Puna jonë e përditshme në redaksi. Punë, mund dhe probleme (9 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Puna jonë e përditshme në redaksi. Punë, mund dhe probleme (9 shkurt, 1999)

Pas një orë e gjysmë rrugëtimi këmbë kam arritur në Berishë. Në seli takoj Selatin Qeriqin dhe Heset Sahitin. Ata kanë pasur punë në Shtab të Brigadës në Kleçkë dhe ndërkohë kanë ardhur për të na vizituar.

Martin Çuni ka vendosur që për disa ditë të kalojë në Drenicën Qendrore ku mendon të bëjë intervista me eprorë dhe reportazhe. Ai ka marrë me veti diktafonin dhe kamerën digjitale. Martini duket se është i krijuar për të lëvizur. Asnjë ditë nuk rri me një vend. Gjithnjë në rrugë, gjithnjë në kontakt me ushtarë eprorë dhe qytetarë.

Nezir Myrtaj po i përcjellë me vëmendje zhvillimet në konferencën e Rambujesë. Ai harton komente shumë përmbajtësore. Neziri harton edhe informata dhe redaktim e tyre e bën me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

Edhe Ismet Sopi është i përgjegjshëm në hartimin e raporteve tonike, të cilat ia adreson edhe RTSH-së.

Isë Krasniqi merr dhe jep informacione për Agjencinë. Qemal Aliu zakonisht përshkruan lajmet që vijnë përmes faksit. Shpeshherë shkruan edhe komente por nuk më duken se ka ndonjë origjinalitet në opservimet e tij. Komenti për fillimin e bisedimeve shqiptare serbe në Rambuje është kaotik dhe nuk i përshtatet konceptit tonë redaktues. Berati përzihet në të gjitha punët dhe kërkon të bëjë redaktimin edhe të komenteve të Nezirit, edhe pse i mungon niveli arsimor dhe profesional. Unë kam marrë qëndrim të prerë ndaj tij. Nuk i jap leje as edhe t`i prek shkrimet e mia. Po ashtu, dita ditës po largohemi përfundimisht nga njëri tjetri me fajin e injorancës së tij dhe pretendimeve të tij të ulëta për t`u imponuar si përgjegjës kryesor. Ai, mua asnjëherë këtë nuk ma ka thënë, por të tjerëve iu ka thënë se Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja e kanë caktuar përgjegjës të përgjithshëm për Radio dhe për Agjenci. Mua për këtë nuk më ka njoftuar as Ramë Buja as Jakup Krasniqi. Andaj nuk i marr më fare në konsideratë imponimet e tij të mjera, dijen e tij gjysmake dhe të kufizuar njëdimensionale.

Meqë nuk kemi shumë informata nga terreni, iu kemi dhënë hapësirë lajmeve dhe komenteve që kanë të bëjnë me Konferencën e Rambujesë.

Pastaj fillojnë këngët e vallet që i zgjedh gjithnjë sipas shijes së tij të estradës, ekonomisti, folësi mjaft i mirë, Nusret Pllana.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …