Tradhetia

Ahmet Qeriqi: Hakmarrja shqiptare kundër bashkëpunëtorëve të regjimeve të huaja, nuk ka ngjashmëri me Mosadin hebraik, ajo është autentike

Idealizmi shqiptar i  kulmuar në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare i ka vënë bazat e   Shqipërisë etnike, unike  në përmbajtje dhe ideologji  autentike.

Për dallim nga Mosadi hebraik, një organizatë hakmarrëse, e cila veproi, jo pa sukses pas Luftës së Dytë Botërore,  në likuidimin dhe ekzekutimin pa gjyq të nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, “hakmarrja shqiptare” ka  bazën e vet dokesore, e cila ka vepruar dhe vepron në forma dhe metoda të veta, krejtësisht autentike.

Kjo hakmarrje nuk ka të bëjë me asnjë segment  me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as me ShIK-un, as me ndonjë organizatë tjetër, sepse hakmarrja shqiptare është e llojit të vet, është “auto da fe” dhe shtrihet në të gjitha trevat etnike që nga lashtësia e deri më sot, natyrisht me specifika dhe gjithnjë në rrethana të caktuara, në kohën dhe hapësirën e veprimit. Me këtë rast nuk është fjala për hakmarrjen që lidhët me gjakmarrjen, por me një hakmarrje ndryshe, vetanake, kundër të keqes, kundër robëruesve, kundër bashkëpunëtorëve të ish regjimeve, kundër dhunuesve e mujsharëve.

Kjo formë e veçantë veprimi, prezantohet me konstatime paragjykuese si këto:

Ja kajtën  nanën, shkoi si qeni në rrush!.

Kurrë  e përjetë mos u zbulohet kush ia ngrehi gishtin.

Shkoi gjak hupës, kurrë mos u ditë ai që ia qëndisi ballin.

Hallall i koftë atij që ia rrasi barkun barot, nuk di qysh e duroi Zoti deri tash atë shpirtzi.

Formulime të tilla analoge, gjenden kudo në të folmen e shqiptarëve, kur është fjala për një vrasje apo hakmarrje, në një rast për të cilin thuhet se i fle plumbi, moti e ka lypë dhe tash e paska gjetë, etj.

Këto janë formulime unike dhe nuk kufizohen vetëm me vrasjet me moh, apo vrasjet për hakmarrje, mirëpo derisa  nuk dihet dhe kur nuk gjendet dorasi, ato hyjnë në mesin e rasteve të pandriçuara, të cilat me shumicë nuk mund të zbulohen, nëse vrasësi ka vepruar vetë, dhe, nuk i treguar asnjë njeriu.

Rastet e tilla nuk kanë të bëjnë, me këto për të cilat po shkruajmë.

Nuk ka ndodhur kurrë që vrasjet e tilla, të cilat edhe njihen si vrasje me moh të zbulohen, sidomos pas luftërave.

Ato  kurdoherë mbesin si raste të pandriçuara.

Rastet kur dikush ka vrarë tinëz një spiun, një milic, një spiun të regjimit të Milosheviqit, janë individuale, tipike shqiptare. Ato janë hakmarrje enigmatike, meqë ekzekutorët kryesisht i kanë kryer vetë veprat e tilla, apo  dy vetë dhe si të tilla ato nuk mund të zbulohen kurrë, sepse janë kryer për të mos u zbuluar.

Përpjekjet e qarqeve antishqiptare e veçmas të atyre që janë rreshtuar dhe punojnë, angazhohen e veprojnë kundër luftës së UÇK-së, që të gjitha vrasjet e pas luftës t’ i adresohen asaj janë krejtësisht të pabaza dhe krejtësisht të paragjykuara, pasi lufta e UÇK-së, nuk ishte hakmarrëse dhe veprimtaria e saj aktive përfundoi në gusht të vitit 1999, kur kjo forcë  vullnetare kombëtare u demobilizua, si rezultat i marrëveshjes me ndërkombëtarët.

Vrasjet e tilla, të cilat janë kryer nga individë anonimë, janë nxitur edhe me faktin se drejtësia e pas luftës në Kosovë nuk i ndoqi penalisht mercenarët e regjimit të Milosheviqit, fatkeqësisht  ajo nuk i ndjek as sot, dhe, për më tepër pikërisht këta mercenarë janë edhe dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë së Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Kjo Gjykatë në pamundësi për të identifikuar e arrestuar ekzekutuesit e këtyre vrasjeve gjatë dhe pas luftës, ka nxjerrë para gjyqit krerët e luftës, duke i trajtuar si “Ndërmarrje të përbashkët kriminale” të cilët paragjykohen se i paskan  urdhëruar vrasjet, por nuk zbulohen dot marrësit e urdhrave, meqë të tillë nuk ekzistojnë përveç ndonjë rasti të instruktuar nga regjimi i Beogradit si Nazim Bllaca,  spiun i Serbisë i futur në radhët e UÇK-së, që nuk është i vetmi, por janë edhe disa të tjerë.

Është fakt i pamohueshëm se në vitet e para të pas luftës në Kosovë, janë evidentuar  një numër individësh  të likuiduar në mënyrë të fshehtë, nga ekzekutues anonimë, të cilët vetë e kishin marrë drejtësinë në dorë, ashtu sikur në të gjitha regjimet e kaluara në robërinë Jugosllave, qysh prej vitit 1912.

Ky segment i hakmarrjes ka bazë dokesore dhe është i ngulitur  në traditën e mbijetesës jo vetëm te shqiptarët, por përgjithësisht te popujt që mbahen dhunshëm nën robëri.

Shembuj nga e kaluara:

Vrasjet prapa shpine me karakter hakmarrës kundër mercenarëve shqipfolës  ka pasur sidomos në kohën e regjimit monarkik jugosllav në trojet e pushtuara shqiptare. Asokohe për vrasje të tilla janë akuzuar:  Azem Bejtë  Galica dhe luftëtarët e tij,  pastaj Adem Ilaz Reçaku, Imer Devetaku, Hasan Alia, i njohur si Hasan  Remniku, Vëllezërit  Bajçinovci, Latë Voku, Shaqë Pirraku, Hajdin Hajdari,  dhe përgjithësisht luftëtarët e NDSH-së prej vitit 1945 deri në vitin 1951 e më tej.

Të gjithë ata që nuk ishin dorëzuar por jetonin maleve të Kosovës e të Maqedonisë, nuk i kanë kursyer spiunët, qofshin edhe denoncues të rastit, në kushte dhe rrethana të caktuara, sikur kanë vepruar kundër tyre,  Musli Dumoshi e Azem Jashanica.

Janë të shumta vrasjet e luftëtarëve të NDSH-së, në prita të kurdisura nga mercenarët, raste luftëtarësh të helmuar paraprakisht me ushqim, të tradhtuar nga miqtë e të afërmit. Nuk janë me dhjetëra por me qindra raste të tilla. Nuk janë zbuluar kurrë  vrasësi e Zekë Lumës nga Kraishta, i Rrahim Rexhës, Uruq Rrahmanit e mulla Hazirit të Krojmirit e shumë raste të tjera kudo në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto raste janë pjesë e ligjeve të jetës, janë hakmarrje, në rastet kur nuk vepron drejtësia, ligji, shteti. Andaj me kot po mundohet Gjykata Speciale të zbulojë raste, përveç atyre që i ka inskenuar vetë me hetuesit e  saj.

 

Vrasjet e pas luftës, vrasjet e paragjykuara si politike, kanë mundur të ndodhin edhe përbrenda llojit apo partisë së caktuar, për t u paraqitur si viktimë, sikur është rasti i inskenimit të atentateve e të tjera.

Këto vrasje janë dëme  anësore të luftës dhe nuk kanë ndodhur vetëm ndër ne.

Këto vrasje nuk i ka urdhëruar UÇK-ja, sepse ajo ka qenë një organizatë luftarake vullnetare, e cila ka pranuar në radhët e veta edhe bij e bija milicësh të regjimit titist, të cilët kanë shprehur gatishmëri  t’ ia bëjnë një argat atdheut e mbase edhe t’ ia lajnë fytyrën e familjes, ka të tillë që kanë  luftuar madje edhe kanë rënë dëshmorë.

 

Avokatët shqiptarë të të akuzuarve nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, në Hagë,  në kuadër të dëshmive e të dhënave  mbrojtëse në dobi të krerëve të UÇK-së  duhet të paraqesin edhe rastet e tilla analoge, sepse  fenomeni për të cilin po shkruajmë edhe pse ende i pastudiuar sa duhet,  ekziston dhe është pjesë e një tradite shumëshekullore, mbase edhe pjesë reaksionare e saj, por është  faktike dhe për këtë ka një mal  me fakte, jo vetëm në luftën e fundit të UÇK-së, por shumë më thellë në historinë e së kaluarës nën robëri.

Idealistë “të çmendur” që likuidojnë  tinëz, (pa dijen e askujt), spiunë e mercenarë,  ka pasur,  ka,  dhe do të ketë, sepse në vetëdijen dhe projeksionin e tyre  ky është një shpagim i fshehur, një paralajmërim, që do të duhej t iu rrinte te koka të gjithë atdhe-shiturve, apatridëve dhe mercenarëve të çdo kohe e epoke. Secili popull në botë që synon të mbijetojë, ka shpikur dhe shpik forma të veta të veprimit dhe vazhdimisht ia ka dalë dhe ia del.

Andaj mos gjurmoni kot, sepse nuk thuhet kot, se “secili njeri ka të fshehtën e tij për të cilën nuk flet nuk kurrë në jetën e vet”, atë e mbanë ngujuar dhe e merr me vete. Ka disa raste kur në momentin para vdekjes, janë pranuar vepra të tilla si shenj pendimi…

Është për ta marrë në konsideratë një publikim të politikanit dhe shkrimtarit serb, Vuk Drashkoviqit, i cili flet për vrasje të tilla, gjithnjë të pandriçuara. Ai thotë se  Legija  si skuadër vdekjeje,  vrau edhe shumë shqiptarë besnikë të Serbisë në mbarë Kosovën, dhe se këto likuidime janë bërë me qëllim që t’i atribuohen guerilës shqiptare dhe në Serbi për të ndezur pasionet e urrejtjes, hakmarrjes së verbër dhe histerisë së luftës?

Drashkoviq  tregon se gjatë marrjes në pyetje nga UDB-ja, më pyetën  se nga e dija se Sllobodan Millosheviqi urdhëroi pushkatimin e nxënësve serbë, se kreu i Udbës, Radomir Markoviq, zgjodhi JSO-në e Legija-s për të kryer krimin, se kjo skuadër vdekjeje vrau edhe shumë shqiptarë besnikë të Serbisë në mbarë Kosovën, dhe se këto likuidime janë bërë me qëllim që t’i atribuohen guerilës shqiptare dhe në Serbi të ndezur pasionet e urrejtjes, hakmarrjes së verbër dhe histerisë së luftës?

Rrëfimi tronditës i Drashkoviqit për rastin “Panda”: Pse u mora në pyetje nga prokuroria serbe?  6. 4. 2023 (Epoka e re)

 

Ahmet Qeriqi

Krojmir

Gusht 2022

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …