Agron Sadri Gjocaj (10.4.1978 - 18.8.1998)

Agron Sadri Gjocaj (10.4.1978 – 18.8.1998)

Agron S. Gjocaj lindi në fshatin Baballoq të komunës së Deçanit, më 10.4.1978, në një familje bujare me traditë patriotike. Ishte fëmija i tretë me radhë ndër katër djemtë e tri vajzave të prindërve Sadri e Zejnepe Gjocaj.

Shkollën fillore e kreu në Gramoçel, ndërsa shkollën e mesme u detyrua ta ndërpresë për shkaqe sociale, të mbajtjes së familjes dhe fillimit të luftës. Për shkaqe kryeneqësie mohuese ndaj pushtetit të instaluar serb, familja e tij iu ka nënshtruar përndjekjeve e maltretimeve nga ana e policisë serbe.

Gjatë viteve ’90-ta, i vëllai, Dina, nuk pranoi thirrjen për shërbimin ushtarak jugosllav, derisa u detyrua t’i përgjigjet thirrjes për shkak të maltretimit me përmasa familjare. Madje edhe atje në Petrinje, si ushtar në luftën serbo-kroate, u rreshtua në frontin kroat kundër serbëve dhe fitoi përvojë të çmueshme ushtarake, që i shërbeu më vonë si ushtar në Kosovë. Më 1996, ky kthehet në Kosovë, martohet e rekrutohet në UÇK dhe luftoi në funksion të ushtarit të policisë speciale ushtarake, zinet e burgoset më 14 shtator 1998 dhe vuan dënimin tri vjet rresht nëpër burgje serbe, deri më 2001.

Edhe Agroni, i edukuar në frymën patriotike familjare e përgjithësisht atdhetare, fitoi urrejtje ndaj pushtuesit dhe, me vullnet e padurim i bashkohet luftës.

Agroni së pari u inkuadrua si ilegal në njësitin e parë, në mars 1998, fillimisht me 14 luftëtarë. Pastaj, pikërisht më 18 prill 1998, u rekrutua edhe zyrtarisht në luftë, bashkë me vëllanë, Dinin, pastaj Faikun e Samiun e me axhën, Rexhepin.

Ishte i sistemuar në njësitin e Baballoqit, kryesisht me pushkë automatike, nën komandën e Faik Dodës. Tregoi guxim, heroizëm e trimëri të pashoqe, bashkë me vëllanë, Dinin, me funksion polic i njësisë speciale ushtarake, i cili edhe plagoset në Smolicë. Në vendlindje pati edhe eprorë me përvojë nga të gjitha rajonet përreth, si vëllezërit Haradinaj, Maliq Ndreca, Lulzim Morina, Xhelal Hajda-Toni, etj.

Në ofensivën e zhvilluar në hyrje të këtij fshati, që zgjati që nga 21 prilli, deri më 13 gusht 1998, janë plagosur eprorët e lartë: Shkëlzen Haradinaj, Ajet Potera nga Llapi, Fazli Zebica etj.

Agroni ishte i sistemuar në pozicionet e para për katër muaj me radhë, në pozicionin e dytë, një prej gjashtë pikave të fshatit, nën komandën e eprorit Milaim Gjocaj.

Ishte një luftë e ashpër shpesh për jetë ose për vdekje, që nxori heroizmin kolektiv të bashkëluftëtarëve çlirimtarë jo vetëm të fshatit. Baballoqi asokohe ishte, si të thuash, një portë frontale luftarake, prej ku mbrohej rajoni nga kjo anë, për të mos depërtuar forcat armike në brendësi.

Agroni luftoi në vendlindje, Baballoq, Prejlep, Rastavicë etj. dhe tregoi trimëri të pashoqe. Ishte ushtar i përpiktë, i guximshëm në vijën e parë të frontit e kudo që pati nevojë. Ai, disa herë vajti edhe në Malësi për furnizimin e UÇK-s me armë, bashkë me Milaimin, i cili e ka njohur mirë terrenin e bjeshkëve.

Ishte i guximshëm, i padjallëzuar, trim, i sjellshëm dhe i gatshëm për kryerjen e çdo detyre që i ngarkohej.

Herën e fundit, ra dëshmor në altarin e lirisë më 18.8.1998, në pritë ushtarake serbo-malazeze, afër trekufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, pikërisht në Bogiqe të rrethit të Plavës, bashkë me Avni Bali Sinanajn e Milaim Rexhë Gjocajn. Ndërkaq, katër të tjerë mbeten të plagosur: Shkëlzen Beqiraj, Mehmet Tahiraj, Muharrem e Mujë Lokaj.

Trupi i Milaimit është gjetur në vëndrënie, ndërsa trupat e Agronit e bahkëluftëtarit të tij, Avniut, ende nuk janë gjetur. Emrat e vepra e tyre heroike, u bënë krenari e atdheut sot e gjithmonë dhe pasuruan historinë me shkronja të arta.

Me gjithë dhembjen, mungesën e humbjen fizike, rënia heroike e Agronit dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë dëshmorë, të ngritur në lapidarë, rrëzë Sukës së Babajve, në hyrje të fshatit Baballoç, e hijeshoi rajonin, përgjithësisht Kosovën e mbarë shqiptarinë.

Për meritën e heroizmin e tij të treguar gjatë operacioneve luftarake, derisa ra heroikisht, dëshmojnë mirënjohjet që ka marrë familja për të.

Ndërkaq, shokët, farëfisi e bashkëluftëtarët janë krenarë për heroizmin e Agronit e për të gjithë ata që ia dhuruan kombit gjakun e vet për lirinë që po e gëzojmë. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …