Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 VI

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 VI

Disa  nga flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës në mars,  prill, maj të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, i cili po manifestohej me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ.

        Tani, Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila tashmë është pranuar dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe shumë shtete të tjera. Serbia ashtu sikur në vitin 1981, që nuk pranoi barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Federatës jugosllave, edhe sot po bën përpjekje që ta shantazhojë dhe ta pengojë procesin e pavarësisë, që ka filluar të jetësohet, fillimisht me një status të mbikëqyrur.

Në përkujtim të ngjarjeve madhore të së kaluarës, së Pranverës revolucionare e kryengritëse të vitit 1981 do të shkoqisim një segment të kundërvënies së rinisë sonë atdhetare kundër formave brutale të regjimit titist jugosllav. Më 2 prill të vitit 1981, protestat e ligjshme të rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në mbarë qytetet e Kosovës. Atë ditë janë shënuar edhe disa elemente të kryengritjes së përgjithshme popullore, sikur ishte rasti i rrëmbimit të armëve nga një grup i të rinjve shqiptarë, të cilët u barrikaduan në fshatin Besi, në hyrje të Prishtinës, duke mos lejuar forcat policore serbe të futeshin në Kosovë.

Krahas grushteve të ngritur nga studentët në protesta, të cilët ishin përgjakur nga forcat pushtuese dhe ato mercenare, një grup i të rinjve militantë shkoi edhe më larg. Ata, duke parë se policia po përdorte armë kundër protestuesve duarthatë, rrëmbyen armët dhe vendosën një barrikadë të kundërvënies, në dalje të Prishtinë në fshatin Besi dhe në rrugën për në Besianë, (ish-Pudujevë). Grupi ishte i organizuar dhe kishte synim të përshkallëzonte revoltën në formë të kundërvënies, meqë atë ditë, forcat intervencioniste serbe kishin martirizuar dhjetëra protestues shqiptarë dhe kishin plagosur me armë zjarri qindra të tjerë. Në këtë grup bënin pjesë kryesisht nxënës, punëtorë dhe arsimtarë, të cilët gjatë tërë muajit mars kishin marrë pjesë në demonstrata. Në mesin e tyre kishte protestues të rritur, por edhe të mitur.

Grupin e parë të të rriturve që ishte barrikaduar në fshatin, Besi të Prishtinës e përbënin:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc,

Sami Leci nga fshati Barilevë,

Zijadin Hoxha nga Prishtina,

Vehbi Leci nga Barileva,

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme,

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc,

Agim Selmani nga Barileva,

Agim Leci, po ashtu nga Barileva,

dhe Hajrullah Dragusha nga Prugoci.

Grupi i dytë i të rriturve:

Zymer Krasniqi nga fshati Besi,

Bajram Syla nga Rimanishta,

Qerim Arifi nga Rimanishta,

Nagip Bllaca, nga Besia,

Naim Statocvi, nga fshati Prugovc,

Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc,

Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci,

Ramadan Rexha nga Rimanishta,

Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm,

Nexhmedin Pireva nga fshati Lupç,

Sadri Berisha nga fshati Drenovc.

Në grupin e të miturve bënin pjesë:

Afrim Bllacaku,

Agim Selim Leci,

Naser Rexha,

Shemsi M. Leci,

Fadil Shala,

Ekrem Dragusha,

Avni Llumnica,

Veton Osmani,

Xhemshir Leci,

Pajazit Ndreca,

Nexhat Dragusha,

Osman H. Abdullahu,

Sami Abdullahu,

Osman S. Abdullahu,

Ismajl Koliqi,

Zenel Krasniqi,

Lutfi Leci, dhe

Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.

        Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës kundër grupit të parë të të rriturve K. 147/ 81, më 13. 8. 1981, ndër të tjera thuhet:  “Më 2 prill 1981, në rrugën e asfaltuar Prishtinë-Podujevë, prej rrugës “Jabllanica” të Prishtinës e deri në fshatin Besi, KK Prishtinë, në kushte veçanërisht të rënda: Ruzhdi Hajdini, Sami Leci, Zijadin Hoxha, Vehbi Leci, Osman Krasniqi, Ibush Kelmendi, Agim Selmani dhe Agim Leci kryen vepra penale të drejtuara në: rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, minimin e sistemit shoqëror politik, thyerjen e bashkim vëllazërimit, prishjen e barazisë së kombeve e kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të Jugosllavisë. Ky grup demonstruesish me forcë ia morën pushkën me 5 fishekë rojtarit të OPB-së “Bisernica”, pastaj këtë pushkë ia drejtuan vozitësit Ilija Xhelatoviq, të cilit ia morën veturën dhe u drejtuan në OPB “Higjeno-Teknika”, ku po ashtu rojtarit me forcë ia marrin pushkën e gjuetisë me 3 fishekë…. Pastaj në rrugë për në Besi, me gurë dhe mjete të tjera i dëmtuan automjetet e punëtorëve të sigurimit… iu kundërvunë me forcë punëtorëve të sigurimit dhe forcave të tjera, që vepronin në shpërndarjen e demonstratave. Ata e vendosin flamurin kombëtar (shqiptar) në një shtyllë elektrike, këpusin lidhjet telefonike dhe brohorasin:

“Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”!

“Lironi shokët nga burgu”

“Trepça punon, Beogradi fiton”.

        Gjithnjë duke përdorur forcën, ky grup ndaloi kamionin FAP me targë: Pr. 262 – 83 dhe me të shkojnë në fshatin Lebane. Aty i japin zjarrin automjetit të markës mercedes, pronë e një ndërmarrje të Nishit me targë: NI 111 382. Këtij kamioni të ngarkuar me mall ia dhanë zjarrin. Po atë ditë ata kryen edhe shumë vepra të tilla penale në fshatin Besi…. Më 3 prill 1981, të armatosur me dy pushkë automatike dhe një pushkë të gjuetisë u tubuan në vendin e quajtur “Te Qukat” te Mulliri i Pashës, ku më vonë u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Këtij grupi militant ndërkohë i bashkohen edhe Hajrullah Dragusha e të tjerë…”

Aktakuza përshkruan veprat e këtyre militantëve të parë të Republikës së Kosovës. Ata veprojnë në mënyrë të organizuar, demonstrojnë kërkesën tashmë plebishitare për Republikën e Kosovës, shkrepin plumba mbi veturat e policisë, por nuk vrasin njerëz, madje as policë as bashkëpunëtorë të tyre. Pastaj në aktakuzë përshkruhen edhe veprime të tjera, “të inkriminuara”, sikur ishte rasti i marrjes së bukës nga një kamion, me qëllim për t’ua shpërndarë qindra protestuesve, të cilët nuk largoheshin nga barrikada. Ata zënë rrugën, ndalojnë automjetet dhe legjitimojnë udhëtarët. Të ardhurve të paftuar nga Serbia ua marrin automjetet, të cilat i vendosin në barrikada. Të ndaluarit as i rrahin, as i maltretojnë, por ju bëjnë me dije se herën tjetër duhet të marrin me vete “pasaportat” e Republikës së Kosovës…

         Këto janë shkurtimisht veprat “penale” që kishte kryer ky grup militant më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, në kohën kur zemërimi popullor kishte shpërthyer fuqishëm dhe tërë mllef kundër padrejtësisë, në ditët kur shpirti kryengritës i rinisë shqiptare kishte marrë hapin historik për krijimin “me hatër ose me luftë” të Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e këtij grupi nuk i kanë mohuar veprimet e tilla, të cilat i kanë ushtruar në shenjë revolte kundër forcave policore dhe ushtarake të RSFJ-së, që kishin vrarë demonstruesit paqësorë mu në qendër të Prishtinës. Ata kishin synuar të krijonin bërthamën e parë të armatosur çlirimtare, por gjatë një afati të shkurtër kohor ishin arrestuar nga policia. Për këto ngjarje të cilësuara si vepra të rënda penale, të drejtuara kundër RSFJ-së, në shqyrtimin kryesor verbal, publik, në prani të prokurorit Publik të Qarkut të Prishtinës, Pjetër Kola, në prani të akuzuarve dhe mbrojtëseve të tyre, më 31 gusht 1981, Gjykata mori këtë aktgjykim dhe dënoi me burg:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc, 25 vjeçar, i cili u dënua me 15 vjet burg.

Sami Leci nga fshati Barilevë, 20 vjeçar, u dënua 14 vjet burg.

Zijadin Hoxha nga Prishtina, 20 vjeçar, u dënua 15 vjet burg.

Vehbi Leci nga Barileva, 18 vjeçar u dënua 12 vjet burg.

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, 10 vjet burg.

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc, u dënua 10 vjet burg.

Agim Selmani nga Barileva, 13 vjet burg.

Agim Leci, po ashtu nga Barileva, u dënua 12 vjet burg.

Hajrullah Dragusha nga Prugoci dënohet dy vjet burg, pasi paraprakisht ishte modifikuar aktakuza kundër tij.

        Në arsyetim të shqiptimit të dënimeve të tilla drakonike, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në kolegjin e përbërë nga: Ismet Emra, kryetar, Slobodan Zhivkoviq, anëtar, Azem Emini porot, Lubisha Miçiq dhe Qazim Goxhufi anëtarë… shkruan se nga të dhënat rezulton se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, të cilat janë të përshkruara në dy petitume të kësaj aktakuze, veprime këto që janë të inkriminuara dhe ekzekutorët janë penalisht përgjegjës, andaj në veprimet e tyre plotësohen të gjitha tiparet e figurave të veprave penale nga neni 114 të LPJ-së dhe që përkrah ashpërsisë së manifestuar gjatë veprimit armiqësor duhet të ndëshkohen sipas nenit 139 të Ligjit Penal të Jugosllavisë….

        Me këtë rast ishte dënuar 12 vjet burg, i riu Agim Leci, i cili sapo kishte mbushur 18 vjet. Vetëm për disa ditë kishte kaluar kufirin ligjor dhe ishte dënuar si i rritur dhe jo si i mitur, sikur ishin dënuar edhe disa nxënës, që ua kishin rrëmbyer pushkët disa rezervistëve serbë. Ky ishte grupi që asokohe u dënua me shkallën maksimale të dënimit, që parashihnin ligjet e RSFJ-së në atë kohë. Ndërsa të dënuarit ishin keqtrajtuar mizorisht, si gjatë periudhës së hetimeve, ashtu edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg. Dhuna e ushtruar kundër këtyre militantëve të Republikës, i kaliti edhe më tej ata. Inspektori kryesor i SPB-së në lëndën e këtij grupi ka qenë Gjergj Berisha.

Kontrolloni gjithashtu

Flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës në mars e prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive …