Ahmet Qeriqi: Libri, “Katër ditë vizitë në Kosovë” i Tefta Camit hedh dritë mbi një periudhë shumë të rëndësishme të kombit

Libri “Katër ditë vizitë në Kosovë” është një libër i veçantë, një ditar me kujtime i ish-Ministres së Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë, Tefta Cami, e cila ka nxjerrë në dritë, një periudhë shumë të rëndësishme të së kaluarës, për të cilën pak po flitet  dhe krejt pak po shkruhet.

Autorja, Tefta Cami, në librin e saj është fokusuar në aktivitetet me rëndësi kulturore e arsimore që u zhvilluan gjatë viteve 1968 deri në vitin 1980, në Shqipëri, në një segment edhe në Kosovë,  periudhë kjo që karakterizohet  me zhvillimin e hovshëm të arsimit, kulturës, shkencës në dy pjesët e ndara të Atdheut. Kjo periudhë kohore ka qenë vendimtare për të kalitur idealin çlirimtar të shqiptarëve në trojet e pushtuara nën Jugosllavi,  i cili kulmoi në mars-prill të vitit 1981 dhe nuk reshti së vepruari deri në luftën heroike e fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në libër janë prezantuar aktivitetet më të rëndësishmet kulturore, historike e shoqërore, që u zhvilluan në Shqipëri gjatë atyre viteve sikur ishin: Kremtimi i 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në vitin 1968, ngjarje kjo e cila solli në dritë epokën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pastaj Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë, në vitin 1972, ku Tirana dhe Prishtina shkencore u pajtuan në parimin –Një komb një gjuhë e njësuar letrare, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, po ashtu në vitin 1972, në Tiranë si dhe Kremtimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në RPSSH dhe në KSA të Kosovës. Këto katër ngjarje kulmore të historisë, kulturës, gjuhës dhe aspiratave që buronin nga programi kombëtar i Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, doemos se patën ndikimin vendimtar në orientimin politik dhe strategjik të Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare, në kohën kur për ideale të tilla çlirimtare po vuanin dënimet me burg ideatori i çlirimit dhe bashkimit kombëtar të viseve të robëruara shqiptare, Adem Demaçi dhe qindra liridashës të tjerë nga të gjitha viset e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi.

Libri “Katër ditë vizitë në Kosovë”, është një vepër dokumentare që  pasqyron një realitet historik, shoqëror e arsimor në një periudhë vendimtare kohore, kur Shqipëria dhe Jugosllavia pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme mbi rendin shoqëror socialist, pavarësisht  divergjencave e qëndrimeve ideologjike dhe pozicionit që kishin në arenën ndërkombëtare, kishin arritur të ruanin një “status quo”, një paqe të brishtë, që reflektonte bashkëpunim, jo vetëm ekonomik e tregtar, por edhe kulturor e arsimor, që ishte i një rëndësie vitale për shqiptarët nën Jugosllavi, të cilët edhe pse jetonin në një regjim të huaj, kishin arritur një nivel të lakmueshëm në lëmin e arsimimit kombëtar, diturisë dhe kulturës, sidomos në Kosovë, e cila ishte bërë qendër kombëtare e kulturore  edhe e shqiptarëve nga Maqedonia, Kosova Lindore e Mali i Zi.

Ish-Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami në librin e saj ka sjellë edhe kujtime të shumta lidhur me takimet që ka pasur me personalitetet e kulturës, politikës dhe artit në Kosovë, duke u fokusuar veçmas në katër ditët e qëndrimit të saj në vendin tonë, (në pjesën verilindore të Shqipërisë) prej 6 deri më 10 tetor të vitit 1980, të cilat duket se i kanë lënë përshtypjet më të paharrueshme në jetë. Kjo arsyetohet edhe me faktin shumë domethënës se autorja e librit,  nuk ka lejuar të bëhet pre e politikave ditore  rrënuese e mohuese, nuk ka lejuar të baltoset e kaluara, as të mohohet kontributi madhor që i kishte dhënë Shqipëria Kosovës në të gjitha fushat e mundshme, në të gjitha aspektet e segmentet, ku Ajo kishte arritur të depërtonte në një kohë të bllokadës dhe rrethimit të egër të shteteve fqinje, të cilat mbanin në sundim më shumë se gjysmën e trojeve të Shqipërisë. E ndërgjegjshme se arsimi, kultura dija janë bazamenti i zhvillimit të një shoqërie, Tefta Cami ka sjellë në librin e saj një dyzinë faktesh relevante, që hedhin dritë mbi një periudhë vendimtare të pozicionimit të drejtë të lëvizjes politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Duke iu referuar kohës, për të cilën shkruan në librin e saj, duke iu referuar dokumenteve e referencave të shumta si dhe kujtimeve gjatë takimit me personalitet politike e kulturore të kohës në Shqipëri dhe në Kosovë, Tefta Cami në librin e saj ka shpalosur një periudhë të ndritshme të bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kosovës, periudhën vendimtare që i dha impulse pozitive Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar. Vizita e saj në Kosovës, në tetorin e vitit 1980, në njëfarë mënyre shënonte edhe përmbylljen e asaj periudhe të ndritshme të bashkëpunimit,  meqë në mars të vitit 1981, në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e Kosovës shpërthyen demonstratat e studentëve, me kërkesa sociale e politike duke kërkuar liri, barazi, vetëvendosje dhe “Kosovën Republikë”, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët, të cilët në ish-Jugosllavinë e kohës  ishin popullata e tretë në numër pas serbëve dhe kroatëve.

Ndërprerja e marrëdhënieve kulturore e arsimore të Kosovës me Shqipërinë u bë me urdhër të kreut më të lartë të Federatës jugosllave, në Beograd. Pikërisht këto marrëdhënie u kualifikuan edhe si indoktrinim  i rinisë së Kosovës nga Shteti i Shqipërisë,  që edhe zyrtarisht e  shpall fajtor për gjithë atë që kishte ndodhur në Kosovë.  Edhe pas prishjes së njëanshme të marrëdhënieve, Shqipëria zyrtare mbështeti fuqishëm kërkesat e ligjshme të shqiptarëve liridashës të Kosovës për avancimin e pozitës kushtetuese dhe krijimin e Republikës së Kosovës e cila bazamentin e vetë politik e kushtetues e kishte në Rezolutën e Bujanit të vitit 1943-44, që parashihte Vetëvendosjen e shqiptarëve të  Kosovës pas luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare.

Autorja e librit, “Katër ditë vizitë në Kosovë”, Tefta Cami ka sjellë një pasqyrë të gjerë jo vetëm të përshtypjeve personale të saj, gjatë katër ditëve të qëndrimit dhe vizitave që kishte bërë në shumë pjesë të Kosovës, por tërë këtë e ka materializuar me fakte e argumente të shumta,  të cilat hedhin dritë mbi atmosferën e përgjithshme politike e sociale, që mbretëronte në vend. Ajo ka kontaktuar me disa personalitete të njohura të politikës dhe kulturës së asaj kohe  në Kosovë:  si Ymer Jaka, Pajazit Nushi, Rexhep Zogaj, Sabit Jaha e shumë të tjerë, të cilët edhe pse zyrtarisht i takonin programit komunist të Jugosllavisë, kishin shfrytëzuar rrethanat politike të kohës dhe kishin vepruar në drejtim të intensifikimit sidomos të marrëdhënieve kulturore, arsimore e pedagogjike me Shqipërisnë, por nuk ishin treguar indiferentë edhe në qasjet e tyre kombëtare e politike për një afrim sa më të fortë e më të qëndrueshëm me Tiranën zyrtare. Tërë ajo garniturë e personaliteteve  të Kosovës, pas Marsit të vitit 1981 ishte gjetur në shënjestër të sulmeve partiake, që në Kosovë u prinin besnikët e regjimit jugosllav, si: Ali Shukrija, Azem Vllasi, Mehmet Maliqi e shumë të tjerë, të cilët duke përkrahur pa rezervë platformën jugosllave kundër Kosovës, i shpallën luftë pa kompromis “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, ndërsa Universitetin e Prishtinës e shpallën si “bastionin” e indokrtinimit të rinisë shqiptare me nacionalizëm.

 Në një intervistë për gazetën “Panorama” duke folur për librin e saj, Tefta Cami ka nënvizuar: Kisha dëshirë që prezantimin e parë ta bëja në Kosovë, jo vetëm sepse thuajse e gjithë përmbajtja e librit ka për objekt Kosovën e viteve 1968 deri në vitin 1980, por se Kosova ka mbajtur peshën e historisë së kombit tonë, sikurse ka qenë e mbetet nismëtare e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare, që i ka shpalosur opinionit të qytetëruar evropian e ndërkombëtar padrejtësitë shekullore për copëtimin e trojeve e të kombit shqiptar nga qarqet shoviniste fqinje në bashkëpunim me diplomacitë e Fuqive të Mëdha evropiane. Në këtë botim modest pasqyrohen disa episode të jetuara gjatë marrëdhënieve në fushat e arsimit, të kulturës e të arteve, të shkencës dhe të sporteve midis Shqipërisë e Kosovës, si dhe viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Nga pozicioni i ministres së Arsimit dhe Kulturës, përmes këtij libri kam promovuar momentet më të qenësishme në raportet në fushën e arsimit midis vendeve tona, duke nisur me: aktivitetet kombëtare në nderim të figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, Kuvendi i Parë i studimeve ilire etj.

Një fragment  nga libri “Katër ditë vizitë në Kosovë, tetor 1980″

 

Takimi i parë i Tefta Camit me Enver Hoxhën

Pas vizitës së suksesshme të dr. Ymer Jakës, duhet të takoja personalisht Enver Hoxhën.

E mora në telefon sekretarin e Enverit, Haxhi Kroin, dhe i thashë se dua të takoj Enver Hoxhën, për t’i raportuar për problemet e arsimit dhe të kulturës. Po atë ditë, ndihmësi i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi, më tha që t’i thosha edhe Nexhmije Hoxhës se dëshiron të takohesh me Enver Hoxhën për problemet e arsimit dhe kulturës. Dhe ashtu bëra. Hyra te paradhoma e Nexhmijes dhe sekretarja më çoi te zyra e saj, e cila e mirëpriti kërkesën time për të takuar Enverin.

Pas një jave, më 18 janar të vitit 1980, më njoftoi Haxhi Kroi se, sipas kërkesës së paraqitur, për të takuar komandantin siç e thërrisnin në ato vite Enver Hoxhën, më tha se më priste paraditen e të nesërmes në zyrë. Enver Hoxha po qëndronte në këmbë impozant në mes të zyrës, dhe më priti me përzemërsi e më tregoi karrigen ku do të ulesha, në një tavolinë pranë dritareve me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Sapo u ulëm pranë tavolinës, e mori fjalën Enver Hoxha:

-Kam dashur prej kohësh të bisedojmë për zhvillimet e arsimit dhe të kulturës, por kam qenë i zënë me punë. Megjithëse jam informuar nga shoku Ramiz(Alia), dëshiroj të më informoni dhe ju, shoqja Tefta.

Fillova ta marr veten, më krijoi një ambient më të qetë, që ndikoi të më kalonin emocionet. Atëherë fillova të dalloj pamjen e zyrës dhe tavolinën e punës. Tavolina e punës e Enver Hoxhës ishte e veçuar, e cila ndodhej në anën e Korpusit qendror të UT, dhe ishte e mbushur me libra e gazeta. Një abazhur me disa llamba ndodhej pranë tavolinës në krah të majtë. Në të dy faqet e murit ishin të varura portretet e Marksit dhe Engelsit. Ndërsa, në faqen tjetër të murit qe vënë një pikturë me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.

Raportimi im u zhvillua në formë bashkëbisedimi. Enveri kishte një njohje të gjerë të arsimit dhe kulturës, ndërsa vijoi të më pyeste për marrëdhëniet me Kosovën dhe viset shqiptare përtej kufirit. Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje patriotike. Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës si agjentë të UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore.

Duke përfunduar tha:

“Është Kosova, prandaj është Shqipëria. I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore.

Kur dola nga zyra e Enver Hoxhës, m’u duk se kisha marrë përkrahjen e nevojshme dhe të domosdoshme për problemet që kishim në marrëdhëniet mes vendeve tona, sidomos në sferën e arsimit”…

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …