leoni

Ahmet Qeriqi: Komunistët shqiptaro-jugosllavë bij besnikë të Titos edhe pas Titos I

Ahmet Qeriqi: Komunistët shqiptaro-jugosllavë bij besnikë të Titos edhe pas Titos  I

 

Periudha gati 50-vjeçare e sundimit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi kishte shumë dallime dhe specifika, të cilat ishin sa ideologjike po aq edhe politike.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, komunistët shqiptarë, idealistë të Revolucionit proletar, ishin më të ngritur politikisht dhe ideologjikisht, ndërsa, çuditërisht, komunistët jugosllavë, me prejardhje nga borgjezia e fuqishme antikomuniste e Mbretërisë Serbe Kroate Sllovene, (MSKS) ishin më liberalë në pikëpamjet e tyre politike e ideologjike, por shumë të rafinuar në pikëpamjet e tyre nacionaliste e shoviniste. Ata, sa i përket zgjidhjes së çështjes kombëtare ishin shumë më konservativë sesa Socialdemokracia serbe e viteve të MSKS. Komunistët jugosllavë u unifikuan rreth programit  për ruajtjen me çdo kusht të tërësisë territoriale të Jugosllavisë së Versajës, edhe pse ishte shtet prodhim i Evropës imperialiste dhe Rusisë Cariste. Ata ecën në rrugë drejt konvertimit të nacionalizmit serbomadh nën maskën e komunizmit dhe proletariatit. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se edhe në kreun e Partisë Komuniste Jugosllave kishte ndonjë komunist idealist, progresiv dhe me bindje të forta internacionaliste, por shumica dërrmuese e tyre i mbeti besnik idesë së  unifikimit pansllav, jo mbi pikëpamje të vërteta marksiste leniniste, por mbi pikëpamje thjesht borgjeze, të kamufluara me retorikën komuniste.

 

Disa prej kuadrove komuniste jugosllave, morën përsipër organizimin e Lëvizjes Antifashiste, jo vetëm në Jugosllavi, por  në nivel të Ballkanit, me pretendime që Partia Komuniste e Jugosllavisë, të ishte qendra e komunistëve në Ballkan. Dhe kështu do bëhej po të mos e kundërshtonte këtë teori vetë Stalini, i cili me kohë kishte vërejtur se komunistët e Titos ishin revizionistë dhe jo marksistë e aq më pak leninistë.

Partia Komuniste e Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën, në asnjë periudhë nuk ka qenë besnike e koncepteve të marksizmit jugosllav, edhe pse në kushte dhe rrethana të caktuara, ajo u gjend përballë një presioni të fuqishëm, sidomos nga komunistët jugosllavë si: Svetozar Vukmanoviq Tempo, Dushan Mugosha, Milladin Popoviq e të tjerë, të cilët në vazhdimësi bënin përpjekje për ta vënë nën kontroll të plotë PKSH-në, sidomos vijën ideologjike të Enver Hoxhës, i cili konsiderohej nacionalist dhe asokohe të vetmen shpresë kishte Bashkimin Sovjetik, edhe pse rusët gjatë luftës së Dytë Botërore po thuajse nuk e ndihmuan fare Shqipërinë, duke menduar se PKSH ishte e lidhur ngushtë me PKJ-në, dhe kishte nevojë për ndihmë politike apo ushtarake, edhepse Shqipëria ishte çliruar me forcat e veta, pa ndihmën e Armatës së Kuqe. Për më tepër ajo kishte marrë pjesë ushtarakisht në çlirimin e viseve të Kosovës Sanxhakut, e Bosnjës, duke ndjekur nga prapa ushtrinë gjermane, në tërheqje.

Pavarësisht shkresurinave dhe marrëzive që fliten e shkruhen me qëllim për ta damkosur tërë PKSH-në e sidomos Enver Hoxhën faktet, argumentet, dokumentet flasin ndryshe. Është një e vërtetë e pamohueshme se sidomos prej vitit 1944, PKSH-ja nuk e shihte PKJ-në si aleate, as si një parti motër, por thjesht si një parti e cila pretendonte me çdo kusht ta gllabëronte PKSH-në, me këtë edhe shtetin shqiptar, me qëllim që Shqipëria të shpallej Republikë jugosllave.

 

Meqë ky shkrim nuk ka të bëjë me thelbin e marrëdhënieve mes këtyre dy partive, nuk do të afishoj fakte e dokumente të cilat dihen, por do të ndalem në një problem të veçantë në marrëdhëniet e komunistëve të Kosovës me Tiranën dhe Beogradin.

 

Komunistët shqiptarë të Kosovës, nuk iu bashkuan Partisë Komuniste të Shqipërisë, meqë Kosovën dhe viset e pushtuara shqiptare nga Jugosllavia monarkike i konsideronin se pjesë të Jugosllavisë, të cilën e kishte okupuar Italia e më vonë Gjermania. Ata, meqë nuk e kishin pranuar regjimin italo-shqiptar, do të vepronin sipas platformës së PKJ-së, e cila në programe e rezoluta të ndryshme mbështetej mbi parimin leninist të së drejtës së kombeve për  Vetëvendosjes dhe kishte proklamuar se pas luftës dhe fitores kundër fashizmit, vetë popujt do të vendosnin për fatin dhe ardhmërinë e tyre. Bazuar në këtë platformë dhe në mbështetje që i dha PKSH-ja, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt Konferenca e Bujanit, e cila nxori një Rezolutë, lidhur me Vetëvendosjen e Kosovës pas çlirimit nga Italia dhe Gjermania fashiste.

Kjo rezolutë u shfuqizua nga komunistë jugosllavë dhe ata të Kosovës, në gusht të vitit 1945 dhe u përkrah ideja që Kosova dhe viset shqiptare të mbeteshin sërish nën Jugosllavinë e Versajës, të cilën e kishin ruajtur me besnikëri komunistët e Titos, Rankoviqit, Kardelit e krerëve të tjerë jugosllavë. 

PKSH- ja, asnjëherë dhe në asnjë dokument nuk mbështeti Konferencën e Prizrenit, por as kishte mundësi të ndërhynte dhe të kërkonte respektimin e Rezolutës së Bujanit.

Gjatë vizitës në Jugosllavi, në vitin 1946, Enver Hoxha ia kishte përkujtuar Titos Rezolutën e shkelur të Bujanit, por kishte marrë përgjigje mashtruese e cinike se nacionalizmi serb në radhët e komunistëve ishte shumë i fortë dhe i pamundshëm për hapjen e çështjeve të tilla.

 

Konferenca e Prizrenit dhe ri-mbetja e trojeve shqiptare në tri republikat e Jugosllavisë, në Serbi, Maqedoni, (shtet me popullsi bullgare, të konvertuar në maqedonas, që  krijua në vitin 1945) dhe Malit të Zi, bëri që PKSH dhe PKJ gjatë tërë historisë së ekzistencës e deri në kohën e shpërbërjes së republikave socialiste në Jugosllavi dhe rënies së regjimit komunist  në Shqipëri, të ishin thellë e më thellë të armiqësuara.

Në këtë armiqësi, që ishte vazhdim i armiqësisë 13 shekullore sllave shqiptare, komunistët shqiptarë, të cilët dashur pa dashur pranuan të jetojnë nën Jugosllavi, u mbështetën verbërisht në programin e PKJ, më vonë të LKJ- dhe çuditërisht i qëndruan besnikë titizmit, madje edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë deri tani kur kanë kaluar  16 vjet e më shumë pas luftës për çlirimin e Kosovës nga dhuna barbare, kolonialiste e hegjemoniste serbe.

 

Ky fenomen, i pranishëm në Kosovë nuk është studiuar sa duhet për të mos thënë se nuk është studiuar fare.

 

Bashkëjetesa e dhunshme e shqiptarëve me sllavët përgjithësisht, veçanërisht me serbët, ka dhënë rezultate degraduese, degjeneruese, të cilat kanë qenë dhe po mbesin pengesë jo vetëm për bashkimin e natyrshëm të shqiptarëve me Shqipërinë, por po e pengojnë edhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, meqë lidhja e fuqishme ideologjike 70-vjeçare, ka prodhuar një klasë të klonuar politike dhe ideologjike shqiptare-serbe, apo kosovare-serbe, e cila po bëhet pengesë e rrezikshme në rrugë për mbijetesën e Republikës së Kosovës dhe perspektives së bashkimit të kombit me një shtet të vetëm.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …