Bastri Hajzer Beqiri (25.6.1976 - 18.8.1998)

Bastri Hajzer Beqiri (25.6.1976 – 18.8.1998)

Fëmija i gjashtë i babë Hajzerit dhe nënë Vahides, Bastri Beqiri, u lind në Akrashticë të Vushtrrisë, më 25.6.1976. Shkollën fillore e kreu në shkollën e fshatit Pantinë, ndërsa të mesmen në Vushtrri. Frymëzimet për pjesëmarrje në luftën për liri, Bastriu i mori në vitet nëntëdhjeta, kur flitej për heroizmat e Adem e Hamëz Jasharit që herë pas herë ndesheshin përballë forcave serbe, andej e këndej Çyqavicës, madje deri në Drenas duke ua kallur frikën forcave policore serbe. Kontaktet e para me UÇK-në, Bastriu i zhvilloi përmes ushtarëve të Pantinës e të rrethinës së Vushtrrisë. Pantina është ndër rajonet e para të kësaj ane që formoi njësitet dhe pikat ushtarake, madje mu pranë rrugës që shpie për në Ashlan e Mitrovicë, e prej andej në Drenicë e më tej në drejtim të Dukagjinit. Kjo ngjarje ndikoi fuqishëm në zgjimin e ndërgjegjes luftarake dhe mobilizimin masiv të popullatës së kësaj treve. Fillimi i luftës për liri, Bastriun e gjeti të përgaditur për beteja.
Fillimisht u mobilizua në shtabin lokal të Ashlanit, më 26 qershor 1998 nën komandën e eprorëve Shasivar Shala e Brahim Gjaka. Ndërkohë, paraqitet nevoja për furnizim me armë, prandaj më 19 korrik 1998, me urdhresën e eprorit Rrahman Rama, bashkë me rreth 500 luftëtarë, u mobilizua për sigurimin dhe bartjen e armatimit nga Shqipëria administrative.
Me t’u kthyer në Junik, Bastriu me bashkëluftëtarë takohet me disa prej eprorëve të shquar, si Bekim Berisha, Bedri Shalën, Elton Zherka e Bashkim Leku, të gjithë dëshmorë të rënë në fushën e betejës. Bastriu kishte bashkëluftëtarë Sadri Morinën nga Akrashtica, Blerim Kalludrën nga Pantina, Maxhun Malokun nga Juniku etj., të pozicionuar në pikën “7 Shtatori” në Junik. Në betejën e Junikut, në të cilën u përjetësuan trimat e shquar, si Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka, Bashkim Leku  etj., Bastriu plagoset rëndë nga një predhë minahedhësi. Edhe pse i plagosur, ai nuk pranoi të tërhiqet nga vija e frontit. Në gjendje të keqësuar, bashkëluftëtarët e bartin deri në ambulancën e improvizuar në lagjen Gacaferi, e prej atje për në qytetin “Bajram Curri”, ku e merr helikopteri ushtarak dhe e dërgon në spitalin ushtarak në Tiranë. Plagët e rënda vdekjeprurëse nuk mund u shëruan, prandaj më 18 gusht 1998, mbyll sytë për t’u bërë i pavdekshëm. U varros në Tiranë. Më 24 qershor 2004, eshtrat e tij u zhvarrosën për t’u rivarrosur më 25 qershor 2004, në varrezat e dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë. Për veprën e tij janë bërë shumë shkrime biografike. Emri i tij i është vënë një rrugë të Vushtrrisë.
Emri i dëshmorit Bastri Beqiri është skalitur në lapidarin e ngritur te varrezat e dëshmorëve në Bletajë dhe në qendër të qytetit Vushtrri. Familja e dëshmorit është nderuar me Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, Shoqatat e dala nga lufta, si dhe nga KK i Vushtrri. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …