Muhamet Tërnava

Ahmet Qeriqi: Profesor, doktor, Muhamet Tërnava, historiani më i njohur shqiptar i Mesjetës

Më 6 shtator ka ndërruar jetë profesor, doktor, Muhamet Tërnava, historiani më i njohur shqiptar i Mesjetës, i pari ndër shkencëtarët e historisë, i cili me argumente e të dhëna të faktuara shkencore hodhi poshtë pretendimet e historianëve serbë, lidhur me përkatësinë e shqiptarëve të Kosovës,  në Mesjetë. Ai, pasi i kishte lexuar e studiuar me kujdes defterët e Turqisë  të Vilajetit Vëllk të vitit 1455, kishte arritur në përfundim se emrat e krishterë dhe përgjithësisht omonimet e kohës nuk ishin vetëm emra serbë e sllavë, sikur pretendonte historiografia sllave e serbe,  por në shumicë ishin emra e patronime të shqiptarëve të krishterë të Mesjetës. Duke zbuluar mbaresat gramatikore të mbiemrave, ai kishte arritur në përfundim se ata  me mbaresën, “i” i përkasin gjuhës shqipe, ndërsa ata me mbaresën, – iq, gjuhës sllave, si dhe ata me mbaresat -ov dhe -oviq  gjuhës së vjetër sllave e bullgare.

Duke u mbështetur në këtë zbulim gjuhësor, ai formuloi metodologjinë shkencore sipas së cilës,   trajta, Dimiter Dimitri ishte e gjuhës shqipe, trajta Dimitar Dimitriq apo Dimitrijeviq, ishte trajtë serbe sllave, Dimitar Dimitrov, trajtë e vjetër sllave e bullgare e kështu me radhë, me të gjithë emrat e pranishëm në defterët e kohës.

Në librin e tij, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” që ishte edhe temë e doktoraturës, Muhamet Tërnava i vuri bazën shkencore pranisë së elementit shqiptar në viset e Kosovës, në shtrirje diakronike e sinkronike, duke përfunduar se në vitin 1455 në trevat e Kosovës së sotme, popullata shumicë me 82 për qind ishte shqiptare, ortodokse,  pastaj popullata sllave serbe, etnoset e caktuara si vllahet, raguzianët, hebrenjtë, turqit, gjermanët  e të tjerë përbënin  jo më shumë se 18 për qind të popullatës së shënuar në defterët me rastin e instalimit të administratës turke, në Kosovë.

Për shkak të këtij zbulimi shkencor që dokumentonte praninë e pandërprerë historike të shqiptarëve në Kosovë, regjimi i kohës nuk ia lejoi që temën e magjistraturës ta mbronte  në Prishtinë, por u detyra ta mbronte në Zarë të Kroacisë.

Muhamet Tërnava ka lindur në vitin 1947 në Lismir, ish Dobërdub. Ishte djali i Mulla Ademit hoxhë i njohur dhe  me autoritet në këto anë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin e mbaroi në Prishtinë, ku ka kryer edhe studimet në degën e Historisë në Fakultetin Filozofik. Ka magjistruar  në Zarë dhe ka doktoruar në  Zagreb.

Ka marrë pjesë në demonstratat studentore  të vitit 1968. Ishte shok ideali me Jusuf Gërvallen me të cilin edhe ka mbajtur korrespondencë,  gjatë kohës së arratisë së tij,  në Gjermani prej vitit 1979 e deri në vitin 1981.

Shërbimi sekret serb e kishte gjurmuar dhe më në fund e kishte burgosur në nëntor të vitit 1981 kur edhe ishte dënuar me burg së bashku me veprimtarët: Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri.

Gjatë kohës së hetimeve në Burgun e Prishtinës, inspektorët e UDB-së i kishin inskenuar një prapaskenë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tij. Ata,  i kishin dërguar në qelinë e tij  një vozitës serb, i arrestuar gjoja për delikt në komunikacion. Serbi pas një kohe e kishte provokuar dhe  e kishte sulmuar duke ia përplasur kokën për radiatorin e qelisë. Pasojat e atij  sulmi, i cili i kishte prekur edhe një pjesë të ndjeshme të trurit  i ka vuajtur  gjatë kohës së burgut por edhe deri në fund të jetës. Pas daljes nga burgu në vitin 1983, iu mor e drejta e ushtrimit të profesionit dhe nuk iu lejua të punonte në arsim apo as në institucione. Për ta mbajtur familjen dhe për t’ i ndihmuar bijat të shkolloheshin ishte detyruar ta shiste tokën që e kishte trashëgim nga i ati.

Në vitin 1996, Instituti i Albanologjisë i kishte botuar veprën, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”,  e cila deri atëherë ishte trajtuar si vepër  e ndaluar dhe nuk kishte pasur mundësi të kontaktonte me studiuesit dhe lexuesit shqiptarë. Në parathënien e librit, punonjësit e Institutit Albanologjik i kishin kërkuar falje, që nuk kishin pasur mundësi ta ndihmonin me kohë, në kushte dhe rrethana që tashmë dihen.

DR. Muhamet Tërnava ka shkruar e ka botuar edhe shumë vepra të tjera, që hedhin dritë mbi të kaluarën shqiptare në Ballkan e më gjerë.

Pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia, për disa vite ka ligjëruar Historinë e Mesjetës në Fakultetin  e Historisë në Prishtinë.

Duke qenë i lënduar dhe me pasoja fizike nga burgu, i vetëdijshëm për gjendjen, prej lirimit  nga burgu në vitin 1983  e deri në vdekje  ka jetuar i tërhequr, por ka qenë tejet  mirëpritës, i sinqertë dhe i dashur   për të gjithë ata që e  kanë vizituar dhe me të cilët ka komunikuar.

Muhamet Tërnava është shembulli tipik i intelektualit të papërkulur shqiptar. Ka qenë i vetëdijshëm se zbulimi i tij shkencor  i kishte vulosur fatin tragjik të jetës dhe ardhmërisë, por kurrë nuk ishte thyer dhe nuk ishte penduar për veprat e tij në shërbim të shkencës shqiptare dhe kombit në përgjithësi.

Për mendimin tim, si shok i burgut,  me të cilin kam komunikuar  më shumë se askush tjetër, e them me bindje të thellë se Muhamet Tërnava ishte “Anjshtajni” i Historisë së Mesjetës shqiptare. Lexojeni veprën e tij me kujdes, zbulimin e tij gjuhësor, të cilin nuk e kishte vërejtur madje as Eqrem Çabej e Selami Pulaha dhe as studiues të tjerë  të mëdhenj shqiptarë të kohës, dhe,  do të bindeni se çfarë zbulimi epokal ka bërë Muhamet Tërnava.

Ishte stoik në jetë, shkencëtar i paanshëm dhe shumë i thellë në vrojtimet e tij studimore, bashkëshort, vëlla,  baba i dashur për bijat, gjysh i nderuar për nipat e mbesat, i paharrueshëm për të afërmit dhe shokët e idealit.

Për jetë qoftë i pa harrueshëm kujtimi për Muhamet Ternavën!

 

 

Dr. Jahja Drançolli: Veprat dhe studimet shkencore të dr. Muhamet Tërnavës

 

Studiuesi, Muhamet Tërnava me sukses të shkëlqyeshëm ka mbrojtur tezën e megjistraturës: “Diplomat cirilike të rëndësishme për historinë Mesjetare të Kosovës” (1974), si dhe tezën e doktoratës me titull: “Stanovništvo Kosova XIV-XVI” (”Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”, 1977), Këto vjelje rezultatesh erdhën pas një përpjekjeje të madhe të bërë kryesisht nëpër arkivat e bibliotekat e Parisit, Sorbonës, Beogradit, Shkupit, Tiranës, Zarës, Dubrovnikut, e ndonjë tjetër.

Prof. dr. Tërnava arriti të behej një ndër studiuesit më seriozë të mesjetës me objekt studimi popullsinë e Kosovës. Gjatë aktivitetit të tij shkencor ka bashkëpunuar me revista shkencore të vendit dhe të huaja.

Ka marrë pjesë në konsultime shkencore, tryeza, simpoziume, kongrese shkencore të vendit dhe të huaja. Prof. dr. Muhamet Tërnava është autor i një sërë monografive, punimeve shkencore e artikujve nga historia mesjetare.

Studimet: “Shqiptarët në feudin e Deçanit” (Prishtinë: Buletin i Fakultetit Fiolozofik, 1974); “Migrimet e popullsisë në territorin e sotëm të Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” (1978); Shqiptarët në qytetet e Kosovës në shekujt XV-XVI (Tiranë: Studime Historike No. 2 1979);

“Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës deri në fund të shekullit të XVII (Prishtinë: Gjurmime Albanalogjike, Seria e Shkencave Historike, IX, 1979); “Kontribut i çështjes së pranisë dhe të asimilimit të vllehëve në Kosovë në shekujt XIV-XIV” (Prishtinë: Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike. – Nr. 10/1980, 1981); “Prizreni gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI” (Prishtinë: Kërkime historike, ASHAK, 1980/81); “The Population of Kosova during the XIV – XVI Centuries” (“The Voice of Truth”, V, 15 No. 1, qershor, 2002); “Bellasica gjatë shekullit XVI” (Prishtinë: Gjurmime albanologjike: seria e shkencave historike. – Nr. 35, 2005); ”Vakëfet në Kosovë gjatë shekujve XV-XVI” (Prishtinë: 2006), e ndonjë tjetër.

Kontribut të çmueshëm për demografinë e historike të Kosovës paraqet, teza e tij e disertacionit në kroatishte. I njëjti është botuar në shqip me titull: “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” (Prishtinë: Instituti Albanologjik, 1995). Veç kësaj, duhet përmendur edhe përmbledhjen e studimeve me titull: ”Studime për Mesjetën” (Pejë: “Fryma”, volume 37, Dukagjini), si dhe monografinë tjetër “Kaçaniku me rrethinë deri në Luftën e Dytë Botërore” (1995). Gjithashtu janë të njohura edhe studime dhe punime të tija shkencore e profesionale, si: “Diskurs i shkurtër nga toponimia, betejat e Kosovës gjatë shekujve XIV-XV dhe vendosja e atëhershme e pushtetit turk në Dardani-Kosovën e shek. XV”; “Arbneshi i Zarës në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX”, si dhe vepra të tjera.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …