe Agron Rama, duke shënuar ditëlindjen në zjarr e stuhi riorganizohet dhe rimobilizohet për të mos rënë Smolica. Pikërisht në ditëlindjen e tij, te “Livadhet e Devës”, Agroni mbetet pa Hasan Osmanin dhe luftëtarët, e Smolicën e djegur e të shkrumbuar.

Gjatë luftimeve të dhjetorit në Gllogjan, ndërsa në Pashtrik gjurmohej pas luftëtarëve të Grupit të Mujë Krasniqit, Agron Rama kryente aksione guerile “dëmto e tërhiqu”, si në Smolicë ashtu edhe në fshatrat e Rekës së Keqe dhe plagoset rëndë më 16 dhjetor, por shkatërron efektivin dhe teknikën e bandave serboçetnike dhe falë altruizmit dhe vendosmërisë së shokëve, arrin të tërhiqet. Shërohet nëpër pika të improvizuara spitalesh ushtarake, dërgohet në Shqiponjë të Dushkajës dhe vepron përkrah “Djem’ve të Dushkajës”, bri Fadil Nimanit, Lahi Brahimajt, Agim Zenelit, Maliq Ndrecës e Alush Agushit.

Janari i vitit 1999, Agronin, pothuajse të shëruar, e gjeti nëpër fshatrat e Dushkajës, përkatësisht në Shqiponjë dhe me formimin e Brigadës 134 “Bedri Shala”, emërohet komandant i kësaj brigade dhe sërish kthehet në arealen luftarake të Rekës së Keqe me objektiv zhvillimi të brigadës, riorganizimi dhe mobilizimi të sërishëm të luftëtarëve e njëherit dhe aktivizimin e luftëtarëve të rinj. Por edhe në sendërtimin e këtij hapi Agron Rama hasi në vështirësi; veprimtaria e dështakëve dhe e defetistëve, shënonte rritje, shqipfolësit e angazhuar nëpër polici lokale, logjistika e zbehur dhe pjesërisht e shkatërruar, fshatrat e djegura të Rekës së Keqe dhe shumë faktorë të tjerë dezintegrues vështirësonin veprimtarinë e Agronit, prandaj vendosi të ndërmarrë hapa konkretë. Gjysmën e dytë të janarit ia kushtoi luftës kundër propagandës përçarëse dhe ngritjes së moralit e të gatishmërisë për sfidat e reja, prandaj vendosi t’u hyjë punëve, pothuajse prej fillimit. I përkrahur dhe i ndihmuar prej bashkëluftëtarëve si Dervish Tahiri i Smolicës, Zeqir Haxhia, Ismet Ahmeti, Haxhi Sejdija, Esat Lataj, Princ e Nikollë Ndrejaj, Fatmir Bajrami, Musë Balija, Hajdin Kurti, Istref Asllani, Nikë Marashi, Valon Islamaj, Avni e Naim Veseli dhe shumë luftëtarë që sot janë dëshmorë të kombit, vendos që edhe njëherë ta thyejë kufirin, të riarmatoset, ta forcojë logjistikën dhe të përgatitet për hapa të mëtejmë deri në bashkimin e trojeve etnike. Meqenëse të gjithë e donin dhe e përkrahnin, deri më 26 janar punon në hartimin e strategjisë së nisjes nga Shqiponja në drejtim të kufirit shqiptaro – shqiptar.

Me të përfunduar luftimet e Kralanit, të gjithë, si një, të gatshëm për çdo ndërmarrje të re, pjesëtarët e grupit nisen me shpresa e ëndrra për një armatim më të sofistikuar, por edhe pesha e rrugëtimit ishte më e rëndë se asnjëherë më parë. Korridori i këtij itinerari kalonte bri e madje edhe nëpër  pikat e kontrolluara nga serbët të pozicionuar në Rakovinë, Doblibar, Bardhasan, Marmull, Rrezinë, “Ura e Terzisë”, Bishtagjin, Smaq, Blinisht, “Guri i Madh” e deri në Goden. Itinerarin e përmendur e njihnin mirë Ramët e Smolicës, Agroni e Sejdiu, si dhe vëllezërit Lleshi, Preni e Mema. Shumë shtigje u thyen deri në “Urën e Terzisë” kur nga “Djemtë e Dukagjinit” thyhen forcat serbe kurse komandant Agron Rama, në këtë betejë mbetet pa dy luftëtarë, Kasim Shalën e Hamdi Berishën, të dytë ruhotas, dragojt e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e dy të plagosur; Gani Shalën e Nexhat Berishën, por komandantët e çerdheve të para, Agim Zeneli i Shqiponjës e Agron Rama, nuk thyhen, marshojnë në krye të kolonës kah “Stuhia e Godenit”. Sërish betejë e përgjakshme; riplagoset komandant Agron Rama e plagosen Sejdi Rama e Sahit Krasniqi, kurse në altarin e lirisë përjetësohen: Preni e Mema, të bijtë e Zef Lleshit të Vraniqit. Luftëtarët arrijnë për t’i tërhequr të plagosurit: Agronin, Sejdiun e Sahitin, kurse stuhia e atij fundjanari përcolli në përjetësi Prenin e Memën.

Luftëtarët e lirisë, me të plagosurit, e nëpër stuhi, braktisin Godenin, zbresin në të majtë përreth Gërçinës e Demjanit kah “Kodra e Pulës” në mëngjesin e të premtes më 29 janar, me shpresë që kah Rogova e Hasit të shpërthejnë drejt Krushës së Madhe, kur mbetën edhe pa Gasprin. Në Rogovën e rrethuar e të bllokuar kah “Ura e Rogovës”, në oborrin e shtëpisë së Beqë Demirit bëhet rrethimi i hekurt dhe zhvillohet beteja për jetë a vdekje dhe në këtë luftim përjetësohen: Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Daut Zagragja, Ilir Merturi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Valon Gashi, Emrush Çeta, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleçka, Vejsel Avdyli, Bahtjar Morina, Luan Smajli, Sahit Krasniqi, Agim Zeneli, Sejdi Rama dhe Agron Osman Rama, legjendë e Smolicës, e Rekës, e Shqiptarisë, i plagosur rëndë dhe i strehuar në shtëpinë e Zyber Shalës merr përjetësinë.

Përcjellja e fundit kah amshimi dhe përjetësia i bëhet më 5 shkurt në Shqiponjë, pranë Agim Zenelit, ndërsa më 5 shtator 1999 Agron Osman Rama rivendoset në Smolicë, në “Kopshtin e Dëshmorëve”. “Luanin e Smolicës” me shkrime e përkujtuan: Hasan Hasani e Bajram Kurti, ndërsa krahas emrit të kazermës “Agron Rama” në Deçan, përjetësinë ia ruajnë shumë këngë të Zeqë Kuqit e Rifat Berishës si dhe rapsoditë e Shaban Shishmanit e Hysni Kelmendit, nën tingujt e të cilëve lëshojnë shtat Osmani – Moni, tani semimaturant dhe Fioralba, një bukuroshe që ende rritet në prehrin e gjyshes Shake, bijë krenare e Hxhijajve të Korenicës, nënë që lindi Agron Ramën, të shtrirë në gojëdhëna toponimike prej “Urës së Musë Ymerit” e deri te “Ura e Rogovës”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …