Ahmet Qeriqi: Bastardët sulmojnë UÇK-së, mendojnë se na ka ardhur fundi (E diel 27 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Bastardët sulmojnë UÇK-së, mendojnë se na ka ardhur fundi (E diel 27 shtator, 1998)

Përderisa intensiteti i ofensivës në Drenicë po bie, edhe pse topat dhe tanket po granatojnë rreth Kozmaqit, luftime të ashpra po zhvillohen në Zonën Operative të Neredimes, e cila është sulmuar nga të tria anët, na pozicionet te Pishat e Shtimes, nga ana e Ferizajt dhe e Dramjakut si dhe nga ana e Suharekës dhe e Duhlës. Edhe në fshatrat e kësaj zone ka popullatë të zhvendosur sidomos në Grykën e Llanishtit, në Mollapolc, në Topillë, në Budakovë dhe të fshatra të tjera.

Përderisa sulmet serbe nuk prajnë, kundër luftës tonë të drejtë për liri kanë filluar të shkruajnë edhe një klan plehrash rankoviçistë  si Jusuf Buxhovi i cili qysh në pranverë ka kërkuar nga Ibrahim Rugova të merr hapa në pacifikimin e rebelëve në Drenicë, pastaj shkrime të tilla të poshtra boton edhe njëfarë Bajrush Morina, spiun  i KOS-it, njëfarë Jusuf Ferizi po ashtu dëbëist i përbetuar dhe plehra të tjera bastardësh.

 Kosova tanimë është bërë pre e një regjimi gjakatar dhe e shpirt-vasalëve shqipfolës, të cilët në vend se të paktën verbalisht ta përkrahin luftën çlirimtare ata janë ngritur kundër saj, kundër gjakut të bijve dhe bijave tona më të përkushtuar. Këso poshtërsish ndodhin vetëm ndër ne, vetëm në mesin e klasës hibride të cilën e ka prodhuar koha e Titos dhe e Rankoviqit. Pacifistët dhe pranuesit e robërisë janë plehu neveritës e këtij kombi fatkeq. Ata po ia zënë frymën lirisë, por besoj se të tillët herët a vonë, në mos me drejtësinë do të ndeshen me mllefin e çlirimtarëve.

Në një numër të një gazete që quhet Kosova sot, si duket ka filluar të botohet tani, meqë dy tre numrat e parë janë shpërndarë gratis, prej faqes së parë deri në fund nuk ka asnjë informatë për luftimet. Nuk gjendet as rastësisht sintagma UÇK.

Prishtina po jeton me delirin e pacifizmit dhe të agonisë skllavëruese, derisa Drenica, Dukagjini e Anadrini po digjen në flakën e barbarisë.

Në një raport për TVSH-në Ruzhdi Jashari ka raportuar mbi zhvillimet luftarake në Zonën Operative të Neredimës në trekëndëshin e komunave Shtime, Ferizaj, Suharekë. Gjendja përshkruhet  shumë e rëndë sidomos për popullatën e zhvendosur e cila është e rrezikuar barbarisht nga armët e ushtrisë dhe policisë okupatore. Luftëtarët e lirisë po qëndrojnë të patundur në istikame duke taktizuar në sulme dhe tërheqje. Kjo zonë tanimë i ka qindra ushtarë po si duket nuk ka armatim as municion të mjaftueshëm. Municionin duhet bartur në shpinë prej Tropojës apo Kukësit për ta shpenzuar pastaj për disa orë kundër pushtuesit i cili epërsinë në armatim e ka të nivelit të pakrahasueshëm.

Ndihem tejet i brengosur sidomos për zhvillimet në Zonën Operative të Neredimës. Shumica e ushtarëve që tani po luftojnë atje kanë qëndruar muaj të tërë në zonën tonë si: Ali Beqa, Kemajl Hetemi, pastaj nipat: Fadil Hetemi Rifat Mujota, Sadik Mujota, mandej Flamur Zuka, Qamil Ilazi, Hajrush Kurtaj, Elmi Reçica, ushtar Gjoni, si dhe komandantët Shukri Buja, Isak Musliu,  Ruzhdi Jashari, Fehmi Mujota  e sa e sa të tjerë.

Luftë është. Një luftë aq e pabarabartë sa i përket armatimit dhe municionit, por lufta jonë ka  epërsinë morale dhe pikërisht kjo është komponent mbase edhe vlera primare që do ta kurorëzojë me sukses fitoren.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet. (E premte 30 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet. (E premte 30 tetor, 1998)

Në orët e zgjimit, i shkëputur nga ëndërrimi dhe gjumi i parehatshëm ndihem shumë i …