Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kosova nuk mund të bëhet Izrael, sikur mendojnë disa mendje-çjerrë e trutharë

Njohja e kushtëzuar e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, ka bërë që disa mendje-shthurur shqiptarësh, ta shohin Kosovën si  njëlloj Izraeli  për popujt e Ballkanit në të ardhmen.

Por krejt e ndryshme është historia e Izraelit dhe e Kosovës. Historia e Kosovës ka ngjashmëri me atë të Palestinës, por tani nuk e ka edhe fatin e njëjtë. Sepse kjo pjesë territoriale e Shqipërisë, që quhet Kosovë i përket trungut historik, shqiptar, dardan ilir dhe është po ashtu e vjetër sa edhe historia e Palestinës.

Izraeli është një shtet hebre, i cili është krijuar në vitin 1948 me ndihmën e Anglisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rikthimi i hebraikëve në vendlindjen e tyre ishte akt historik, kombëtar, krejtësisht i arsyeshëm, duke pasur parasysh tragjeditë, eksodet dhe krimet e tmerrshme që kishin përjetuar si popull, në vendin  e tyre dhe në shumë shtete të botës, nga popujt fqinje dhe disa nga shtetet më të mëdha të Evropës e botës.

Shqiptarët në trojet e tyre etnike kanë historinë shumëshekullore të qëndresës, qysh prej  kohës së perandorive nga ajo e Romës, Bizantit, Sllavëve në Mesjetë, Turqisë, pastaj  sërish të sllavëve dhe Fuqive të mëdha të Evropës, në shekullin 20-të.

Analogjia e Kosovës  me Palestinën, ishte e njëjtë me pushtimin e Kosovës dhe viseve shqiptare nga Serbia dhe shtetet sllave, por nuk ka kurrfarë analogjie me Izraelin.

Dallimi qëndron në faktin se kemi qenë populli më i madh numerikisht në Ballkan dhe i kemi mbijetuar të gjitha katrahurat historike, shpërnguljet e dhunshme, dyndjet katrahurat, ashtu si kemi ditur dhe si kemi mundur, në kushte dhe rrethana të caktuara historike.

Ne nuk kemi pushtuar toka të fqinjëve grabitqarë, as kemi bërë përpjekje të kthehemi  atje nga ku na kanë dëbuar, as kemi synime të tilla, jo vetëm sepse nuk mundemi, por sepse udhëhiqeni nga parimet e maturisë njerëzore, se e kaluara nuk mund të ndreqet, sidomos jo me dhunë dhe jo duke vrarë e shfarosur pjesëtarë të kombeve të tjera.

Ky fakt na bën të kuptojnë se Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Izraelin, i cili e pranoi pavarësinë e Kosovës, jo nga dëshira e vullneti, por nga presioni amerikan dhe përfitimet që pati nga politika nënshtruese e Kosovës, si administrata e Trumpit ashtu edhe shteti i Izraelit, duke treguar gatishmëri për vendosjen e ambasadës, në Jerusalem dhe jo në Tel Aviz, atje ku janë të gjitha ambasadat e shteteve të botës, përveç Amerikës të kohës së administratës së kryetarit, Donald Trump.

Fakti se krerët e Palestinës ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, nuk do të thotë se në të ardhëm nuk do ta pranojnë, ashtu sikur nuk e kishte pranuar pavarësinë e vendit tonë Izraeli për 14 vjet, por tani e pranoi dhe ashtu sikur nuk e ka pranuar dhe as e pranon këtë pavarësi Vatikani, por e ka pranuar Italia ndër shtete t e para  dhe shumica dërrmuese e shteteve të Evropës.

Po kështu duhet bërë dallim mes kreut të një shteti, që ka interesa të caktuara politike, strategjike e diplomatike dhe popullit shumicë, që vuan pasojat e një politike të tillë.

Askush në Kosovë nuk merr në mbrojtje  veprimet luftarake të Hamasit sepse ajo është palë ndërluftuese, por nuk mund të jesh indiferent kur forcat izraelite përdorin të njëjtat metoda çnjerëzore që ka vënë në veprim makineria barbare e  regjimit Millosheviqit, duke i dëbuar shqiptarët dhunshëm nga trojet e veta, duke masakruar gra e fëmijë, duke u shembur shtëpitë dhe suke u konfiskuar pronat. Krejt këto veprime antinjerëzore i ka vënë dhe i vë në përdorim shteti i Izraelit kundër palestinezëve dhe kundër arabëve e myslimanëve përgjithësisht.

Veprimet e pushtetarëve në Tel Aviv, kanë qenë gjithnjë  të tilla kundër palestinezëve dhe myslimanëve, ashtu sikur veprimet Beogradit fashist kundër shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve myslimanë.

Nuk ndërrohen këto teza, sepse kështu duan disa zevzekë analistë, ndonjë i vetëquajtur filozof, ndonjë ish ambasadore në Amerikë, apo drejtues të jugo-medieve në vend. Madje të tillë mendje-çjerrë,  nxjerrin si fakte protestat e popullatës hebraike në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës.

Këta debilë nga truri mendojnë se ato protesta i kishte organizuar Tel Avizi zyrtar, i cili e furnizonte me të gjitha armët, madje krejt hapur regjimin kriminal të Millosheviqit, për të vrarë e dëbuar shqiptarët nga vatrat e tyre, pa pasur as edhe një konsideratë për faktin se ishin shqiptarët  populli i vetëm në Evropë që i mori në mbrojtje gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ia dorëzoi Gjermanisë naziste, ashtu sikur bënë serbët, bullgarët e grekët, në Ballkan.

Këtë fakte të njohura qytetëruese  e di më së miri populli i Izraelit, por Qeveria në Tel Aviv as i ka përmendur as i përmend, sepse interesat me Serbinë i ka primare, ashtu sikur e tha,    më 12 maj 2021 edhe ambasadori i Izraelit, në Beograd.

Ambasadori i Izraelit në Beograd, Jahel Vilan, ka deklaruar  për mediat në Serbi se vendi i tij ka pranuar pavarësinë e Kosovës nën presionin amerikan. Vendimi i Izraelit që ta njoh pavarësinë e Kosovës është marrë pas presionit amerikan, ndryshe mos të harrojmë se është bërë në kuadër të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara, e jo me ne. Këtë vendim e ka marrë Izraeli pas shumë viteve që nuk e njohu Kosovën, sepse njohja e Kosovës është  kundër interesave tona në Serbi.  I  pyetur nga gazetari serb,  nëse Izraeli do ta rishikonte vendimin për Kosovën, ambasadori Vilan tha se nuk dëshiron të krijojë hapësirë të tillë për optimizëm në opinionin e Serbisë.  Marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Izraeli ishte arritur në Uashington me qëllim që Kosova të pranonte ta vendoste ambasadën në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv,  ku janë ambasadat e të gjitha vendeve që e njohin shtetin e Izraelit. Disa medie në Kosovë e kanë deformuar këtë lajm duke u ndalur vetëm në pjesën ku flitet për mos tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izraeli dhe duke anashkaluar esencën e deklaratës së ambasadorit të Izraelit në Beograd.

Është mirë që Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me ndonjë deklaratë në mbështetje të kreut të Izraelit, kundër palestinezëve, edhe pse me marrëveshjen e shtatorit të vitit të kaluar në Uashington ajo ka nënshkruar, se organizatën “Hamas” e konsideron organizatë terroriste.

Në këtë grackë mund të bien segmente të caktuara të opozitës, duke bërë përpjekje që për gjithçka ta etiketojë e ta diskreditojnë qeverinë. Ta qortosh qeverinë e Kosovës pse nuk i del në mbrojtje Izraelit është një miopi politike e kokave që nuk e dinë as edhe alfën e politikës.

Shqiptarët e shtetit të Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, të cilët jetojnë në gjashtë shtetet e Ballkanit, nuk do të lejojnë të bëhen mish për top për interesa të askujt, aq më pak të një politike sioniste, e cila ka qenë dhe ka mbetur  me të njëjtat valët me ato  të politikës aktuale të Beogradit.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …