leoni

Demostratat e vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 X

Interpretime të ndryshme të zhvillimeve revolucionare të  Marsit, Prillit e Majit të vitit 1981

Prej vitit 1981 e deri te pezullimi i autonomisë së Kosovës, më 28 mars të vitit 1989, regjentët e politikës titiste në Kosovë, revoltën e pranueses 1981, i kualifikuan si sulm të organizuar të forcave nacionaliste e irredentiste shqiptare, kundër politikës së bashkim vëllazërimit, kundër “barazisë së vërtetë” të shqiptarëve dhe kundër themeleve të  Jugosllavisë së kombeve dhe kombësive të barabarta. Të gjithë demonstruesit, për  të cilët thuhej se vepruan në këtë platformë, dhe të cilët u sollën para gjyqeve, konsiderohej se  kanë kryer “vepra penale të drejtuara në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullit shoqëror dhe ekomomik, të përcaktuar me kushtetutë, minimin e bazës ekonomike të vendit, thyerjen e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive, si dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit”. Mbi këtë platformë politike të ish RSFJ-së ishte demonizuar Lëvizja e vitit 1981 dhe deri diku si e tillë u trajtua edhe gjatë tërë kohës së Lëvizjes pacifiste të viteve 90 të shekullit të kaluar.

Kërkesa programatike: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” afishonte dy opsione, opsionin paqësor, të cilin e përkrahu lëvizja pacifiste LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe opsionin  e rezistencën aktive, të cilën do ta përkrahin shumica dërrmuese e atyre, që kishin ngritur grushtet dhe armët për luftë deri në fitore në vitin 1981 dhe që nuk i kishin ndërruar bindjet, ndërsa aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia u bënë realitet me luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjes nga ajri të aeroplanëve të NATO-s, në verë të vitit 1999.

Në vitet 90, krahas injorimit dhe keqinterpretimit që i bënë kësaj Lëvizje disa nga intelektualët pro-jugosllavë ( Baton Haxhiu, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Halil Matoshi, tash vonë edhe njëfarë Nexhemdin Spahiu e disa sojli të tjerë) ata   konsideronin se  Lëvizja i kishte stopuar  dhe i kishte prapakthyer proceset e afirmimit dhe të barazisë së plotë të shqiptarëve me serbët e popujt e tjerë sllavë. Pati edhe pretendime që Lëvizja e vitit 1981, të përvetësohej dhe  të kualifikohej veçanërisht  si Lëvizje paqësore studentore. Segmenti për kryengritje të  armatosur,  në Besi, jo vetëm u la në harresë, por edhe u injorua një kohë të gjatë.

Tani 40 vjet pas atyre zhvillimeve,  lidhur me përpjekjet e suksesshme në disa segmente  për kryengritje të armatosur, në Besi, ne ende jemi në pozicion vlerësimi, në pozicion pranimi, mohimi, luhatjeje, dileme, madje edhe arbitrimi të papranueshëm nga individë të caktuar, të cilët këtë manifestim kryengritës, në Besi, për shumë vjet me radhë e kishin lënë krejtësisht në harresë. Vetëm  më 2 prill të vitit 2008, duke shënuar  27-vjetorin e kësaj kryengritjeje të armatosur, u mbajt një tubim, në oborrin e shkollës fillore të Besisë, por ky aktivitet  mbeti në margjina të lajmeve nëpër  mediet e Kosovës, sepse tubimin e kishte organizuar Radio-Kosova e Lirë dhe Këshilli organizativ nga mesi i ish të burgosurve politikë të Besisë.

Në emisionin e lajmeve të RTK-së, të orës 19.30,  më 2 prill 2008, u eliminua  në tërësi fjala afër 20 minuta e organizatorit,  ndërsa u transmetuan  vetëm disa sekonda nga fjala e Adem Demaçit dhe fjala e Hydajet Hysenit. Për më tepër gazetari i RTK-së kishte marrë edhe një intervistë nga organizatori, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi por edhe ajo u fshi dhe sigurisht, që edhe është zhdukur. U ndala në këtë moment për të shpjeguar edhe diçka tjetër.

Është krejtësisht e papranueshme, për të mos thënë se është edhe e dënueshme të anashkalohet ky segment i përpjekjes për kryengritje në Besi, me të cilën Lëvizja e vitit 1981 kishte kulmuar. Ata, që i mohojnë këto aktivitete, ose i anashkalojnë,  nga frika se aktivitetet e tyre me grushtet përpjetë do të zbehen,  apo veprimtaria e tyre ilegale do të mbetet nën  hije, ata mohojnë historinë e Marsit dhe prillit të vitit 1981. Mendoj se të gjithë  pajtohemi me faktin se prej mbarimit të luftës së përgjakshme të Shaban Palluzhës, në Drenicë, në shkurt të vitit 1945 dhe eliminimit fizik të luftëtarëve të NDSH-së, e deri te dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të viti 1997, nuk kemi pasur një lëvizje tjetër më të fortë, më të organizuar dhe më te suksesshme dhe më me jehonë të gjatë, sesa ajo e Marsit dhe Prillit të vitit 1981. Dihet po ashtu mirëfilli edhe kontributi i secilit grup, i secilës organizatë, pjesëmarrëse në këtë periudhë historike të rezistencës, sepse të gjitha grupet u sollën para gjyqeve dhe u dënuan për veprat e tyre, të cilat kualifikoheshin si vepra penale kundërrevolucionare.

Ne, që kemi qenë pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat e vitit 1981, sidomos më 2 prill, disa edhe organizatorë të rastit, e dimë fare mirë se çfarë jehone kanë pasur zhvillimet e Besisë, në Prishtinë, dhe kudo në Kosovë. Lajmi se ishin rrëmbyer armët, se protestuesit kishin çarmatosur forcat rezerviste, që vinin nga Beogradi dhe kishte filluar kundërvënia e armatosur kishte elektrizuar shqiptarët liridashës, kudo ku ishin.

Përqendrimi im  në këtë segment nuk e nënvlerëson aspak atë që quhet “Lëvizje studentore”, sepse si e tillë Lëvizja kishte filluar  më 11 mars dhe më 26 të po atij muaji, por më 1 e 2 prill nuk ishte më vetëm e tillë, meqë në protestat masive kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra punëtorë, qindra mijëra nxënës, fshatarë e qytetarë  liridashës shqiptarë nga mbarë Kosova, nga Republika e Maqedonisë nga komunat e Kosovës Lindore, madje edhe nga Plava,Ulqini Kraja e Anamali, kryesisht studentë të studionin dhe jetonin në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës. Forcat policore e ushtarake jugosllave kishin vrarë mizorisht 10 demonstrues, kishin plagosur me armë zjarri rreth 200 syresh dhe ishin rrahur gjatë kacafytjeve mijëra të tjerë.

 

2 dhe 3 prilli i vitit 1981 shënon kulmin ku kishte arritur revolta popullore

 

Nuk është e rastësishme pse rinia e kësaj pjese të Kosovës, i mori armët. Dhe këtu duhet një shpjegim shtesë. Popullata e fshatrave, Besi, Barilevë, Mirovc, Bernicë, Sharban, Rimanishtë, Breznicë, Vranidoll, Lupç, Prugovc e fshatra të tjera  ishte më shumë e elektrizuar në këtë revoltë me faktin se mbahej në burg të rëndë veprimtari më konsekuent i Lëvizjes çlirimtare, bacë, Adem Demaçi, për të cilin rinia dhe popullata e kësaj ane kishin respektin më të madh të mundshëm.  Edhe gjatë demonstratave, në Prishtinë, ishte kërkuar lirimi nga burgu i Adem Demaçit e të burgosurve të tjerë. Mendoj se pikërisht për këtë edhe lëvizja në këtë pjesë të Kosovës mori atë hov, ashtu sikur mori hov kryengritja në Drenicë, pas rënies së Adem Jasharit, apo në Dukagjin, pas rënies së Luan Haradinajt, apo në Llap pas rënies së Zahir Pajazitit e kështu me radhë.

Pikërisht ky shpërthim i revoltës, në Besi, por edhe në disa vende të tjera të Kosovës,  kapja e armëve, ndalimi i rezervistëve, çarmatosja e tyre, rrëmbimi i armëve dhe i municionit, vendosja e barrikadave nëpër   rrugë, djegia e një kamioni të rezervistëve  që kishte material për aktivitet luftarak fushor, përmbysja e veturave, gjuajtja drejt helikopterit dhe forcave policore shënoi kulmin e asaj që unë e vlerësoj si “Përpjekje për kryengritje të armatosur”.  Duke u mbështetur në këto zhvillime Presidenca Jugosllave kishte marrë qëndrim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe pak më vonë, trajtimin e këtyre ngjarjeve si përpjekje për kundërrevolucion.

Insistimi im për vlerësimin realist  të zhvillimeve luftarake në Besi dhe për një vlerësim  serioz të të gjitha zhvillimeve prej vitit 1981 e deri te epopeja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një thirrje drejtuar institucioneve relevante, që ta dokumentojnë me fakte dhe argumente  këtë periudhë të historisë sonë, sepse nuk mjafton vetëm botimi i librave e broshurave, sipas përzgjedhjeve autoriale, edhe pse kjo, padyshim se  ka efektin e vet. Besoj dhe shpresoj se kapitulli i Besisë duhet të zërë vendin meritor në historinë e shkruar të luftës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Disa nga armët që u morën nga njësitë rezerviste më 2 prill të vitit 1981, në Besi, u ruajtën dhe filluan të vjellin barot kundër forcave policore e ushtarake serbe gjatë luftës së UÇK-së. Me armën e rrëmbyer, më 2 prill të vitit 1981 nga Avni Llumnica,  kishte rënë në altarin e atdheut, gjatë luftës së UÇK-së, vëllai i tij, Nexhmi Llumnica, i njohur si komandant Gjoni. Me armën e rrëmbyer në vitin 1981, kishte luftuar në radhët e çlirimtarëve, Sami Leci, i dënuar 14 vjet burg në vitin 1981. Me besë-betimin e lidhur në barrikadat e luftës në Besi, iu bashkuan radhëve të UÇK-së Zijadin Hoxha, Ibush Kelmendi dhe shumë të tjerë.

Nga 38 pjesëmarrësit e dënuar dhe të persekutuar nga regjimi jugosllav, Nexhmi Llumnica 40-vjeçar  ka rënë dëshmor, ndërkohë kanë vdekur, Ramadan Rexha 65, Nexhmedin Pireva 39-vjeçar dhe Shaban Dragusha 34 vjeçar, Ruzhdi Hajdin dhe Agim Leci.  Disa  të tjerë nga këto grupe jetojnë në shtetet e Evropës, por shumica e tyre, asokohe të rinj dhe të mitur, që ishin burrëruar para kohe, jetojnë në gjendje të rëndë sociale, pa përkrahje institucionale, pa punë  dhe pa asnjë ndihmë, ashtu sikur jetojnë edhe shumica dërrmuese e të burgosurve politikë dhe veteranëve të luftës së UÇK-së, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Nga të gjitha grupet që janë dënuar gjatë viteve 80, për veprimtari antijugosllave, këto tri grupe të Besisë, kanë qenë grupet  që kanë marrë dënime tejet të larta dhe që  shumica dërrmuese e tyre janë ndëshkuar fizikisht në mënyrë sistematike gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimeve.( 12 e gjysmë ishte mesatarje e dënieve për grupin e parë). Në mesin e tyre kishte edhe të tillë që i dënuan edhe gjatë vuajtjes së dënimit, për vepra të njëjta penale, sikur është ridënimi i Zymer Krasniqit.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …