Ahmet Qeriqi: Në Majën e malit Pallanik rifillon transmetimin Radio-Kosova e Lirë (E enjte 8 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Në Majën e malit Pallanik rifillon transmetimin Radio-Kosova e Lirë (E enjte 8 prill 1999)

Pasi kam ngrënë bukë, rreth orës 9 jam nisur në drejtim të Berishës. Fillimisht kam depërtuar drejt Lezhës, pastaj në Javur dhe prej andej në Kleçkë, Divjakë, Fshati i Ri dhe pas tri orë rrugëtimi të pandalshëm arrij në Berishë.

Atje kam takuar komplet anëtarët e stafit të Radios. Nezir Myrtaj e ka përgatitur emisionin e lajmeve, ndërsa në një shënim fillestar i kemi bërë me dije opinionit se ndërprerja e deritanishme e programit është bërë për shkaqe teknike dhe taktike.

Bunkeri është rregulluar me profesionalizëm. Janë vendosur dy shtresa të trerëve  të bungut në brendësi, pastaj thasët me zallë dhe mbi ta disa metra kub gur. Trashësia nga ana e epërme është 80 deri në 100 centimetra. Po ashtu mbi gurët kemi vendosur shkurre dhe degë shkoze për kamuflim.

Hyrja në bunker bëhet nga ana e Pallanikut të Vogël dhe në këtë mënyrë është evituar rreziku për të mos iu ekspozuar zjjarrit të armikut.

Tani e tutje këtu do të ngelë teknike transmetuese, antenat dhe gjeneratori

Martini në bashkëpunim me eprorët Muharrem Sylejmani dhe Xhavit Sadriaj ka paraqitur kërkesë të sigurohet një ushtar për roje  i cili do të qëndrojë gjatë natës, meqë bunkeri ushtarak ndodhet vetëm 100 metra më poshtë, në drejtim të Mrizeve të Berishës. Derisa eprorët të caktojnë ushtarin, bunkerin duhet ta ruajmë vet. Për sonte Martini e ka caktuar Fatmir Dugollin.

Pas transmetimit të programit të drejtpërdrejtë nga bunkeri, të gjithë nisemi në drejtim të Shtëpisë së Rizah Asllan Berishës. Atje është epiqendra e lëvizjeve tona dhe nuk shqitemi dot nga ajo kullë.

Në orët e mbrëmjes, bëhet e ditur se aeroplanët bombardues të NATO-s kanë goditur regjimenetet serbe në Lubizhdë të Prizrenit, në Hoqë të Madhe të Rahovecit, në Arllat, Likoc dhe në Arbri të Drenicës. Është hera e parë që NATO-ja ka marrë sulm gjatë ditës. Deri tani aeroplanëët e NATO-s kanë bpmbarduar vetëm gjatë orëve të natës.

Stafin e Radios e përbëjmë, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Valdet Hoti, Fatmir Dugolli, Rizah Berisha dhe unë. Tanimë fizikisht jemi ndarë nga agjencia por bashkëpunimin nuk do ta ndërpresim.

Do të kemi rreziqe dhe vështirësi, por kthim prapa nuk ka.

Duhet ta caktojmë një vend strategjik për t`i vendosur edhe tendat.

Tani e tutje do të jetojmë edhe ne në natyrë ashtu sikurse qindra mijëra të zhvendosur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …