kek baneri
AKP deri me 2 dhjetor
mbpzhr 2018
valamobile
Fillimi / Fejton / Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit II
Shpërngulja

Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit II

Lufta Ruso-Osmane e viteve 1877-1878 në fronin e Plevnës, në Bullgari,  përfundoi  me disfatën e Perandorisë Osmane. Si pasojë Stambolli humbi territore te gjera bazuar ne vendimet e Kongresit të Berlinit. Para fillimit të luftërave  të Serbisë dhe Rusisë kundër Perandorisë Osmane në vitet 1876-1878, popullsia shqiptare e Sanxhakut te Nishit ishte kompakte. Ajo ishte pjesë e  Perandorisë në administratë por jetonte me shekuj edhe në trojet e veta në zonat fshatare. Ajo bashkëjetonte ne këtë zonë me popullsinë turke, një pjesë e së cilës ishte edhe me origjinë shqiptare, por me shekuj kishte bashkëjetuar edhe me  serbët.

Pasi Perandoria Osmane kishte filluar të tërhiqej,  popullata shqiptare kishte rezistuar kundër forcave serbe në Sanxhakun e Nishit, por duke qenë se serbët, rusët, bullgarët  ishin me shumicë dhe epërsi në armatim, shqiptarët ishin dëbuar nga trojet e tyre. Një pjesë e tyre ishte ndalur në viset e  Kosovës, ndërsa pjesa tjetër ishte shpërngulur për në Turqi.

Vetëm krahina e Toplicës ka pasur rreth 20.000 banorë, prej të cilëve rrethi i Prokuples ka pasur 10825 banorë, prej tyre 4618 kanë qenë serbë, ndërsa pjesa tjetër 6207, kanë qenë shqiptarë e turq. Rrethi i Kosanicës ka pasur 6708 banorë, prej tyre 577 serbë, 5951 turq e shqiptarë dhe afro 800 çerkezë. Leskovci deri në vitin 1877 ka pasur 900 shtëpi të banuara me 5000 banorë shqiptarë të fesë islame Në Prokuple me rrethinë ka pasur 2505 shtëpi shqiptare, 2031 shtëpi serbe dhe 24 shtëpi turke. Në Kurshumli ka pasur 1956 shtëpi shqiptare, 638 shtëpi serbe dhe 60 shtëpi rome. (Sanxhaku i Nishit – Wikipedia)

Pas vitit 1878, në Gadishullin Ballkanik u bënë ndryshime të mëdha shoqërore politike dhe etnike

Në kohën e Krizës së madh lindore 1875—1878, në Gadishullin Ballkanik u bënë ndryshime të mëdha shoqërore politike dhe etnike. Krahas me kryengritjen boshnjako-hercegovase kundër Perandorisë Osmane u ngritën edhe shqiptarët, maqedonët, bullgarët dhe popujt tjerë. Çështja lindore angazhoi fuqitë e mëdha edhe shtetet ballkanike, të cilat donin t’i realizonin interesat e tyre në provincat e Turqisë Evropiane.

Me shpalljen e Kushtetutës turke në dhjetor të vitit 1876, ndërpreu punën Konferenca e ambasadorëve në Stamboll, ndërsa përfaqësuesit e diplomacisë evropiane vazhduan punën në Londër, ku, në bazë të vendimeve të marra në Stamboll, hartuan Protokollin e Londrës me të cilin fuqitë e mëdha e detyronin Portën e Lartë që të zbatonte reforma në disa provinca evropiane. Pasi Porta e Lartë me 31 mars të vitit 1877 refuzoi Protokollin e Londrës, Rusia vendosi, pa pjesëmarrjen e fuqive tjera, ta zgjidhte çështjen lindore dhe të hynte në luftë kundër Perandorisë Osmane. Për qëllimet e Rusisë Gorçakovi me anën e një qarkoreje i bëri me dije fuqitë e mëdha. Kështu, Rusia në emër të „përmirësimit” të pozitës së të krishterëve që ishin nën sundimin turk, më 24 prill 1877 hyri në luftë kundër Turqisë. Kriza Lindore kështu hyri në fazën më kritike.

 Qysh në fillim, ushtria turke e papërgatitur u thye pas kapitullimit të Osman Pashës në Plevne. Ushtria ruse në fillim të janarit 1878 hyri në Sofje, pastaj në Edrene dhe rrezikonte Stambollin. Në anën e Rusisë përsëri hynë në luftë Mali i Zi, Serbia dhe Rumania. Ushtria serbe zhvillonte operacione luftarake në sektorin Nish, Prokuple, Vranjë, Leskovc dhe Pirot. Në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878 ushtria serbe pushtori  gjithë territorin e Sanxhakut të Nishit, në të cilin që me kohë jetonin shqiptarë, serbë, çerkezë, turq, romë, grekë, cincarë dhe hebrenj. Në disa kaza të Sanxhakut të Nishit, sidomos në atë të Prokuples dhe të Kurshumlisë, shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët. Në kohën e këtyre luftërave dhe të depërtimit të ushtrisë serbe në këtë rajon gati të gjithë shqiptarët u shpërngulën në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe në vende të tjera.

Serbët, shqiptarët dhe popujt e tjerë në rajonin e sanxhakut të Nishit, jetonin në marrëdhënie të mira, gjë që e vërtetojnë shumë burime. Branisllav Nushiqi në një vend shkruan: „… është e kotë se as çerkezi dhe as shqiptari të dëbuar nga Serbia nuk e ndiejnë veten në Kosovë si në shtëpitë e tyre të vjetra. Të gjithë muhaxhirët vajtojnë për vendet e tyre të vjetra”. (Dr. Emin Pllana: Lidhja e Prizrenit kundërshtonte dhe protestonte lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.

Në kohën e Krizës Lindore 1877- 1878, në Gadishullin Ballkanik u bënë ndryshime të mëdha shoqërore politike dhe etnike. Krahas me kryengritjen boshnjako-hercegovase kundër Perandorisë Osmane u ngritën edhe shqiptarët, serbët, bullgarët dhe popujt tjerë. Çështja lindore angazhoi fuqitë e mëdha, të cilat donin t’i realizonin interesat e tyre në provincat e Turqisë Evropiane. Gjatë kohës së Turqisë krahina shqiptare e Toplicës ka qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës me emrin Sanxhaku i Nishit. Serbët ashtu si edhe fqinjët e tyre u ngritën kundër Perandorisë turke, dhe pas çlirimit te Beogradit dhe rajoneve me popullsi serbe, falë përkrahjes së Rusisë dhe shteteve sllave e evropiane,  ata u vërsulen për ta zhdukur elementin shqiptar në Ballkan me shpresë të daljes në detin Adriatik.

Shqiptarë kishte edhe në rajone tjera, sidomos në keto qytete përbënin afër gjysmën e popullsisë në  Qupri, Paraqin, Kragujevc Uzhicë, Krushec, Aleksinc dhe në Kralevë. Vetëm, në Beograd, gjatë kohës së Marashli Pashës, shqiptar me origjinë nga Shkodra, në gjysmën e parë të shekullit 19-të jetonin rreth 25 për qind shqiptarë.

Në atë kohë u bë një gjenocid dhe pastrim etnik total i kësaj krahine shqiptare, kur janë vrarë e masakruar rreth 70 000 shqiptarë, të cilët banonin në afro 700 fshatra e qytete shqiptare të Sanxhakut të Toplicës. Me qëllime kriminale të spastrimit etnik, janë zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Kosanicës, Pirotit, Quprisë, Pllanës, Krushecit, Nishit, Leskocit, Gurdulicës, Vranjës, Prokupës, Kurshumlisë dhe shumë viseve të tjera.

Në Luginën e Nishit kësaj periudhe, u vranë e masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë ( dokumentete osmane e vërtetojnë prezencën e banorëve shqiptarë në qytetin e Nishit ), u plaqkitën e dogjën 300 shtëpi. “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e Gërdelicës, deri te Vranja e Kumanova… ( Stefan L. Popoviq, “Putovanje po novoj Serbiji”, Beograd, 1950, fq. 345 )”. Shkrimtari serb Jovan Haxhivasilev, duke shtjelluar politikën shfarosëse serbe ndaj elementit shqiptar, shkruan: “Dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional dhe, të krijohet mundësia që aksioni i mëtejm të drejtohet kah Kosova. ( Dr. Jovan Haxhivasiljeviq, “Albanska kongra”, Beograd, 1909, fq. 14 – 15 )”. Duke u bazuar në elaborate të ndryshme shpopulluese – naciste, siç është edhe “Naçertania” ( 1844 ) e Ilia Grashaninit një ish zyrtar serb, segmenti si ky, kolonizimi serb në trojet shqiptare, ka këtë fytyrë: “Midis Dy Luftërave Botërore qeveria e krajlit në emër të Reformes Agrare nacionalizoi 129.212. 94 hektar tokë në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, në Kosovë janë vendosur 13. 482 familje me rreth 67. 410 anëtarë në 594 vendbanime. ( AJ B. MAR,96 – 21 – 69, Regjistri i kolonive: datë 8. 4. 1940 ). (Dr. Sabit Uka: Spastrimet etnike dhe gjenocidi serbe kundër shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit).

Popullsia e shpërngulur shqiptare, që i shpëtoi masakrave serbe u vendos në jug të trojeve shqiptare. Shumë nga të dëbuarit përfunduan përtej Bosforit, në krahinat e Turqisë e veçmas në Anadoll.

 Dëshmitarë të kohës së dëbimeve e mizorive

 Pothuajse të gjitha banorët e pjesës perëndimore të Sanxhakut të Nishit lë dorëzuar Serbisë, ishin shqiptar të besimit mysliman… prandaj kur ky sanxhak u pushtua nga ushtria serbe, popullsia nuk i bëri ballë pushuesit. Ajo e tëra iku në Vilajetin e Kosovës duke lënë tërë vendin të braktisur.” John Ross

Në acar dhe të ftohtë të madh të dimrit të vitit 1877-1878 pashë njerëz duke ikur të zhveshur e të zbathur që kishin braktisur dhomat e veta të ngrohta me përplot mall…..Përgjatë rrugës Gërdelicë-Vranjë dhe deri në Kumanovë, në të dy anët e rrugës vëreheshin kufomat e fëmijëve, të pleqve e të tjerëve që kishin vdekur nga të ftohtit.” Josip H. Kostiq; Mësues – dëshmitar i kohës.

Branisllav Nushiqi “Është e kotë se as çerkezi dhe as shqiptari të dëbuar nga Serbia nuk e ndiejnë veten në Kosovë si në shtëpitë e tyre të vjetra. Të gjithë muhaxhirët vajtojnë për vendet e tyre të vjetra”.

 

Literatura:

 

Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë, 1968

Dr. Sabit Uka: Spastrimet etnike dhe gjenocidi serbe kundër shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit).

Dr. Sabit Uka: Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878

Dr. Sabit Uka: Vendosja dhe pozitat e shqiptarëve ne Kosovë,1878-1912

Dr. Emin Pllana: Lidhja e Prizrenit kundërshtonte dhe protestonte lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.

Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze. Arkivi i Kosovës Prishtine 1978.

Lokalitete Shqiptare në Principatën serbe (1817-1865)

Ismet Azizi: Krijimi i Serbisë së Re në kurriz të shqiptarëve, Kosova Sot 2016. Prishtinë

Sanxhaku i Nishit – Wikipedia

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Hakif Bajrami

Prof. dr Hakif Bajrami: Kush e kurdisi tregtinë me organe njerëzore kundër UÇK-së II

Të  gjithë armiqtë  Kosovës po luftojnë natë e ditë për të dëhmur se çështja e ...