Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, - Irini Qirjako

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, – Irini Qirjako

Hyrje

Ishte koha e entuziazmit  të ndërtimit dhe begatimit të jetës, pas shkatërrimit mizor që kishte lënë robëria shekullore, koha e zgjimit të përgjithshëm revolucionar, koha e arsimimit masiv, e zhvillimit me hov të të gjitha segmenteve të jetës, për herë të parë  koha e dëgjimit të  vullnetit të zërit të vegjëlisë, të shtypur e të shfrytëzuar ndër shekujt e robërisë. koha e kthesave kolosale, që i hapi shtigjet e lirisë në kuptimin më njerëzor e më human të fjalës, pavarësisht si kundrohet dhe si atakohet sot e kaluara 50-vjeçare e Shqipërisë Socialiste.

Rrethanat e reja që u krijuan në Shqipërinë e kohës, interesimi i pushtetit popullor për arsimimin dhe edukimin patriotik të masave, pretendimet e zgjimit dhe kalitjes së vetëdijes klasore e kombëtare, shpalimi i ngjarjeve historike dhe rikthimi i porosisë për bashkimin e kombit, ishin  pjesë e programit për ndërtimin e identitetit kombëtar të shqiptarit bashkëkohor, pavarësisht sa u arrit në atë drejtim dhe pavarësisht si komentohet sot nga kundërshtarët e regjimit, jo pak prej të cilëve  kishin marrë pjesë në ngritjen e tij.

Pikërisht në atë kohë të zgjimit të madh, në këtë kohë të mobilizimit të tërë një populli, që jetonte i ndarë nga bota dhe i rrethuar nga fqinjët grabitqarë, kënga, artet, kultura ishin bërë pjesë mobilizuese  e politikës së Shtetit dhe të Partisë dhe si të tilla ato u bënë pjesë e kulturës socialiste, por me përmbajtje thellësisht kombëtare, pse jo edhe ideologjike…

Natyrisht se kënga shqipe nuk erdhi me socializmin, ajo kishte qenë pjesë e jetës së shqiptarit në tërë të kaluarën, dhe ishte ricikluar në përmbajtjen e saj,  duke marrë e duke dhënë, sepse arti, këndimi,  janë  dhunti hyjnore, të tërë qytetërimit njerëzor, janë pjesa e entuziazmit dhe shprehjes së ndjenjave të natyrës gjenetike të qenies njerëzore.

Njerëzimi, gjatë zhvillimit të intelektit,  ashtu sikur ka shpikur një zero dhe numrat  nga një e deri në nëntë, si bazë elementare matematikore, ashtu ka shpikur edhe tetë notat muzikore: do-re-mi-fa-so-la-si-do, të njëjta për muzikën e çdo populli.

Digresion

Kam shkruar dhe shkruaj veçmas  për këngëtarët e këngëtaret shqiptare, jo me qëllim lavdërimi, hatri apo porosie, por në radhë të parë  për qëllime objektive, kulturore në radhë të parë, por edhe për faktin se  një pesë e programit  të Radios Kosova e Lirë, radio e luftës dhe e paqes në Kosovë,  të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur  të muzikës shqiptare. Andaj shkrimet afirmative  dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual në shenjë  falënderimi  për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe në përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo  të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve që me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese.

Shtjellimi

Në vitet 30-të të shekullit të 20-të në kohën e përhapjes dhe  shpërndarjes së produksioneve muzikore me pllaka gramafoni,  janë shënuar edhe këngët e para të këngëtareve shqiptare. Dihen disa emra këngëtaresh greke, nga ato  ndonjë edhe me origjinë avanitase, ose që kanë kënduar edhe këngë të tilla si: Marika Papagjika, Roza Eshkenazi, Dhomna Zamiu, Rita Abatzi e të tjera, që kanë pasur një prani të madhe ndikimi edhe në Shqipëri. Por  disqet e para për gramafon, në vitet 30-të të shekullit të kaluar  i kanë sjellë, Tefta Tashko Koço, pastaj  Marie Kraja, Luçie Miloti e disa  këngëtare e këngëtarë  të  tjerë.

NË vazhdën e zhvillimi të muzikës  origjinale shqiptare janë shquar edhe këngët e Fitnete Rexhës, Hafsa Zyberit, Naile Hoxhës, Fatime Sokolit,  Dava Gjergjit, Liri Rashës,  Feride Kurtit, Drane Gegës, Zoja Palit, Hanife Sejfullah Reçanit,  Gongje Manakovës, Mrika Trumshit,  Nexhmije Pagarushës, Nazmije Hoxhës, Shkurte Fejzës e këngëtare të tjera të kohës, kanë ushtruar ndikim të duhur në ruajtjen dhe mbëltimin  e trashëgimisë muzikore shqiptare të pjesëve veriore të vendit.

Shqipëria e Mesme dhe e Jugut kanë emra shumë të njohur të këngëtareve të njohura si: Vaçe Zela, Irini Qirjako, Paro Zilfaj, Aurela Gaçe, Eli Fara, Maja Aliçkaj, Manjolla Nallbani, Artiola Toska, Eranda Libohova,  Merita Halili,  Blerina Balili, Juli Cenko,  Besiana Mehmedi, Lumturie Axhami e shumë të tjera.

Konkretizimi

Duke qenë këngëtare  e afirmuar me kohë, Irini Qirjako  i ka mbetur besnike traditës së këngës së saj, i ka mbetur besnike kohës, e cila ia hapi të gjitha shtigjet dhe i ofroi krejt çka kishte për t’ i ofruar dhe  së cilës ajo nuk ia ka kthyer shpinën, sikur mjerisht kanë bërë disa këngëtarë, pa kurriz, pa talent, shpërfillës e bukëshkalë…

Ajo, asnjëherë nuk e ka tradhtuar kohën, e cila e arsimoi dhe e nxori në dritë me identitet, njerëzi, besë, moral tradite,  sepse  Irinia nuk ka kënduar “nga zori”, sikur përpiqen të na bindin disa sharlatanë, që jetojnë jashtë “kohës e hapësirës”,  por ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë  dashurinë e saj si këngëtare, duke mos e kursyer  veten  për t’ u bërë gjithnjë bashkë me te, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga nuk është rrobë që vjetrohet,  e pastaj hidhet,  nuk është mall tregu që blihet lirë e shitet shtrenjtë. Kënga është art, për më tepër është segment i artit që buron nga zemra e shpirti dhe i referohet dëgjuesit e shikuesit, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nuk e mallkojnë as e përbuzin kohën,  e cila i ka krijuar dhe së cilës edhe i kanë kënduar, jo nga zori, por nga  dëshira, dashuria për këngën  që buron nga thellësia e shpirtit të tyre.

Një shembull i tillë,  me të gjitha këto  veçanti e specifika të tjera të tjera, ashtu sikur dhe të këngëtareve që i përmendem,  është edhe këngëtarja e mirënjohur e këngës burimore shqiptare, Irini Qirjako.

Kjo këngëtare e njohur dhe e afirmuar ka bërë bashkë zërin e lindur me korda të pasura dhe të pastra zanore, me talentin për të kënduar, sepse ky amalgam është alfa dhe omega, pasi nuk bëhesh dot këngëtar, as këngëtare, pa i disponuar këto dy dhunti të natyrës, me specifika e veçanti. Po ashtu ajo është arsimuar e maturuar me muzikën, duke e arritur “shëntrininë”, artistike muzikore: -“Me zërin, talentin dhe arsimimin”.

Zëri i këngëtares, Irini Qirjako, është shpërthyes me timbër natyral, melodik, i pasuruar me shqiptim të pastër të zanoreve e bashkëtingëlloreve, me  rrokje dinamike  e cezura  harmonike, me fjalë e vargje të qarta dhe maksimalisht të reduktuara, brenda sintonisë  së homogjenizuar  në tërësinë e vargjeve, stofave dhe në fund,  këngës si tërësi.

Duke disponuar  këto cilësi të lindura e të maturuara, ajo ndihet shumë e sigurt në zotërimin  e çdo kënge, qoftë kur këndon solo, në duet, trio dhe në polifoninë, autentike shqiptare,  e cila hapë horizonte të një këndimi sinkronik dhe diakronik, meqë edhe zyrtarisht është shpallur si vlerë muzikore botërore, nga UNESKO-ja.

Në këtë kuantum vlerash, Irini Qirjako shkëlqen në radhë të parë me origjinalitet krijues, perceptim të natyrshëm të brendisë, përmbajtjes e motivit të këngës, duke i shtjelluar dhe harmonizuar  të gjitha elementet me të cilat përbëhet një këngë, qoftë ajo popullore, e përpunuar, apo e zhanreve të tjera muzikore.

Paraqitja e saj para publikut është po ashtu mbresëlënëse, pasi ajo arrin ta manifestojë  natyrshëm këndimin, t’ i japë përmbajtjen e duhur natyrale me  lëvizjet ritmike, qëndrimin kurdoherë entuziast, duke qenë se  në skenë,  para publikut, ka më shumë se gjysmën e jetës dhe jo vetëm, në Shqipëri, por në shumë shtete të rajonit dhe të botës.

Po ashtu, këngëtarja shqiptare, ndër më të njohurat e më  të talentuarat, Irini Qirjako, disponon një repertor  të pasur me këngë të motiveve të ndryshme, prej  atyre me përmbajtje atdhetare deri te këngët e dashurisë, të cilat i këndon me përkushtim, duke dhënë gjithçka nga vetja, me qëllim  që ato të dalin sa më të bukura dhe sa më të pëlqyera për publikun, dëgjuesin e shikuesin. Realisht, kështu bëjnë të gjithë këngëtarët e këngëtaret, por secili e arrin cakun e vet të mundësive…

Irini Qirjako për të kënduar dhe për të ecur me kohën, ka zgjedhur edhe stafin e saj ndihmës, apo është stafi që e ka zgjedhur dhe iu ka afruar asaj, me orkestrimin, hartimin e  teksteve, komponimin artistik  dhe të gjitha segmentet  përbërëse, të nevojshme, të akorduara me mjeshtri e profesionalizëm.

Përfundimi

Irini Qirjako, këngëtaret e përmendura në këtë analizë, e shumë të tjera, që nuk i kemi përmendur, në radhë të parë  këngëtarët e muzikës dhe këngës  burimore shqiptare, janë digë e fortë kudër përhapjes së muzikës tallava, kundër pretendimeve për  stërkeqjen  dhe degradimin e  këngës së popullit, kundër përparësisë që ka kënga shqipe në raport me këngën e muzikës së  huaj, që këndohet me  fjalë shqipe.

Këto këngëtare me praninë e tyre para publikut, në skena e nëpër televizione, janë digë e fortë edhe kundër degjenerimit, ndragies, kundër lakuriqësisë së një tarafi të  këngëtareve, të cilave u mungojnë vlerat dhe dhuntitë e natyrshme, sikur janë zëri, talenti, shkollimi, dhe bëjnë përpjekje që ato t’ i zëvendësojnë me gjysmë lakuriqësi dhe gjeste e mimikë të shëmtuar e të degraduar, në garë për të mbijetuar dhe jo pak herë ia dalin, por si dhe në cilat mënyra dhe në cilat  rrugë ia dalin, edhe kjo dihet… Sesi arrijnë kjo nuk do koment,  sepse në botën e sotme të globalizimit kapitalist, jo vetëm që janë të lejuara të gjitha format e degjenerimit, po ato edhe stimulohen…

Kënga burimore, puro shqipe, i ka përballuar shekujve të riciklimeve e konvertimeve dhe po i përballon me sukses, dhe do t’ i  përballojë krejt deri sa të ketë, komb, gjuhë, kulturë e traditë kombëtare, shqiptare. Këtë e kanë bërë të mundur dhe e bëjnë këngëtarët e këngëtaret që kanë idealizëm kombëtar, që i duan, i respektojnë, i ruajnë dhe i përparojnë, në radhë të parë vlerat kombëtare por edhe ato të përbashkëtat, vlerat unike, kulturore,  qytetëruese e njerëzore.

Ahmet Qeriqi

  1. 3. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …