leoni

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore shqiptare të anashkaluar nga tekstet shkollore të historisë së popullit shqiptar I

Tekstet e historisë sonë kombëtare kanë shumë zbrazëtira, paqartësi, interpretime të paverifikuara sa duhet,  mungesë të theksuar  edhe të metodologjisë shkencore, sidomos ndaj disa personaliteteve, të cilat i ka abortuar “historia” duke u treguar për disa nënë, për disa të tjerë njerkë. Skandali më i madh i mungesë së përfaqësimit meritor është në radhë të parë jeta dhe vepra e Halil Arnautit, (1690-1730) i njohur në literaturën historike osmane e botërore, si Halil Patrona.  Pavarësisht se ishte kryengritësi më i madh gjatë 700 viteve të sundimit të Perandorisë Osmane, pavarësisht se jeta dhe vepra e tij është e prezantuar në gati të gjitha enciklopeditë botërore, pavarësisht se kryengritja e tij ishte sociale  dhe e manifestuar rreth 60 vjet para Revolucionit Borgjez Francez të vitit 1789, jeta dhe vepra e tij nuk është prezantuar në tekstet e historisë sonë kombëtare. Vetëm kujtesa popullore e ka sjellë në trashëgiminë gojore duke e deformuar, ndoshta edhe për shkak të censurës së kohës. në këngën epike heroike “Fryni era u çil taraba”  kanë mbetur vetëm  emrat e vendeve të njerëzve dhe disa motive të deformuara.

Përveç Halil Patronës e bashkëluftëtarëve të tij jeniçerë  me origjinë shqiptare por edhe greke e turke, si Musli Beshi, greku i pasur Janaqi, Ali Kafexhiu,  Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë, janë edhe shumë personalitete meritore që nuk janë të pranishëm në tekstet e historisë kombëtare. Një luftëtar i përmasave kombëtare, sikur ishte Sefë Kosharja  (1825-1881), përmendet në tekstet e historisë vetëm si luftëtar popullor. Vetëm në vitin 2016, autori i këtij studimi, (A.Q.) ka botuar katër faqe dokumente për Sefë Kosharen, nga shkrimet e gjetura  të konsullatës së Austro-Hungarisë, në Shkup të 23 prillit të vitit 1881, ku shkruhet gjerë  e gjatë për aktivitetin, qëndresën e më pas varjen e Sefë Koshares, nga Devish Pasha.  Ky tekst i përkthyer nga gjermanishtja në Institutin e Historisë,në Prishtinë, nuk bën pjesë në tekstet e historive tona. Teksti është zbuluar nga familjarët e Sefë Koshares në Gjermani, në vitet 80-të të shekullit XX. Mungojnë të dhëna edhe për Mic Sokolin, Smajl Hysenin, Mulla Sylë Shtimen e shumë të tjerë.

Ka raste kur biografia e personaliteteve të mirënjohura kombëtare është deformuar  dhe është diskredituar sikur është rasti me Haxhi Qamilin, e disa të tjerë. Po kështu në tekstet  ende jo unike të botuara të historisë sonë të përbashkët kombëtare mungojnë shumë personalitete të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, të cilët historianët serbë e shqiptarë të kohës së bashkim vëllazërimit e kanë quajtur “Lëvizje Balliste”, edhe pse dihet botërisht se në vitet 1941-1945 në Kosovë e Maqedoni nuk ka pasur parti balliste.

Po kështu rezistenca shqiptare në Kosovë, Maqedoni e treva të tjera nën okupimin sllav nga vitit 1912 e deri në vitin 1941 është trajtuar si “Lëvizje kaçake”, duke u shërbyer me përcaktorin politik të pushtuesit si, “Kocacki pokret” dhe duke e paraqitur Azem Bejtë Galicën si “Kryekaçakun e Kosovës”, që shqip do të thotë si hajnin e plaçkitësin e Kosovës. (Turqisht Kac-ak, kaçak,  përkthimi shqip:  rrëmbe e ik.)

Në mesin e personaliteteve  të tjerë, biografia e të cilëve nuk është studiuar me gjuhën e fakteve e argumenteve, ndërsa janë botuar botohen shkrime jo serioze, duke bërë madje edhe përvetësime të palejueshme, janë edhe Rrustë Kabashi, Shaqir Agë Nishi, Ramadan Zeskoci, Islam Spahia, Mulla Brahim Semetishti, Bajram Daklani,  Miftar Shema, Bilall Hajdini, Mulla Azem Rama i Krojmirit,  Mulla Syla i Shtimes, Sulltane Qafa e Gostivarit, Januz Çupi i Vukocit, Ibrahim Banush Sedllari, Haki Tafa i Gjakovës, e shumë të tjerë.

 

           

Halil Arnauti, i njohur edhe si  Patrona

 

 

Kryengritja e 28 shtatorit e vitit 1730, në Stamboll, del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Hurpishti, fshat i rrethit të Manastirit, arriti që me një kryengritje gjithëpopullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mustafën e Parë.

Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, mbase afër Kavadarit apo Manastirit në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Duke qenë i ekskomunikuar nga radhët e jeniçerëve, ai ka punuar si shitës ambulant nëpër rrugët e Stamollit. Më vonë kishte ngritur një hamam publik në qendrën e Perandorisë. Asokohe Halil Patrona tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Të dhënat historike të asaj kohe dhe kronikat e Stambollit, bëjnë të ditur se regjimenti i Pestë i jeniçerëve, kishte rreth 12.000 jeniçerë, kryesisht shqiptarë. Halili ishte jeniçeri më me ndikim në këtë regjiment. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli bashi, Ali Kafexhiu, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë.

Halil Patrona, e bëri çështje, zërin e vegjëlisë dhe të rajasë, duke kërkuar nga Sulltani të hiqte me një ferman special “malikanet”, tatimet e përjetshme, që paguante populli dhe të jepte urdhër për shkatërrimin e 120 shtëpive publike, që kishte ngritur Sulltan Ahmedi në vendin e quajtur “Ujërat e Ëmbla”, po në Stamboll.

Kjo kryengritje në literaturën marksiste, njihet me emrin “Kryengritja e esnafëve” ashtu sikur e kishte emërtuar, vetë Karl Marksi.

Halil Patrona, ky vigan i historisë së përgjithshme, është anashkaluar nga tekstet e Historisë së popullit shqiptar. Vetëm në Fjalorin enciklopedik të vitit 1985, botuar në Tiranë, janë prezantuar disa zëra për biografinë e tij, e cila është më se e njohur në të katër anët e rruzullit, sidomos në Historinë e Perandorisë Osmane. Edhe Sami Frashëri e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane, por, për shkaqe të panjohura e ka anashkaluar historinë e ngjarjeve të shtatorit, tetorit dhe nëntorit të vitit 1730.

Vendin meritor, këtij trimi me gjak arbri, ia njohu historiani i madh austriak, Jozef von Hammer, i cili në veprën e tij madhore “Historia e Perandorisë Osmane”, ( botuar në Zagreb në vitin 1978, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe) në të cilën kishte punuar 30 vjet, përshkruan deri në detaje tronditjen më të madhe që kishte përjetuar Perandoria turke, nga kryengritja e Halil Patronës, njeriut të vegjëlisë i cili arriti ta bëjë çështje dhe ta artikulojë aspiratën e vegjëlisë, të trumave, që vdisnin urie në Stamboll, në kohën kur Sulltan Ahmedi III kishte ngritur dhjetëra hareme dhe në to mbante 200 gra robëresha, kishte ndërtuar 120 shtëpi publike në Stamboll dhe kishte urdhëruar të kultivoheshin kudo lulelajlet të quajtura “tulipanë”, prej nga edhe epoka e tij u quajt “Epoka e tulipanëve”.

Halil Patrona e detyroi Sulltan Ahmedin të dorëzonte kokat e kreut të shtetit, Vezirit të Madh Damad Ibrahim, Kryeqehajasë, Kryemyftiut dhe Kapudan Pashait, admiralit turk të flotës perandorake. Sulltani nën presionin e turmave kishte përfillur të gjitha kërkesat e kryengritësve, ndërkohë që kishte ngritur në krye të Këshillit të luftës Halil Patronën dhe disa nga jeniçerët e tij besnikë, duke iu premtuar, atij dhe të gjithë kryengritëseve, paqe dhe jetë të sigurt në hierarkinë sunduese.

Më vonë, pasi ishte fashitur kryengritja, e cila mori vetëm katër kokat e shtetit, kundërshtarët e Halil Patronës me lejen e Sulltanit, i cili edhe pse i kishte dhënë fjalën e kreut perandorak se nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe, Halil Patronës dhe 25 anëtarëve të elitës së tij u shkurtohen kokat tinëzisht dhe pabesisht.

Ndërkohë fillon sulmi kundër regjimentit të Pestë të jeniçerëve dhe për tri ditë luftime në Stamboll, në nëntor të atij viti, vriten rreth 7000 jeniçerë shqiptarë. Fushata kundër jeniçerëve shqiptarë u ndërmor edhe në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, ku ata që kishin shpëtuar duke ikur nga Stambolli ishin vendosur në malet e largëta të Atdheut. Ekspeditat ndëshkuese të udhëhequra nga Osman Topall Pasha i Moresë depërtuan në të gjitha vise e atëhershme të Shqipërisë, në kërkim të jeniçerëve të Halil Patronës.

Literatura historike për Halil Patronën, e tejkalon literaturën e prezantuar në gjuhët e huaja për Skënderbeun e mbase për të gjitha personalitetet shqiptare të kohës. Për Halil Patronën janë shkruar me mijëra shkrime, jo vetëm në gjuhën turke por në shumicën e gjuhëve të botës. Janë shkruar edhe tregime të shumta dhe romane. Shkrimtari më i madh i Hungarisë i shekullit XIX, Jokai Mor, autori i 100 romaneve dhe novelave të botuara dhe të përkthyera në 25 gjuhë të botës, ka shkruar romanin historik “Trëndafili i bardhë”, që i kushtohet kryengritjes së jeniçerëve shqiptarë në Stamboll në krye me Halil Patronën.

Kjo vepër është përkthyer në shumë gjuhë të botës. ( Autori i këtij shkrimi është në përfundim të përkthimit të këtij romani në gjuhën shqipe).

Edhe romansieri i madh turk Ekrem Koçu ka shkruar dy romane për Halil Patronën dhe “Epokën e tulipanëve”.

Në vitin 1917 është xhiruar një film në përmbajtje të romanit të Jokai Mor për Halil Patronën. Jokai Mor ka shkruar edhe romanin “Ditët e fundit të jeniçerëve’ që i kushtohet Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelena. Hamami i Halil Patronës në Stamboll është restauruar dhe është nën mbrojtje të shtetit.

Tema e jehonës së kryengritjes së Halil Patronës, në Kosovë, është trajtuar në romanin “Koha e jeniçerëve” e cili sapo ka dalë nga shtypi.

Halil Patrona është personazhi ndër më të fuqishmit të historisë sonë kombëtare. Historianët tanë dhe institucionet tona shkencore, ende po e përtypin heshtjen e gjatë shekullore për këtë personalitet me përmasa botërore, i cili nuk bëri gjë për Shqipërinë, do të arsyetohen disa prej tyre, por ai ka bërë shumë për Turqinë, për shtresat e varfra, pa dallim feje e përkatësie, për moralin fetar e kombëtar, bëri shumë për ta ngritur në skenë njeriun e thjeshtë të Stambollit e të rajasë, që po vdiste urie, në kohën kur sundimtarët po jetonin në luksin e paparë ndonjëherë në Perandorinë Osmane.

 

II

Kryengritja e jeniçerëve në Stamboll në krye me Halil Patronën në vitin 1730

Më 28 shtator të vitit 1730, me të aguar dita, tubohen rreth xhamisë së Sulltan Bajazidit rreth 17 jeniçerë, në krye të të cilëve ishte shqiptari kryengritës, i quajtur Halil Patrona. Në thirrjen: Kemi kërkesa të ligjshme, kush është pjesëtar i fesë islame le të mbyll dyqanet dhe le të na bashkohet!

Halil Patrona me jeniçerët, dhe ata të cilët iu bashkuan, filloi rrugën nëpër Bezistanin e Vjetër të kryeqytetit të Perandorisë, në drejtim të Sheshit për Mish, vend i zgjedhur qysh moti për tubimin e jeniçerëve. Gjatë parakalimit të kryengritësve nëpër rrugë, disa pronarë dyqanesh, nga frika e kryengritësve fillojnë t’ i mbyllin ato. Kryengritësve iu bashkohet edhe kolona e jeniçerëve të Kulqehajës. Halil Patrona depërton te porta e agait të jeniçerëve dhe kërkon të lirojë të burgosurit. Agai i jeniçerëve, nga frika e kryengritësve të Halil Patronës, liron vendin dhe ikën. Halili shalon kalin e tij drejt kazermës ku ndodhej armatimi dhe arrin që në “Sheshin për Mish”, ku qenë barrikaduar turmat kryengritëse, të sjellë edhe jeniçerë të tjerë të armatosur të Formacionit të Pestë të tyre. Qindra kryengritës nga radhët e të burgosurve dhe nga shtresat e të papunëve armatosen, e më pas plaçkitin tregun e antikiteteve, ndërkohë që e mbyllin “Sheshin e Samarëve” në qendër të Stambollit.

Përhapjes së lajmeve për kryengritje nuk i kishte besuar Kapudan pashai, as Reis efendiu i Stambollit. Duke qenë se lajmi ishte përhapur rrufeshëm, Veziri i Madh, i cili ndodhej në Yskydar, thërret në një takim të jashtëzakonshëm myftinjtë, vezirët, Reiz ylemanë, hoxhaganët dhe gjeneralët. Ata tubohen në sarajin e Sulltanit. Merret vendim që Sulltani me Flamurin e Shenjtë dhe me princërit të niset për në Stamboll. Sulltani para se të nisej konsultohet me motrën e vet, Sulltane Hatixhen, nga e cila kërkon këshilla. Ajo e këshillon vëllanë, që të marrë me vete të gjithë ministrat, ashtu që nëse kryengritësit kërkojnë kokën e ndonjërit, apo të disave prej tyre, Sulltani mund ta shpëtonte kokën e vet. Në orën dhjetë të natës, Sulltani me suitën e tij shkon në saraj. Atje tubohen edhe krerët e tjerë. Veziri i Madh konsideron të domosdoshme ta thërrasë edhe Hasan Zulalin, një gjyqtar me origjinë shqiptare, i ndërruar nga posti, për të cilin mendonte se kishte lidhje me kryengritësin, Halil Patrona. Ai po ashtu konsideronte se duhej të shpalosej Flamuri i Shenjtë i Padishahut, për të depërtuar deri te Dyert e Mesme. Ndërkohë bostanxhiu, Hakesiaga, merr detyrë që në krye të 20 njerëzve të tij të dalë para kryengritësve dhe të aprovojë plotësimin e kushteve të drejta, me qëllim që ata përnjëherë të shpërndahen.

Kërkesat e Halil Patronës

Halil Patrona merr në konsideratë urdhrin e Padishahut, por kërkon nga ai, që në afat prej dy orësh kryengritësve t’ ua dorëzohen katër tradhtarët: Veziri i Madh, Qehaja, Kapudan pashai dhe Kryemyftiu. Duke parë se kryengritësit po shumoheshin dhe nuk e kishin ndërmend të shpërndaheshin, pa iu plotësuar kërkesat e tyre, Sulltani vendos që Kapudan pashën dhe Qehajën t’ ua dorëzojë bostanxhinjve (rojës së brendshme elite perandorake), duke shtuar se ndërkohë do të ndërrojë nga posti Vezirin e Madh dhe Myftiun, por nuk e shihte të arsyeshme, që tani për tani të dorëzonte edhe kokat e këtyre dyve të fundit. Kryengritësit kërkonin largimin e Myftiut dhe gjithsesi kokën e Vezirit të Madh. Derisa po vazhdonin negociatat në mes të kryengritësit Halil Patrona dhe Sulltanit, kryengritësit kishin plaçkitur shtëpitë e të pasurve në Gallata Saraj. Tellalli kishte kërkuar nga kryengritësit të përmbaheshin dhe të lejonin të hapeshin dyqanet me artikuj të përditshëm ushqimorë. Qe kërkuar, të ktheheshin qetas nëpër shtëpitë e tyre, duke iu garantuar se nuk do të ndëshkoheshin. Kryengritësit kishin lejuar hapjen e dyqaneve me artikuj ushqimorë. Tellallët, të cilët qenë dërguar ta thërrasin popullin t`i bashkohej Flamurit të shenjtë të Sulltanit, nuk kishin arritur aspak sukses, përveç në sheshin te Aja Sofija. Ata sërish kishin thirrur turmën, duke premtuar se çdo kryengritës, i cili i bashkohej Flamurit të Shenjtë të Padishahut, do të fitonte 30 piastra në dorë dhe dy akçe në ditët vijuese. Me veprime të tilla, ata, kishin bërë për vete vetëm një numër të vogël të kryengritësve…

Në ditët vijuese, më 30 shtator 1730 dalin në skenë myftiu, Hasan efendi Zulali dhe shehu i Aja Sofisë, Ispiri Zade. Ata dalin në shesh para dijetarëve. Myftiu fliste për moshën e tij të pleqërisë dhe i vinte keq për faktin se ai, edhe pse i moshuar, duhej ta lante me gjak mjekrën e tij të bardhë. Në çast turma bërtet:

-Këtë e dëshiron Allahu!

Myftiu, në përpjekje për të shpëtuar para kryengritësve, vazhdon të komentojë, sesi në raste të tilla, kryengritësve do t’ iu plotësohej dëshira, nëse i hiqej koka një imami të sundimtarit, që do të thoshte të ruhej koka e Sulltanit…

Sapo qe falur sabahu, kryengritësit qenë nisur në drejtim të pallatit të Erevanit, kur kishte arritur edhe Veziri i Madh. Ai para kryengritësve thotë:

-Unë jam njeri i vdekur, por të gjithë ne duhet të mendojmë për shpëtimin e Sulltanit. Ndërkohë kthehet nga myftiu dhe thotë: Padishahu, ty personalisht (i drejtohej myftiut) Kapudan pashës dhe Qehajës, iu ka hequr gradat dhe iu ka përzënë. Ata të tre, dërgohen nën mbikëqyrje rigoroze në dhomën e bostanxhinjve, klasës besnike të rojave të brendshme të Sulltanit.

Danmad-zadeja, për shkak të sëmundjes dhe pleqërisë nuk pranoi të merrte postin e myftiut. Mirëpo ishte gjyqtari i Medinës, Mustafa efendiu, që u vesh me rroba të gjelbërta. Atëherë ata po këshilloheshin se kë duhej ta dërgonin te kryengritësit për ta marrë qëndrimin e atyre, që konsideroheshin të mallkuar dhe të dëbuar. Shorti iu ra dy ylemave, shehut të Xhamisë së Re, Sejid Mehmedit dhe gjyqtarit të ndërruar të Selanikut, Amad-zade. Atyre, Sulltani iu dha dekretin e fshehtë, sipas të cilit, në momentin më të vështirë ( me qëllim që të tejkalohej kriza) lejohej t’i hiqej koka edhe Vezirit të Madh. Kur Amad-zade shkoi para kryengritësve, në Xhaminë e Mesme të Stambollit, aty mbeti për t’u këshilluar lidhur me kërkesat për vërtetimin me shkrim të emërimeve të reja. Me kërkesa të tilla u dërguan në saraj.

Në mbrëmje, Kizlar agai kërkoi nga Veziri i Madh vulën, të cilën ia dërgoi Kapudan Pashës dhe Qehajabeut në dhomën e veçantë të kundërshtarëve, e cila ndodhej nën Dyert e Mesme të sarajit. Me një lajm të tillë, Reis Sylejmani u kthye te kryengritësit.

Atë natë vendosej për tre zyrtarë të lartë, që duheshin sakrifikuar.

Sapo zbardhi drita, myftiu dhe kryegjyqtari thirren urgjentisht te Sulltani, ku marrin urdhrin për heqje të kokave, të tre vetëve që kishin qenë nën roje. Myftiu dhe kryegjyqtari rrezikuan për ta pyetur Sulltanin, përse lejohej një gjë e tillë. Ata morën përgjigje se kryengritësit kanë pushtuar sheshin.

Mirëpo, ndërkohë, pasi ishte vërtetuar gjendja faktike, bëhet me dije se kryengritësit nuk ndodheshin në shesh. Megjithatë, të tre rojtarëve u qenë prerë kokat dhe me qerre qesh, qenë dërguar në Sheshin për Mish, ku ishte pozicionuar kreu i kryengritësve.

Kryengritësit identifikojnë se nuk ishte prerë koka e Vezirit të Madh, por trupi i lundërtarit të njohur, Manojli. Ata kuptojnë se sulltani i kishte mashtruar. Ispiri Zade, i cili ishte në mesin e negociatorëve, i thotë Sulltanit se veprimi i tillë kishte zemëruar aq fort kryengritësit, sa që ata nuk e dëshironin më për sundimtar.

Sulltan Ahmedi i Tretë pranon realizimin e kërkesave të kryengritësve

Pas këtyre zhvillimeve Sulltan Ahmedi i Tretë tregoi gatishmëri për t’u larguar nga froni. Ai po ashtu kërkoi nga negociatorët të lutnin kryengritësit, që t’ u kursehej koka sulltanit dhe të afërmve të tij.

Përderisa njerëzit afër Sulltanit kishin mbetur të hutuar dhe të shqetësuar, Ispiri Zade dhe Hasan Zulali, si negociatorë të palës kryengritëse, pranojnë ofertën e Sulltanit. Pasi shkuan sërish te kryengritësit, morën fjalën e tyre, të deklamuar me be në Kuran, duke u zotuar se do të ruheshin të gjithë anëtarët e familjes së Sulltan Ahmedit të Tretë. Dervish Mehmedi, i cili kishte arritur në cilësi të Qaushbashit nga ana e kryengritësve, e frikëson Sulltanin për rrezikun që mund të pësonte ndërkohë nga kryengritësit. Pas pak Sulltan Mahmudi, djali i Sulltan Mustafës së Dytë, dërgohet para sulltan Ahmedit, i cili e puth në ballë, ndërsa Sulltan Mahmudi e puth në dorë, meqë e kishte dajë. Me lejen e Sulltan Ahmedit, përqafohen edhe princat e tjerë.

Sipas marrëveshjes, në oborrin e mesëm të pallatit mbretëror, ishte paraparë të vinin kryengritësit, për të marrë qeset me ar dhe gjërat e tjera (sipas marrëveshjes), mirëpo ata nuk kishin pranuar të shkonin, meqë mendonin se vendi ishte minuar me qëllim për t’i ngritur në erë. Ndërkohë pas ofrimit të garancive përkatëse, ata kishin shkuar te dera e sarajit dhe iu kishin përkulur Sulltan Mahmudit…

Sulltan Mahmudi ishte ulur në fron, por kryengritja ende nuk ishte shuar. Në krye të kryengritësve ishin disa jeniçerë shqiptarë deri atëherë të panjohur: Halil Patrona dhe Musliu, i quajtur edhe Musli basha, mbase një i afërm i tij, Ali Kafexhiu (Usta Aliu), Jilani i Zi, (ose Janaqi) Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë. ( Turk tarihi…)

Pak kohë më vonë para Sulltanit paraqitet Halil Patrona, këmbëzbathur dhe me uniformën e tij të jeniçerit.

-Çka mund të bëj për ty? – e pyet Sulltani.

-Dëshira ime më e madhe është që arrita të të vendos në fron dhe tash e di se më pret vdekja e turpshme!

-Betohem, në të parët e mi, se nuk do të gjejë.

asgjë e keqe!- Kërkoje shpërblimin tënd dhe atë do ta jap! – i thotë Sulltani.

-Unë, Ju lutem shumë që të revidohet fermani dhe të hiqen taksat e përjetshme, të cilat po ia rëndojnë jetën popullit fukara.

Halil Patrona merr zotimin e Sulltanit se taksat e tilla do të anuloheshin dhe ato u anuluan me një dekret të shpejtë.

Sulltani ndërroi edhe disa nga zyrtarët e lartë në postet ministrore, duke larguar nga postet të gjithë mbrojtësit dhe miqtë e Ibrahim Pashës, ndërsa posti i Vezirit të Madh iu dha Silahdarit Mehmed pasha, dhëndrit të sulltanit të mëparshëm, i cili me rastin e largimit të Ibrahim Pashës e dorëzoi edhe vulën. Në Tregun për Mish, në qendër të Stambollit, ende ndodheshin shumë kryengritës, që valëvitnin flamujt, shumë prej tyre vetë konsideroheshin jeniçerë dhe merrnin pjesë edhe në ndarjen e pagave për jeniçerë. Gjeneralin e parë të jeniçerëve nga radhët e kryengritësve, i cili kishte marrë guxim për të kundërshtuar poshtërimin, që konsideronte se po iu bëhej jeniçerëve nga disa kryengritës, Halil Patrona e vret dhe e sakaton duke ia ndarë trupin në njëqind pjesë.

Ditën e premte, më 6 tetor 1730, Sulltani i ri, sipas zakonit qe lutur në Xhaminë e Sulltan Ejubit në Stamboll. Përkrah tij kalëronin Halil Patrona dhe kryengritësi tjetër, Musliu. Ata, me turbanë të vegjël në kokë, këmbëzbathur, ua hidhnin arin popullit dhe kryengritësve, që përcillnin ceremoninë e zakonshme të Sulltanit. Sulltani me atë rast lejon të shpërndahen 50 qese me ari, në vend të 12 qeseve sa parashihej, sipas zakonit. Mirëpo, Halil Patrona dhe kryengritësit nuk kënaqeshin me të arriturat. Ata kërkuan leje nga Sulltani t’ iu jepnin zjarrin shtëpive publike, të cilat quheshin shtëpia të argëtimi, dhe që për gjashtë vjet rresht qenë ndërtuar në dy anët e brigjeve të “Ujërave të Ëmbël”.

Sulltani ishte përgjigjur se nuk do të jepte pëlqimin që shtëpitë publike të digjeshin, sepse sipas tij, popujt e krishterë do të përqeshnin Perandorinë për një akt të tillë. Ai kishte lejuar që ndërtesat të rrënoheshin. Kryengritësit plaçkitën dhe rrënuan deri në themele 120 shtëpi të tilla të kokonave…

Postin e Kapudan pashës, i cili pas arrestimit, fillimisht i qe dhënë Avdi pashës, e merr Hafuz Ahmed pasha. Ky post pas 20 ditësh iu lirua Xhanym Hoxhës, i cili në kohë të pushtimit të Moresë kishte qenë admiral. Qenë rikthyer në postet kushtetore pas 27 viteve të afërmit e muftiut Fejzullah, të internuar në Brusë…

Sipas fetfasë së myftiut të ri, ishte arritur pajtimi me kryengritësit. Ata kishin paraqitur dy kushte themelore. Kushti i parë, nënkuptonte të mos ndëshkohej asnjë kryengritës për shkak të pjesëmarrjes në revoltë. Ata, po ashtu, kishin kërkuar, t’ iu rezervohej e drejta për rigrumbullim, nëse nuk realizoheshin kushtet e marrëveshjes. Në ditën e 15 të revoltës kryengritësit kishin tërhequr shatorret e tyre nga Sheshi për Mish. Po atë ditë hapen të gjitha dyqanet. Nën kërcënimin e kryengritësve, të udhëhequr nga Halil Patrona dhe Musliu, ishte ndërruar nga posti ministri i Brendshëm, Hani i Krimesë si dhe knjazi i Vllahisë e i Moldavisë. Për sigurimin e qetësinë publike, Sulltani i kishte dhënë një pallat Halil Patronës. Lëshimet që Sulltani i kishte bërë kryengritësit, Halil Patrona, kishin nxitur zemërimin e Kizlar Beqir agait, i cili kishte vendosur t’ i jepte fund, sipas tij, poshtërimit të padurueshëm, që Halil Patrona i kishte bërë tërë Perandorisë Osmane.

Për ta vënë në jetë planin e tij, Kizlar Beqir agai, kishte angazhuar trimat më të pathyeshëm si: Kapllan Girajn, Kapudan pashën, Xhanum Hoxhën dhe Ibrahimin, qehajanë e Egjiptit. Hani i Krimesë kishte shpifur, se gjoja Halil Patrona po përgatitej që tinëzisht të hiqte nga froni Vezirin e Madh dhe në postin e tij të emëronte aganë e jeniçerëve. Halil Patrona do të bëhej Kapudan pasha, ndërsa Musliu aga i jeniçerëve. Me këtë kurdisje pas shpine, Kizlar agai kishte njoftuar defterdarin Qehaja beun, dhe komandantin e Formacionit të Shtatë të jeniçerëve, nga radhët e të cilëve, asokohe, ishte edhe vetë Halil Patrona. Planin e prerjes së kokës të dy kryengritësve shqiptarë( dhe kohortës besnike) ia kishin besuar Halil Pehlivanit. Për këtë qëllim, ai, jeniçerëve të tij iu kishte dhënë 5000 dukatë.

Më 23 nëntor të po atij viti, plani për likuidimin e Halil Patronës ishte vënë në lëvizje, dhe pritej të realizohej pikërisht në kohën, kur ai duhej të shkonte në Këshillin e Luftës, dhe ku do të kërkonte me këmbëngulje t’i shpallej luftë Rusisë.

Halil Pehlivani, me 32 luftëtarë të fuqishëm, qe fshehur në dhomën e porcelanit. Në fund të takimit, Veziri i Madh i drejtohet Halil Patronës duke i thënë se Sulltani e kishte emëruar Bejlerbeg të Rumelisë.

-Nuk e pranoj atë lëkurë! – qe përgjigjur Halil Patrona, duke e sulmuar dhe duke e ofenduar me fjalë Vezirin e Madh. Ndërkohë vendos të shkojë në saraj për ta shpallur luftën kundër Rusisë. Në sarajin ku do të hynte, kishte zënë pritë Halil Pehlivani me 32 luftëtarë, i cili kishte depërtuar deri në atë vend, përmes një kanali të fshehtë. Në kohën kur Sulltani kishte zënë vend në saf, Veziri i Madh i jep shenjë Halil Pehlivanit, i cili së bashku me luftëtarët e tij hyn në Sarajin ku ndodhej Halil Patrona. Halil Pehlivani iu kishte drejtuar me këto fjalë:

-Kush është ai trim, i cili don të bëhet aga i jeniçerëve?

Halil Patrona fare befasisht sulmohet prapa shpine në kohën kur ishte duke nxjerrë shpatën nga milli. Kokat iu bien në tokë Halilit dhe Musliut, ndërsa Vunliu i vjetër arrestohet dhe iu dorëzohet bostanxhinjve. 26 ithtarët dhe luftëtarët më besnikë të Halil Patronës pritnin para dyerve të sarajit, duke menduar se po visheshin me rroba të reja prej lëkure (sikur iu kishin premtuar), duke mos e marrë me mend se secilit, një nga një, po iu prehej koka. Pas prerjes së kokave të Halil Patronës, jeniçer Musliut dhe 26 kryengritësve, Abdullah Muhsin Zade emërohet aga i jeniçerëve, ndërsa Halil Pehlivani merr gradën gjeneral kolonel. Hasan Zulali dhe gjyqtari i Stambollit, fillimisht emërohen si sanxhakbejlerë (meqë kishin qenë ndërmjetës gjatë kryengritjes). Pasiqë humbin favoret e ylemave, dërgohen në burgun e Miralem Dervish Mehmedit.

Ministrat i urojnë Sulltanit suksesin e arritur, i cili ndërkohë përmes një Hatisherifi i përgëzon jeniçerët për besimin e tyre, të cilëve iu jep 50 mijë piastra.

Pasojat e kryengritjes së Halil Patronës në Stamboll dhe në krahinat e Shqipërisë

Njeriu më i “merituar” për sajimin e planit të suksesshëm në shkatërrimin dhe larjen me gjak të kryengritjes së organizuar nga Halil Patrona ishte Kabakulat Ibrahim aga, apo Ibrahim agë Veshmadhi, ish-zyrtar i lartë i Mustafa Qypërliut. Për meritat e tij ai emërohet Vezir i Halepit. Më 22 janar të vitit 1731, sërish fillon kryengritja. Jeniçerët e plagosin Ibrahim agë Veshmadhin, i cili mezi shpëton gjallë dhe me urdhër të Sulltanit dërgohet në postin e Serasqerit, në Bagdad.

Më 24 mars të vitit 1731, shatorët e kryengritësve sërish vendosen në Sheshin për Mish në qendër të Stambollit. Në ballë të kryengritësve ishte jeniçeri Janaqi (Janaki, sipas Hammerit), bashkëluftëtar i ngushtë i Halil Patronës. Ai kishte mbajtur premtimin, që ia kishte dhënë prijësit të kryengritësve Halil Patrona, të cilit i kishte thënë se nuk dëshironte të jetonte më pas tij.

Në sulmin e forcave të shumta të Vezirit të Madh kundër kryengritësve, Janaqit i pritet koka. Gjatë tri ditë luftimesh qenë vrarë më shumë se 7 mijë pjesëtarë të forcave ndërluftuese. Knez i Moldavisë asokohe ishte zgjedhur Gërgur Gjika, ndërsa në Vllahi qe rizgjedhur Konstandin Maurokordato. Me qëllim të mos lejohej ripërtëritja e kryengritjes, në Sheshin e Mishit, qenë rreshtuar ( duke bërë roje të përhershme) radhët elite të xhebexhinjve, të baltaxhinjve dhe të bostanxhinjve. Veziri i Madh dhelpërisht dhe tinëzisht kishte gjurmuar kryengritësit dhe iu kishte prerë kokat.

Mijëra jeniçerë shqiptarë fillojnë të riorganizohen dhe të ikin nga Stambolli në drejtim të maleve të tyre, të paarritshme për dorën hakmarrëse. Për gjashtë muaj, Veziri i Madh, Ibrahim agë Veshmadhi, kishte shkurtuar mbi 15 mijë koka të kryengritësve.

Më 2 shtator të vitit 1731, rishfaqet edhe një herë flaka e kryengritjes. Dy oficerë baltaxhinj, në kohën kur po kalonin në Sheshin e shitësve të kanapit, rrëmbehen nga një grup kryengritësish shqiptarë, mirëpo ata shpëtojnë. Populli fliste se Veziri i Madh po bënte krime për interesa të veta dhe pa ndonjë arsye. Detyra, për t’i ndëshkuar kryengritësit shqiptarë, të cilët kishin ikur nga Stambolli për në Shqipëri, i ngarkohet Osman Topallit nga Moreja. Ai, në cilësinë e inkuizitorit, kishte marrë për detyrë të depërtonte në thellësitë malore të Shqipërisë, për t’i vrarë dhe për t’i asgjësuar kryengritësit shqiptarë.

( Teksti i këtyre rrëfimeve është përkthyer lirshëm nga Vëllimi i Tretë i librit të historianit të mirënjohur austriak, Jesef von Hammer, Historia e Perandorisë Osmane-turke, prej faqes 138 deri në faqen 146)…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Rreth orës tetë të mëngjesit  kanë filluar granatimet e forcave serbe mbi disa fshatra të …