Ahmet Qeriqi: EULEX-in nuk mund ta largojnë nga Kosova ata që nënshkruan pakon zezë të Ahtisarit

 


Çështja e nënshkrimit të Protokollit, për bashkëpunim në disa segmente, në mes të EULEX-it dhe Qeverisë së Beogradit, nxori në sipërfaqe të zezat që kreu i vendit i ka pranuar me rastin e nënshkrimit të Pakos së Ahtisarit.
Refuzimi deri tani verbal dhe sipërfaqësor i autoriteteve të larta të vendit, kundër nënshkrimit të Protokollit në mes të BE-së dhe Qeverisë së Serbisë, pa marrë pëlqimin e Prishtinës zyrtare, nxjerrë në sipërfaqe një kafshatë, të cilën, tani për tani nuk e kapërdijnë dot qeveritarët tanë.

Ndërkohë, autoritetet e Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se do të vendosin në favor të nënshkrimit të Protokollit, sepse vetë Kushtetuta e Kosovës, është ajo, që i lejon BE-së për të marrë një vendim të tillë, meqë ata me të drejtë i referohen pikës së Kushtetutës së Kosovës, e cila flet për pakon e Ahtisarit dhe praninë civile ndërkombëtare në vendin tonë.
Të ndodhur në këtë situatë të rëndë dhe gjithsesi të rrezikshme për sigurinë e vendit, kreu i Kosovës ka marrë qëndrim refuzues, por nuk duket t’ i ketë peshuar mirë punët, meqë mospërfillja me këtë rast e qëndrimit të Kosovës nga EULEX-i, dëmton jo vetëm imazhin edhe ashtu të dëmtuar të Kosovës, por edhe kredibilitetin e tyre dhe të institucioneve të cilat ata i përfaqësojnë.

Duke komentuar këtë pozitë krejt të palakmueshme të Kosovës në raport me EULEX-in, Agjencia Amerikane për Hulumtime Strategjike “Stratfor” konsideron se fërkimet e fundit ndërmjet shteteve perëndimore dhe Kosovës, lidhur me praninë e misionit EULEX në vendin tonë dhe nënshkrimit të Protokollit me Serbinë, do të mund të pasohen në një sfidë serioze për sigurinë në vend. Tensionet gjithnjë në rritje ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Perëndimit nuk do të fashiten, përderisa EULEX-i të qëndrojë në Kosovë. Stratfor, konstaton se rritja e fundit e pakënaqësisë me BE-në mund të paralajmërojë një problem serioz, në përpjekjet, që po bëjnë vendet e perëndimit, me qëllim për të implementuar rendin dhe ligjin në vend.
Përderisa Qeveria deri tani është treguar jo shumë armiqësore ndaj EULEX, duket se në të ardhmen ajo do të fillojë të veprojë më fuqishëm në këtë drejtim, konstaton Agjencia Amerikane për Hulumtime Strategjike, “Stratfor”.
Nga këto konstatime lihet për të kuptuar se Kosova zyrtare megjithatë po mundohet të ndreq, aq sa mund të ndreqet në interpretimin dualist të Pakos së Ahtisarit, e cila në esencë stagnon proceset për ardhmërinë e lirë dhe të pavarur të Kosovës, duke mos lejuar pavarësi të plotë, që nënkupton mbetjen edhe më tej të Kosovës nën sovranitetin, qoftë verbal dhe formal të Serbisë.
Prania dhe fushë-veprimtaria e EULEX-it në vendin tonë, para së gjithash ka të bëjë me monitorimin e implementimit të Pakos së Ahtisarit dhe me imponimin e “sundimit të ligjit” sipas kutit të Brukselit, gjithnjë në favor jo vetëm të serbëve të Kosovës por edhe të Qeverisë së Serbisë, e cila është e përkëdhelura numër një e BE-së nga shtetet e Ballkanit, edhe pse ky shtet ka një të kaluar të tmerrshme të krimeve dhe mizorive që ka ushtruar kundër të gjitha kombeve jo serbe të Ballkanit.
Qëndrimi i hapur, pro serb i BE-së, natyrisht se nuk mund të jetë edhe qëndrim pro shqiptar në të njëjtën kohë, meqë synimet hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, bien ndesh me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

EULEX-i po dënon shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftë për çlirimin e vendit nga barbaria serbe, luftë të cilën e ka përkrahur dhe e ka ndihmuar NATO-ja dhe tërë bota demokratike përparimtare, ndërsa nuk i dënon kriminelët serbë që kanë vrarë e masakruar fëmijë, gra e pleq shqiptarë.

EULEX-i nuk lejon ndërtimin e pesë shtëpive të shqiptarëve autokton në veri të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë jo vetëm që lejon, por edhe mbështet financiarisht ndërtimin e shtëpive të mijëra serbëve, të cilët duan të kthehen në Kosovë, nga ku në verë të vitit 1999 kishin ikur së bashku me forcat kriminale të Milosheviqit, nga frika për hakmarrje, meqë kishin kryer krime çnjerëzore kundër fqinjëve shqiptarë.

EULEX-i nuk interesohet për fatin e 1900 shqiptarëve të pagjetur, të cilëve Serbia u ka humbur gjurmët dhe i ka djegur nëpër shkritore, pasi paraprakisht mund t’ iu ketë marrë organet, por hulumton “krime të luftës” duke u mbështetur në gënjeshtrat e Beogradit dhe të Karla del Pontes, lidhur me gjoja trafikimin e organeve të disa serbëve gjatë kohës së luftës nga UÇK-ja.

EULEX-i po mundohet ta zhvlerësojë luftën tonë të drejtë për liri, por edhe të gjitha të arriturat, që ka sjellë kjo luftë me përkrahjen sidomos të Amerikës dhe Anglisë. BE-ja, nuk mund të pajtohet me një shtet të pavarur, në Ballkan, që ka përkatësi fetare islame, dhe të cilin aq fuqishëm e mbështet Uashingtoni zyrtar.

BE-ja ka bërë dhe po bën përpjekje që të gjithë myslimanët e Ballkanit t’ i vë në një geto, në një izolim fashist, duke mos u lejuar qarkullim të lirë nëpër vendet e rajonit, as të Evropës, me qëllim që ata të frustrohen dhe të nisin kryengritje të reja, të cilat do të merren si shkas për fillimin e një kryqëzate të re pan evropiane kundër 10 milionë myslimanëve të Ballkanit.

Duke qenë se kjo gjendje e rëndë dhe pa perspektivë kërkon edhe veprime konkrete kundër këtyre politikave antishqiptare dhe antimyslimane në të njëjtën kohë, populli shqiptar i Kosovës duhet të reagojë me mosdëgjim qytetar dhe me shpalljen e EULEX-it si mision të padëshirueshëm dhe të papranueshëm.
EULEX-in nuk kanë mundësi ta dëbojnë nga Kosova ata që e kanë nënshkruar praninë e tij sunduese në Kosovë. Ata do të mundohen ta bëjnë këtë, por nuk e bëjnë dot pa mbështetjen gjithëpopullore.

Përkrahja e mëtejme e EULEX-it nga autoritetet qeveritare të vendit tonë, do ta degradojë edhe më tej pavarësinë dhe do ta rrisë deri në maksimum zemëratën e ligjshme të popullit, e cila nëse lejohet të shpërthejë, kësaj radhe nuk do ta përfshijë vetëm Kosovën, por të gjithë shqiptarët në Ballkan, të cilët dashur pa dashur do të veprojnë si komb, me një strategji unike mbarëkombëtare, ashtu sikur kishin vepruar në Kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Në Kongresin e Lushnjes dhe në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar kundër deklaratës së ministres, Donika Shvarc

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar në deklaratën e ministres së  Jashtme, Donika Shvarc, …