Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 III

Një segment nga bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e UÇK-së

 

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, ajo së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit.

Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit dhjetëra grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës “Kosova Republikë” angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethana të  caktuara shoqërore dhe historike.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12,000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe, qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa  eprorë. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav, që të binte “hije e zezë” mbi Armatën Popullore të  kombeve dhe kombësive të vëllazëruara të Jugosllavisë.

Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq, titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacional shovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.

Duke qenë se e ashtuquajtura Lëvizje paqësore kishte degjeneruar në një qyqari të neveritshme, duke qenë se po bëheshin përpjekje për të bindur turmat shqiptare se liria do të vinte e nënshkruar, po të bëheshin të durueshëm, shumë prej të burgosurve të vitit 1981, veprimtarinë e tyre atdhetare e kishin orientuar drejt përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Luftës çlirimtare në Kroaci dhe më vonë në Bosnje iu kishin bashkuar shumë shqiptarë liridashës, që paraprakisht qenë përndjekur nga regjimi i Milosheviqit.

Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar për t’ u stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, në kohën e regjimit të Ramiz Alisë, tri  grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm, legjendari i UÇK-së, Adem Jashari, e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake, sidomos në Drenicë dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981. Një pjesë nga këta veprimtarë në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila përjetoi batica dhe zbatica të shumta, meqë në kuadër të saj supozohej me të drejtë se ishin futur edhe partiakë të LKJ-së. Pavarësisht nga dobësitë, sektarizmi dhe bajraktarizmi, që mbretëroi në LPK, klasa e ish të përndjekurve kishte zgjeruar veprimtarinë në të gjitha vendet në Evropë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policës serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë, në të gjitha nivelet komanduese, ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, Shërbimin Informativ, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe oportunistë që i mbeten besnikë politikës pacifiste të Ibrahim Rugovës.

Të burgosurit politikë të vitit 1981, me vendim të SHP të UÇK-së të 13 nëntorit të vitit 1998 kishin themeluar edhe dy institucionet e para informative të luftës, Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë e Lajmeve Kosovapress

Në atë kohë,  një segment të organizmit dhe koordinimit të veprimtarisë në kuadër të UÇK-së iu kishte besuar Simbolit të Rezistencës aktive shiptare, Adem Demaçit i cili në korrik të vitit 1998, ishte emëruar zëdhënës i përgjithshëm i luftës që kishte për qëllimin krijimin e institucioneve kalimtare deri në çlirimin e Kosovës.

Për t’ u bindur se cila ishte veprimtaria atdhetare e kreatorëve të kryengritjes shqiptare të vitit 1981, duhet të shfletohen biografitë e dëshmorëve në vëllimet e monografisë “Feniksët e lirisë” ku janë prezantuar dhe vazhdojnë të prezantohen biografitë e dëshmorëve të UÇK-së. Përmes këtyre biografive shpaloset e vërteta për luftën dhe rezistencën  e armatosur. Në këto biografi zbardhet e vërteta  për ata  që me tërë qenien janë angazhuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga robëria. Vepra e tyre dhe e bashkëluftëtarëve flet se kush e organizoi kryengritjen e marsit dhe prillit të vitit 1981, kush e vazhdoi luftën deri në vdekje, kur i bëri bisht asaj dhe kush po i vjelë sot frytet e asaj lufte dhe atij gjaku të derdhur për liri.

Ata që ende nuk e kanë kuptuar se cila ishte esenca çlirimtare e nacionaliste e kryengritjes shqiptare e Marsit dhe Prillit e vitit 1981, me siguri se një ditë kur Kosova do të bashkohet me Shqipërinë, bashkë me trojet e tjera  do ta kuptojnë, ose do të detyrohen ta kuptojnë të vërtetën. Ata që kanë marrë pjesë në ato zhvillime dhe që në kushte dhe rrethana të caktuar janë larguar nga lufta, ( prej luftës veç ai largohet…) atyre mbase edhe iu ka hije “të ngrehin e të mos këputin dhe prore të ndërrojnë qëndrimet. Ndërsa kundërshtarët ende projugosllavë, ai Azem Vllasi, Shkëlzen Maliqi, Jusuf Buxhovi, Gani Mehmetaj, Baton Haxhiu e shumë të tjerë do të mbeten në fundërrina të historisë ashtu sikurse Esat Toptani, Ceno beg Kryeziu, Shefqet Vërlaci, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli, Rrahman Morina dhe kolaboracionistët e neveritshëm që ikën nga Kosova së bashku me forcat serbe, në qershor të vitit 1999.

Kosova ende ka shumë militantë të Marsit dhe prillit të vitit 1981. Ata veprojnë, sogjetojnë dhe tashmë kanë mbetur garda më besnike e Kosovës, garda besnike e forca jo vetëm morale, garancia më e fortë e të ardhmes së Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …