Ahmet Qeriqi: “Kalvari” i Martin Çunit një rrugëtim pambarim...

Ahmet Qeriqi: “Kalvari” i Martin Çunit një rrugëtim pambarim…

(Fjala e Ahmet Qeriqit në përurimin e librit, “Feniks në Kalvar”  dhe përmbledhjes poetike, “Atdheu e poeti”, më 23. 11. 2019)

I nderuar autor i librit publicistik dokumentar,  “Feniks në Kalvar”,  dhe i përmbledhjes poetike, “Atdheu e poeti”, zotëri Martin Çuni, të respektuar pjesëmarrës në përurimin e këtij libri!

Martin Çuni ka qenë dhe po mbetet emër mjaft i njohur në historinë më të re të Kosovës sidomos prej vitit 1981, kur me fakte e dëshmi arsyetoi kërkesën plebishitare të rinisë dhe popullit për krijimin e Republikës së Kosovës dhe barazisë së saj në federatën jugosllave, si hap strategjik drejt bashkimit të kombit.

Letra e hapur që ai i kishte dërguar drejtorit të gazetës “Borba” në Beograd, që ishte organ zyrtar i ish RSFJ-së, edhe pse letër publike ku prezantohej opinioni i tij, u bë shkak që ai të arrestohet dhe të dënohet fillimisht tetë vjet burg e më pas edhe një vit gjatë vuajtjes së dënimit. Realisht, Martin Çuni kishte qenë i organizuar në radhët e ilegales, por në radhë të parë akuzohej pse publikisht kishte arsyetuar krijimin e Republikës së Kosovës.  Prej asaj kohe e deri tani, në moshën 70-vjeçare, Martin Çuni ka qenë pjesë përbërëse e të gjitha lëvizjeve kombëtare deri në luftën finale të UÇK-së, ku ishte redaktor dhe reporter i luftës në Radion Kosova e Lirë, por edhe luftëtar në front, sipas nevojës e momentit në kushte dhe rrethana lufte.

Detyra që i kishte vënë Martin Çuni vetës në luftën e UÇK-së ishte shumë më  e ngarkuar  se ajo që kërkohej prej tij, qoftë nga Brigada 121, Ismet Jashari-Kumanova, qoftë nga Radio-Kosova e Lirë. Përveç luftëtar dhe reporter në zonat e luftës, prej Anadrinit, Dukagjinit, Drenicës e Shalës, ai në fillimin e punës së Radios-Kosova e Lirë ishte dhe teknik i transmetimit, montues, redaktor e gazetar. Dhe jo vetëm  këto dhe jo vetëm kaq. Martini ishte kudo, në stafin e Radios dhe Agjencisë, në mesin e ushtarëve dhe eprorëve, në mesin e popullatës së zhvendosur në zonat e luftës, gjithnjë i rrezikuar qoftë duke shkelur në fushat e minuara që kishte vendosur armiku, ku njëherë edhe kishte rënë të to, qoftë nga plumbat që kurrë nuk dihej nga ku vinin, sepse ata zbrazeshin nga të gjitha anët.

Aktiviteti gjatë luftës i Martin Çunit ka qenë i gjithanshëm dhe vështirë është të gjendet një i dytë, që mund të krahasohet me Martinin për nga dimensioni i angazhimit dhe aktivitetit në shërbim të pandërprerë, ditë as natë, në luftën e UÇK-së.

Dëshmi për të gjitha këto dhe shumë të tjera, të cilat nuk përmenden dot me një fjalë rasti, sikur është kjo kur po i përurojmë dy librat e tij, jemi ne të gjithë bashkëluftëtarët, janë qindra ushtarë, eprorë e pjesëtarë të popullatës së zhvendosur, është arkivi i botuar i Radios në 3 vëllime, janë librat e tij të botuara pas luftës, janë rreth 1000 foto autentike të kohës së luftës, të cilat i ka filmuar  me aparatin e tij fotografik në zonat e luftës, është diktafoni i tij gjatë luftës,  i cili ka regjistruar qindra biseda me luftëtarë e eprorë. Është edhe kallashi… të cilin e ka shkrehur sa e sa herë në frontet e luftës…

Tërë kjo krijimtari ka dalë dhe po del në dritë, me financa modeste të autorit dhe donatorëve,  pa asnjë përkrahje të institucioneve të Kosovës, të cilat verbalisht thirren në emër të luftës dhe mbrojtjes së vlerave të saj, por kur duhet vepruar konkretisht, ato për një çast heqin maskën dhe shfaqen ashtu si janë dhe sikur kanë qenë dikur.

Disa vite më parë, Ministria e Kulturës kishte financuar  shfaqjen e një pjese teatrale të një regjisori me 22.000 euro, ndërkohë që për shfaqjen  premierë ishin shitur vetëm 3 bileta dhe natyrisht se shfaqja ishte anuluar. Askush, asnjëherë nuk dha llogari për atë dështim që është më i  vogli në radhën e dështimeve të tilla. Ministria e kulturës ka ndihmuar  dhe ka financuar filma ku fyhet, përbuzet deformohet e  diskreditohet lufta e UÇK-së.

Asnjë vepër e Martin Çunit dhe e dhjetëra autorëve që kanë botuar vepra me tematikë të luftës së UÇK-së,  nuk është financuar nga institucionet e Kosovës, përveç në rastet kur autorët kanë pasur të njohurit e tyre në Qeveri, ndërsa janë financuar dhe blerë vepra të autorëve që nuk i njeh as familja e vet dhe lërë më opinionin lexues  në Kosovë e më gjerë. Edhe libri, “Feniks në Kalvar” me reportazhe, biseda në frontet e luftës, intervista, informacione e artikuj  publicistikë është ndihmuar me mjete modeste nga disa donatorë.

Në këtë vepër voluminoze, shumica e shkrimeve janë ribotim i librit me titull; “Reportazhe lufte” ku autori ka përmbledhur reportazhet, bisedat e  intervistat, që i ka realizuar në frontet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej fillimit të janarit të vitit 1999, ku edhe ka filluar transmetimin Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress e deri më 21 qershor të po atij viti, si dhe disa intervista pas luftës.

Duke lexuar me kujdes këto krijime publicistike, ju do të kuptoni se Martin Çuni ka depërtuar nga një zonë e luftës në zonën tjetër, lexuesi do të njihet me  mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë sajuar ato biseda, vështirësitë, rruga nën breshërinë e armës së armikut e shpeshherë edhe lufta e drejtpërdrejtë, në front. Për të realizuar një intervistë në zonat e luftës në Shalë,  apo në  Drenicë, ka rrugëtuar këmbë, jo vetëm disa orë, por me ditë të tëra, në borë e në acar dimri. Por gjatë atij rrugëtimi ai ka kryer detyrën e luftëtarit të lirë me kallash në dorë.

Ka rastisur që gjatë intervistës të kenë filluar luftimet dhe Martini  ka shkrehur armën, duke mos gjetur  kohë as aq sa për ta shkyçur diktafonin, sepse në raste të tilla, ai, para së gjithash ishte luftëtar i lirisë.  Në librin “Feniks në kalvar”, janë prezantuar shumë materiale faktografike biseda me ushtarë, intervista me eprorë dhe me ushtarë, biseda në familje të dëshmorëve, biseda me luftëtarë, tani dëshmorë të kombit, reportazhe në mesin e popullatës së zhvendosur…

Të gjitha këto krijime ruajnë në vetvete vlera të shumëfishta dokumentare e artistike e mbi të gjitha janë burim i pazëvendësueshëm i faktografisë dhe i informatikës të luftës sonë çlirimtare. Diktafoni i Martin Çunit në frontet e luftës sonë për liri, ka regjistruar zhvillimet autentike në terren. Në kasetat e diktafonit janë ruajtur zëra të çlirimtarëve, zëra luftëtarësh tani dëshmorë lirie, zëra pjesëtarësh të familjeve të dëshmorëve, që më vonë kanë pësuar nga katrahurat e luftës, zëra të nënave e të motrave tona, zëra fëmijësh e nxënësish të luftës. Në celuloidin e kamerës së tij digjitale më shumë se 1000 herë është stopuar koha, për të regjistruar më shumë se 1000 fotografi në të gjitha vend-luftimet në Kosovë.

Libri “Feniks në Kalvar”, është një pasuri tjetër dokumentare artistike e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po del në dritë, për së dyti, 20 vjet  pas mbarimit të luftës. Me botimin e këtij libri vazhdon të pasurohet fondi artistik e dokumentar i publicistikës së luftës të UÇK-së, pavarësisht injorimit që u bëhet librave të kësaj tematike e përmbajtje, nga institucionet e Kosovës.

Martin Çuni nuk do të ndalet në rrugë për ta zbardhur luftën e UÇK-së, të vërtetën e saj të pamohueshme dhe për t’ ia dhënë lexuesit shqiptar krejt ato dëshmi, për luftën dhe heroizmin, në kohën kur ajo luftë dhe ai heroizëm po atakohet pa mëshirë edhe nga mujsharët e Evropës, me qëllim të denigrimit e devalvimit, në mënyrë që popujt e tjerë të robëruar, si baskët, katalunjasit, magjarët e Erdelit në Rumani dhe në Vojvodinë, myslimanët e Sanxhakut,  vllehët e Timokut në Serbi, arvanitasit e Greqisë, sicilianët, venetët,  të mos ngrenë krye, të mos formojnë ushtri çlirimtare, të rrinë urtë e butë, sepse çdo luftë e tillë do të shpallet terroriste, sepse rendi i sotëm botëror konsideron se shteti ka të drejtë të mbrohet me forcë dhe shansi për çlirim është vetëm në tavolinë të bisedimeve dhe  me kompromis, gjithnjë duke i dhënë të drejtë atij që është më i fortë. Rasti i intervenimit të NATO-së kundër Serbisë ishte krejt i veçantë dhe ka ndodhur vetëm njëherë për fatin tonë dhe në 50-vjetorin e themelimit të Aleancës Veri-atlantike.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …