Brickos

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Disa formulime e sintagma gjuhësore, edhe pse të gabuara, përdorën nga shumë medie e politikanë

  1. Pse jo Republika Serbe, sipas natyrës së gjuhës shqipe, por Republika Srpska, sipas emërtimit zyrtar serb?

Shumica dërrmuese e medieve në Kosovë por edhe e medieve shqiptare përgjithësisht përdorin emërtimin origjinal serb, për Republikën Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, por jo edhe Republika Bosanska apo Hrvatska.

Nuk ka kurrfarë logjike gjuhësore të përdoret emërtimi origjinal, kur gjuha shqipe ashtu sikur të gjitha gjuhët e botës, përdor emërtimin e përshtatur sipas natyrës së gjuhës, sipas rregullave të drejtshkrimit. Po të vepronim kështu atëherë do të shkruanim, Magyarorsag, për Hungarinë, Bundesrepublik Deutschland, për Gjermaninë, Hrvatska Republika për Kroacinë   e kështu me radhë.

Nëse  ndokush, këtë mënyrë emërtimi  e bën me qëllim të  përçmimit apo edhe të mohimit të këtij entiteti, as kjo nuk qëndron sepse entiteti serb në Bosnje është i pranuar ndërkombëtarisht  dhe në krejt gjuhët e botës përdoret si Republikë serbe dhe askund si Republika Srpska, përveç në mediet serbe dhe në shumë medie shqiptare, por edhe nga shumë politikanë që nuk i njohin drejtshkrimin e gjuhës së tyre amtare. Sipas mendimit tim, kjo Republikë ka të drejtë t i bashkohet Serbisë, po aq sa ka të drejtë Kosova t’ i bashkohet Shqipërisë, nëse kjo ndodh në mënyrë paqësore, mbi parimin e shumicës etnike, e cila më së shumti iu shkon për shtati shqiptarëve si komb, por jo politikanëve me mentaliteti feudal, mesjetar.

 

  1. Pse jo Gjykata Speciale, por Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Po kështu në pjesën dërrmuese të medieve të Kosovës për Gjykatën Speciale përdoret formulimi gjuhësor, “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, Zyra e Prokurorit të Specializuar, etj. Përdorimi i këtij eufemizmi kuptimor, nuk ka kurrfarë logjike dhe asnjë bazë reale, sepse kjo Gjykatë nuk e njeh Shtetin e Kosovës, nuk vepron sipas ligjeve të Kosovës, se po ta njihte  do të kishin aplikuar formulimin: Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës.   Përderisa kjo Gjykatë raciste,  në radhë të parë Prokuroria e saj  luftën fitimtare të UÇK-së e trajton “Ndërmarrje kriminale” si mund të jetë e Kosovës, kur pavarësia e vendit ka në themel luftën fitimtare të UÇK-së dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve e martirëve. Të gjithë ata që i përshtaten formulimit “Dhoma të Specializuara të Kosovës” pranojë pa asnjë nevojë arbitraritetin e kësaj gjykate, e cila përpiqet ta shpallë UÇK-së terroriste, krejt njëjtë sikur gjykatat e Beogradit.

 

  1. Pse jo Kosova dhe Serbia, por Prishtina dhe Beogradi?

Duke qenë se BE-ja, si organizatë globale pan-evropiane nuk e njeh Kosovën  si shtet të pavarur, në formulimet gjuhësore, në asnjë rast, në asnjë vend nuk përdorët togfjalëshi Republika e Kosovës, por vetëm Kosova, në kuptimin e një entiteti institucional. Me qëllim për të krijuar një përshtatshmëri diplomatike, sidomos në vendet e Bashkimit Evropian, në raste të tilla  nuk shënohet Republika e Serbisë por Serbia, ndërsa kur është në pyetje dialogu, zbritet niveli në mes të dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Beogradit, apo si zakonisht në fillim Beogradi pastaj Prishtina, në varësi nga rrethanat. Duke qenë se shumica e medieve, metodë pune kanë “Copy past-in” e njohur, atëherë del edhe prodhimi i tillë, pa marrë mundin për të bërë ndërrime të duhura.

Në raste kur thuhet se bisedimet po zhvillohen mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë normale që kjo nënkuptohet logjikisht, por qëllimi është diplomatik politik dhe në përputhje me aspirata kolonialiste serbe ndaj Kosovës.

 

  1. Pse jo Kosova Lindore por Preshevka Dolina, apo Lugina e Preshevës?

Togfjalëshi, “Lugina e Preshevës”, emërtim zyrtar i Serbisë, nga “Presevska Doljina”, dominon në shumicën e medieve shqipshkruese e shqipfolëse, sepse tri komunat në Lindje të Kosovës: Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, kanë mbetur nën Serbi. Emërtimi, “Kosova Lindore”, në kontestin historik nënkupton jo vetëm këto tri komuna por edhe krahinën e Toplicës, (Çamërinë e dikurshme të Vilajetit të Kosovës) Kurshumlinë, Vranjën, Leskocin e shumë krahina shqiptare të pastruar etnikisht nge regjimet serbe. Pikërisht për  t’ u  liruar nga  kujtesa historike, politikanët e gazetarët e bashkim vëllazërimit dhe disa politikanë  preferojnë emërtimin Lugina e Preshevës dhe kurrsesi emërtimin nacionalist-irredentist, Kosova Lindore, sepse nuk i pëlqen Serbisë.

 

  1. Pse Serbia nuk heq dorë nga emërtimi Kosova e Metohija?

Togfjalëshi, Kosova dhe Metohija, serbisht, Kosovo i Metohija i përket emërtimit të kohës së ish-RSFJ-së. Janë të njohura edhe emërtimet: Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë, ndërsa sipas kushtetutës së vitit 1974  është emërtuar, Krahina Socialiste  Autonome e Kosovës dhe Metohisë (KSAKM) me rastin e avansimit të pozitës kushtetuese, si entitet i njohur edhe në kuadër të Federatës së ish-RSFJ-së, e cila kishte gjashtë republika dhe dy krahina socialiste autonome, Kosovën dhe Vojvodinën.

Gjatë luftës së Dytë Botërore në kohën e krijimit të Shqipërisë Etnike, në vitet 1941-1944,  nën regjimin italian dhe gjerman, ishte përdorur edhe emërtimi Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit. Ky formulim ishte përdorur edhe në dokumentet e Konferencës së Bujanit. Një kohë të gjatë pas luftës së Dytë Botërore është përdorur edhe në mediet e kohës.

Serbia zyrtare nuk heq dorë nga togfjalëshi,  “Kosova dhe Metohija”, duke e ruajtur emërtimin për një krahinë autonome, por jo as Republikë Autonome, sikur ishin disa nga ish Republikat e ish Bashkimit Sovjetik.  Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet ndërsa në preambulë të Kushtetutës e trajton si krahinë, provincë të Serbisë.

 

  1. Pse jo Shqipëria e Madhe, as Shqipëria Etnike, tashmë nuk po dëgjohet as Shqipëria Natyrale?

Togfjalëshi, Shqipëria e Madhe i përket kohës së regjimit italo-gjermano-shqiptar prej vitit 1941 deri në fund të vitit 1945, kur forcat partizane jugosllave riokupojnë Kosovën dhe trevat shqiptare në Maqedoni në Mal të Zi dhe në  Sanxhakun e Pazarit të Ri.

Historikisht ekziston Shqipëria e katër Vilajeteve, apo Arnautistani, qysh në kohën e Perandorisë Osmane.  Ajo ishte Shqipëria e kohës ku shumicën dërrmuese të popullatës autoktone, që nga Athina e deri në Beograd  e përbënin shqiptarët,  arvanitasit  si entitet i veçantë,  por edhe popujt e tjerë të Ballkanit si grekët, serbët, bullgarët, vllehët, cincarët, hebrenjtë, shashet (gjermanët e njohur që nga mesjeta e hershme që merreshim me zbulimin e  mineraleve)   kroatët, turqit sidomos në qytete, e të tjerë.

Shqipëria e katër vilajeteve, ishte rajoni  më i madh administrativ autokton shqiptar i kohës në Perandorinë Osmane, deri në vitin 1912, ku shquheshin edhe njësitë administrative të pashallëqeve, si Pashallëku i Janinës, i Shkodrës, i Selanikut dhe Pashallëku i Beogradit nga qyteti i Nishit deri në Beograd.

Shqipërinë e katër vilajeteve  Serbia dhe shtetet e Evropës e kishin kthyer në një Shqipëri xhuxhe, të vogël dhe të tillë duan ta shohin deri në përjetësi.

 

Shtojcë sqaruese…

 Rilindja e papritur e Shqipërisë së Madhe në vitin 1941

Shumica dërrmuese e politikanëve shqiptarë dhe analistë të shpërfytyruar e apatridë janë tejet alergjikë kur përmendet togfjalëshi “Shqipëria e Madhe”. Atyre iu bën përshtypje të keqe në radhë të parë për shkak se kjo “i zemëron fqinjët grabitqarë”, dhe u përkujton kohën kur me ndihmën e forcave italo-shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore prej vitit 1941 e deri në vitin 1945,   ishin çliruar këto vise nga regjimet kriminale e fashiste serbe, bullgare e greke. Pikërisht në atë kohë, koalicionin fashist e ka përkrahur Qeveria serbe e Nediqit në Beograd,  si dhe Qeveria greke në Athinë dhe ajo e bullgare, në Sofje. (Shih: Vikipedia, serbe, bullgare, kroate, greke) Ishin tri qeveri profashiste e fashiste, në tri vendet fqinje, të cilat dashur pa dashur kishin pranuar regjimin e Rajhut të Tretë gjerman dhe kishin krijuar Qeveritë e tyre kuislinge. Ngjashëm kishte vepruar edhe kreu nacionalist i Shqipërisë duke krijuar qeverinë kuislinge në Tiranë. Për më tepër Qeveria kuislinge e Tiranës, për herë të parë pas vitit 1912 kishte arritur që me ndihmën e forcave nacionaliste me me armët që u jepte Italia e më vonë edhe Gjermania t’ i çlironte viset shqiptare në veri dhe në verilindje, në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak e Mal të Zi, por edhe në Çamëri, me rastin e pushtimin të Greqisë nga Italia.

Në këtë pushtim deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë morën pjesë edhe shumë formacione luftarake nacionaliste shqiptare. Janë faktet e pamohueshme historike që faktojnë e dëshmojnë. (Lufta italo – greke, diktatorë e kuislingë,  libër historik. Autor, Arben Puto. Shtëpia botuese: Toena. Viti i botimit 2011.).

 

Për tri katër vjet, të asaj kohe,  të cilën më vonë, me nostalgji metaforike do të quanin “Tri ditë të Shqipnisë”  shqiptarët kishin vënë nën administrim viset etnike, ku valonte flamuri shqiptar me sëpatën e liktorit, ku administrata për herë të parë funksiononte edhe në gjuhën shqipe, ku për herë të parë u hapen qindra shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ku kartat e identitetit u shtypën në gjuhën shqipe dhe ku filloi të lulëzojë tregtia dhe lëvizja e lirë mes shqiptarëve prej Sanxhakut deri në Çamëri dhe prej Ulqinit deri në  Prespë, Strugë, Manastir e gjithandej nëpër Shqipërinë e Madhe.

Kjo ka qenë koha kur është përdorur togfjalëshi: “Shqipëri e Madhe”, po jo nga shqiptarët, edhe pse viset shqiptare ishin të pushtuara nga forcat fashiste, të cilët nuk ishin të pranishme vetëm në Shqipëri por në tërë Ballkanin, në Greqi, Bullgari e Serbi, në tërë Evropën  dhe thellë në shtetet e lindjes, në Bashkimin Sovjetik.

Ky ishte realiteti i atyre katër viteve, ndërsa sintagma “Shqipëria e Madhe” u përdor si gogol për t’ i frikësuar shqiptarët, të cilët në Kosovë nuk kishin rezistuar kundër fashizmit, por duke lënë anash faktin e njohur historik se as serbët, as popujt e Jugosllavisë, as bullgarët e grekët nuk e kishin përballuar dot pushtimin italo-gjerman dhe të gjitha këto vende kishin pasur qeveritë e tyre kuislinge.

Forcat Antifashiste, Nacionalçlirimtare,  në këtë mes edhe ato shqiptare veçmas në Shqipëri, kishin besim në fitoren  e Bashkimit Sovjetik. Lufta e tyre u  intensifikua sidomos në vitin 1943, kur forcat e Bashkimit Sovjetik e kishin thyer ushtrinë gjermane.  Në atë kohë, duke parë se Rusia me Armatën e Kuqe e Stalinin në krye do të depërtonte në tërë Evropën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbarkojnë në Evropë me qëllim për mposhtur Gjermaninë hitleriane, por edhe për të mos lejuar zgjerimin e Rusisë, e cila edhe ashtu në Konferencën e Jaltës në vitin 1945, kishte marrë  në bllokun e vet të gjitha territoret e vendeve ku kishte pasur lëvizje antifashiste, ku  në vitin 1945 kishte depërtuar Armata e Kuqe ndërsa Gjermaninë  e kishin ndarë me Amerikën.  Vetëm Shqipëria ishte çliruar me forcat e veta, pa ndihmën e Armatës së Kuqe.

Shtime

14. 8. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …