Brickos

Ahmet Qeriqi: Kosova ishte ripushtuar nga Jugosllavia qysh në shkurt të vitit 1945, nuk kishte nevojë të aneksohej nga Serbia

Ahmet Qeriqi: Kosova ishte ripushtuar nga Jugosllavia qysh në shkurt të vitit 1945, nuk kishte nevojë të aneksohej nga Serbia

Në Kuvendin e Prizrenit, të mbajtur më 8, 9 e 10 korrik të vitit 1945, u shfuqizua Rezoluta e Kuvendit të Bujanit e fillim vitit 1944, e cila ishte proklamuar nga partizanët shqiptarë e disa serbë, duke u mbështetur në të drejtën e kombeve për Vetëvendosje, pas Luftës së Dytë Botërore.  Rezoluta e  Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, mbajtur më 23 korrik 1945 dhe ajo e Serbisë  më 1 shtator të po atij viti 1945 ishin vetëm farsa, për të konfirmura se vetë delegatët shqiptarë kishin votuar për ri mbetjen e Kosovës në Jugosllavi e nën Serbi, në të cilën Kosova përkufizohej  pjesë përbërëse e kësaj republike.

Me këto akte nuk është bërë aneksimi, sepse Kosova dhe viset shqiptare të riokupuara, nga RSFJ, ishin ripushtuar qysh në fillim të vitit 1945. Anulimin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit dhe rikthimin e Kosovës nën Jugosllavi e kishin nënshkruar shumica e delegatëve, të cilët e kishin nënshkruar edhe Rezolutën e Kuvendit  Bujanit,  në mesin e tyre Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhavit Nimani,  Ali Shukriu  e shumë të tjerë. I Vetmi delegat shqiptar që nuk e kishte nënshkruar deklaratën ishte,  Ramiz Cernica.  Disa nga nënshkruesit, si Rifat Berisha, Xheladin Hana e të tjerë,  u ndoqën u arrestuan u dënuan me burg të rëndë  dhe u likuiduan nga OZN-a jugosllave.

Prej 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar të vitit  1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Tropojës, është mbajtur Konferenca, në përpjekje për ta afirmuar të drejtën e kombeve për vetëvendosje pas luftës kundër forcave fashiste italiane e gjermane. Po ashtu kjo konferencë mund të interpretohet edhe si rezultat i  mos përfshirjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS-së në  vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ –it, që ishte mbajtur  në Jajce, më 29-30 nëntor të 1943 ku Kosova nuk ishte përfshirë si entitet i veçantë etnik territorial, por ishte trajtuar si pjesë e Malit të Zi.

Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, ku ndodhej edhe  Shtabi i UNÇ-së të Kosovës të Komitetit Krahinor për Kosovë dhe  Rrafsh të  Dukagjinit. Në Konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste.  Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar) ish-Prefekt i Gjilanit, Pavle Joviçeviq, nënkryetar, Tefik Çanga, sekretar, ndërsa anëtarë u zgjodhën: Xheladin Hana Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha, Milan Zeçari dhe Ali Shukriu.

Rezoluta e Konferencës së Bujanit

Në rezolutën e kësaj konference thuhej: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist. Më poshtë në rezolutë theksohej se Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit fashist është e vetmja rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi të  vetëvendosë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garant për këtë është UNÇ i Jugosllavisë dhe UNÇSH i Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit). Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndiejmë për detyrë t’a vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë.

Disa mendime e vlerësime për Konferencën e Bujanit

Në vitin 1946, Josip Broz Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane “Associated Press” se Kosova dhe territore të tjera shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë. Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në bashkimin jugosllav. Edvard Kardel, me rastin e vizitës së tij në Moskë i kishte thënë Stalinit se Kosova do t’i jepet Shqipërisë, me luftën e tyre kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij.

Në punimet Konferencës së Bujanit mori pjesë edhe përfaqësuesi i misionit anglez, major Baily, i cili kishte falënderuar  për ftesën. Ai kishte thënë: Kam pasur kontakte me shumë njerëz me botëkuptime të ndryshme politike. Lëvizja Antifashiste është e vetmja lëvizje që lufton kundër armikut të përbashkët-fashizmit.

Shaban Demaliaj- Komandant Haxhia, mbrojti me vendosmëri vendimet e Konferencës së Bujanit. Për shkak të qëndrimit pro Konferencës më vonë  u goditën dhe u eliminuan edhe shokët e tij të ngushtë, si:  Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha. Në studimin e tij, për Kosovën, shkruar, më 11 shkurt 1949 ai thotë: “Në lidhje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë dua të theksoj : Këtë aspiratë, dëshirë e ka në shpirt çdo shqiptar. Është dëshira më e madhe e tyre, dëshirë që vlon në zemrat e shpirtin e tyre. Nuk është një dëshirë që ka dalë pas Rezolucionit të Byrosë Informative, por ka qenë shumë kohë përpara, është sot e nesër… do ta ruajë çdo shqiptar në shpirt deri në vdekje. Bashkimin me Shqipërinë e quan si gjënë më të shtrenjtë dhe e pret me padurim. Ndonëse nuk mundet të flasë, të shprehet hapur nga frika, e ka në shpirt sot e përgjithmonë. Shumica e popullit shqiptar në Kosovë është i gatshëm të luftojë për t’u bashkuar me Shqipërinë”.

Fadil Hoxha në kujtimet e tij që u botuan, më 2010 thotë se Mbledhja përgatitore është mbajtur në fshatin Gri, në shtëpinë e Mal Sadikut… Deri në drekë i kam lexuar materialet, ndërsa pasdite kemi filluar të debatojmë për to, pastaj në darkë kam shkuar te kulla e Sali Manit. Ai thotë se  “në Konferencë kanë përshëndetur komandantët e batalioneve “Baram Curri” e “Perlat Rexhepi”, Shaban Haxhia e Sadik Bekteshi. Deri tani është thënë në të gjitha studimet se ka përshëndetur vetëm Sadik Bekteshi dhe është lënë në harresë, me qëllim Komandanti i batalionit “Bajram Curri”, Shaban Haxhia.

Ndër të parët që e priti si delegat Xhevdet Dodën ishte Shaban Haxhia. Xhevdet Doda i kujtonte me respekt nënat partizane të Malësisë së Gjakovës. Në kullën e Shaban Haxhisë, ku qëndroi për disa ditë, ai e quajti Nënë Havën, nënën e Shaban Haxhisë,  “ një grua burrneshë”, “burrë e shkuar burrave”.

Disa nga pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit u vranë gjatë dhe pas luftës. Nga nënshkruesit e Konferencës janë vrarë: Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Tefik Çanga, Qamil Brovina, Xheladin Hana.

 

Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj u shfuqizua më 8 korrik të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazez, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë në Jugosllavinë e Versajës, meqë komunistët jugosllavë e kishin ruajtur tërësinë territoriale të Jugosllavisë monarkike dhe u kishin mohuar shqiptarëve të drejtën për Vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …