Ahmet Qeriqi: Shembuj të tragjedive familjare në folklorin shqiptar I

Ahmet Qeriqi: Shembuj të tragjedive familjare në folklorin shqiptar I

E kaluara shumë shekullore e shqiptarëve nën robëri përveç pasojave kolektive ka lënë gjurmë edhe në jetën e shumë familjeve, shpeshherë përcjellë me tragjedi, në kushte dhe rrethana të ndryshme. Mungesa e një ligji unik, shtetëror, për të marrë në mbrojtje jetën e secilit njeri pa dallim klase apo pozite shoqërore, ka bërë që shqiptarët të mbështeten në të Drejtën e tyre dokesore, si në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kanunin e Maleve, atë Labërisë e  disa kanune të tjera me karakter krahinor. Në këtë mes, rolin dominues e ka luajtur, Kanuni i Lekë Dukagjinit, të cilin e ka mbledhur dhe e ka kodifikuar, At Shtjefën Gjeçovi, njëri ndër njohësit më të thellë të traditës dokesore shqiptare.

Ai ishte studiuesi i parë shqiptar, i cili kishte zbuluar se shumë norma, ligje, sanksione, udhëzime e veprime ligjore të këtij Kanuni ishin të njëjta me Ligjin e Manuit, apo Manava Dharmasastra, që kishte pasur ndikim në të drejtat edhe të shumë popujve të tjerë të Lindjes dhe që me kohë ishte shtrirë edhe në vendet e Lindjes së Afërt por edhe në Ilirinë apo Arbërinë e kohës.

Është shumë me rëndësi fakti se “E Drejta Shqiptare” ( Kanuni i Lekë Dukagjinit, mbledhur dhe kodifikuar nga At Shtjefen Gjeçovi, botuar në Shkodër në vitin 1933) kishte mbijetuar të Drejtën Romake, edhe pse Iliria kishte qenë afër 10 shekuj nën sundimin romak. Ky fakt  është një fenomen i veçantë i pastudiuar sa duhet. Nga kjo fitohet përshtypja se Ligji shqiptar korrespondonte shumë më tepër me Ligjin e Manuit, duke anashkaluar të Drejtën Romake, Kununin e Dushanit, i cili lejonte diskriminim e shqiptarëve katolikë, Sheriatin dhe ligjet e tjera. Kanuni i Lekës kishte sfiduar edhe ligjet e regjimeve komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, për të gjetur një klimë të përshtatshme në Shqipërinë e “kohës së demokracisë” dhe për të mbijetuar në disa krahina shqiptare deri në kohën tonë.

Ky Kanun, i etiketuar në vazhdimësi si kod i dëmshëm i së kaluarës, ka mbijetuar në mungesë të ligjeve që parashtrojnë dhe vendosin barazi shoqërore, individuale dhe kolektive. Në rastet kur ligji shkel drejtësinë, atëherë, sipas kanunit dje dhe sot, njeriut nuk i mbetet tjetër, veçse ta marrë ligjin në duar e veta, pa përfillura pasojat.

Kanuni i Lekës të metën më të madhe dhe më të papranueshme e ka në trajtimin që i bën femrës, të cilën e zhvesh nga çdo e drejtë dhe e trajton si “shakull për të bajtur”. Ajo, sipas këtij kanuni,  jo vetëm që nuk gëzon asnjë të drejtë, por është e privuar nga pronësia, trashëgimia dhe çdo barazi shoqërore. Vetëm femra e ve ka disa të drejta individuale, por jo edhe shoqërore. Ajo, nëse dëshiron të martohet ka të drejtë ta zgjedh vetë burrin dhe të largohet nga shtëpia e burrit të parë. Nëse nuk dëshiron të martohet por të qëndrojë në pronën e burrit, ajo duhej të zotohej para pleqve të fisit e të bajrakut se nuk do të shkel kurorën e  në rast se zihej në flagrancë, dënohej   me vdekje.

Kodi i Lekës, i njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, në trajtimin e të drejtave dhe obligimeve të gruas është jashtëzakonisht reaksionar. Femra, sipas këtij kodi ishte  vegël pune, një calik, një krijesë për të lindur, për të punuar, për të bartur, për të rritur fëmijët, për të qëndruar besnike ndaj burrit edhe atëherë kur burri nuk është besnik.

Në këtë mënyrë femra shqiptare në të kaluarën, përgjithësisht është trajtuar si skllave me të drejta dhe liri tejet të kufizuara.

Mjerisht edhe në kodekset e tjera të vjetra, por edhe në kodet fetare, trajtimi i femrës nuk është aspak i barabartë  me mashkullin. Tradita islame e lejon burrin të  marrë me kurorë jo vetëm një grua, por disa sosh, edhe pse kjo praktikë lejohet ajo nuk preferohet vetëm për dëshirë, por në raste kur burri nuk ka trashëgimtarë.  Burri nuk mund të paditet për kurvëri, ndërsa gruaja linçohet, lëshohet, madje edhe vritet. E tillë ka qenë në të kaluarën e largët edhe tradita e fesë hebraike.

Edhe krishterimi nuk e trajton gruan si të barabartë, por megjithatë në botën e krishterë femra ka gëzuar dhe gëzon më shumë të drejta. Ajo nuk ka të drejtë ta thyejë kurorën, ndërsa mashkulli e thyen. Krishterimi në parim nuk e pranon divorcin qoftë edhe me pëlqimin e burrit e gruas. Nuk e pranon as abortin. Femra në traditën katolike të krishterë mund të shpallet e shenjtë, por nuk mund të postohet në cilësi të Kardinalit as në kreun e Vatikanit. Edhe në fenë ortodokse, femra nuk mund të emërohet në kreun e Kishës, në postin e Patriarkut,  ndërsa mund të zërë vend në hierarkinë më të ulët fetare.  As në fenë islame nuk lejohet që femra të jetë udhëheqëse fetare, apo myfti.

Kanuni i Lekës, nuk kërkon doemos që i vrari të hakmerret, por e cyt hakmarrjen, meqë në nivelin e mbretërimit të atij ligji pleqtë e krahinës, fisit apo Bajrakut  nuk kishin të drejtë ta gjykonin vrasësin, në mungesë të institucioneve ekzekutive. Pikërisht për shkak të kësaj zbrazëtire ligjore, meqë shqiptarët nuk kishin pranuar asnjë ligj të pushtuesve si të vetin dhe nuk ishin pajtuar me asnjë lloj ligji të imponuar, ata kishin ndërtuar të drejtën e tyre të cunguar, por të mundshme për ta zbatuar ashtu edhe për ta anashkaluar. Duket se përralla “për kafenë nën gju që i jepej individit që nuk e kishte marrë hakun”, më tepër kishte qenë një formë virtuale sesa realitet, edhe pse duhet pranuar faktin se familja që nuk e merrte hakun konsiderohej e dobët, e pa krah dhe e lënë në mëshirë të kohës.

Është jo shkencore dhe jo etike, jo njerëzore, e dëmshme kombëtarisht  që tërë Ligji shqiptar i lashtësisë, i cili  ka arritur deri në ditët tona dhe është interpretuar brez pas brezi, të flakët dhe të trajtohet si anakronik dhe i mbrapshtë.

Duke u mbështetur fuqishëm në këtë ligj, në këtë të drejtë dokesore në traditën shqiptare janë shënuar dhe kanë ngelur në kujtesë qindra  shembuj, që flasin për tragjeditë, vrasjet, hakmarrjet dhe jetën e shqiptarit në labirintin e pamëshirshëm të kohëve historike nga një sundim te tjetri.”Kemi mbetë si mos më keq, sikur t kem përbi ndonjë dreq”…

Mbështetur në këtë kornizë ekzistenciale të Ligjit të lashtësisë, janë evidentuar shembuj  të shumtë që flasin për veprimin individual të shqiptarit, në rrugëtimin e tij  për ta ruajtur jetën, për t’ u hakmarrë kundër padrejtësisë, sidomos kundër tradhtisë, për ta ruajtur nderin, besën dhe të njerëzishmen, në kushte dhe rrethana të caktuara historike.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …