KEK
Fillimi / Tema Historike / Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 IV
Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 IV

Periudha historike e rezistencës së vitit  1981  kërkon qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Emërtimi i Kryengritjes së vitit 1981  si “Pranverë studentore e vitit 1981”, analog me “Pranverën e Pragës” apo lëvizje të tjera studentore, në vendet e Evropës, ka simbolikën e vet, por nuk e përmbush dimensionin historik, social, politik e shkencor të krejt asaj çfarë  ka ndodhur në Kosovë, në Mars Prill Maj 1981 dhe që vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, në përpjekje të vazhdueshme të rezistencës pasive dhe aktive deri kur  nga Kosova u dëbua përgjithmonë regjimi okupator serb.  Në 40-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981. Në vend të një emërtimi shkencor shërbehemi me stereotipet e së kaluarës, me emërtimet pacifiste të kohës, ashtu sikur historianët titistë që janë shërbyer dhe shërbehen duke përkthyer formulimet e historianëve të regjimit serb, lidhur me Lëvizjen e Rezistencës së Azem e Shote Galicës duke e etiketuar si Lëvizje kaçake, nga gjuha serbe “Kocacki pokret”, etj.

Tani, 40 vjet më pas, 22 vjet nga çlirimi i  Kosovës, 13 vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ka ende mëdyshje se çfarë ka ndodhur në vitin 1981: protestë paqësore, lëvizje studentore, apo fillimi i një kryengritjeje e cila trasoi rrugën drejt lirisë dhe që u kurorëzua me sukses, në qershor të vitit 1999.

Edhe tani, pas 40 viteve, nuk kemi një përcaktim unik, historik, shkencor për Lëvizjen Revolucionare  të  Marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981

Simpoziumi i organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në 20-vjetorin e demonstratave, në prill të viti 2001, (dy vjet pasi Kosova ishte çliruar nga regjimi serb), nuk nxori konkluzione të qarta shkencore dhe nuk definoi qartë qasjen e mirëfilltë historike e shkencore lidhur me Lëvizjen e vitit 1981. Debati ishte zhvilluar në kualifikimin e zhvillimeve si protesta e demonstrata paqësore, si Pranverë e studentëve, si Lëvizje paqësore, politike, studentore dhe u përjashtua opsioni i kryengritjes, apo i përpjekjes për kryengritje, të cilën e shfletuan vetëm dy apo tre pjesëmarrës.

Në kohën e pacifikimit të Lëvizjes, në vitin 1989-1990 kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej u bënë përpjekje që lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1981 të kualifikohen si lëvizje paqësore të studentëve, si një presion qytetar që ishte ndërmarrë brenda kornizave ekzistuese politike të kohës duke lënë anash dy segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve, rrëmbimin e armëve në Besi të Prishtinës nga protestuesit më 2 dhe 3 prill dhe qëndresën e armatosur të Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të po atij viti, në Prekaz të Ulët të Drenicës, pikërisht në ditën kur Njësitë policore speciale të Jugosllavisë po manifestonin dhe po orgjizonin në mënyrë kriminale, ditën e themelimit të Milicisë së Jugosllavisë, duke vrarë shqiptarë brenda shtëpive të tyre, por jo shqiptarë duarthatë, por shqiptarë kryengritës të një familjeje me katër breza çlirimtarësh.

Anashkalimi, në konferenca, tubime dhe në medie i këtij segmenti të kryengritjes, mbase u bë me qëllim që Lëvizja paqësore të mos “komprometohej” dhe të lihej në heshtje segmenti thelbësor i saj, segmenti veprues, jo spontan sikur mendohet edhe aktualisht nga disa analistë dhe studiues të asaj periudhe të historisë tonë të rezistencës.

Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste, që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, më 2 prill të vitit 1981 shënoi fillimin e kryengritjes. Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964, kur ishte dënuar bardi i Lëvizjes sonë Kombëtare, Adem Demaçi me bashkëveprimtarët e tij.

Pikërisht për këtë shpërthim, më 2 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave në një vend të caktuar, ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekja arrestimi dhe nxjerrja para gjykatave e të gjithë organizatorëve, apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400.000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i realizonte Ushtria dhe Policia federale e përbërë nga pjesëtarë e të gjitha republikave të Jugosllavisë. Për shkak të përmasës, që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit  e majit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i Shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar,  që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.

Shpallja e gjendjes së shtetrrethimit nuk do të aplikohej  për të shtypur protestuesit paqësorë dhe nuk  kishte ndodhur një intervenim i tillë shtetëror në protestat që ishin zhvilluar në Beograd dhe në qytete të tjera të Jugosllavisë, as  në vitin 1968. Askund në botë  gjendja e shtetrrethimit nuk shpallet për të shtypur protestuesit, por rritet shkalla e sigurisë dhe ndërmerren veprime adekuate në përballimin e situatës.

Askush në Kosovë nuk ka të drejtë ta anashkalojë faktin se ishte kryengritja në Besi, më 2 dhe 3 prill të viti 1981, rrëmbimi i armëve nga kamionët e ushtarëve rezervistë,  që vinin nga Serbia për t’ i shtypur protestuesit, që e detyruan Jugosllavinë të shpallte gjendjen e luftës. Me ato armë, protestuesit vendosen disa barrikada në rrugën magjistrale Besianë (ish-Pudujevë) – Prishtinë  dhe për një kohë, deri në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk u lejua hyrja në Prishtinë e forcave policore e ushtarake serbe.

Pikërisht ky zhvillim historik, bëri që në orët e vona të pasdites të shpallet Shtetrrethimi, në Kosovë që zgjati 14 ditë, me të gjitha kufizimet e lëvizjeve, sikur në gjendje lufte.

Për ta bërë të suksesshëm shtetrrethimin në thyerjen e kryengritjes së nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë, armata jugosllave kishte dislokuar në Kosovë arsenalin përkatës të armatimit. Kishte vendosur qindra  postblloqe në Prishtinë dhe në vende të tjera, kishte aktivizuar njësitë speciale në Federatës në nivelin shtetëror, kishte filluar ndjekjen dhe arrestimin e mijëra pjesëmarrësve në protesta, në mesin e tyre edhe organizatorë, ishte marrë qëndrim zyrtar që kryengritja të shpallej si “kundërrevolucion” që kishte për qëllim cenimin e sovranitetit të vendit  dhe ndryshimin e dhunshëm të Kushtetutës. Të gjitha këto e shumë masa të tjera, tregojnë më se mëri se kemi të bëjmë me protesta e demonstrata të rinisë studentore, apo me një kryengritje të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët kërkonin liri, barazi e drejtësi, kërkonin që Kosova që shpallej Republikë dhe të barazohej me gjashtë republikat  e tjera të ish RSFJ-së. Gjatë përleshjeve  kishin rënë në barrikada nëntë demonstrues,  ishin plagosur qindra të tjerë, ishin arrestuar me mijëra pjesëmarrës ndërsa më 13 maj kishin rënë në një luftim të pabarabartë, në Prekazin e Ulët,   Nehih Meha dhe Tahir Meha. Po kështu shumica e analistëve pacifistë anashkalojnë faktin se gjatë të gjitha protestave ka pasur kacafytje me milicinë e kohës, ka pasur madje edhe 2 të vrarë dhe shumë të plagosur lehtë e rëndë. Demonstruesit e revoltuar kanë përmbysur veturat, madje edhe ato të milicisë, kanë thyer dhe kanë dëmtuar objekte të ndryshme. Gjatë luftimeve në Kullën e Tajir dhe Nebih Mehës  në Prekaz janë vrarë të paktën pesë pjesëtarë të Njësive Speciale dhe forcave të Milicisë së Kosovës dhe shumë të plagosur.

Të gjitha këto zhvillime që faktohen e dokumentohen në të dhënat zyrtare, në mediet e huaja dhe në shtyëin e Tiranës zyrtare të Kosovës, japim materiale të mjaftueshëm për të konkluduar se në mars prill maj të vitit 1981 kishte ndodhur një kryengritje e përgjithshme popullore, e cila kishte filluar me një protestë paqësore të studentëve, por nuk kishte mbaruar me aq. Dhe nuk ishin vetëm studentët ata qç iu paraprinë atyre proceseve por ishin organizatat atdhetare të kohës të cilat aktivitetin e tyre të fshehtë e kishin demonstruar kudo ku kishin arritur.

Emërtimi i kësaj kryengritje si “Pranverë studentore e vitit 1981”, analog me “Pranverën e Pragës” apo lëvizje të tjera studentore, në vendet e Evropës, ka simbolikën e vet, por nuk e përmbush dimensionin historik, social, politik e shkencor të krejt asaj që ka ndodhur në Kosovë në Mars Prill Maj 1981 dhe që vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, në përpjekje të vazhdueshme të rezistencës pasive dhe aktive deri kur  nga Kosova u dëbua përgjithmonë regjimi okupator serb.

Sot në 40-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981.

Emërtimet, të cilat janë përkufizuar nga shoqatat, OJQ-të, nga analistët, nga pjesëmarrësit në ato zhvillime, janë krejtësisht heterogjene dhe ende nuk ka një përpjekje për një emërtim unik, historik e shkencor. Fajin për këtë e kanë në radhë të parë institucionet por edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e cila nuk e ka nxitur këtë çështje, duke u vetë mjaftuar me përkufizimin “Lëvizje studentore” Pranverë studentore 1981”, etj.

Në fillim të viteve ‘90, konkretisht në vitin 1991, kjo ngjarje nuk ishte shënuar zyrtarisht dhe mezi ishte botuar një fejton përshkrues në Gazetën “Bujku”, i autorëve: Ahmet Qeriqi dhe Nezir Myrtaj, ku për herë të parë, pas dhjetë vitesh ishin prezantuar edhe biografitë krejt të shkurta të dëshmorëve të rënë në protesta e demonstrata.

Ishte lënë krejtësisht anash edhe segmenti i përpjekjeve për të krijuar çeta kryengritëse, apo sikur quheshin, celulat e para të armatosura. Po ashtu, në fillim të kohës së pacifizmit ishte anashkaluar krejtësisht nga aktualizimi i organizatës, “Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Trojeve Shqiptare e Adem Demaçit me bashkëveprimtarë”, edhe pse aty ishte programi, i cili u shpalos nga demonstruesit në vitin 1968 në vitin 1981 e më vonë deri edhe në platformën politike të UÇK-së dhe betimin e ushtarit të kësaj ushtrie.

Asgjë në këtë mes nuk ka qenë e rastësishme, meqë një segment mjaft i avancuar i Lëvizjes së Rezistencës aktive, në mesin e atyre që ishin liruar nga burgjet të dënuar për veprimtari të kualifikuar nga regjimi si veprimtari “separatiste e irredentiste”, kishte përkrahur Lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe kishte filluar rivlerësimi apo anashkalimi i disa segmenteve organizative të së kaluarës. Duhet sqaruar faktin se veprimtarët, të burgosurit politikë nuk ishin inkuadruar në LDK, për shkaqe karrieriste, apo se i besonin vetëm rrugës së improvizuar pacifiste, apo duke hequr dorë nga e kaluara, (edhe pse mund të ketë pasur ndonjë rast të izoluar), por me qëllim që Lëvizjes pacifiste t’ ia ndërronin kursin e orientimit dhe veprimit politik e strategjik. Prania e dy kaheve të ndryshme politike në perceptimin e Lëvizjes ngadalësoi proceset drejt kryengritjes së armatosur, pikërisht në kohën kur sllovenët, kroatët dhe boshnjakët ishin përfshirë në luftë për çlirim nga Jugosllavia, e cila po shpërbëhej duke përgjakur, duke ushtruar gjenocid dhe etnocid mbi popujt jo serbë.

Të burgosurit politikë të vitit 1981 dhe ata të mëhershmit përbënin avangardën e Lëvizjes së Rezistencës aktive, sepse opsioni i tyre kishte qenë dhe kishte mbetur kryengritja e armatosur, meqë shqiptarëve, të cilët për nga numri ishin popullata e tretë në RSFJ, kushtetuta e atij shteti federal nuk iu njihte të drejtën për Vetëvendosje dhe barazi me kombet e tjera madje as me ata popuj numerikisht më të vegjël, sikur ishin sllavo-bullgarët e Maqedonisë, malazezët, sllovenët etj.

Kontrolloni gjithashtu

34 vjet nga vrasjet në Paraçin të Serbisë dhe kulmimi i nacionalshovenizmit serb që çoi në shkatërrimin e RSFJ-së

34 vjet nga vrasjet në Paraçin të Serbisë dhe kulmimi i nacionalshovenizmit serb që çoi në shkatërrimin e RSFJ-së

Më 3 shtator të vitit 1987 ishte vrarë, Aziz Kelmendi, i lindur në fshatin Karaçicë ...