Ahmet Qeriqi: Begatuesit dhe rifreskuesit këngëve burimore shqiptare, Hysni Klinaku - I

Ahmet Qeriqi: Begatuesit dhe rifreskuesit e këngëve burimore shqiptare, Hysni Klinaku – I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Në botën  “magjepse” së këngës shqipe ka shumë emra të njohur dhe jo aq të njohur, ka shumë grupe këngëtarësh e këngëtaresh, ka emra ndër  më të njohurit e këngës, si të muzikës burimore, folklorike shqiptare, asaj  popullore, të përpunuar, muzika e lehtë,  deri te ajo simfonike e operistike.

Po kështu, në botën e kësaj kënge ka edhe emra të përveçëm, emra që kanë hyrë në muzikën shqiptare me kujdes, profesionalizëm, me qëllim për ta begatuar atë, me qëllim për t’ ia ngritur vlerat dhe për ta perfeksionuar deri në maksimum,  deri atje   ku depërton bota e tingujve  dhe e fjalëve  bashkë, në universin e pa fund dhe të pa skaj të saj.

Në këtë botë komplekse, heterogjene dhe homogjene shquhen dhe mbijetojnë  më profesionistët, më meritorët,  të cilët shfaqen me origjinalitet,  edhe atëherë kur duket se kanë emituar e improvizuar, edhe atëherë kur nuk arrijnë të depërtojnë në botën pa kritere dhe kaotike të konkurrencës,  ata, mbi të gjitha  janë vetvetja, janë brumi dhe nektari i këngës, të dalë po nga brumi dhe nektari, me qëllim  për të përparuar më tej atë, jo vetëm për veten dhe për afirmimin e tyre individual, apo grupor,  por për botën e muzikës në përgjithësi  dhe asaj shqiptare në veçanti.

Hysni Klinaku

Në mesin e këngëtarëve që kanë bërë emër dhe janë afirmuar falë talentit punës, angazhimit, përkushtimit për këngën, ngritjes arsimore, profesionale, pa dyshim se vendin ndër më meritorët e zë edhe këngëtari, Hysni Klinaku.

Për dallim  nga një pjesë e madhe e këngëtarëve, të cilët i ka bërë të njohur e disa edhe të famshëm talenti dhe përkushtimi për këngën, Hysni Klinaku i takon radhëve të atyre këngëtarëve, të cilët përveç talentit, që është komponent tejet i rëndësishëm në krijimtari përgjithësisht, në arte e veçmas në muzikë,  ai ka arritur  të arsimohet deri në nivelin superior, profesional, me çka ka kompletuar  individualitetin e tij këngëtar krijues, në të gjitha segmentet e përmasat e një këngëtari të nivelit kombëtar e më gjerë.

Hysniu, tërë jetën dhe aktivitetin e tij të deritanishëm ia ka kushtuar këngës, me të cilën ka qenë i lidhur që nga fëmijëria, pastaj gjatë të gjitha fazave të shkollimit deri te arsimimi superior. Është mëritë e familjes dhe  orientimit të tij  për këngën dhe muzikën e popullit në radhë të parë, të cilën e njeh më mirë se shumë këngëtarë të tjerë, por edhe ngritjen e rifreskimin e këngës në një stil të ri, me elemente të reja shprehëse, të përthekuara me talent e profesionalizëm, për të nxjerrë nga to veçoritë, ritmin, gradacionin, cezurën dhe të gjithë atë begati, që e disponon kënga shqipe, e cila gjatë historisë së mbijetesës,  e ndodhur mes lindjes orientale, Bizantit ballkanik e muzikës perëndimore, mbase edhe ka huazuar, por edhe e ka ruajtur tiparet autentike, të cilat nuk kanë mundur t’ iu ikin ndikimeve, megjithatë  kanë ruajtur esencën, madje duke e begatuar edhe me reflektime spontane e sipërfaqësore të artit të muzikës si tërësi, sikur ndodh në universin e arteve dhe krijimtarisë, përgjithësisht.

Hysni Klinaku, në botën e tij krijuese muzikore, është origjinal si në qasje ndaj këngës, në rastet kur është autor në hartimin e tekstit, si në kompozimin profesional me të gjitha elementet e duhura që përbëjnë një këngë, jo dosido, jo vetëm për një efekt, apo një koncert të rastit, por një këngë të kompletuar me të gjitha segmentet, e cila ka vulën origjinale të autorit dhe së cilës nuk i humb freskia e begatia, por i qëndron konkurrencës dhe kohës.

Hysniu harton  dhe këndon këngë atdhetare, këngë për dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilat shquhen për një qasje e kujdes të veçantë dhe  një përkushtim shpirtëror  të tij gjatë këndimit, meqë ai njëzohet me veprën e tyre, me mesazhin  dhe amanetin e tyre dhe tërë kjo bën që kënga e tij për dëshmorët të përjetohet me emocion të veçantë, të natyrshëm e të begatshëm, në të gjitha komponentët.

Në raport e bashkëpunim me këngëtarë të tjerë, ai tregohet shumë i matur, i sinqertë dhe kurdoherë i gatshëm për të dhënë pjesën e tij që i kërkohet, qoftë duke kënduar në duet, në grup, në koncertet e estradës, në vepra simfonie, në të gjitha nivelet si këngëtar origjinal, me stilin e tij, zërin e shkolluar, qasjen profesionale ndaj tingullit, fjalës, vargut, refrenit, etj. 

Është fat i madh kombëtar që kjo “gardë meritore” e këngëtarëve si Hysni Klinaku, Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Kastriot Tusha, Dava Gjergji, Artiola Toska Arif Vladi, Ylli Baka, Asim Gashi, Irini Qirjako, Fatmira Breçani, Besiana Mehmedi, Vëllezërit Sejdiu e shumë të tjerë janë bërë një digë e fortë e ruajtjes, begatisë dhe emancipimit të mëtejmë të muzikës autentike shqiptare, e cila po i përballon me shumë sukses, tallavasë dhe përpjekjeve për ta degjeneruar këngën duke futur në të muzikë të huaj, pa asnjë kriter, tekste jo profesionale, kompozim të çoroditur dhe një mish-mash, të cilin po e favorizon i ashtuquajturi globalizëm kulturor, që ka për qëllim shpërlarjen e traditave artistike  kombëtare dhe zhvlerësimin e veçorive autentike.

Ahmet Qeriqi

6. 11. 2021

Prishtinë         

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …